Karrema për askënd

Nga ODISEAS ELITIS


Hidhërimet që koha hedh brenda meje, m'i heq nga poezitë. U mbusha tërë rrudha, për të mbetur i lëmuar aty ku nuk ka për të më kujtuar njeri. 
* 
Një trëndafil që bëhet poezi, është në gjendje të të lëndojë shumë më tepër se një grusht që nuk bëhet poezi. Me mijëra fjalë vyshken librave të kuq, kur një vashë e aq shtie me armë. 
Me sa duket, edhe për të përmbysur regjime - ç'ngadhnjim! - nevojitet cilësi e lartë. 
* 
Mes pikëllimit të mediokritetit që po na mbyt gjithandej, ngushëllohem kur diku, në një kthinë, ca njerëz ngulmonjës luftojnë për asgjësimin e bjerrjes. Plotësisht të ndërgjegjshëm se, një ditë, ky planet ka për të ngrirë a për t'u përzhitur, tok me arritjet e tyre. 
Heronj të një lloji tjetër, të cilët, njerëzimin, që kurrë nuk qe i tillë, do ta nxjerrin faqebardhë. 
* 
Çudi: në emër të humanizmit, ngaherë popujt kanë bërë dy hapa para dhe poetët dy hapa mbrapa. 
Mos të na gënjejë mendja. Nuk bëhesh dot vegjetarian, duke ngrënë qengja të lyer në të gjelbër. 
* 
Ta zbresësh një poezi në kuptimin e saj thelbësor, nuk ka asnjë kuptim. 
* 
Një aparat fotografik i fshehur në poezinë e dobët na dënon të shohim sërish gjëra që plot herë i kemi parë - dhe të mos shohim ç'nuk kemi parë kurrë. 
Pa dyshim që vëzhgimi është mangësi e madhe për poetin, ndaj, në fund fare, ky arrin deri në atë pikë, saqë retë i merr për re. 
* 
Një sërë gënjeshtrash në radhë, që t'i zënë vendin të vërtetës. Së paku, gënjefshim saktë. 
* 
Shumë vetë në poezi, ngaqë qëlloi të jenë të shëmtuar, qahen se Zoti e krijoi të shëmtuar botën. Disa, madje, shkojnë edhe më tutje: ngaqë desh u mbytën dikur, ngulin këmbë se deti nuk është i kaltër. 
* 
Magjinë nuk mund ta zotërosh duke interpretuar magjinë, aq më pak duke përshkruar interpretimin e magjisë. O cicërin o hesht. Nuk thua: kjo që po bëj unë, është cicërimë. Medet. Po të kuptonin zogjtë, do të na kishin zënë me gurë - ndjesë, me glasa doja të thosha. 
* 
Në kohën time adhuronin më tepër diamantin që bëhet qymyr, sesa qymyrin që bëhet diamant. Ndjesia e dështimit vazhdon të përbëjë një përçues të mirë mallëngjimesh nëpër një shumicë njerëzish, që, dashur padashur, gjatë gjithë jetës i sundon ky ndërlikim. 
* 
Djalosh, mbaje mend: nuk bëhesh skllav, kur të nënshtron vetëm ai që ka pushtetin - por edhe ai që e lufton. 
* 
Kundërmim poezish: dru i lagësht në zjarr apo gjethe të kalbura apo dhomë e zbrazët. Madje: gur i zhuritur nga dielli, stallë, flokë të palarë të një gruaje të bukur. Guerlain i ngratë! 
* 
Kujdes me mallëngjimin. Si me një grua, që, në qoftë joshëse, nuk resht së qeni edhe zuzare. 
* 
Ashtu si, ndonjëherë, një fjalë (jo doemos e bukur apo e rrallë) bëhet shkas të sajojmë një varg të tërë, në mënyrë të tillë që ajo të gjejë vendin e saktë në të dhe të rrezatojë, po ashtu ky varg, nga ana e tij, për të njëjtën arsye, bëhet dikur shkas që të sajohet një poezi e tërë, përmbajtja e së cilës, paçka se lindi prej dy-tri rrokjesh të përunjura, gjendet, si kuptim, po aq larg prej tyre, sa edhe njeriu i pjekur prej epshit të një çasti që i dha mundësinë të vijë në jetë. 
* 
Çdo muzikë e madhe, në thelb, është përbuzje e vdekjes. 
* 
Njëshi dhe Absolutja, sikurse i rrok mendja jonë, janë, në të vërtetë, pjesët përbërëse dhe të ndërvarura të një sërë gjërave të tjera, që kanë prekur qartësinë e njësisë. 
* 
Largësia nga "asgjë" në "pak" është mjaft më e madhe se ajo nga "pak" në "shumë". 
* 
Greqia është vendi i artë i Pakogjësë, që zhvleftëson rëndësinë e numrit; por edhe vendi i Pabarazisë, ku asnjë fat nuk ndahet sipas masave të dhëna në fillim. 
* 
Në jetë, të qëllosh në shenjë disa thëllëza, do të thotë: i vrave. Në art: i ringjalle. Arti, edhe kur shkon drejt vdekjes, i kacavirret; nuk bie brenda. Ndaj dhe, kur jeta zë e mbytet, vepra noton me kokën mbi ujë. Vetëm se, ndonjëherë, ndokush nuk e sheh pasqyrën dhe thyen turinjtë. Asgjë nuk e tremb artistin e ndërgjegjshëm, veç bindjes se kufomat e veprave të dobëta janë më keq edhe se të njerëzve. 
* 
Është për të qeshur, por fjalët që të ndihmojnë ty të jetosh, ndihmojnë edhe tjetrin të të shkaktojë vdekjen. 

Përktheu nga origjinali Romeo Çollaku

Milosao 

Google+ Followers