MOSHA AS PROFESIONI, NUK PENGOJNË QË TË SHKRUASH POEZI… (Gani S. Pllana del me vëllimin e parë, “Për një pikë ujë!...)


Nga: Prof. MURAT  GECAJ
publicist e studiues-Tiranë

Gani S.Pllana


1.
Tashmë, është e ditur për të gjithë se vjersha ose poezi nuk shkruajnë vetëm ata persona, të  cilët i kanë kryer studimet për gjuhë e letërsi ose, në përgjithësi, për degë të ngjashme. Po kështu, nuk është për t’u habitur edhe nëse mësojmë që  autori i një  vëllimi të parë me poezi nuk është në moshë të re. Në të dyja rastet, kur po nisi t’i shkruajë këto pak radhë, mendja më shkon te kolegu e miku im, Gani Pllana, pedagog për lëndë teknike, në Universitetin e Prishtinës…
Bashkë jemi njohur në  2-3 vitet e fundit, për shkak të afrimit dhe pjesëmarrjes në veprimtaritë e Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë dhe që drejtoheshin nga i ndjeri dr.Ibrahim Gashi. Sjell tani në kujtesë, që mr.sc.G.Pllana lexoi një punim të tij, në Konferencën e organizuar nga IIKSH, në kryeqytetin Tiranë. Më pas, ai është botuar në librin me përmbledhje të temave nga ajo Konferencë, me titullin: ”Një Komb, një Arsim, një Kulturë”(Tiranë, 2012).
Gjatë kësaj periudhe njohjeje, pata rastin të lexoj dhe të shkruaj diçka modeste për një vëllim me poezi të bijës së tij, Albulenës. Pra, nuk kisha dijeni ose u befasova, kur e saktësova se Ganiu shkruante poezi. Këtë gjë e mësova vetëm pak muaj më parë, kur ai më dërgoi, përmes Internetit, vëllimin e parë të tij dhe kërkonte që të bëja redaktimin letrar. Sigurisht, këtë punë e kreva me dëshirë dhe atë ia ktheva këtij autori, i cili më informonte se do ta dërgonte menjëherë dorëshkrimin në shtyp.
Dhe ja, lajmi i mirëpritur mbërriti në adrësn time e-mail, në Internet. Ganiu më shkruante shkurtimisht: “I nderuari prof. Murat Gecaj, po ju dërgoj librin tim komplet, që doli sot nga shtypi. Shëndet dhe punë të mbara! Ju, mund ta reklamoni këtë gjë, nëpër redaksi shtypi e në Internet. Me respekt: Gani Pllana, Prishtinë,7 qershor 2013”. Sigurisht, në përgjigje të këtij mesazhi, nga zemra e përgëzova dhe e urova këtë koleg e mik timin, tashmë autor edhe në krijimtarinë poetike.

