Në 80-vjetorin e lindjes:BARDHYL XHAMA, KRIJUES DHE NJERI I MIRË…



Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë



B.Xhama (Foto: M.Gecaj)


1.

Lexues të dashur, kolegë e miq! Të jem i sinqertë me ju, sot e kam ndierë veten paksa ngushtë. Sigurisht, ju doni ta dini arsyen. Ja, po ua tregoj me çiltërsi dhe mos më qortoni, pra kërkoj mirëkuptimin tuaj…
Në një mesazh të zakonshëm, në adresën time e-mail përmes Internetit, kolegu dhe miku im i dashur, autori i mbi 15 veprave letrare dhe publicisti i njohur, Bardhyl Xhama-“Mësues i merituar”, më shkruante se këto ditë ishte i zënë me punë dhe me disa veprimtari, sidomos familjare. Po, kënaqësia ime ishte, se ato janë për të mirë. Ndër të tjera, më tregonte se i kishte ardhur nusja e djalit nga Amerika e bashkë me të edhe mbesat e dashura. Po kështu, ishte paksa i merakosur për organizimin e festimeve të 80-vjeteorit të ditëlindjes. Së pari, atë do ta bënte në rrethin e ngushtë familjar dhe pastaj me kolegë, miq e dashamirë. Më pelqeu shprehja e mikut tim, se “gjithë qershori është iimi” (ha,ha). Siç ndodhë rëndom me datëlindjet tona, pra që janë jo aq të sakta, Bardhyli më shkruante se më e përpikta për atë ishte ajo, që e mbante mend nga nëna. Pra, datëlindja e tij është 13 qershori i vitit 1933 (Fterrë-Sarandë).
Sigurisht, pas këtij njoftimi miqësor, u vura paksa në “siklet”. Pra, mendova të shkruaj diçka për këtë krijues të njohur në letrat shqipe, por mbi të gjitha për këtë koleg, mik e njeri të mirë. Po, nga t’ia nisja? Të bëja renditje të fakteve ose skicim të jetës së tij? Kjo nuk ishte aq e përshtatshme, pasi të dhëna të tilla, tashmë, gjenden edhe në faqe të ndryshme Interneti. Po kështu, edhe po të flisja për krijimtarinë e tij, publicistike e letrare, pak a shumë, ishin fakte të njohura. Pra, zgjodha një udhë disi ndryshe, por që më bën të ndjehem më i qetë dhe  “i lehtësuar” në shpirt, përballë këtij njeriu gjithnjë buzagas, kaq të dashur dhe të respektueshëm, me të cilin njihem shumë vite me radhë. Duke e bërë këtë gjë, po u tregoj edhe ndonjë “sekret” të lidhjeve tona miqësore, të cilin ndoshta nuk e kam publikuar, deri më sot.



Ndërmjet kolegëve krijues dhe miqëve…Nga e djathta: V.Kona, N.Dragoj, B.Xhama, S.Hasko, M.Gecaj e S.Harka (Tiranë, 2012)

2.

