Nga dashuria për jetën


Kur je duke lexuar librin e ri “Rrëfime për njerëzit e lulet” të  shkrimtarit Astrit Xhaferi të krijohen të njëjtat ndjesi sikur je futur  në një kopsht plot lule e bimë dhe në pyjet tona që na ka dhuruar  natyra e dora e njeriut punëtor e të talentuar.
Çdo rresht i prozës së tij kullon ëmbëlsi e dashuri për gjelbërimin: lulet e bimët, drurët e pemët. Ai të merr përdore si një nxënës të fillores dhe të shëtit në kopshtin real, e magjik njëkohësisht, të natyrës, duke të pëshpëritur pareshtur me një zë të ngrohtë miqësor: “Duaje natyrën, nënën tonë të përbashkët si veten … ajo na jep gjithçka, ti jepi diçka, kujdesin e dashurinë tënde.”
Dhe kjo porosi, sa poetike e jetësore, na jehon në vetëdije jo vetëm sa kohë jemi duke lexuar rrëfimet e Astrit Xhaferit.
Ky libër është një përmbledhje tregimesh, kujtimesh, portretesh letrare, intervistash që autori synon të kënaq një numër të madh lexuesish, që nga nxënësit e deri të moshuarit. Sepse nuk besoj të ketë njeri, i cili të mos i ketë marrë erë një trëndafili ose karafili e të mos jetë dehur nga kënaqësia, i cili nuk i ka adhuruar një tufë lulesh njeriut të dashur ose të mos ketë çuar qoftë dhe një lule të vetme mbi varret e prindërve dhe të afërmve të dashur.
Çdo rresht i prozës së Astrit Xhaferit përshkohet nga ngazëllimi e trishtimi. Ngazëllim që i sjellë natyra me bimët e saj, trishtim nga drama e jetës së tij, ngazëllim që i sjellin dashnorët e zjarrtë të luleve, bimëve e pyjeve, trishtim për jetën e punën e tyre të pavlerësuar e të harruar. Si  limfa që rrjedh nëpër dejtë e bimëve e luleve, rrjedh e ngjyros lirizmi pasazhe, situata e personazhe të krijuar e  njerëz realë në këtë libër.
Pasioni i autorit si kultivues shkrihet natyrshëm me dashurinë njeriut për bimësinë që na mban gjallë trupin e shpirtin. Dhe ky pasion është i pashkëputur nga nderimi i thellë për kultivuesit e mençur e të ditur të luleve e të drurëve dekorativë, nga dashuria për ta.
Ashtu si manushaqet e pyllit e të livadheve, Astriti i thjeshtë, i heshtur, disi i mënjanuar nga jeta e zhurmshme dhe e vrullshme e shoqërisë, sikur përpiqet të ruaj në vete sekretin e luleve, sikur  vazhdon me to dialogun e kahershëm, edhe pse sot dora e tij e brishtë nuk u përkëdhel më farat, kërcejtë, gjethet, petalet…si dikur. Prandaj këtë libër do ta quaj një lule me ngjyra dhe erëmim të veçantë origjinal në kopshtin e begatë, edhe pse herë-herë të djegur, të letërsisë sonë.

Sazan Goliku

Google+ Followers