Forca e gjuhës

Jashar Qemal* 


Vizita në Shqipëri më ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Dëshiroja të isha përsëri mes jush pas 31 vjetëve, por nuk është e mundur. Të gjithëve u përcjell nga Stambolli ndjenjat e dashurisë dhe përshëndetjet e mia. Falënderoj miqtë që kanë organizuar dhe që marrin pjesë në këtë takim. Unë e kam nisur letërsinë që kur isha fëmijë. Fshati im ishte një fshat i turkmenëve nomadë të vendosur pas një kryengritjeje në vitin 1865. Kur isha fëmijë në fshat vinin shumë poetë popullorë, rrëfyes legjendash. Ata shëtitnin në të gjithë Çukurovanë. Unë isha tepër kureshtar për rrëfyesit e legjendave. Nëse nuk do të isha takuar me letërsinë moderne, që ndodhi krejt rastësisht, do të isha bërë një rrëfyes legjendash. Sa herë që vinte rrëfyesi në fshat, unë i gjendesha pranë, i shërbeja si çirak. Legjendat që mësova nga rrëfyesit e mëdhenj shëtitës të Çukurovasë, i tregoja duke u endur fshat më fshat në Malet Taurus, ndërkaq mblidhja vaje dhe vjersha të poetëve të njohur popullorë. Ndikimin e artit të fjalës e kuptova në ditët kur u rrëfeja legjenda njerëzve. Në fshatrat ku gjeja një masë të mirë dëgjuesish, rrëfeja me një gëzim të veçantë, fjalët e mia shtegtonin dhe fluturonin bashkë me dëgjuesit. Në një fshat ku kisha më pak dëgjues, edhe rrëfimi im, edhe krijimtaria ime ishte më e zbehtë. Një rrëfyes mjeshtër nuk e thotë përmendësh rrëfimin. Ai, në çdo rast, e rikrijon atë, në varësi të pjesëmarrjes së njerëzve. Për të legjendat janë si çakëll të mbetur nën ujë prej dyzetmijë vjetësh, të cilët lahen, pastrohen, zbukurohen duke kaluar nga një rrëfyes te tjetri. Ndërsa letërsia e shkruar është krejt ndryshe. Përballë teje nuk ke gjë tjetër përveç letrës dhe lapsit. As tinguj, as njerëz, as lëvizje trupore, asgjë dhe asgjë. Letërsia gojore gjithmonë, të themi deri në shekullin e njëzetë, ka qenë burimi thelbësor i letërsisë së shkruar. Duke mos i kushtuar rëndësinë e duhur artit popullor në epokën tonë dhe duke e pandehur folklorin vetëm si një degë e shkencës po dëmtohet rëndë kultura e sotme. Letërsinë gojore, si Gilgameshi, Iliada, Odisea, Manasi, Dede Korkuti dhe Shahname, edhe sot e kemi përballë në shumë forma dhe në shumë shprehje. Që në vitet e para pas themelimit të Republikës, në Turqi u botuan klasikët botërorë të përkthyer nga Zyra e Përkthimeve. Na ndihmuan edhe Shtëpitë Popullore, Institutet Fshatare. Ne artistët e periudhës së Republikës ishim shumë fatlumë, në një krah kishim Homerin, Nazim Hikmetin, Ashëk Vejselin, Orhan Veliun, Jakup Kadriun, Sabahatin Aliun, Sait Faikun, në krahun tjetër, Servantesin, Stendalin, Tolstoin, Dostojevskin, Çehovin, Gogolin, Folknerin. Të gjithë ishin burim për mua. Një romancier si mund të shkruajë një roman pa njohur Folknerin, Kafkën, klasikët, pa njohur mjeshtërit e Perëndimit e të Lindjes?
