Në kërkim të gjurmëve të fashizmit

Autori Roberto Ciai tregon dy vitet për të shkruar romanin “Njeriu që i shpëtoi jetën Duçes”. Nga Roma në Afrikë, udhëtimi për të gjetur dokumentet historike, për të sjellë të plotë tablonë e Italisë fashiste


Në Ostia, qytetin me rrugë të ngushta, Roberto Ciai dhe miku i tij Marco Lazzeri, kanë kafenë e tyre të preferuar, ku ulen shpesh për të ndarë bisedat mbi historinë. Ishte vera e vitit 2008, dhe teksa perëndimi i diellit shtrihej qetë, qetë mbi det, dy miqtë u përfshinë në biseda mbi Italinë e viteve ‘30-‘40. Sapo kishin përfunduar së shkruari librin “1494-Hija e inkuizitorit”, një libër që kishte sjellë një vështrim ndryshe mbi këtë periudhë të historisë, ku ideja për të shkruar një tjetër libër i kishte grishur sërish. Marco gjithnjë kishte qenë i tërhequr nga fashizmi. Si njohës i mirë i historisë, ai e dinte se periudhat e errëta mbartin në vete një mister, që nëse i afrohesh mund të nxjerrësh prej tij thesare që rrinë aty prej vitesh. Kështu, ai i propozon mikut dhe bashkëpunëtorit të tij Ciai të shkruajnë një roman për njëzetvjeçarin fashist. “Mendova për dy vëllezër, njëri hero dhe tjetri një njeri çfarëdo. Dëgjo ç’kam në kokë…”, fliste Lazzeri. Teksa Marco vazhdonte të rrëfente subjektin që prej kohësh i rrinte në mendje, Ciai e gjeti veten të përfshirë në këtë histori. Atë pasdite lindi shkëndija e parë e romanit “Njeriu që i shpëtoi jetën Duçes”, i cili do të kthehej në një nga librat më të mirë të shkruar mbi një prej periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit fqinj. Një libër që lindi nga mendja e dy njerëzve që e duan historinë dhe që besojnë se pavarësisht gabimeve të kohës, e vërteta vjen gjithnjë, qoftë dhe në formën e një libri. Ata donin të ndërtonin një histori të ndryshme nga modeli i zakonshëm me të cilin ishte paraqitur ajo periudhë në mediat, apo në librat e historisë. Një libër që nuk do t’i bënte jehonë regjimit, as autoriteteve të korruptuara e servile. Dhe teksa kafetë ishin ftohur, ata u ngritën për të nisur kështu një nga aventurat më të bukura të karrierës së tyre. “Filluam të punonim rreth kësaj historie. Kërkuam dokumente të kohës, fotografi, dëshmi. I studiuam me themel spitalet psikiatrike dhe jetën e tmerrshme që zhvillohej në ato mjedise aq klaustrofobike. Lexuam dhjetëra tekste mbi atë që ishte Italia në vitet njëzet dhe tridhjetë. Hymë në zakonet e njerëzve. Ndoqëm pas markat e pijeve freskuese, sapunët, dyqanet e veshjeve, udhëtimet turistike me anije dhe çdo hollësi tjetër të dobishme për të krijuar një imazh sa më besnik të ishte e mundur ndaj të vërtetës”, tregon Ciai. Por të gjitha këto hulumtime nuk do të ishin të mjaftueshme pa prekur vendet në të cilat ndodhi lufta. Teksa shikonte gjithë materialet e mbledhura mbi tryezën e punës, Ciai e ndiente se për të shkruar librin i duhej të merrte një tjetër hap. Kështu, rrëmbeu çantën me bagazhet e nevojshme për një udhëtim pune dhe u nis për në Afrikë… “Tripoli ka ndryshuar thellësisht që atëherë: duhej mësuar diçka për ndërtesat, rrugët, ngjyrat, erërat që nuk ishin më. Duheshin gjetur dokumente të besueshme dhe të plota”, tregon ai. Në një dyqan librash atij i ra në dorë një 2785313B6C6A8C650BBC5F2E9A7BE_h498_w598_m2vëllim i mrekullueshëm i 1934-s, “Peizazhe libiane”, i gjeneralit Domenico Siciliani, i mbushur plot e përplot me referime e fotografike, mbi zonat e përfshira në roman. Ishte