Metamorfozat e mjegullës. Poezi nga Demir Gjergji

Demir Gjergji


Metamorfozat e mjegullës


Mbret më mburr, e mit të mbaj,
Mbrëmjemjegullash në maj!

Maj ‘13


1-      Braktisja

Larg kësaj hapësire të lagësht…
Heshtin akujt …
Atje më ka humbur shalli i kaltër…

Pas hemisferës së përlotur rrjedh Misisipi,
Atje vozisin këpucët e mia të vjetra!

Vetmon tej, në skaj të Islandës, kështjella lartë,
Te portat e saj kam varur uniformën me vija…!

Atje, ku dielli verbohet mbi shkretëtirë,
Fajkoi ngroh vezët në kasketën time.

Nëpër Ande, mbi legjendat, ngjiten mjegullat,
Atje ti ke mbetur e s’kujtohesh për mua!

Mbështillem me një pelerinë muzgu,
Mbath dy varka të vogla,
Mbjell në buzë një karafil të kuq,
Një gjysmëhënë ngjesh në krye
Dhe nisem për në Tigjithëkohëgjithkund!


2-      Mbrëmje mbretëreshe

Sytë m’u arratisën në të tjera galaktika…

..Për herë të parë ty t’i panë,
Qershiglat e kuqe të gjoksit,
Nishanin në vijën e shpinës,
Thelbin e ndezur të zbulesës!

Vikingët pranuan humbjen!
Latinët e fshinë historinë!

Sytë e mi, dëshmitari i fundit në Gjyqin Final!


3-      Portret i bukur

Kjo fytyrë s’paska vetëm qeshjen,
S’paska vetëm frymën, zërin apo shprehjen!
Kjo fytyrë s’qenka veç për ndeshjen,
Me trishtimin, lotin a urrejtjen!

Kjo fytyrë qenka një planet i dytë,
Me ujëvara, perëndi dhe jetë,
Mjafton një herë tinës t’ia hedh sytë,
Mjaft buza ime pak ta prekë!


4-      Koha

Asnjë sekondë s’u ngushtua nata,

Asnjë minutë s’u zgjerua dita.

Ndonëse të tjera përmasa,

Kërkoje nga jetët e mia




5-      Mirënjohje…

Mirënjohje, zonjëz fisnike!
Që  shtratin sot vonë e braktise!
Dhe gjatë dremite të vaskë.

Mirënjohje, zonjëz nazike,
Që rrobat i zgjodhe me shije,
Për shpirt, për nur e për shtat.

Mirënjohje, zonjës e hijshme,
Që hodhe parfume enigme…
Si ajër më shkove kaq pranë!
Mirënjohje, zonjës zotërie!
Parfumin si frymë magjie,
Ta ndjeva gjer thellë në asht
Dhe dhimbjet që kisha s’i kam!

Mirënjohje zonjës, dhe… mjaft
Sytë me sy mos m’i lyp,
Se syri papritur ndez flakë
Dhe flaka flijohet në lot
E dhimbjen s’e mundim më dot!


6-      Dyluftim …

Breguji,- paralel në Gjithësi,
As nën të, as përmbi,
I kohëpakohë në gjithëkohësi!

Ndajnatat,- flirte të dritës me etjen!
Buzëmuzgjet,- fantazma e territ me tretjen.
Sulmezmbrasjet-dyluftim me veten!

Në baticëzbaticë
Deti vdes Uliks
E jeton Sizif!

Penelopa në breg
Vela qep e shqep,
Mbi rërën që djeg!

Ishe ti kjo dite,

A dita ishte Ti?

Ku rronin bukuritë?!

Në qiej a në thellësi!?



7-      Ëndrra

Ëndrra çlirohet prej gjumit të rëndë…
Fefton shefagut të njomur me hënë.
Shtratin ma ndrit me zërin tënd:
“Mëkati im!
Me ty isha mbrëmë!”

Po endet ëndrra përtej nëpër qiej,
Mjellmë mjegulle mëngjesit të marsit!

Me flatra ndër dej,
Vetveten e ndjej,
E s’di ku ta gjej:
Këtej a andej!


8-      E vetmja…

Ti, e vetmja plagë që hapet hijes së gjysmëplanetit;
Flokët, i vetmi zjarr që djegin nëpër shkrumb të saj,
Sytë, të vetmit dritë-yje pikojnë territ e misterit,
Lëkura*, e vetmja membranë në mungesë të qiellit!

Ti, e vetmja!

Plagët e tjera janë mbyllur që në ardhje të muzgut!
Zjarret e tjerë janë shuar që në dalje të vjeshtës!
Dritat edhe galaktikat fiken, të më fshehin mua!
Qiejt qyq na kanë lënë për t’u ndjerë të njëri-tjetrit!

Unë, nëpër universin tënd, perëndi prej zanafille,
Zot prej plage, zot prej zjarri, prej arome, dhe prej drite!

________________________
*(Ah, lëkura!)



9-      Dëshmi

Koha është ajo: në fillim,
Lumë i lidhur në burim,
Pa orët e mia
Viteve të tua!

Bota është ajo: në krijim,
Shpend i ngrirë në fluturim,
Pa udhët e mia
Viseve të tua!

Ti je ajo: në Paraerë!
Venerë brenda në mermer!
Pa praninë time
Indeve të tua!



10-  Natë dashurie

Ta kyçësh në kujtim një natë,
Që shtrat e bëmë për shpirt e shtat,
Dhe ta lemë jetime larg,
Është më shumë se një mëkat!

