JUSTIN GODART DHE AT GJERGJ FISHTA

Nga Asti Papa



Jurist nga formimi dhe militant për drejtësi shoqërore nga bindjet, Justin Godart (1871-1956), i cilësuar si një figurë e pashoqe e republikës së tretë në Francë, ishte një mendimtar i lirë humanist, por edhe një njeri i veprimit, një shpirt rebel që nuk mënonte të zbriste në fushën e betejës për të mbrojtur vendet dhe popujt që pësonin padrejtësi. Si i tillë ky politikan i njohur mbrojti të drejtat e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve në Lidhjen e Kombeve ende pa i njohur nga afër dhe u bë miku ynë i pandarë pas udhëtimeve të para që bëri në Shqipëri në fillim të viteve 1920.
Në këto udhëtime ai mbajti ditarë vetjakë, të cilët shumë vite më vonë u mblodhën dhe "u zbardhën" nga nipi i tij me nxitjen e Luan Ramës. Unë pata privilegjin t'i përktheja dhe t'i përgatitja për shtyp dhe botuesi i njohur Petrit Ymeri nuk mënoi që t'ia paraqis lexuesit shqiptar ("Ditarët Shqiptarë", Dituria, Tiranë, 2008). Siç e kanë parë të gjithë ata që i kanë lexuar këta ditarë, në to Justin Godard flet jo vetëm për problemet e vështira me të cilat po përballohej vendi në atë kohë, sidomos me lakmitë shoviniste të fqinjëve, që kërkonin të gllabëronin edhe ndonjë copë tjetër nga territori shqiptar gjatë caktimit në natyrë të kufirit të tij shtetëror, por edhe për njerëzit që takoi. Ai shpreh përshtypjet dhe vlerësimet e tij për takimet me elitën politike të vendit. Në të njëjtën kohë ai flet me mirëdashje për dy korifenjtë e kulturës shqiptare, Fan Nolin dhe, sidomos, At Gjergj Fishtën.
Në mars 1921, kur qëndroi disa ditë në Romë gjatë udhëtimit të tij të parë për në Shqipëri, Godart u takua për herë të parë me Fan Nolin, "peshkop ortodoks, që ka kryer studimet në Universitetin e Harvardit", me të cilin kishte pasur një njohje të tërthortë, nëpërmjet një letre përshëndetje që ky, si kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, i kishte drejtuar nga Gjeneva nga fundi i dhjetorit 1920. Gjatë këtij takimi si dhe në një darkë që shtroi për të ky delegacion, Noli i përsëriti Godarit mirënjohjen dhe falënderimet për veprimtarinë që kishte zhvilluar në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve për pranimin e Shqipërisë si anëtare dhe e siguroi se "emri i juaj do të mbetet i gdhendur në zemrën e çdo Shqiptari".
Më pas, në prill 1921, ai u takua në Tiranë me Nolin, deputet i Parlamentit Shqiptar, i cili shoqërohej nga deputetët Ahmet Zogu, Bajram Fevziu dhe Agathokli Gjitoni dhe biseduan për përbërjen, rregulloren dhe veprimtarinë e këtij Parlamenti. Ndërkaq, nga takimi që bëri me politikanin e njohur Rauf Fico, Godari u informua për luftën që zhvillonte Noli dhe atdhetarët ortodoksë shqiptarë për një kishë autoqefale shqiptare. Në udhëtimin e tij të tretë, në dhjetor 1922, ai mori njoftimin nga arkimandriti Visarion Xhuvani se kjo Kishë ishte krijuar në kongresin që ishte mbajtur në muajin gusht në Berat dhe se pjesa më radikale e saj, e cila përkrahte mendimet e Nolit, kërkonte që menjëherë të gjitha lutjet të bëheshin shqip.
Me korifeun tjetër të kulturës shqiptare, At Gjergj Fishtën Godari pati takime më të shumta dhe biseda për mjaft çështje gjatë disa prej udhëtimeve që bëri në Shqipëri. Madje takimet e para me te ndodhën që ditët e para të njohjes së tij të vërtetë me Shqipërinë, kur pas një qëndrimi treditor në Tiranë më 31 mars 1921, u nis për në Shkodër, i shoqëruar nga Stefë Currani. Pas pritjes madhështore të autoriteteve dhe vizitave të përshëndetjes që i bëri paria e qytetit dhe e Malësisë, siç shkruan në ditar Godari, po atë ditë "erdhën të më shohin eprori i Françeskanëve dhe At Gjergj Fishta, Homeri i Shqipërisë, madhështor në forcë dhe inteligjencë". Godari u takua edhe dy herë të tjera me Fishtën, madje u takua edhe pasi me 3 prill kishte vajtur në Kastrat. Për këtë udhëtim ai shkruan : "Mbi kodrën aty pranë ndodhet fronti serb. Na priti e gjithë krahina me prijësin Gjelosh Gjoka dhe me priftin, At Ciril Cani, i veshur me uniformë ushtarake. Aty është i gjithë kombi i armatosur. Serbët kanë shkatërruar e djegur gjithçka, madje edhe zbukurimet e Kishës".