Kopertinat e librit të ri…

2.
Le ta shfletojmë së bashku këtë vëllim modest me poezi, “Për një pikë ujë”-vjersha për të rinj (Prishtinë, 2013). Recensent është Jonuz Fetahaj dhe ballinën e ka përgatitur Lejla Ibrahimi.  Ai u përgatit e u botua nga një pedagog me punë të gjatë dhe të suksesshme në profesionin e tij, por jo në fushën e krijmtarisë letrare. Sigurisht, përvoja jetësore ka bërë që Gani Pllana të na japë për lexim poezi me mendim të pjekur, duke prekur tema të shumta e duke na dhënë mesazhe kuptimplote.
Që në poezinë e parë, ”Mbaje mend”, na tërheqin vëmendjen vargje të tillë shprehës, për plagë të shoqërisë së sotme, si: “...në këtë kohë shumë  të egër,/ ku i fundit del i pari,/ ku e mira mbetet nën tavolinë,/ kur e keqja merret për të mirë...”. Pastaj mendimet rrjedhin lirshëm, përmes një figuracioni të pasur dhe duke na futur thellë në mendime: “Na sulmuan shumë barbarë,/ s’ka mbetur gjë pa u sharë!?”
Por edhe në poezitë vijuese autori nuk e ndalën ritmin e fjalës së tij, duke trajtuar në vargje të lirë, tema mjaft të rëndësishme për periudhën e sotme, sidomos për jetën kosovare. Ato përshkohen nga ndjenja të larta atdhetare, nga shqetësimi i natyrshëm i autorit për fatin e Kosovës, të bashkatdhetarëve tanë, kudo që ata ndodhen. Të kësaj tematike janë edhe poezitë: “Në këtë kohë”, “Jo shumë moti”, “E kishin thënë për ne”, “Sofrës shqiptare”, “Shekujt që ikën”, “Dikur”, “Erdhi Liria”, “Vëllezërit tanë, në diasporë” etj.  Autori shpërthen në vargje mirënjohjeje, me dufin e zemrës së tij: “Erdhi L I R I A,/ falë nënave tona heroike,/ që lindën djem e vajza trimëresha;/ falë gjakut të dëshmorëve,/ që u sakrifikuan ndër shekuj,/falë miqëve tanë në botë”. Duke shprehur  dashurinë dhe ngazëllimin e pakufishëm për tokën e bekuar të Kosovëss,  poeti G.Pllana shkruan: “Vetëm këtu:/ dielli rrezon fort;/ vetëm këtu,/ shiu bie pa erë;/ vetëm këtu,/ del ylberi/ me shtatë ngjyra...”. Temën e ditës, bashkimin shpirtëror e fizik të shqiptarëve e trajton te poezia “Rrugët”, arteriet  që bashkojnë zemrat tona: “Sot: /Kosova e Shqipëria,/ me rrugë moderne.../ Nisemi nga Prishtina,/ mëngjesi në Tiranë;/ marrim arsim në Shkodër,/ deri pasdite vonë,/ të qetë pa tronditje./ Të harlisur e të ditur,/ kthehemi e bëjmë/ gjumë në Prishtinë”.
Por brengat e poetit atdhetar janë të shumta e njëra nga ato është toka martire e Çamërisë, për të cilën shkruan: “Çamëria,/ tokë shqiptare,/ me bukuri përrallore,/ është në zemër,/ në zemra:/ e bukur,/ e dëlirë dhe sa e mirë!...”.
Ndjenjat e poetit janë të prekshme edhe në kujtim të prindërve, të nënës e babait: “Nëna ime fle e qetë” e “Baba, të kam borxh!”. Ndërsa për gjyshin e tij të dashur dhe të paharruar tregon që, megjithëse ishte pa shkollë, i la pasuri të paçmuar një libër të rrallë, për të cilin derdhë vargjet: “Abetaren e gjyshit/ e ruaj në bibliotekë,/ e shfletoj me kujdes,/ e lexoj me dashuri,/ se më jep dituri”. Për etjen e bashkatdhetarëve, për arsim e përparim, flet edhe poezia “Biblioteka e mësuesit”.
Përveç disa poezive me tematikë shoqërore, është edhe ajo, nga e cila e ka marrë titullin tërë vëllimi, pra “Për një pikë ujë!...”. Se uji është aq i domosdoshëm e jetëdhënës për njeriun, për sigurimin e tij shqetësohen e trazohen të gjithë në këtë botë: “Mendohen,/shtiren,/ngacmohen,/ luftohet-mendja, te uji!/Uji për ne,/ uji për ata...”.
Parë në tërësi, me vargjet e lirë dhe fjalët e thjeshta, me gjuhën e pasur dhe përmbajtjen e figurshme, 37 poezitë e këtij vëllimi të parë të Gani S.Pllanës na tërheqin, na emocionojnë dhe na venë në në mendime. Prandaj, e përgëzojmë atë për këtë nisje të mirë në udhën e poezisë, arritje në detyrën e tij pedagogjike dhe gëzime e lumturi familjare!


Tiranë, 8 qershor 2013

Google+ Followers