“Mit’hat Frashëri, mendimtar më i thellë se Faik Konica”

Letra e klerikut Zef Valentini drejtuar Tajar Zavalanit.
Vendi i intelektualit të shquar në kulturën shqiptare.

Mid’hat Frashëri
Mid’hat Frashëri ka qenë një personalitet i rëndësishëm në jetën politike e kulturore të vendit në gjysmën e parë të shek XX. Ai  nisi të shkruante që i ri shkrime të shumta për Shqipërinë, gjuhën dhe kulturën e saj. Pas shpalljes së Kushtetutës Osmane (1908) nisi botimin e gazetën “Lirija”; dhe më pas edhe të revistave shkencore “Dituria”, “Kalendari Kombiar”. U shqua në shtypin e kohës si shkrimtar, përkthyes, poet, publicist i talentuar, historian, studiues, albanolog, bibliograf etj. Me vlerë të veçantë janë sidomos studimet e tij monografike për Shqipërinë, bazuar në shfrytëzimin e burimeve të shumta  albanologjike. I angazhuar që herët në jetën politike të vendit, Mid’hati shkroi akte dhe dokumente të rëndësishme në mbrojtje të tokave kombëtare në Konferencën e Paqes në Paris (1919). Në vitet 30 të shek. XX u përpoq të ngrinte Institutin e Studimeve Albanologjike, duke vënë në dispozicion librarinë “Lumo Skëndo”. Mid’hat Frashëri vdiq në Amerikë, më 1949. Shtypi i politizuar i kohës në Shqipëri nuk shkroi asnjë fjalë për humbjen e këtij njeriu të shquar ndaj çështjes kombëtare.

Valentini për vdekjen e Mid’hat Frashërit


Zef Valentini


Vdekja e Mid’hatit ishte një goditje e rëndë për kulturën shqiptare. Njerëzit e kulturës, që e njihnin veprën e tij të gjerë, e përjetuan me dhimbje këtë ngjarje. Një nga njerëzit e shquar të kulturës, që e përjetoi më dhimbje këtë fakt, ishte edhe albanologu i njohur, Zef Valentini. Pas vdekjes së Mid’hatit, ai i dërgoi më 30 tetor 1949 një letër mikut të tij, studiuesit dhe publicistit të njohur, Tajar Zavalani. Duke i shprehur vlerësimin e tij të lartë për Mid’hatin, autori shkruante se ai qëndronte me lart se “Faik Konica nga kultura historike, ndjesia e traditave, drejtpeshimi filozofik”. Krahasimi me Faik Konicën, i njohur për publikun shqiptar si njeri i shquar kulturës, është i mjaft rëndësishëm për vendin e Mid’hatit në kulturën shqiptare.
I dashtuni Tajar
Q’me kohë mora prei miqvet shqiptarë të këtushëm lajmin e idhtë të largimit të Midhatit. Mjerisht sot Shqipnija nuk ka nji shtyp qi të jetë zani i saj e qi të mundet me kujtue meritimet e këti nieriu i cilli pa dyshim për këdo – mik a anmik politik të të njerit – ka përfaqësue gjithmonë e pothue vetun një ide: atë të sjelljes politike jo mbas drejtimit të tjetërkuj, qoftë edhe të shumicës, por vetëm të mbushmendjes së vet, e prandaj të ndërgjegjës. E këtë me një shpirt krenarije të pajustifikueme prei komepetences kulturale, por më një drejtim qi, kur e mendoj, më kujton typin e “klerikut” të I. Benda qi kurr nuk e ka tradhtue shpirtin, por n’atë kullën e vet të fildishit, edhe kundra çdo interese praktike, personale, të përkohshme, gjithnji thotë fjalën e së vërtetës e të shpirtit.
Në nji mënyrë të veçantë besoj se Katholikët Shqiptarë do të mbajnë përherë nji kujtim tepër të nalt të këti miku, i cilli qe një nder të dy myslimanë qi kanë çelë rrymën e re të njohjes së vlerës qi ka pasë per iden kombtare shqiptare miqsija e padame e Selis Shejtë. Njij mendje këtu me Faik Konicën, por me nji thellsi ma të madhe, masi (?-red) kultura historike, ndjesija e traditavet, drejtpeshimi filosofik e qindresa ndër mendime qe ma e madhe në Midhatin se sa në Faikun.
Dashtë Zoti e ja llogarit të Ndjerit sikurse çdo katholik shqiptar, kleri e Shqipnia ja kanë njoftë. Ki me pasë mirësin të ja diftosh edhe Zojës gjith idhnimin tem për këtë bjerje të cillën e njehi porsi bjerrje personale të njij ndër miq ma të dashtun e zëmërbardhë; edhe po e ndiej edhe ma tepër për shkajk të miqsisë që më lidhë me ty e me Zojën.
Edhe shokët e mij Jezuit marrin pjesë në ketë idhnim, pse ndër të mira e ndër dit të vështira e kemi pasë mik të pandrruem të Shoqnis e të veprës sonë.
I yti për herë e më zemër Romë 30 tetor 1949Z.Valentini
LUAN MALLTEZI
Panorama

Google+ Followers