NJË STUDIM, QË DEL NË DRITË, NGA “PLUHURI I HARRESËS”...

(Prof. Kolë Tahiri, “Pranimi i fëmijëve në shkollë, në moshën 6-vjeçare dhe përshpejtimi i zhvillimit fizik e psikik”, Tiranë, 2013)

Nga: Prof. MURAT GECAJ
publicist e studiues-Tiranë

Nga e majta: K.Tahiri e M.Gecaj (Tiranë, maj 2013)

1.
Libri, që doli nga shtypi këto ditë, është tema e disertacionit, Pranimi i fëmijëve në shkollë, në moshën 6-vjeçare dhe përshpejtimi i zhvillimit fizik e psikik”, i hartuar nga studiuesi Kolë Tahiri. Ai ishte miratuar nga Këshilli Shkencor i Institutit te Studimeve Pedagogjike, në Tiranë, në vitin 1984, për gradën “Kandidat i shkencave pedagogjike” (konvertuar, më vonë, në Doktor i shkencave pedagogjike”. Në hyrje të librit, publikuar nga Shtëpia Botuese “Edlora”-Tiranë, nga autori janë edhe pak radhë sqaruese për lexuesit, pasi përmbajtja e tij është e pandryshuar, pra ashtu siç është paraqitur në fillim.
Disertacioni në fjalë, përbëhet nga dy pjesë kryesore, që ndiqen nga përfundimet përkatese shkencore, psikologjike e pedagogjike. Në formë të përmbledhur, ato jepen në fragmentet e autoreferatit, i cili ndodhet në faqet e fundit të këtij libri, si: objekti e hipoteza, përmbajtja, qëllimi, metodat e përfundimet dhe detyrat e studimit.
Nga këndvështrimi i sotëm, në disertacion bien në sy edhe dy çështje kryesore:

E para, në kushtet e shtetit monist, kur në çdo gjë politika qëndronte “në plan të parë”, ai nuk mund t’i shpëtonte ngarkesës me fjalët dhe slloganet politike e ideologjike, të partisë-shtet dhe të udhëheqësit kryesor të saj. Në këtë botim, ato jane ruajtur të paprekura, pra ashtu siç kanë qenë shkruar nga autori i disertacionit, afër 40 vite më parë. Ashtu siç e nënvizon tani prof. Kolë Tahiri, kjo gjë dëshmon edhe për shkallën e nderhyrjes brutale të politikës dhe ideologjisë,punën kërkimore e studimore shkencore të kohës. Por edhe po të hiqen ose çvishen këto sllogane nga disertacioni, në përgjithësi, ai nuk e humbet përmbajtjen shkencore të tij. Bile, përkundrazi, i rritet vlera e mirëfilltë psikologjike e pedagogjike. E themi këtë gjë se, në tërësinë e tyre, çështjet e trajtuara në këtë punim, në rrafshin psikologjik e pedagogjik, i ruajnë edhe tani vlerat e tyre.

