Naum Prifti: Çfarë fshihet në 200 dosjet me dorëshkrime, të nolistit të fundit

Trashëgimia studimore, letrare, gazetareske, e Peter Priftit, dishepullit dhe nxënësit të fundit të Nolit, përbën pasuri kulturore dhe historike kombëtare. Për këtë arsye, i vëllai Naum Prifti, në pamundësi për t’i sjellë në Arkivin e Shtetit Shqiptar, ia ka dorëzuar për ruajtje shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia. Janë 200 dosje me dorëshkrime që mbajnë shkrime publicistike, letra personale, madje dhe letërsi artistike. “As unë nuk e kam ditur sa ishte ai gjallë, që im vëlla shkruante letërsi artistike. E kam zbuluar pas vdekjes së tij, kur kam hapur arkivin e dorëshkrimeve. Ka shumë dorëshkrime në prozë që janë tregime, novela e kujtime. Ai, duke e ditur me sa duket se unë isha shkrimtar i prirur për letërsi artistike, kishte patur gjithmonë druajtje të më tregonte shkrimet letrare”, – tregon vëllai Naum Prifti, i cili tashmë që arkivi ndodhet në ruajtje në kushte optimale, ndjehet shumë i lumtur. Në fakt do të kishte dashur shumë që dorëshkrimet e Peter Priftit të ruheshin në Tiranë, në Arkivin e Shtetit, por për arsye financiare kjo “dërgesë” me vlerë nuk u dërgua dot. “Shumë miq këtu në Amerikë më thanë që t’i dërgoja këto dosje për ruajtje në Arkivin e Shtetit, por në pamundësi financiare nuk e ndërmora këtë iniciativë. Personalisht nuk kam kontaktuar me ata të Arkivit dhe nuk e di nëse vetë Arkivi i Shtetit do të kishte interes që të bënte të mundur zhvendosjen e dorëshkrimeve të vëllait në Tiranë”. Sot dosjet ndodhet në arkivin e Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, vendi ku Peter Prifti u edukua dhe u rrit. “Dosjet ruhen në një hapësirë të veçantë dhe në kushte optimale. Shpresoj që një ditë ky thesar dorëshkrimesh të njihet e të çmohet si pjesë e trashëgimisë shqiptaro-amerikane”.
Nga letrat e dashurisë, te takimet me Nolin dhe tregimet për miqtë
Peter Prifti ka qenë një ndër njerëzit që ka qëndruar gjatë pranë Fan Nolit.Mes dorëshkrimeve të tij gjenden edhe kujtime dhe histori nga kjo miqësi mes të dyve. Pjesa më e madhe e kujtimeve të tyre janë botuar, por Naum Prifti që ka shfletuar arkivin e tij, pohon se ka ende shumë për të botuar nga dorëshkrimet e tij. Në një nga dorëshkrimet e veta ai flet hollësisht për takimin e parë me Fan Nolin, episode të të cilit janë botuar në një intervistë të shumë viteve më parë të Peter Priftit. Vepra letrare e tij është gjithashtu e panjohur. “Unë vetë jam njohur me tregimet e tij pas vdekjes se Peter Priftit. Aty sikur njoha një anë tjetër të tij, atë emocionale. Në një prej tregimeve flet për një mikun e vet që ai e ka patur shumë përzemër, por që në fund ia theu zemrën”. Naum Prifti na hap kësisoj dosjet e panjohura të të vëllait. Në ato dorëshkrime Naum Prifti për herë të parë është njohur dhe me “të fshehtat” e jetës private të të vëllait. “Nga dorëshkrimet e tij mësova se dhe ai ka patur simpatitë e tij. Do të veçoja letërkëmbimet e tij me një vajzë amerikane që ai e kishte shoqe dhe që e çmonte shumë, e donte me sa duket, por për shkak të jetës që ajo kishte krijuar tashmë me një bashkëshort, ai nuk hyri kurrë në marrëdhënie dashurore me të. Nga letërkëmbimet kuptohet se ata ishin dhe mbetën deri në fund vetëm miq shumë të mirë. Letërkëmbimet e tyre janë fantastike. Këtë anë të tij e kam njohur nga dorëshkrimet.”
