Heshtja është flori - Aleksander Roda-Roda

Vendi i ngjarjes: “Eden Bar”.
Koha: ora dhjetë e paradites.

Vini re: paradite. Në këtë orë bari është pothuajse krejtësisht i braktisur, ende nën kutërbimin e alkoolit dhe duhanit të një nate më parë. Kamarierja e vetme, e pakrehur, veshur me një bluzë tërë rrudha, e çuditur nga ardhja e papritur e klientit të parë, zhduket në kthinën e pasme të lyejë së pari vetullat që të duket paksa më serioze, për të pyetur nxitimthi klientin e veçantë për porosinë dhe pastaj të krihet e lahet.
Klienti që hyn i pari në Eden-Bar quhet Domel. Po, po, i famshmi Domel, Kurator, Profesor, Doktor nderi, President i Akademisë së Arteve. Këtu ai s’ra nga qielli – kjo merret me mend. Çështja është më e ndërlikuar se kaq: Domeli ka një vëlla më të ri, Paulin; shumë më të ri, një vëlla plëngprishës, që s´ka lënë gjë pa provuar në jetën e tij dhe tani, prej ca muajsh, është bërë tregtar. Pikërisht Pauli, iu ankua në telefon para gjysmë ore zotit Profesor, që, menjëherë, po menjëherë ama, të vinte në Eden-Bar – pa marrë parasysh asgjë, as takimet e rëndësishme – pasi këtë herë bëhej fjalë, hiç më pak, se sa për jetë a vdekje.
Vetëkuptohet për jetën ose vdekjen e Paulit, sepse, nga këndvështrimi i të shquarit Domel, problem ishte për shembull: krijimi i Përmendores së Shenjtë Kombëtare të Niderainit, 150 metër kub mermer, 1000 metër katror granit dhe asnjë nevojë tash për tash për vendime mbi jetën a vdekjen. Jeta vazhdon, është e natyrshme, duhet t’i ngjitesh shkallë pas shkalle lavdisë – edhe pse juria në mënyrë të njëanshme, mjerisht ia ngarkoi atij idiotit, Profesor Lermajerit nga Berlini, krijimin e Përmendores së Shenjtë Kombëtare të Niderainit, me150 metër kub mermer, 1000 metër katror granit.
Arti gjerman ndodhet në udhëkryq: herë-herë Domeli, herë-herë Lermajeri – pikërisht në një çast të tillë historik do t’i shfaqej Profesor Domelit një skandal, në të cilin është i përfshirë Pauli, krejt kot – dhe, për këtë, vetëm për këtë, duhej të nxitonte për të qenë në Eden-Bar, pikërisht të hënën paradite, pak para mbledhjes së Akademisë, për një çështje dytësore për të: jeta ose vdekja e plëngprishësit Paul.
Po Pauli? Ku ka mbetur? Ai nuk është këtu. Po, shqetëson Profesorin para takimit të Akademisë, dhe vetë nuk duket; priten këto prej tij. Në një gjysmë minute, duke pritur Paulin, i kalojnë Profesorit në shpirt e në mendje rastet e panumërta të zemërimeve, që i ka shkaktuar i vëllai deri më tash, dhe i mblidhet kundër tij një zemërim i tmerrshëm.
Në këtë çast shfaqet Pauli: një djalosh shtatlartë, i pashëm, truplastar, flokëdendur, sykthjellët dhe…i buzëqeshur. I vërtetë, duke qeshur dhe rrëfyer dhëmbët e tij të mrekullueshëm. -Po guxon të qeshë? Ndoshta prej hutimit!? I shtrëngon si në morsë dorën vëllait të madh, ulet menjëherë dhe fillon të flasë pa u pyetur, gjithnjë me zgërdhirjen e tij prej budallai.
“Pra, çfarë ka ndodhur? E neveritshme. Unë duhet të të telefonoja patjetër. Duhet ta bëja. Mos më qorto, do ta dëgjosh menjëherë: Pantera…”
“Për gruan tënde bëhet fjalë?”
“Po. Pantera ishte për një javë në fshat, të kujtohet? Ty do të të duket budallallëk, me sa të njoh, prandaj nuk të tregova asgjë më parë…”
