Mimoza Hysa: Ditari i tim eti ku zbuloj atë dhe veten


Mysafirja e pyetësorit të Prustit këtë fundjavë, është autorja e librave “Koha e errët”, “Histori pa emra” dhe “Vend/imi”, si dhe përkthyesja e zërave më të njohur të letërsisë bashkëkohore italiane 
Cila është ideja jote për lumturinë?
Nuk guxoj të krijoj një ide të qartë për lumturinë sepse do të më pengonte të kënaqesha me ato që kam. Por nëse do të guxoja, do të ishte diçka fare e thjeshtë: një shtëpizë fshati me bahçe, ku të arrij të mbijetoj dhe t’i gëzohem vetmisë  pa pasur nevojën e askujt dhe ku ka një bibliotekë në të cilën gjallon bota e imagjinatës.
Cila është frika më e madhe?
Të humbas respektin e njerëzve që më duan. Ndërsa në kuptimin konkret, frikem nga qeniet e vogla brejtëse, si minjtë apo kandrrat, frikem mos mishi im bëhet ushqim për ta.
Kë person të gjallë admironi më shumë?
Admiroj njerëzit që jetojnë si të mëdhenj, edhe pse nuk njihen nga të tjerët. Njoh një të tillë, por edhe po t’ia them emrin, nuk do ta njihni.
Cili është ai tipar i të tjerëve që të ngjall mëshirë?
Servilizmi për të mbijetuar.
Ekstravaganca jote më e madhe?
Drejtimi i një emisioni televiziv. E kam bërë këtë vit dhe personi që shikoj në ekran më duket se ka pak ngjashmëri me mua.
Cili është udhëtimi yt i preferuar?
Kudo ku ka një rrugë të panjohur, të shtruar mirë e të gjatë, që e zbuloj duke ngarë vetë makinën.
Në ç’rast mund të gënjesh?
Nuk arrij dot të gënjej, por në të shumtën e rasteve nuk tregoj atë çka do ta bënte tjetrin të ndjehej keq.
Personi që përçmon më shumë?
Të vetëkënaqurin që vë veten në qendër të botës dhe lëndon pa mëshirë të tjerët përqark.
Cilat fjalë ose shprehje përdor më shpesh?
Çuditërisht përdor shpesh shprehjen “unë besoj…”, edhe pse në të vërtetë janë të pakta gjërat në të cilat besoj. Si dhe  “rrofsh” apo “qofsh mirë” si përmbyllje apo përshëndetje.
Pengu yt më i madh?
Që nuk provova të jetoj jashtë vendit, edhe pse ndoshta do të isha kthyer sërish në Shqipëri. Por besoj (ja që e përdor shpesh këtë fjalë!) se nuk do të vdes me pengje sepse, nëse e kuptoj se është një gjë që më mundon, ia vë qëllim vetes dhe bëj gjithçka mundem për t’ia arritur. Më lodh qëndrimi gjatë në një vend, edhe pse të jetosh në Shqipëri do të thotë të mos jesh kurrë në një vend me koordinata të përcaktuara, do të thotë të jesh në udhëkryq apo urë ku fryn nga të gjitha anët dhe të duhet fizik i fuqishëm për ta përballuar.
Kur dhe ku ke qenë e lumtur?
Nuk e di ta kem kuptuar çastin kur vërtet kam qenë e lumtur, por nëse e shikoj jetën time në retrospektivë më shkreptijnë skena ku ndjehem e plotësuar dhe e shpërblyer: një ndër to, kur nëna ime është e qeshur, kur im shoq ka premierë filmi apo im bir mblidhet kruspull në shtrat pranë meje. Lumturohem më shumë kur të dashurit e mi ndjehen mirë.
Në ç’gjendje shpirtërore je tani?
Në inat me veten. Për gjithçka nuk më shkon mbarë i kthehem vetes dhe asnjëherë rrethanave apo të tjerëve, sepse besoj se njeriu e ka në dorë të ndërtojë jetën që meriton. Grindjet me veten janë dhe shtysa të mira për të bërë gjërat që dëshiron; krizat dhe tensionet e mëdha janë humusi i krijimtarisë, ndaj tani ndjehem si e mbushur për të shpërthyer.
