MASKA, Gjuha e Trupit: Zëri i Gjesteve


Mund të lexohet mendja e njerëzve?!

Mundet që për shumëkënd të duket e pabesueshme të lexohet mendja e njerëzve. Por studimet konkludojnë që leximi i mendimeve, ndjenjave dhe qëndrimeve të njerëzve, është i mundur; mundësohet duke vëzhguar me vëmendje gjestet e njerëzve. Prej më shumë se një shekulli  bëhen rregullisht studime nga ekspertë dhe studiues në mbarë botën rreth gjuhës së trupit, të gjithë konkludojnë se gjestet dhe mënyra se si njerëzit lëvizin tek  artikulojnë fjalët, përçon shumë herë më shumë besim sesa fjalët që ata thonë. Efektshmëria e përçimit të mesazhit përmes gjuhës së trupit, nga të gjitha studimet e deritanishme luhatet nga 40 në 60 përqind. Vendin e dytë në efektshmërinë e pëcjelljes së mesazhit e zë zëri me komponentët e tij. Me fjalë të tjera, zëri minus fjalët, i cili është subjekt i atyre që studiojnë komunikimin paralinguistik. Madje shumë studime theksojnë se gjuha e trupit është e aftë të zbulojë gënjeshtrat në 9 nga 10 njerëz në mbarë botën.
Çdo personi i ndodh vazhdimisht në jetë që kur komunikon diçka, të mundohet të fshehë mendimet, pikëpamjet, ndjenjat dhe qëndrimet. Fjala “person” rrjedh nga latinishtja “persona”, e cila në shqip përkthehet “maskë”. Në këtë kuptim, të gjithë njerëzit vendosin herë pas here njëlloj maske, e cila shpesh mundet të jetë maskë tërheqëse.
Po ç’është më konkretisht gjuha e trupit?
Gjuha e trupit është një refleksion i jashtëm i gjendjes emocionale të një personi. Çdo gjest ose lëvizje mund të japë të dhëna e të tregojë se si ndihet apo çfarë mendon një person. Një grua e cila është e vetëdijshme që është e shëndoshë apo mbipeshë, do të ulë fustanin; një person që ndihet i rrezikuar, do mbështjellë shpatullat; kur dikujt nuk i pëlqen diçka, do të rrudhë fytyrën etj.
“MASKA” është një libër studimor publicistik i botuar së fundi nga publicisti dhe studiuesi Marion Mardodaj. Duke pasur parasyshë suksesin që korri  libri  tij i parë “SI FITOHET VENDI I PUNËS : teknika dhe sekrete për të fituar çdo vend pune”, sukses që ilustrohet edhe me faktin se është vlerësuar të jetë pjesë e sektorit shqiptar në bibliotekën e Komunës së Oslos të Norvegjisë, pritet që edhe “MASKA” të vlerësohet në mënyrë objektive nga lexuesi dhe kritikët, e të marrë suksesin e merituar./gazetaditore

Google+ Followers