Bisedat e Godarit me Fishtën prekën tema të ndryshme. Fishta i foli për ndryshimet që vëreheshin midis krahinave, të cilat sipas tij nuk i detyroheshin besimeve fetare, por kulturës jo të njëjtë. Ai shprehu besimin se këto ndryshime do të zhdukeshin brenda disa brezave. Prapambetjen e qytetërimit ai e shpjegoi me vullnetin që kishte Perandoria Osmane për të shtypur çdo përparim në Shqipëri, ku nuk u ndërtuan rrugë dhe shkolla, ku u pengua zhvillimi i kulturës kombëtare. Fishta shfaqi dëshirën që studiues francezë të merrnin drejtimin e kulturës shqiptare dhe të kërkimeve historike. Nga ana tjetër kundërshtoi mendimin e Godarit që të vinte një kongregacion fetar nga Franca dhe të hapte shkolla në Shqipëri dhe pranoi që francezët mund të merreshin vetëm me arsimin e lartë dhe atë teknik, ndërsa shkollat fillore dhe gjimnazet duhet të ishin vetëm shqiptare. Një çështje tjetër për të cilën i foli Fishta ishte toleranca fetare e shqiptarëve duke i përmendur shumë shembuj të marrëdhënieve të ngushta dhe tejet miqësore që kishin malësorët me besime të ndryshme fetare. Nga ana tjetër ai e vuri në dijeni Godarin për botimet mbi folklorin, të drejtën zakonore dhe historinë shqiptare dhe i dha një listë me shënime bibliografike, në të cilën përfshiheshin edhe disa nga veprat e albanologëve më të shquar.
Nga fundi i dhjetorit 1921, gjatë një udhëtimi në Europë, Fishta u ndodh në Paris dhe e shfrytëzoi rastin për t'u takuar me Godarin. Ai mbajti shënime të hollësishme, në fletë të veçanta, nga të cilat shihet se përmbajtja e këtij takimi duket tejet interesante dhe e vlen të riprodhohet tërësisht. Godari shkruan :
"Erdhi të më bëjë një vizitë At Gjergj Fishta. Unë e prita me gëzim françeskanin truplidhur, i cili prillin e shkuar, në qelën e kuvendit të tij në Shkodër, në Shqipëri, më kishte paraqitur një program të tërë për marrëdhëniet intelektuale që duhet të vendoseshin midis Francës dhe Atdheut të tij.
At Gjergj Fishta është poet, por është edhe një burrë veprimi. Me poezitë e tij fisnike dhe të forta, të cilat shumë shpejt u bënë klasike, ai ka folur për mizoritë, vuajtjet dhe shpresat e Shqipërisë dhe ka ngritur lartë shpirtin për pavarësi të bashkëkombësve të tij. Ai jep mësim, boton shkrime tepër të vlefshme mbi këngët popullore të Malësisë, është deputet në Parlament dhe tani është duke punuar që të ngrihet një shkollë e mesme franceze në Shkodër.
Për këtë projekt të fundit At Gjergj Fishta ka nevojë për ndihmë. Unë e kundërshtova duke i thënë "Po si doni ju që të bëhet kjo me gjithë ato që ndodhin tek ju. Ja, pra, shihni se çfarë shkruhet në këto artikuj që kam shkëputur nga të gjitha gazetat tona. Para dhjetë ditësh ju e rrëzuat qeverinë tuaj me krismat e armëve dhe të granatave në Tiranë, dhe në kryeqytetin tuaj po derdhet gjak. Kryeministri juaj është arratisur dhe ka gjetur strehë tek mirditorët. Dhe këta të fundit po mësyjnë Tiranën. Ju po i zini pusi serbëve, të cilët po kthehen me urtësi në vendin e tyre, duke iu bindur kërkesave të Lidhjes së Kombeve"
Mirëpo para habisë së madhe që po më shfaqte At Gjergj Fishta unë e ndërpreva këtë parashtrim të prapësive shqiptare, ashtu siç na rrëfehen pa masë nga gazetat nëpërmjet shkrimeve, të cilat në pjesën më të madhe vijnë nga Beogradi.
