HAMLETI - FERIK FERRA


FERIK FERRA

Buzët e krimit zgjojnë gjumin e mortit
Braktisin vorrin hije e gjymtyrë,
Vetëtimat behin mbretin në pasqyrë
Era shtyn hanën n‘mjegullina të lotit.

Lakmi e helm në vesh të Elsinorit,
Kopshti fsheh gjarprin , maska gjen fytyrë,
“betohu bir në zot e në këtë mynxyrë”,
T‘ia zbehim bukurinë dasmës s‘Oborrit.

Ledina e vdekjes prek rrugën e kthimit
Ku vdekja kputë e ka selvinë e re,
E princi ka lanë rrugën e mërgimit.

Prej grope dalin eshtna myk e dhe,
“Kjo kafkë naltësi kishte në gri Jorikun”,
Që bante horë e gaz kohën e fikun”

2.
“Mbreti dhe zonja”sado të ndryjnë gëzimin,
Këtu i prêt një ditë e zgavërt heshtja,
Të rrosh a të mos rrosh vret kohën çështja,
Duhet me u vra ,ndryshe s‘e mbaj betimin.

E çmendën Ofelinë e mue bashkë,
Ia këputën yllin qiellit të bukurisë,
Ujnat ia vodhën vdekjen ardhmërisë,
E mbeti bosh kjo toka jonë e lashtë.

Sa e desha Ofelinë e di veç zoti,
Ajo për kryq kishte kokën time be,
Po mbreti i ri na kalli n‘ujna morti.

Vorrin me trëndafila ,zambakë qefin,
Engjëj ia ktheni në dritë selinë e re,
E për qiri i ndizni gjakun tim.

3
Ra nata pre mbi kulme t‘ Elsinorit,
Varvashkat prekin terrin me përtim,
Shpatat e helmi kullojnë gjak e krim,
Parajsa e ferri mësyjnë dyert e Oborrit.

Kush niset nalt, kush merr rrugën e honit,
Pirgje e mure ngrijnë plagë e shëmtim,
Kështjelli mek çdo dritë e çdo shkëlqim,
Koha ngec në duer e veset e horrit.

Kolltukë e stola defme e pupla ari,
Ujdhesa gjaku ku ngrys e gdhi lavdia,
Rrezet e kurmit i kthejnë në fije bari.

Kush thur, kush çthur, kush shtihet se po “ndreq”,
Drejt majash ku t‘buzëqesh e t‘rrek lakmia,
Ai e gjen spektrin bash të thyer keq.

Google+ Followers