Ta mbyllësh në pakthim një natë,
Siç e fsheh me frymë një flakë,
(Kur veç një çast prej saj na ndan),
Është peng që dhemb si plagë!

Ta gjesh një natë dashurie,
Në lotët një elegjie,
Është si ta shtrish në hije,
Një dritë të bukur yjësie!



11-  Ndjenja

As në mjegull, as në hije,
As nën dhé, as nëpër gjumë,
Veç në  fije largësie,
Ngecur ke e s’vjen tek unë!

Ngecur je dot nuk vjen,
Nëpër erë, mbi dhé, as rrymë,
Është veç një prangëndjenjë,
Që na lidh me trup e frymë!



12-  E qeshura

Qeshja jote në mister,
Prek si flatër mbi tastierë
Vetëtin nga qiej të tjerë.
Kundërmon nga tjetër erë,
Gurgullon nga tjetër rrjedhë,
Lyhet me të tjerë ylberë,
Larg nga kjo orë e mjerë…

Larg qiellit si qivur,
Larg kohës katrahurë,
Larg stinës së sëmurë
Larg prillit plagjiaturë,

Brenda shpirtit, aventurë!



13-  Elips

Vetmon në mua kjo ditë,
Por ka gjithçka që ti ke!
Mjafton të ndjehem në dritë…
Dhe gjendem në ty si një re!



14-  Harruar

…Prapëseprapë diku shtegton dashuria…

Ar për tharm e farë, trishtimet ia do vjeshta,
Acar për në janar zemërimet ia mban dimri,
Etje nëpër endje zjarret ia merr vera,
Erëmim për gjelbërim puthjet ia lyp prilli!

..dhe ne shkelim përmbi gjethet,
Fshihemi, thëngjij nën  borë,
Ikim të gënjejmë etjet,
Humbim thellë në aromë!

Harruar tej jete,
Dy vetmi më vete!

Prapëseprapë…!


15-  Postmortum!

Fshihen ngjyrat pas trupit tokës,
Si zjarret e gjakut pas fundit të lojës…
Kjo heshtje nën hirin i hijes së botës,
Qan fatet më mirë se klithmat e lotët!




16-  Puthjet

Në ikjen hajdute me ngutjen për tutje,
Gjithçka nëpër gjurmë po humb si një lutje,
Veç  thithjet me buzë dhe zjarret me puthje,
Ndrijnë guvat e trupit me lule meduze!



17-  Orkideja

Më në fund e shkele benë,
Pas inatit, natë e gjatë!
Vjen më flet për orkidenë,
Dalë paq nga kjo lëngatë.

“Ndërsa vija për tek ti,
Orkideja m’u vu pas.
Me aromë e bukuri,
Që t’i kisha te ky çast!”

Më tregon si orkideja,
Çeli m’u atë mëngjes,
Kur u dergj e mundur heshtja,
E unë thosha: Po të pres!



Ti rrëfen dhe dalëngadalë,
Kthehesh vetë në orkide,
Ndërsa lulja nëpër mall,
Nusëron në natë atje!



18-  Më pas…

Të hyra i verbër magjive të mishit,

M’u bëre ofshamë në shpellat e shpirtit,

E ndërsa mishi tret plagën e vet…

Në shpellat e shpirtit rënkimi s’po hesht!




19-  Arratisur…

Si mund ta veshim të njëjtën ditë ose të njëjtën javë,
Si mund të fshihemi në të  njëjtin maj ose në të njëjtën jetë,
Si mund ta shohim të njëjtin Zot prej zjarri, të njëjtën nimfë drite,
Si mund ta dëgjojmë të njëjtin lumë në gjumë, të njëjtin shi në verë,
Si mund ta urrejmë të njëjtën dashuri, të duam të njëjtën urrejtje,
Braktisur meje,
Arratisur teje?!



20-  Në tjetër vend..

Gjah në kthetrat e kureshtjes.
Nga enigmat marrë peng,
Dal prej grackës së vetvetes,
Gjendem në një tjetër vend!

Një vend në fund të fantazive!
Një tokë e zgjidhur nga kufijtë!
Me tjetër gjuhë, të tjera mite,
Më priti a më ngriti pritë?!

Murg në natën e metrove.
Pre e pritjes në trafik,
Endem thellë në mosnjohje,
Si në guvë një eremit!

Shpirtrat strukur në statuja,
Gjindja, luzmë me robotë!
- Lëvduar, botë! Alilluja!-
…Por ndjej se lutja është e kotë!

Pas pamjesh, perdesh dhe fytyrash,
Ku loti ngrin si në gravurë,
Është shpirti i braktisur ngjyrash
Janë puthjet që s’u dhanë kurrë!

Dhe unë, si zë në mes të territ,
Më kot mëtoj t’i gjej ato,
Më kot në Biblën e qytetit,
Përpiqem një shenjtor shoh!

Por në skaj të natëshpresës,
Ti ndizesh dritë e vjen drejt meje,
Eremit në fund të shpellës,
Më sjell në jetë me një buzëqeshje!

Dhe buzët, ndërsa puthje ndezin,
Më hapen enciklopedi,
Dhe kaq mjafton që krejt qytetin,
Si vendin tim ta njoh tani!



21-  Ardhja e mbrëmjes


Plaga jote është larg,

Tej shtatë ëndrrave e shatë mjegullave,

Plaga jote atje fshihet,

Nën shatë heshtje e shtatë etje.

Era prej andej po fryn,

Eshtrat shtyn, në shpirt më hyn.

Trupi erret nëpër dhembje!




Nacional

Google+ Followers