Në vitet ’80-të të shekullit të kaluar, punoja redaktor në gazetën qendrore dhe të përditëshme, “Bashkimi”. Ndërsa Bardhyli shërbente në organin e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, “Mësuesi”. Me atë gazetë bashkëpunoja pandërprerje, që në numrat e fillimit të saj, pra në vjeshtën e vitit 1961 dhe që kishte nismëtar e kryeredaktor të parë, prof.Bedri Dedjen-Akademik. Pra, si të thuash, ishte një gazetë e dytë për mua, krahas asaj, ku shërbeja. Pa u zgjatur, tregoj se në atë kohë u krijuan rrethana të tilla, sa më lindi nevoja të shkoja me punë në një redaksi tjetër, si shkak i biografisë “së dyshimtë”?! Sapo ia tregova Bardhylit këtë shqetësim, duke qenë ai dhe sekretar i kolegjiumit të “Mësuesit”, më tha se kishin një vend bosh dhe se do të ndërhynte, që të më merrnin me punë aty. Ai e mbajti fjalën dhe në vijimësi e nisa punën në kolektivin e redaksisë së asaj  gazete, e cila në atë periudhë kishte disa veta dhe dilte dy herë në javë.
Më vonë, meqenëse më parë kishte punuar edhe drejtues në arsimin e rrethit të Sarandës, Bardhylin e caktuan zv.drejtor të Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor dhe, që aty, shef sektori në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Ndërsa unë e vijova detyrën e redaktorit, në atë gazetë për afër 22 vjet radhazi, deri sa dola në pension, në nëntor 2002.
Në marrëdhëniet e punës, në redaksinë e ‘Mësuesit”, por dhe më vonë në detyra të tjera e deri sa Bardhyli doli në pension, nuk i shkëputëm lidhjet tona miqësore. Ndërsa në vitet vazhduese, miqësinë tonë e mbajtëm si më parë dhe, ndoshta, e forcuam më shumë atë. Tashmë, ishim një grup i vogël shokësh, që u mblodhëm së bashku në “kompaninë lëvizëse”, siç e quanim ne, pasi i ndërronim shpesh vendet e takimit. Në të bënim pjesë: unë, Bardhyli, i ndjeri Skënder Hasko, Viron Kona, Sejdo Harka e Nuri Dragoj. Shpesh, me ne mblidheshin edhe kolegë të tjerë, të cilët i kemi quajtur, me shaka, “kandidatë” të kompanisë sonë, siç janë Pandeli Koçi, Pajtim Bejtja etj. Ndërsa Bardhyli ka bërë pjesë edhe në një “grupim” tjetër, pra të fterriotëve, me të cilët gjithashtu takohet rregullisht.
Krahas vijimit të punës në fushën e krijimtarisë letrare e publicistike, pra botimit të shumë librave, sidomos për të vegjëlit, me Bardhylin kemi marrë pjesë në mjaft veprimtari të përbashkëta, siç janë: festime të ditëlindjeve, në përurime librash të autorëve të ndryshëm, si nga Shqipëria, por dhe nga Kosova e diaspora. Sjell këtu në kujtesë edhe festimin e 75-vjetorëve tëq lindjes, p.sh., të Bardhylit e Skënder Haskos. Por ata, bashkë me kolegë e miq të tjerë, në mars 2010, më nderuan e më sollën kënaqësi në tubimin e paharruar për 70-vjetorin e ditëlindjes, ku përurova librin jetëshkrimor, “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës sime” (Tiranë, 2010). Më kujtohet se, në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, Bardhyli doli e recitoi një vjershë, që ma kishte kushtuar mua, me dashamirësi. Në një kartolinë urimi, shoqëruar me një pamje të bukur, ai shkruante edhe këto radhë:”Murat Gecaj, nga Tropoja,/ burim pena, mjaltë goja!” Por Bardhyli recitoi aty edhe vargjet e vjershës, që më kishte kushtuar kolegu i paharruar, Skënder Hasko, i cili gjithashtu ishte i pranishëm, në ngjarjen e asaj dite.
Të bukura janë mbresat tona të përbashkëta, gjatë pjesëmarrjeve në panairet vjetore të librit, siç ishte dhe ai i 15-ti, në prag të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Kështu, mund të përmendja edhe përurimet e disa librave, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar ose në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve etj. Se Bardhyli tregon kujdes të posaçëm, sidomos, për talentet e reja, duke dhënë ndihmesën e tij të çmuar në Shoqatën e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj. Dhe, në të gjitha rastet, ai është shprehur aty, me fjalë dashamirëse për fillestarët në krijimtarinë letrare. Shpesh, ai është redaktor ose recensionues i librave të rinj. Ja, para pak ditëve, në Tiranë u përurua romani me një titull intrigues, “Nuse, në derën e hasmit”, me autor Pandeli Simsinë, me banim familjarisht në Nju Jork. Meqenëse është edhe redaktor i këtij libri të bukur, Bardhyli foli para pjesëmarrësve në përurim për vlerat e këtij botimi, si për tematikën, shtjellimin e subjektit, skalitjen e personazheve, gjuhën e përdorur etj.

3.



Bardhyli, i lumturuar, me stërmbesën Alina…

Shpesh herë, Bardhyl Xhama ka bërë udhëtime jashtë Shqipërisë, ku jetojnë familjarë dhe të afërm  të tij. Me kujdesin dhe vëmendjen e përqëndruar, por dhe me korrektësinë shembullore, ai i ndjek krijimet e kolegëve dhe miqëve, në faqe të ndryshme Interneti. Pastaj, jep mendime të pjekura për to dhe shkruan e u përgjigjet mesazheve, që i dërgojnë atij. Në kompjuterin tim ruaj disa mesazhe të tillë dashamirës.
Bardhyli, e ka ruajtur kurdoherë nderimin e respektin për vendlindjen, për prindërit (është biri i “Mësuesit të Popullit” Lame Xhama) dhe njerëzit e gjakut. Të gjithë e njohin atë bashkëshort shembullor, me Ferasetin e tij, kudo të pandarë dhe familjar të rrallë e të mire, të përkushtuar për të gjithë. Kanë kaluar shumë e shumë vite, qëkur ai u bë baba. Pastaj gjysh shembullor e i dhembshur. Po ta hapni faqen e Internetit “Facebook”, te emri i tij, menjëherë, do ta shihni fotografinë e këtij stërgjyshi, duke mbajtur në krahë, mjaft i lumturuar, stërmbesën e tij ose “polenin e shpirtit”, “mjaltin e mjaltit” më të zgjedhur, me emrin e bukur, Alina.
…Në mbyllje të këtyre pak radhëve, për kolegun dhe mikun e dashur shumëvjeçar Bardhyl Xhama, në 80-vjetorin e lindjes së tij, mund të shprehesha në disa mënyra, me fjalë urimi, që më dalin nga zemra. Por unë po zgjedh vetëm këtë: Me shëndet të plotë dhe  gëzime e lumturi, vetjake e familjare, uroj që ta shohë të martuar dhe me fëmijë, stërmbesën e tij të dashur! Aty, ai le të fiksojë pamje të bukura, me aparatin fotografik, të cilin nuk e ndan asnjëherë nga dora.

Tiranë, 12 qershor 2013

Google+ Followers