Nëse do të mundeshe të ndryshoje diçka nga vetja, çfarë do të ishte?
Të isha më pak racionale. E vras shumë mendjen të ruaj baraspeshimin edhe aty ku nuk mund të ketë një të tillë.
Ç’gjë e konsideron arritjen tënde më të madhe?
Lidhja me tim bir dhe instinkti i mëmësisë më ka zbutur egoizmin e tepruar.
Po të vdisje dhe të mund të mishëroheshe në një tjetër njeri apo diçka
tjetër, çfarë do të doje të ishe?
Një pinguine, që ia beson vezën të dashurit dhe shkon të gjejë ushqim duke e ditur me siguri se në kthim do ta presë familja, gjithnjë po aty dhe gjithnjë po ata.
Cili është sendi më i çmuar që zotëron?
Një ditar i vogël i tim eti, ku zbuloj atë dhe veten.
Kë quan pikën më të thellë të mjerimit?
Humbjen e dinjitetit.
Ku do të pëlqente të jetoje?
Në Firence. Është qyteti më intim që kam njohur, ku ushqehesh me kulturë edhe duke shëtitur rrugëve.
Ndër veprimtaritë që merresh, cila është e preferuara juaj?
Përkthimi. Më bën të kuptoj e të mësoj mjeshtërinë e vendosjes së urave jo vetëm me autorët, por edhe me njerëzit; është një dyluftim i pamëshirshëm me egon e krijuesit brenda meje që ndjehet qendra e botës.
Cila është karakteristika juaj më e spikatur?
Kureshtja. Jap përshtypjen e një njeriu të qetë e të fjetur, por kam gjithnjë sy e veshë hapur për të ditur gjithçka. Në pleqëri, për shembull, ëndërroj të studioj për matematikë në ndonjë universitet të huaj sepse e kam privuar veten nga kjo ëndërr në rini.
Veçoria që pëlqen më shumë te një mashkull?
Mençuria e heshtur. Fjalëshumtit më lodhin.
Veçoria që pëlqen më shumë te një femër?
Forca e karakterit dhe çiltërsia.
Cilët janë shkrimtarët e preferuar?
Bashkëkohorët. Janë të shumtë klasikët që më kanë formuar dhe mrekulluar dikur, por tani jam e prirur të zbuloj autorë që më befasojnë. Ndër ta për shembull Jelinek-u, Cortázar-i, J.M. Coetzee, Bolano apo së fundmi Claudio Magris. Autori im i preferuar është gjithnjë një i ri që pres ta zbuloj.
Cili është heroi yt në art dhe kulturë?
Kohët e fundit kam lexuar autobiografinë e Shagallit dhe kam kuptuar se ëndrrat janë balona më e mirë për të lehtësuar peshat në kohëra të vështira. Veshja me ngjyra iluzioni e një jete gri e të zymtë është mjeshtëria e mbijetesës që më frymëzon. Shagalli e bën këtë mrekullisht.
Kë ke heronj në jetën reale?
Tim atë. Vdiq herët dhe nuk ia mësova dobësitë, kështu që për fat të keq nuk arrij ta tejkaloj për të mos e pasur hero.
Cilat gjëra nuk të pëlqejnë fare?
Nuk më pëlqen të merrem çdo ditë me të njëjtat gjëra. Prandaj nuk jam amvisë e mirë. Nuk më pëlqen politika dhe dua të besoj se do të ketë ndonjë qytetërim tjetër në ndonjë rruzull të panjohur ku e kanë shmangur apo zëvendësuar me ndonjë veprimtari më pak të zhurmshme e më shumë të dobishme.
Si do të të pëlqente të vdisje?
Në prehrin e tim biri kur ai të mos ketë më nevojë për mua.
Cila është motoja juaj?
Bëj mirë dhe kur të bëjnë keq.

Mapo

Google+ Followers