Festa e Gërzhetës


Një ditë e (pa)zakontë dhe…

 Ana Kove


Fundi i qershorit ishte shumë i nxehtë. Në një ditë të tillë, kur tëmthat zhurmonin si gjinkallat në zheg, këmbët e çuan buzë gjolit. Asnjë gjethe nuk lëvizte nga pemët rreth tij. As uji. Ç’është kjo natyrë kështu statike sot? Ajo kish ardhur aty të ndjente se natyra mund t’ia rikthente dëshirat e platitura. Perëndia e erës dhe e ujit duhet t’i kishte dëgjuar lutjet e saj. Ndaj blatonte shpesh dhurata vetëm për hyjnitë! Mori një rasë guri të sheshtë dhe e i dha hark krahut drejt ujit, për të bërë “petullushka”, siç i thoshin në fëmijëri. Uji u zhvendos dhe u hap rrathë-rrathë të vegjël, duke u zmadhuar nga qendra. Kjo ishte lojë e bukur për t’iu gëzuar vetmisë. Gjeratoret po e ndillnin, dhe në mënyrë haluçinante nisi të heqë rrobat një e nga një, duke iu dhënë krah përmes ajrit drejt pemës. Edhe ajri vibroi. Mbërriti të zhvendosë disi edhe ujin edhe ajrin. Sa shumë e dëshironte praninë e ndonjë personazhi nga rrëfenjat e saj ato çaste; ndonjë driadë nga pema apo ndonjë gërzhetë nga uji. Kishte shkruar aq shumë për ato qenie imagjinare, të mbrujtura me dashuri dhe hijeshi, sa besonte se patjetër ende duhet të jetonin diku të fshehura! Bota ku gjallonte ishte mbushur me qenie të shfytyruara, që çirreshin nëpër ca tubime turmash të eksituara nga një lloj tjetër dashurie. Jo nga ajo dashuria e bukur që ringjallte jetën dhe natyrën. Pa zana e shtojzovalle, pa nimfa e perëndesha të zbukuruara me lule, por me circe dhe magjistrica helmuese. Po ajo e njihte magjinë e shpëtimit: energjia e dashurisë për ato qenie gjysmë- reale dhe gjysmë-imagjinare që i zbukuronin botën…
“Gërzhetë, moj gërzhetëzë!”
“Gërzheeetë, moj gërzheeetëzë!”
Po thërriste me sa fuqi shpirti kishte dëshira e saj.

****
Oh, tëmthat më duket sikur janë ndër ethe shtërzimit, kur nga qendra e gjeratores del gërzheta e bukur dhe më flet:
- Eja, eja, shoqezë. Kam një lajm të ëmbëlë. Të ëmbël të bardhëzë.
Zëri i saj është ky? Apo fantazia ime? Personazhet më flasin vetëm kur dua unë. Çfarë po ndodh kështu?
- Ti flet gjuhën time? – e pyes. Gjuhën e vetmisë?
- Flas në gjuhë të mikesë/ që sot gëzon festënë.
Kështu më thotë dhe më rrëmben për dore në vallen e saj buzë gjolit. Flokët e artë i valëvitën, sa lëvizin edhe gjethet e pemëve. Kjo s’është ëndërr. Jo, sytë i kam të hapur. E shoh mesmënjollë tek i afrohet bregut; ve buzët e trëndafilta në syprinë të gjolit dhe këndon. Zhaurima e ujit dhe fëshfëritja e gjetheve ia tejçojnë zërin gjithkund. Pastaj ashtu, veshur me petka të praruara del në diell dhe më grish të këndoj këngën e festës së saj.
Dha ja po e shoh veten duke kënduar a vargëzuar një këngë të vjetër, në gjuhën e saj, në gjuhën e zanave:
“Gërzhetë, moj gërzhetëzë,
Mirë se të gjejmëzë
Mirë sot e mirë mot
Dhe si sot – një jetë plot…”
(vazhdon)

***
1.Gërzheta – Personazh mitologjik/zanë gjoli
2.Vargjet janë variacion nga balda “Pylli i gështenjave”, Mitrush Kuteli


Standard

Google+ Followers