“Epo të lutem, kjo punë nuk më përket mua fare.”
“Sidoqoftë – kur ti na ndihmove para pak kohësh, me dyqind marka… – në të vërtetë, Pantera lodhej shumë në dyqan – ishte krejt e zbehtë…”
“Hyr në temë, të lutem!”
“Bukur. Pra: Pantera duhej të shkonte për një muaj të qetësohej, kështu vendosëm. Sot në mëngjes sikur ra nga qielli, u kthye.” – Ai heshti dhe buzëqeshja iu fashit.
“Edhe?” pyeti zoti Profesor.
Pauli u përmend. Rrëkeja e fjalëve vorbulloi përsëri.
“Edhe?! Ti e di si janë gratë. Madje më keq, ti nuk e di. Ti, fatmadh, në jetën tënde ke pasur të bësh vetëm me një grua, pikërisht me tënden. Pantera hyri si furia përmes shtëpisë, nuhati në shtratin tim, nuhati në rrobat e mia – dhe në banjëëë…”
“Edhe?”
“Në banjë gjeti një spilë. Një gjilpërë kapëse prej floriri. Në fillim ajo nuk ishte prej floriri, siç doli më vonë, por vetëm e larë në flori.”
Ai heshti përsëri.
Profesori tha lehtë: “Ende… nuk po të kuptoj.”
Pauli – si i kafshuar nga akrepi: “Pantera e kuptoi menjëherë. Në moment hëngra dy grushte turinjve. Më mori në pyetje, si një hetues: Kujt i për-ket gjil-pë-ra? – me dorën lart, gati për të goditur. Tani do kuptosh gjithçka…”
Pauli lëshoi supet dhe sytë tatëpjetë
“Tani do të kuptosh, që unë iu rrëfeva asaj.”
“Rrëfeve? Çfarë?”
“Gjithçka: emrin – fillimin- vazhdimin – si?- kur? – të gjitha i shtrydhi prej meje”.
- Shtatlarti Paul tashmë ishte bërë grusht.
“Dhe pastaj?”
“Pastaj m’u lëshua si vullkan: Ah, prandaj më dërgove në fshat, – më ulëriu. Po unë do marr hak kundër saj. Dhe e s’do dëgjosh më të flitet kurrë për të.”
“Edhe?”
“Si – edhe? Në sekondë vjen pastruesja plakë e shtëpisë, që u kujdes kur Pantera ishte në fshat, dhe më thotë: “Zotëri, më falni që po ju shqetësoj! Mos ndoshta kam harruar ndokund këtu kapësen time prej floriri?”
Zoti Profesor spërdrodhi buzët me ëndje, ngadalë, krejt ngadalë – pastaj shfryu me ton triumfues:
“Kot sa iu rrëfeve. Gjithçka, si me thënë, për dhjamë qeni?”
Pauli kafshoi buzët, gati duke u ngashëryer. “Në ç’kuptim kot?” – foli mekur. “Pantera prandaj iku – dhe pikërisht tani, tani që ne rrimë ulur këtu… nuk e njeh ti tipin e saj? Tamam tani ajo do të… ajo do të…”
“Çfarë, pra?”
“Do bëjë skandal, sa ta marrë vesh e gjithë bota, do shkunden dyer e dritare.”
“Paul! Pantera do bëjë skandal? Kujt?”
“Asaj”
“Asaj tjetrës, mendon ti?”
“Ja, kjo është. Një skandal i tmerrshëm, i shëmtuar për ne të gjithë. Prandaj të telefonova, që të mos jesh aty, kur Pantera …Unë mendova: gjithsesi, është më mirë ta mësosh prej meje.”
Profesorit iu deshën plot 30 sekonda derisa të merrte veten. Por, përpara se ai të hapte gojën për të folur, ia behu Pantera.
Në Eden-Bar, ora dhjetë e gjysmë, paradite.
Erdhi si duke fluturuar: shtatlartë, e pashme, truplastar, flokëderdhur, sykthjellët dhe…e buzëqeshur. E vërtetë, duke qeshur dhe rrëfyer dhëmbët e saj të mrekullueshëm.
Shtrëngoi ëmbëlsisht kokën e Paulit mes dy duarve dhe …qeshi.
“Ti, gjë e kotë!” i thirri. ” Ti burrë koti! Me ty s’mund të mbaj inat, djallush i keq!” – dhe i kërciti një të puthur të fortë në buzë.
“E vendosa, ndaj u ktheva nga gjysma e rrugës. Të kam falur.”


Përktheu nga gjermanishtja: Anrila Spahija
Standard


Google+ Followers