Gratë e mashtruara me pritjen e tyre… - Marin Soresku



 


Poezia e Marin Soreskut – e shqipëruar nga origjinali rumanisht, nga Perikli Jorgoni dhe Jordan Haxhinikolla – e cilësuar si poezia më e mirë e shkruar në kushtet totalitariste që ruan forcën e brendshme poetike, ajo të mëson dhe gëzon



Don Zhuan



Pasi u hëngri tonelata me të kuq,

Të mashtruara në pritjen e tyre,

Gratë, gjetën mënyrën sesi të hakmerren,

Me DON ZHUANIN



Çdo mëngjes,

Përballë pasqyrës,

Pasi lyejnë vetullat,

Pasi bëjnë buzët

Me bar miu,

Dhe venë prej tij mbi flokë,

Mbi supet e bardha, në sy, në mendime,

Dhe në gji,

Presin.



Të bardha si mermeri dalin ballkoneve,

E kërkojnë nëpër parqe,

Por Don Zhuani, mbërthen një parandjenjë,

Ndaj bëhet mi bibliotekash,

I përkëdhel me gishtërinjtë botimet e rralla,

Dhe ngjan më fort sikur i bren,

Dhe asnjëra prej tyre nuk ka lidhje lëkure.

Pluhuri i librave të vjetër,

I duket më joshës

Se sa parfumi

I dhomave intime të grave.



Por gratë e presin,

Në të pesë shqisat e helmuara e presin,

Dhe nëse Don Zhuani do të shkëputej një çast nga librat

Dhe do të hidhte sytë nga dritarja e bibliotekës,

Do të vërente se çdo ditë varrosej nga një burrë i dashur,

Që vdiste në krye të detyrës

Tek puthte gabimisht

Gruan e vet.





Shpirt, i mirë për të gjithë



O shpirt, i mirë për të gjithë,

Ti vështron nga dritarja,

Nga errësira.

Ecjen e grave,

Dhe përcakton largësinë midis tyre!



Ndoshta e teprojnë me ty,

Ndoshta e teprojnë, kur të përdorin si perri,

Kur të përdorin si sfungjer,

Kur të përdorin si yll,

Kur të përdorin si teleskop

Apo kur të përdorin si krap.



Gërmojnë tek ty, o shpirt, si në fletë librash,

Nën dritën e ajrin që shkëlqen gjithë ditën,

Me kthetra të lemerishme rrëmojnë në barkun e dritës.

Por a mund të hapësh brenda saj një galeri?!



Mendoj se nganjëherë ti na ngatërron,

Se para kohe je, o shpirt,

O shpirt, i mirë për të gjithë!





Luftëtari në dy fronte



Fëmija vjen me vrap e më thotë:

-Baba, Troja ra!-

- ik me vrap dhe thuaja këtë lajm nënës!-

Fëmija kthehet sërish e më thotë:

-Baba, ra dhe Tiri!-

-Ik me vrap dhe thuaja këtë lajm dhe nënës!-

Por ai vjen prap e më thotë:

-Baba, ra dhe Niniva!…

-me të vërtetë?

-Po, dhe Niniva, dhe Suza, dhe Babilonia!

-A ia the nënës të gjitha këto?

-Jo, s’ia kam thënë ende!

-Ç’pret?! Ik me vrap dhe thuaja të gjitha!

Fëmija kthehet me një libër historie në dorë.

-Baba, u rrënua dhe Roma!

-Mbathja me vrap e thuaji nënës,

Thuaji se ra dhe Kartagjena,

Dhe po shkove atje prapë,

Thuaji se ra dhe Bizanti!

Fëmija kthehet i trembur e i zbehtë:

-Baba, nëna u rrëzua!

-Ku, ku u shemb nëna, bir!

- Në gropën e luanëve.

-Thuaji të mbledh veten e të presë!

Që nga ajo ditë unë stërvitem fort,

Që të mund luanët,

Që të mund ta nxjerr gruan nga gropa,

Ku është përplasur dhe shembur

Dhe së bashku të ngrejmë përsëri qytetin eTrojës

Qytetin e bukur të Tirit,

Qytetin e Nivinës dhe Babilonisë krenare,

Dhe Suzën, Kartagjenën, Romën dhe Bizantin e madhërishëm….

Google+ Followers