pikërisht ajo që i duhej. “Shumë të dobishëm qenë edhe librat e bukur të Luigi Romersa-s dhe Paolo Caccia Domenioni-t mbi luftimet në Afrikën e Veriut, të përshkruara me pasion të pazakontë”, thotë Ciai. Por teksa dukej sikur jeta e tyre ishte kthyer pas në kohë, dhe ata po jetonin në kohën kur Italia nuk kishte shkëlqimin e tanishëm, por ankthin e një lufte, e cila nuk dihej si do të përfundonte, Marcos iu desh të hiqte dorë nga kjo ëndërr, dhe ta linte mikun e tij Ciai të çonte i vetëm në fund aventurën e nisur. “Fatmirësisht ndodhesha në një fazë shumë të mirë. Kisha imazhe dhe tekste që i përkisnin asaj periudhe, incizime të vjetra dhe dëshmi të drejtpërdrejta të atyre që ato ditë i kishin përjetuar vërtet. Kisha edhe disa doracë të vegjël turistikë mbi Romën e viteve ‘30, që tregonin hollësisht linja tramvajesh dhe autobusësh me itineraret dhe stacionet përkatëse. Në Bibliotekën Kombëtare gjeta gazeta që përshkruanin ditët e tmerrshme të shiut të 1937-s. Praktikisht Roma ishte përmbytur. Dhe pastaj, mania e zakonshme e teksteve të errëta. Ishte ky botim i jashtëzakonshëm i Daemonologia Sacra-s, një libër i vjetër puritan sa magjepsës, aq i mistershëm. Si mund ta lija të më shpëtonte?”, tregon Ciai. Për gati dy vjet e gjysmë ai do ta kalonte kohën në kërkim të gjurmëve të teksteve të vjetra të mbetura nga Italia e atyre viteve. Ciai është kujdesur dhe për detajet më të vogla për të bërë një tablo të vërtetë të luftës dhe pasojave që ajo solli te njerëzit. Deri te motoçiklizmi, mënyra sesi funksiononte në atë periudhë. “Im vëlla Luca, është një njohës i mirë i motoçiklizmit dhe i automobilizmit të kohës dhe ndihmoi me një sasi të papërfytyrueshme dokumentesh dhe informacionesh mbi çdo mekanizëm me dy dhe katër rrota që është përfshirë në roman: ‘Guzzi’, ‘Norton’, ‘Lancia’ dhe ‘Alfa Romeo’ janë protagonistët e vërtetë të historisë”, tregon Ciai. Italia e viteve ku ai ishte ndalur, vazhdonte ta joshte me të fshehtat që mbarte, dhe Ciai ndiente se ato nuk kishin fund. Rrëfimet e dëgjuara e shtynin të përfytyronte personazhet me të cilat ai do të ndërtonte librin, për t’u ndalur tek ata që do ta mbanin linjën e romanit. Ishte një periudhë e vështirë të zgjidhje mes mijëra historive, historinë përfaqësuese të një kohe. Dhe një mbrëmje, teksa dritat e shtëpive shuheshin një nga një në Ostia, ai e ndieu se mjaftonte të merrte një histori dhe të ulej ta shkruante, pasi në luftë të gjitha historitë kanë të njëjtin fillim e fund… Çdo personazh që ai do të zgjidhte do të kalonte në të njëjtat rrugë që kalojnë personazhet që ai krijoi, mes atdhedashurisë, dashurisë, zhgënjimeve, urrejtjes, frikës dhe hakmarrjes. Në luftë, në trupin e njeriut kalojnë të gjitha ndjenjat dhe Ciai nisi të shkruante një libër duke mos shmangur asnjërën prej tyre, dhe për të sjellë para lexuesit pasojat fatale të një epoke. Dhe pse besonte te momentet e bukura, në libër Ciai i afrohet dhe u largohet atyre pa dashur t’u japë personazheve një fund që nuk është i vërtetë… Ciai ka ndërtuar një roman, nën fletët e pafundme të marra nga arkivat që ruajnë të vërtetat, që edhe pse të zverdhura nga vitet, mbartin copëza jete të një periudhe dhe tashmë që libri ka përfunduar, ka lënë ende gjurmë brenda tij. “Njeriu që i shpëtoi jetën Duçes”, është një libër i ndërtuar mbi rrëfime jetësh, dhe kjo e bën si botimin më tërheqës e të vlerësuar mbi fashizmin…
a.b./shqip

Google+ Followers