"Rrena, rrena, përsëriste At Gjergj Fishta, i indinjuar dhe i fyer. Gjithnjë, pra, do të shpifin për vendin tonë aq burrnor dhe aq fatkeq. Unë isha vetë në Tiranë para disa ditëve, atëherë kur ra qeveria. Dhe kjo gjë ndodhi fare thjeshtë, ashtu siç ndodh në çdo vend parlamentar. Tek ne mbretëron paqja dhe mirëkuptimi. Për mirditorët u tha se ata kishin ngritur krye si katolikë kundër qeverisë myslimane të Tiranës. Kjo është fare e rreme, sepse kryetari i qeverisë ishte një ortodoks. Kurse unë, françeskan, isha dhe jam nënkryetar i Parlamentit dhe kryetar i Komisionit parlamentar të buxhetit. Si t'ia bëjmë që të prajnë me na gjykue sipas fakteve të shpikura vetëm me qëllim që të na dëmtojnë? Dhe kë, neve që duam vetëm paqen dhe që ëndërrojmë vetëm që të merremi me punën tonë të organizimit të një shteti modern! Kur do të na trajtojnë me drejtësi?"
Fatmirësisht unë munda ta qetësojë At Gjergj Fishtën. I kujtova se Lidhja e Kombeve kishte dërguar muajin e kaluar në Shqipëri një komision hetimor, të përbërë në mënyrë të tillë që askush të mos mundet ta kundërshtojë paanësinë e madhe të këtij komisioni, i cili i ka nisur tashmë disa telegrame me njoftime Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve. Kaq. Nuk kisha se ç'të thosha më tepër.
"Ku janë këto telegrame?" - më pyeti At Gjergj Fishta.
"Kini durim, At Fishta, ja ku janë. Para së gjithash ja ku keni telegramin më të fundit, të 18 dhjetorit. Dëgjoni. "Mësuam se qarkullojnë lajme lidhur me një kryengritje të përgjakshme. Mund të vërtetojmë se ndërrimi i qeverisë ndodhi me qetësi dhe pa dhunë. Tirana është fare e qetë. Ngjarjet rrodhën si më poshtë. Qeveria e Pandeli Evangjelit dha dorëheqjen nga shkaku i disa mosmarrëveshjeve me Regjencën (Këshillin e të katërve) dhe u zëvendësua nga Qeveria e Hasan Bej Prishtinës, e cila meqenëse nuk gëzonte besimin e popullit u detyrua të japë dorëheqjen pas katër ditëve. Tani është në fuqi Qeveria e përkohshme e Idhomene Kosturit, në pritje që të mblidhet Parlamenti më 19 dhjetor". Ja, pra.
"Po, kështu ka ndodhur, kështu, theksonte At Gjergj Fishta. Megjithatë ai më pyeti nëse do të bënte përshtypje të keqe në Francë kjo qeveri, e cila kishte zgjatur vetëm katër ditë".
"Ne vetë kemi pasur në Francë qeveri, madje të njohura, që kanë zgjatur edhe më pak se kaq"
Të dy u gazmuam. Por gazmimi nuk zgjati shumë. "Po telegramet e tjera çfarë thonë", më pyeti françeskani.
"Ky këtu është i datës 17 dhjetor. Flet për të famshmen Republikë e Mirditës. Po lexoj : Në Mirditë mbretëron qetësia e plotë. Folëm me të gjithë kryetarët e fiseve të Mirditës dhe priftërinjtë e dioqezës së Oroshit. Çdo gjë që flitet për një qeveri të Mirditës së pavarur është fare pa baza dhe absurde, sepse të gjithë nuk e miratojnë qëndrimin e Markagjonit, i cili ka me vete vetëm disa familje, që kanë gjetur strehim në Serbi. Krerët e Mirditës na shprehën dëshirën që të bëjnë pjesë në një Shqipëri të bashkuar dhe të pavarur. Këto ditë ata janë në Tiranë për t'i dhënë besën qeverisë qendrore." Pjesa tjetër e telegramit flet për tërheqjen e trupave serbe, që po zhvillohet pa incidente të rëndësishme si dhe për mospranimin nga autoritetet ushtarake serbe që Komisioni hetimor i Lidhjes së Kombeve të kalojë kufirin. Ja, pra, At Gjergj Fishta dy lajme të mira që u kundërvihen atyre që kanë përhapur armiqtë tuaj".
