Një poezi nga cikli im poetik botuar në "Poeteka" nr.25 - Erina Pavle Çoku

Ç’ke me mua?

Më ecejakesh brenda mendimit me njëmijë hapa
çjerr me ikjet e tua, bëhesh imja vrajë,
shenjohesh mur më mur të rrethinës sime
e kapërcen kështjellën, fshihesh në terrnajë.

Me dëshirat e paplota, ndërron zërat çdo ndajnatë
e më lëshohesh si shpend flatragjerë,
depërtohesh brenda në krye, çart rendin e gjykimit
si të qe një tog bimëthatë ndanë pragut.

Ç’ke me mua? Ç’ke me mua?

S’ të shqis dot prej lëkure,
më ke hyrë në gjak si uji i etjes
e qarkullohesh paprerë si të ishe
një me mua,
ta ndjej rrjedhën si një lëvrimë ngacmuese
me tinguj krejt tinëzi qëllimtare.

Mbi çatinë time të drunjtë
më ke hedhur një rreze, një të vetme
që rri ngulmuese të gjitha kohët e orëminutave
e ndizesh për të më djegur gjallë,
duke kundruar limfën time të bërë avull
mu nën flegrat e tua.

Ç’ke me mua, i fshehur në terr?
Më mban ajrin peng si të qe lodërz
e më përshkon me ato ninëza të çuditshme
që të shndrijnë përtej përfytyrimeve të mundshme
e therin gjer në dhimbje, gjer në krrak të ashtit.

S’të dhimbsem ty, as vetes nuk iu dhimbskam
gjersa të mbaj dëshirë të ngulët në çdo cep të qenies
e mëkatshëm e shoh veten të kapërthehem pas teje,
bimë kacavjerrëse në qafën tënde,
buzë e nxehtë në pulsin tënd,
kraharor në shpinën e heshtur.
duar në fytin e pambrojtur
për të të marrë frymën
e për t’u hedhur teposhtë në humbellën e shpirtit që je.

Ç’ke me mua, mendje e përqafuar?
Shpirt i trupëzimit tënd,
i qenies me ndjenja që lëshohen si rrjedhë e pandërprerë
mërmërin këngëza kalamendëse të qelizës tënde
të fshehtë, të pamatë, diçka më përtej se fryma vetë.

Kyçur mbahesh me treqind dryna prej frike,
e mbuluar më je me heshtje
krijuar enkas për të më nxjerrë tym prej mendjes,
për të më përvëluar me atë zjarrmi ndijimi që bëhet prush
e bren trarët e drejtpeshës në tavanin e gjallimit.

Më mardhe krejt me mungimin tënd,
ç’ ma kthen mënjanë atë krye?
Kur unë veç dua ta kundroj mbajtur në pëllëmbë të mia
e prej pikës së vështrimit sy më sy mëtoj
të hidhem brenda mrekullisë së thellë që është frymimi yt,
ai që përqark Eolë të zbutur lëshon
me fuqinë e brishtësimit, të ndaljes në vend e të dashurimit me ty.


Patrick Gonzales-Photography




Google+ Followers