Në shkencë dhe në art nuk mund të ketë kapërcime. Çdo dukuri e re është hallka e fundit e zinxhirit të vjetër. Për shembull, mitologjinë sot e kuptojmë më mirë se në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Njeriu i çdo epoke u shton klasikëve një shpirt, një forcë jetësore. Me epokën e tij pasuron klasikët e mëdhenj. Në çdo epokë ne, si individë, si shoqëri, rikrijojmë legjendat dhe klasikët. Në Turqi mbahet një qëndrim i tepruar, tepër negativ ndaj prodhimeve popullore. Në periudhën e Republikës pati teprime gjatë shkëputjes nga kultura osmane dhe kthimi në gjuhën dhe kulturën e Anadollit. Edhe nëse u kemi kthyer shpinën veprave të mëdha të artit popullor, kjo ka ndodhur nga një përqasje ekstravagante e disave prej nesh ndaj këtyre veprave. Për shembull, po të shikojmë poezinë, ne kemi një poezi popullore me rrënjë të thella, kemi poetë të mëdhenj popullorë. Në vend që ta shikonin si një burim poezinë popullore, disa prej nesh e imituan atë. Dhe e imituan në një mënyrë të tillë sa u shfaqën një tufë poetësh të këqij. Por letërsia gojore gjithmonë ka ndikuar në letërsinë e shkruar të çdo gjuhe. Unë vija nga gjuha e legjendës, e përrallës, e dija se çfarë force të madhe përfaqëson gjuha. Cilido duke krijuar një roman, para së gjithash është i detyruar të krijojë gjuhën e vet. Një roman që nuk ka gjuhën e vet origjinale nuk mund të jetë një roman i fuqishëm. Kjo gjuhë nuk mund të jetë as gjuha e popullit, as gjuha e legjendës, e përrallës apo e poezisë. Tjetër janë tradita dhe mundësitë e rrëfimit, krejt tjetër janë ato të rrëfimit të shkruar. Unë këtë e dallova duke shkruar. Ndërsa duke shkruar romane voluminoze dallova se çdo gjë ndryshonte. Edhe struktura gjuhësore ndikonte formën dhe përmbajtjen e romanit. Dostojevski në romanin e tij “Idioti” shkruan: “Dënojeni njeriun të jetojë në një vend ku qëndron me një këmbë buzë një gremine të kobshme; ai jeton në shi, në borë, në ngricë, mes dhimbjeve dhe urisë, por nuk dëshiron të vdesë, reziston duke vazhduar jetën”. Ndoshta ky është një simbol. Por ne e dimë se njeriu vazhdon të jetojë mes urisë, mungesave, shfrytëzimit, mjerimit, poshtërimit. Përse i jemi kaq besnikë kësaj bote? Përse? Çfarë është realiteti që dëshirojmë të arrijmë? Çfarë është kjo shpresë brenda te njeriu? Njeriu është një krijesë që krijon mite, shpresa, ëndrra dhe dashuri. Me mitet, shpresat dhe dashuritë e tij ai krijon një botë të re kundër vdekjes, varfërisë, urisë, pakënaqësisë, e krijon këtë botë dhe strehohet në të. Kur njeriu gjendet në vështirësi, kur ndien ankthin e vdekjes në zemër, ai krijon një botë të miteve dhe gjen strehë në të. Të krijosh mite do të thotë të ndërtosh botën e ëndrrave, t’u kundërvihesh të gjitha dhimbjeve të kësaj bote, të arrish te dashuria, miqësia, bukuria, ndoshta edhe te pavdekësia. Romanet e mi janë mbështetur në këto themele. Çdo epokë ka mënyrën e vet të krijimit të një miti. Të tjera mite ka pasur tek egjiptianët e lashtë. Ndryshojnë mënyrat e krijimit të miteve te sumerët, asirianët, të krishterët, myslimanët, në veri apo në jug. Basti im është se deri në ditët e kiametit njerëzit do të krijojnë botë me mite, botë me ëndrra dhe do të strehohen në to. Ju do të thoni se çfarë mund të bëjnë njerëzit duke kaluar nga një errësirë në një errësirë tjetër. Dhe të mendosh se sa pakënaqësi ka! Madje, edhe në kaosin e ditëve të sotme çdo ditë krijojmë mite dhe gjejmë strehë në to. Edhe unë nëse e konsideroj veten shkrimtar, quhem i tillë, sepse i vetëdijshëm kam sjellë mitin dhe ëndrrën në realitetin tonë. Derisa njeriu të gjejë se nga ka ardhur dhe ku do të shkojë, derisa t’i largojë të gjitha pakënaqësitë, ai do të vazhdojë të gjejë strehë në të. Madje do të vazhdojë edhe më. Sepse njeriu nuk ngopet me gëzimin për të jetuar, me bukuritë e botës. Vetëm se ndruhem se kështu siç po shkojnë punët do të strehohemi te mitet e vjetra. Përballë shkatërrimit të natyrës, i cili është dëmi më serioz që na ka sjellë kjo epokë dhe rrezikun e të cilit ende nuk e kemi kuptuar sa duhet, edhe ne si