2.
Siç është e njohur, problemi madhor në fushën e arsimit, për vitet ’80-të të shekullit të kaluar, pra  i zbritjes së moshës se pranimit të fëmijëve në klasën e parë të arsimit të detyruar, kërkonte argumentime të thella, psikologjike e pedagogjike, të bazuara eksperimentalisht, në praktikën e shkollës sonë. Pa këto, sigurisht, nuk mund të merrej as pergjegjësia e mbështetjes së vendimit të Qeverisë së kohës, për zbritjen e moshës  së pranimit në shkollë dhe autori nuk do të guxonte ta ngrinte studimin e tij, në shkallën e  një disertacioni për gradë shkencore, në fushen e psikologjisë e pedagogjisë.
Në disertacionin e hartuar, i cili paraqitet tani në libër të veçantë, theksohet se, në përshpejtimin e zhvillimit fizik e psikik, ka ndikuar edhe stadi ekonomik i vendit tonë, në kushtet e periudhës, kur u shkrua ai. Dihet se, pas Luftës së Dytë Botërore, si rrjedhojë e pjesëmarrjes së gjerë të njerëzve në punën ndërtimtare, me besimin në të ardhmen më të mirë dhe ndihmave, që u dhanë nga jashtë (kredive sovjetike e kineze), ky nivel zhvillimi, krahasuar me prapambetjen e trashëguar dhe shkatërrimet e luftës, nuk  ishte i padukshëm. Pra, nënvizon autori në hyrjen e librit të tij, argumenti për kohen, kur bëhet fjalë, ka qenë real dhe qëndronte. Këtu, duhet shtuar edhe fakti, se ky përshpejtim, si ligj objektiv,  është shfaqur, sidomos, në shekullin XX edhe në vendë të tjerë të Europës e më gjerë.
Ky disertacion, i kthyer tani në libër, parë edhe me syrin e sotëm, mendojmë se ka disa veçanti. Midis tyre, vihet re se studimi është bazuar tërësisht në eksperimentimin shkencor, i cili ka zgjatur katër vite shkollore. Ai ka shërbyer një ndër argumentet kryesore për marrjen e vendimit, nga ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor, për zbritjen e moshës së pranimit të femijëve në shkollë, nga 7, në 6 vjeç. Pra, kishte gjetur miratim të plotë dhe shtrirje në shkallë vendi. Ndoshta, për atë periudhë, ka qenë i vetmi studim psiko-pedagogjik, i kryer në shkollën tonë edhe në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet organeve të arsimit dhe atyre të shëndetësisë.
Për herë të parë, sqaron autori i librit, prof. Kolë Tahiri, në studimet tona eksperimentale psiko-pedagogjike, të dhënat e matjeve antropometrike  (peshë, gjatësi, cirkoferencë e toraksit) i janë nënshtruar përpunimit matematik statistikor, nga katedra përkatëse e Fakultetit të Inxhinierisë në Universistetin e Tiranës, e drejtuar nga prof. Kadri Zhulali.
Pa u ndalur me imtësi të përmbajtjes së këtij disertacioni, të publikuar tashmë në një libër, vërehet se ky punim  ruan vlera shkencore, psikologjike e pedagogjike, jo vetem si pikë referimi në historinë e arsimit dhe shkollës sonë, në vitet e fundit të shek.XX,  por përmban  edhe vlera aktuale, si për specialistët dhe mësuesit e shkollës fillore, pse jo, edhe për prindërit. Sigurisht, çështjet e trajtuara duhen vështruar e vlerësuar edhe në përshtatje me kushtet e sotme, kur studimet në fushën e arsimit, të psikologjisë e pedagogjisë, kanë ecur më përpara. Kjo gjë është e lidhur ngusht me hapjen e vendit tonë ndaj botës perëndimore, pas vitit 1990.
Në libër merret informacion se, për kryerjen e këtij eksperimentimi, u përfshinë, me ndërgjegjegje e profesionalizëm, mësuesit e nxënësit e 13 shkollave, në 5 rrethe të vendit tonë, në qytete e fshatra. Autori, që nga Brukseli i Belgjikës, ku është emigrant tash 15 vjet, kujton me vlerësim dhe respekt disa prej tyre,  si: Luçie Gera, Vjollca Raboshta e Pjetër Nika (në rrethin e Shkodrës); Violeta Saliu (Lezhë), Ruzhdie Kola e Bajram Muça (Mat), K.Prifti (Korçë), Minerva Rusi e Nimete Demiraj (Tiranë) etj. Ata janë shquar për punë të kualifikuar, në klasat e tyre, si dhe në veprimtaritë për shkëmbimin e përvojës, me pjesëmarrje në seminare e konferenca shkencore, me  propagandimin e arritjeve në shtypin e kohës etj. Po kështu, autori përmendë metodistët e përkushtuar të kabineteve pedagogjike të asaj kohe, si: Col Dizdari e Faik Luli (Shkodër), Gjon Simoni e Col Dizdari (Lezhë), Adem Kuka (Burrel), si dhe drejtoritë e shkollave, ku janë zhvilluar eksperimentet. Duke i kujtuar e falënderuar ata, shprehet ai, se do te ishte në nderin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, që t’i propozonte për dekorime të veçanta, që janë plotësisht të merituara.
Në fund të hyrjes së këtij libri, autori nënvizon se, për nxjerrjen nga “pluhuri i harresës” dhe botimin e këtij disertacioni, u bë shkas edhe një e dhënë e pasaktë, e publikuar pak kohë më parë, në shtypin tonë. Autori i shkrimit, me sa duket i bazuar vetëm në disa terma të nxjerra nga ndonjë manual dhe kështu i painformuar mirë, pa u thelluar në të vërtetën shkencore për këto studime, autorësinë e tërë kësaj pune ia ka dhënë një studiuesi tjetër të nderuar, por që ai nuk është marrë ndonjëherë me studime ose eksperimentime për zbritjen e moshës së pranimit të fëmijëve në shkollë dhe përshpejtimin e zhvillimit fizik e psikik të tyre.
Me këtë rast, e urojmë autorin e këtij disertacioni dhe që tani u jepet lexuesve tanë në një libër, prof. Kolë Tahirin, për punën e bërë dhe përkushtimin e treguar, duke dhënë një ndihmesë të çmuar në fushën e arsimit tonë kombëtar, të historisë së arsimit dhe te mendimit psikologjik e pedagogjik shqiptar.


Tiranë, 7 qershor 2013                                 

Google+ Followers