"Po, por e vërteta nuk përhapet aq shpejt sa rrena" tha At Gjergj Fishta i trishtuar. Por ai nuk u zgjat shumë me këtë mendim dhe me atë besimin e bukur që ka për të ardhmen, rifilloi të më parashtrojë se çka duhet të bënte Franca për t'iu përgjigjur ndjenjave të admirimit dhe të dashurisë tradicionale që ka Shqipëria për të.
Kur u ngrit të ikte, At Gjergj Fishta më dha fotografinë e shtëpisë që duhet blerë në Shkodër për të hapur aty një licé francez.
A do të arrijmë ne të bëjmë që flamuri francez të valëvitet aty përkrah atij të Skënderbeut?"
Në maj-qershor 1922, gjatë udhëtimit të dytë në Shqipëri, Godari arriti me anije në Shëngjin dhe para se të vazhdonte lundrimin për në Durrës vajti në Shkodër, ku qëndroi një ditë dhe pati takime të shumta sidomos me konsullin francez Begë-Bijkok (Béguin-Billecocq) dhe me përfaqësuesin e Francës në Komisionin ndërkombëtar të caktimit të kufijve në terren, majorin Peré (Perret). Këtij të fundit i bëri të qartë se nuk duhej të ndryshohej kufiri në lumin Cem, siç kërkonin serbët, sepse kështu lihej jashtë trojeve shqiptare i tërë fisi i Kelmendit. Duke u marrë me këto punë, gjatë këtij qëndrimi të shkurtër në Shkodër, Godari nuk arriti të takohej me Fishtën, siç mendonte. Prandaj, pasi u kthye në Paris, në fillim të korrikut i dërgoi atij këtë letër :
"I dashur At Fishta. Dita e qëndrimit tim të fundit ishte e zënë aq shumë, sa që nuk munda t'ju takoj, ashtu siç dëshiroja. Dhe për këtë ju kërkoj ndjesë. E ndjej për detyrë t'ju them se sa mirënjohës jam ndaj jush për ndjenjat që shprehët ndaj meje kur ju erdhët për të më parë. Dhe ju siguroj, nga ana ime, se ndaj personit tuaj dhe atdheut tuaj ndjej miqësinë më të çiltër dhe përkushtimin më të madh".
Gjatë udhëtimit të tretë, në dhjetor 1922, ai u takua në Tiranë rishtas me Fishtën për të cilin shënon në ditar : "Ai duket më mirë kur është veshur me zhgun se sa me redingotë". Biseduan për çështjet e ditës dhe për marrëdhëniet politike dhe ekonomike midis Francës dhe Shqipërisë, të cilat Godari kërkonte t'i nxiste.
Fishta u takua me Godarin edhe gjatë udhëtimit të tij të katërt në Shqipëri, në mars 1923. Në vizitën e gjatë që i bëri në Tiranë, Fishta u tregua shumë pesimist për gjendjen dhe zhvillimet në vend, për paaftësinë e zyrtarëve dhe korrupsionin që vërehej. Fishta shqetësohej edhe për subvencionin që i duhej françeskanëve për të mbajtur shkollat e ngritura prej tyre në Shqipëri.
Të një natyre tjetër qenë çështjet për të cilat Fishta bisedoi me Godarin, kur ky arriti nga Tivari në Shkodër dhe filloi kështu udhëtimin e tij të pestë në Shqipëri, në korrik-gusht 1923. Fishta i shfaqi shqetësimet për gjendjen e nderë që vërehej ato ditë në trojet e Hotit dhe të Grudës, ku ndodhej Komisioni i Përcaktimit të Kufijve që kryesohej nga koloneli francez Ordioni. Malësorët druheshin se mos ky ishte mashtruar nga përfaqësuesi serb dhe bëhej ndonjë gabim në vendosjen e gurëve të kufirit shumë më brenda territorit shqiptar. Prandaj Godari u nis për në vend bashkë me prefektin e Shkodrës dhe u njoh me çështjen. Pas disa ditëve erdhi ta takojë në Tiranë vetë koloneli Ordioni dhe e sqaroi se nuk kishte vend për shqetësim sepse në vendosjen e gurëve të kufirit ai nuk kishte lejuar të bëhej asnjë gabim.
Në udhëtimin e tij të fundit të viteve njëzetë, në gusht-shtator 1923, Godari pati me Fishtën një takim të shkurtër në Tiranë. Ky ishte edhe takimi i fundit i tyre, për të cilin flitet në "Ditarët Shqiptarë".

Google+ Followers