paraardhësit tanë do të krijojmë mitet e frikës. Gjithmonë kam besuar në fuqinë e fjalës. Romani është gjinia më e rëndësishme e letërsisë së shkruar, sepse çdo lexues duke lexuar një roman e rikrijon atë nga fillimi në fund. Të themi që në roman përmendet një ulli, atëherë pema e ullirit vjen nga kopshti i lexuesit dhe futet në roman. Kur lexon për një pllajë sjell para syve pllajën që ka parë ose ku jeton. Por edhe sikur të mos ketë parë kurrë ndonjë pllajë, krijon një të tillë dhe e vendos në roman. Forca e një romani është në varësi të kësaj fuqie krijuese. Në epokën tonë, romancierët gjithmonë janë të rrezikuar. Sepse romani është gjinia letrare që më shumë se të tjerat e paralajmëron njeriun ndaj gënjeshtrave, dhunës, gjithë të këqijave. Sot krijohet një shoqëri e të pangopurve e quajtur shoqëri konsumi. Krijuesit e këtij konsumi bëjnë ç’është e mundur që t’i ngjizin shoqërisë një kulturë artificiale, e cila do t’i gërryejë të gjitha vlerat e kësaj shoqërie dhe synojnë që njerëzit t’i shndërrojnë në një përbindësh grykës. Romani është një kërcënim për aspiruesit e një shoqërie të tillë. Për këtë arsye këta përpiqen ta mbytin romanin me një artifıc të quajtur bestseller. Romani përbën një rrezik për ta, sepse romani u shpjegon njerëzve se janë njerëz. Lexuesi që përjeton romanin duke rikrijuar dhimbjet, dhunën, luftën, shkatërrimin e natyrës, ka dëshirë të jetojë si njeri, t’u dalë për zot vlerave njerëzore. Letërsia turke ka mjeshtër të mëdhenj. Tregimtari Sait Faik është njëri prej tyre. Ai është mjeshtri i brezit tonë. E njihja nga afër. Një ditë më tha: “Eja dhe bashkë me ty të tregojmë se çfarë duam të sjellim në letërsi”. “Mirë”, i thashë. “Eja, të tregojmë”.
“Atëherë, të fillojmë”.
“Të fillojmë”, i thashë.
Dhe filluam:
“Një: lexuesi i librave të mi nuk duhet të jetë vrasës, duhet të jetë armik i luftës. Dy: Duhet të kundërshtojë shfrytëzimin e njeriut nga njeriu, të mos lejojë shtetet dhe qeveritë që s’lenë gjë pa bërë për të asimiluar popujt. Lexuesit e librave të mi duhet të dinë që asgjësuesve të një kulture në fakt u kanë ikur nga duart kulturat dhe qytetërimet e tyre. Lexuesi i librave të mi duhet të jetë pranë të varfërve, varfëria është turpi i gjithë njerëzimit. Lexuesi i librave të mi duhet të pastrohet nga të gjitha të këqijat”. Numëruam të gjitha të këqijat. Lista zgjatej dhe zgjatej. Të këqijat nuk mbaronin me dhunën dhe mizoritë.
Pastaj thamë: “Në fund të fundit, ne jemi vetëm dy shkrimtarë, vetëm librat tanë nuk mund t’ia dalin mbanë përballë luftërave dhe mizorive”. “Nuk mund t’ia dalin mbanë”, thashë unë. “Prit”, tha Saiti. “E gjeta. Librat tanë nuk do të jenë të vetmit. Është edhe Nazim Hikmeti. Lexuesit tanë do të lexojnë edhe atë”. “Është edhe Melih Xhevdeti”, shtova unë. “Edhe Orhan Kemali”. Pastaj numëruam shumë shkrimtarë. Numëruam shumë libra. Unë nuk i besoj artit të shkëputur nga populli në epokën e sotme. Dëshiroj të them se unë jam një shkrimtar “i angazhuar”, i varur. Unë jam i varur te vetja ime, te fjala dhe dinjiteti njerëzor. I vetëdijshëm unë desha të këndoj këngën e dritës, këngën e mirësisë, të bukurisë. Desha që romanet e mia të flasin drejt si jeta, të jenë bashkë me jetën. Sepse jetë do të thotë që nga dëshpërimi të prodhosh shpresë. Njeriu ka ardhur deri në ditët e sotme duke prodhuar shpresë nga dëshpërimi. Në përfundim të përshëndetjes sime dëshiroj të shpreh keqardhjen që nuk munda të marr pjesë në një takim ku patët mirësinë të ma kushtoni mua, duke më emocionuar dhe duke më nderuar. Me këtë rast u uroj dashamirësve të mi dhe gjithë popullit shqiptar begati dhe lumturi. Edhe një herë faleminderit.

*Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të njohur turk, Jashar Qemal, Ministria e Kulturës organizoi një takim për nder të këtij jubileu, ku morën pjesë personalitete të jetës kulturore në vend, si dhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hasan Sevilir Ashan. Për nder të këtij takimi dhe për lexuesin shqiptar, shkrimtari i njohur ka dërguar këtë mesazh.

Google+ Followers