Mëngjesin më sollën sytë e tu – Paul Verlaine



NEVERMORE

Kujtim, kujtim, ç’kërkon nga unë? Dikur Vjeshta
Qiellit mullibardhën grishte përmbi kreshta,
Teksa meknin rrezet e diellit, të mefshta,
Në korijet e verdha flladin e në vreshta.

Ëndërrimtarë ne, të veçuar nga shokët,
Çapiteshim; mendimet në erë dhe flokët.
Befas, i vetoi diçka në kokërdhokët
Dhe më tha «Tregomë!» zëri i saj i proshkët.

Kish prej shenjtëreshe një kumb zëri i saj.
I matur iu gjegj një buzagaz pastaj
dhe dorën e bardhë ia putha plot dëshirë.

-Ah, lulet e para, ç’ erë vijnë ato!
Ashtu dhe kundërmuan duke mërmërirë
Buzët e shtrenjta kur thanë të parën Po.


ANKTH

Asgjë prej teje s’më magjeps, natyrë,
As fushat, as siçilianet jehona pastorale,
As ojnat e agimit përmbi male,
As madhështia e muzgjeve të mpirë.

Qesh me artin, me njeriun, varg e lirë,
Me tempujt grekë dhe kullat plot spirale
Që në qiell avitin katedrale,
Dhe s’di kush është i lig e kush i mirë.

Nuk besoj në Perëndi dhe kam tejflakur
Çdo mendim, ndërsa shakaja e mplakur,
Dashuria, më mirë për të mos dija.

Nga jeta i braktisur, kam frikë të shkoj përfare,
Në baticë e zbaticë, si ajo anija,
Shpirti im pret mbytjen mes llahtare.



VEGULLI NATE

Natë. Shi. Një qiell i zbehtë, i shpuar nga rreze,
Por dhe nga thepa e nga kulla, nga trajta e një qyteze
Gotike që në grinë e largët shuhet dalëngadalë.
Shesh. Trekëmbëshi plot kurme dhe një galë
Tek, me sqepin e panginjur, i përkund qiellit të zi
Këmbët e tyre, sillë bishash, duken, për çudi,
Sikur një valle hedhin që s’e patën hedhur kurrë.
Dhe ca gëmusha gjembaçe, përtokë ca shkurre
Që flakin tutje-tëhu shajnitë e gjethnajave,
Shkulme bloze, si sfond skice, duke u ngjitur majave.
Tre të burgosur çapiten zbathur, çehrevrarë,
Rreth e rrotull tyre një togë me ushtarë,
Dhe kamat përpjetë, tek marshojnë drejt sheshit,
Përkundër shkëndrijnë kamave të rrebeshit.



BISEDË E NDJERË

Mes thëllimit, në parkun e vjetër e të shkretë,
Si hije papritmas u shfaqën dy vetë.

Buzët i kanë të ngrira, kurse sytë bosh
Dhe fjalët që thonë me zor mund t’i dëgjosh.

Mes thëllimit, në parkun e vjetër e të shkretë,
Sjellin dy vegulli ndërmend një tjetër jetë.

-E kujton ndonjëherë dëfrimin tonë?
-Është e thënë që ta kujtoj gjithmonë?

-Po zemra jote, në emrin tim rreh më ajo?
-Ma sheh më shpirtin në ëndërr? -Jo.

-Ndjeheshim të dy të lumtur tej mase
Kur putheshim në buzë! -Mbase.

-Qielli ishte i kaltër, gjithë shpresa unë e ti!
-Tani shpresat i ka përpirë qielli i zi.

Dhe u  çapitën gjer tej, mespërmes kallinjve,
Por veç nata ua dëgjonte fjalët dy të rinjve.


VËRTET…

Vërtet, qoftë dhe të lajthisin ca gdhë apo trutharë
Nga lumturia jonë që as e marrin dot me mend,
Le ta lëmë një çast përunjjen për të qenë krenarë.

Edhe të ngazëllyer, vërtet, të shkojmë në çdo vend
Ku buzagaz po na prin Shpresa, pa e peshuar gjatë
Në s’i vlejmë kurrëkujt apo në i vlejmë gjësend.

Humbur në dashuri si në errësirën e pamatë
Të një pylli, dy zemrat tona, paqë duke çliruar,
Do ngjajnë me dy bilbilë që pingërojnë në natë.

Sa për Botën, në i dukemi të mbrapshtë a të shtruar,
Ç’rëndësi ka për ne gjykimi i saj? Ajo gjithnjë
Na ndan, disa të zgjedhur, ndërsa të tjerët të ndëshkuar.

Me vargonj të bukur e të fortë lidhur, tanimë
Shqyti ynë do jetë prej diamanti dashuror,
Do qeshim me gjithçka dhe s’do na frikësojë asgjë.

Le të shkojmë kryelartë pa ndjerë brengë a zor
Për ç’na dhuroi Fati, në një hap, pra, unë dhe ti
Të zënë dorë për dore, me shpirtin fëmijënor

Të atyre që, vërtet, duhen pa trazuar njeri.



PO ÇAPITESHA…

Po çapitesha shtigjesh të vështirë
Me shpirtin vrer dhe mendjen kuturu.
Duart e tua u dhanë për të më prirë.

Mandej, e agullimës, vetoi, ashtu
Si e mekët, shpresa përmbi mal.
Mëngjesin më sollën sytë e tu.

Veç hapi i vet kumbues si cimbal
Shtegtarin e ndih; e tremb qetësia.
Zëri yt më tha dikur «Mos u ndal!».

Frikacake kjo zemër, mbytur nga zymtia,
Qante, qyqarja, mes rrugës së shkretë;
Kur, zonjë ngadhnjyese, dashuria

Na nxorri të dyve te hare’ e vërtetë.


TË PIANOS…

 Tingull gazmor, i mërzitshëm klaviçembali kumbues
                                           PÉTRUS BOREL

Të pianos që butë e puthin dy duar
Shndritjen e vagullt mbrëmja rreh ta fikë,
Ndërsa porsi flatër mërmërima e lëmuar
E tingujve të vjetër, të ëmbël dhe magjikë
Endet e drojtur, pothuajse me frikë,
Nëpër dhomën prej Saj të kundërmuar.

Ç’janë vallë këto ninulla të befta fëmijërie
Që ngadalë ma përgjumin këtë jetë qyqare?
Ç’kërkon prej meje, moj Këngë lozonjare?
Refren i brishtë, i hutuar, ku më shpie
Tek avitesh e jep shpirt te një dritare
E hapur paksa lart përmbi kopshtije?



GREEN

Ja degët gjithë, me gjethe, me lule dhe me fruta,
Dhe zemra ime që, veç për ju, s’deshi kurrë të reshtë.
Mos e shqyeni me ato duar të bardha e të buta,
Për sytë tuaj të bukur qoftë dhuratë e thjeshtë.

Po kthehem mbuluar nga një vesë visesh të huaja,
Që era mëngjesore ma ngrin akull mbi ballë,
Ndaj lereni kapitjen time, rënë te këmbët tuaja,
Të harrojë ëndrrash çdo brengë e çdo andrallë.

Tashti, mbi gjoksin tuaj të ri lermëni të ul kryet
Me puthjet tuaja të mbrame që kumbojnë paprerë;
Pas furtunës së mbarë të prehen nën qiellin me yjet,
E, për sa po flini dhe ju, të dergjem një copë herë.

Përktheu: Romeo Çollaku
Fjala Review 

Google+ Followers