Krijimtaria publicistike e Peter Priftit është pak e njohur në Shqipëri. Pjesa më e madhe e botimeve të tij janë në anglisht dhe të botuara në SHBA. Në shqip shumë pak vepra të tij janë botuar, si vëllimi “Mozaik shqiptar”, botuar në Prishtinë dhe “Gjuha është organizëm i gjallë”, botuar në Tiranë. Ka pasur një debat për gjuhën shqipe mes Peter Priftit, Arshi Pipës dhe Sami Repishtit, që u bë publik në shtyp vetëm një vit më parë. Dorëshkrimi gjendej në arkivin e Peter Priftit dhe u botua nga i vëllai pas vdekjes. “Ky debat më ra në dorë pas njëzet vitesh, dhe nuk e kuptoja pse Peter Prifti nuk e kishte botuar, aq më tepër që ngjarjet historike i kishin dhënë të drejtë atij. Kur e pyeta ai, m’u përgjigj se nuk do të donte që ky dorëshkrim të botohej sa ishte gjallë. Pas vdekjes së tij, debatin e botova te Buletini “Zëri i së Vërtetës” në New Jersey dhe te revista “Dy Drinat” (2012) që del në Kukës, sponsoruar nga shqiptaro-amerikani Esat Bilali. Më 1989-ën ata shkuan te një konferencë ndërkombëtare në Strasburg, ku Pipa referoi për çështjen e Kosovës. Një kopje të këtij referati ia dërguan dhe Peter Priftit, ku ai u skandalizua nga përmbajtja dhe u ul e shkroi një përgjigje ku shprehte indinjatën e tij që autorët ngarkonin me faj shqiptarët e Kosovës për gjendjen e tyre mjerane. Sipas referatit, përdorimi i flamurit kombëtar dhe miratimi i gjuhës së njësuar shqipe nga kosovarët ishin shkaqet që kishin zemëruar autoritetet serbe. Me argumente e me fakte historike, P. Prifti i hidhte poshtë këto pretendime. Debati midis tyre vazhdoi me sulme e kundërsulme. Në fund Arshi Pipa u tërhoq përpara argumenteve të Peter Priftit”,- shpreh mendimin e tij Naum Prifti. Vite më vonë, Prof. Eleni Karamitri do të botonte monografinë “Peter R.Prifti në botën e dijetarëve shqiptaro-amerikanë”, ku bën të njohur për lexuesin shqiptar jetën dhe veprën e Peter Priftit. “Unë kërkova mbështetjen e Soros-it në Tiranë për të botuar në shqip veprat e Peter Priftit që ishin botuar në Amerikë, por ky projekt nuk u realizua. Përveç krijimtarisë publicistike, ai ka edhe një sërë veprash linguistike, që vijnë nga periudha e angazhimit në Universitetin e Kalifornisë në San Diego. Peter Prifti ka ndjekur me vëmendje ngjarjet në Kosovë që nga viti 1968, kur u artikulua “Kosova Republikë” dhe ka botuar shumë artikuj për situatën dhe gjendjen e popullit shqiptar në Kosovë. Më 1999-ën, kur çështja e Kosovës ziente në mbarë botën, ai botoi te Columbia University New York “Konfrontim në Kosovë – Lufta shqiptaro-serbe 1969-1999”. “Ky libër pati jehonë në Amerikë dhe është ribotuar si diçka e rrallë për botimet akademike”,- thotë Naum Prifti.  Aida Tuci/Mapo
Krijimtaria e botuar e Peter Priftit
- Socialist Albania since 1944(USA 1978)
- Confrontation in Kosova-The Albanian-Serb struggle, 1969-1999 (USA
1999)
- Remote Albania-the politics of isolation (Tiranë, 1st edition 1999;
2nd edition 2000)
- Gjuha është organizëm i gjallë (Shtëpia Botuese Lilo-Tiranë 1995)
- Landof Albanians- Acrossroads of pain and pride (Tiranë 2002)
- Mozaik shqiptar (Publicistikë-Portrete-Studime-Recensione-Pjesë
teatrale)-Botoi Buzuku në Prishtinë 2003.
Me bashkautorë
- Standard Albanian me L. Newmark dhe F. Hubbard (USA 1982)
- Spoken Albanian me L. Newmark, I Haznedari dhe F. Hubbard Vol
I-II-III, USA 1980)
- Readingsin Albanian me L. Newmark dhe F. Hubbard (USA 1979)

Google+ Followers