Enigma e dyfishtë e vrasësit të anonimeve, mes tyre dhe një shqiptare


Një shkrimtar, një mister - Donato Bilancia

Alberto Bevilacqua 

Kur më kërkojnë të shkruaj një roman të verdhë (kam shkruar vetëm një të tillë dhe sui generis, Gialloparma) nuk mendoj për një vrasje specifike, për një vrasës specifik të regjistruar në kronikën e zezë, mbi të cilën të zhvillohet një hetim objektiv. Për një konjukturë që nuk është paradoks, por për një interpretim alegorik të realitetit. Një njeriu që ka shkruar një roman të verdhë nëpërmjet vetvetes, sikur trupi i tij, mendja e tij, të qenë një grumbull letrash mbi të cilat të shtrijë një histori kriminale me një kokë e një bisht, duke e humbur shumë shpesh fillin. Mendoj për Donato Bilancia. Shumë defekte autori, prej komediani të perversitetit: tepri kompleksesh, fantazie makabre, tejekzagjerimi i të keqes, kontradiktash në mënyrën e sjelljes.
Po, njeriu është pikërisht Donato Bilancia. E asimiloj aventurën e mallkuar të tij në një grumbull fletësh plot me të fshira, shënime anash, shprehjesh të shkruara me bojë të kuqe si gjaku, si zemërimet e një autori që nuk ia del dot me skemën e tij. Të dhëna faktike: Bilancia mbetet vrasësi më i famshëm i Italisë. Askush nuk ka vrarë si ai. Arsyet? Një lukuni motivesh, pa qenë asnjëri prej tyre në dukje të mbizotërojë. Avokatit Nino Marazzita i deklaron: "Unë i pari jam i interesuar të kuptoj. Kam nevojë të bëj një udhëtim brenda kokës time. Janë në gjendje t'i tregoj gjërat që kam kënë, delitet që kam kryer, por jo arsyet". Lidhja e vetme që lidh krimet e tij, shumë vetëve i është dukur pistoleta Smith Wesson 38 milimetra. Rekord tjetër i mallkuar: 13 burgime të përjetshme dhe nja njëzetë vjet më shumë për një tentativë vrasjeje dhe rrëmbim. Vittorino Andreoli, që ka kryer ekzaminimin psikiatrik të mbrojtjes dhe që ka kërkuar, pa e siguruar, paqëndrueshmërinë mendore, ka pranuar se është ndodhur përballë enigmës së personifikuar. Fjalët e Andreolit kthehen tronditshëm në mendje: krimet e Bilancia janë ngjarja më dramatike e skenarit të krimit në Italinë e 1900 dhe Bilancia, në llojin e tij, ka shkëlqyer, një lloj Leopardi i krimit që ka shkatërruar çdo teori kriminologjike.
Pa motiv
Askush përpara tij nuk kish vrarë në mënyrë frenetike as pa një motiv të dukshëm, as një avantazh ekonomik: Bilancia është një vrasës anonim që vret anonime dhe vret për të vrarë, kur ndjehet krejtësisht i vetmuar vendos që të anullohet, qëllon për dhunë vetëshkatërruese, një pulsion vdekjeje për ta thënë me fjalët e Freud. Bilancia vret, sepse është pothuajse i vdekur... Kështu nuk ekzistojnë shtytje urrejtjeje, obsesioni, erektomanie apo seksualiteti të katandisur në kalbësirë?
Duke qenë se zhduket paaftësia për të kuptuar dhe dashur, duke iu mohuar paqëndrueshmëria mendore, duhet të bindim se ai që e kemi quajtur "një shkrimtar i verdhë nëpërmjet vetvetes", megjithëse duke patur talentin "e një Leopardi të krimit", nuk është gjë tjetër përveçse një autor jo realist, një grafoman i çartur, që nuk ka asgjë për të thënë, për të propozuar, përveçse heshtjen e vdekjes së të tjerëve për t'u asimiluar në heshtjen e vdekshme që mban në trup. Por a nuk ka tashmë në këtë konstatim që duket nulifikues lidhur me "autorin" të paktën një fije të një tematike çdo gjë tjetër përveçse të mjerë të parëndësishme?
Kompleksi i Poliçinit
Në rrugëtimin, të themi, paradoksalisht "kreativ" të Bilancia, jo gjithçka është vetëm mizore, e vagullt. Ka spunto të denja për t'u nënvizuar, edhe pse të mbuluara, jo të evidentuara siç duhet nga "kritikët gjykues". Le të flasim për komplekset. Me këtë fjalë, Jung tregon një element të Uni-t, që ndahet nga vetëdija dhe që vazhdon në ndërgjegje të rregullojë qëndrimin e individit. Komplekset nga të cilat ka vuajtur Bilancia, shkencërisht kanë emra qesharakë. Mbi të gjitha, "kompleksi i Poliçinit". Bilancia gjen kurajon që ta manifestojë me dëshpërim kur psikiatri Andreoli e takon në burg. Vrasësi serial (përkufizim jo i përshtatshëm, për sa delitet seriale ndjekin njëri-tjetrin në përgjithësi me intervale më të gjatë) nuk ka më nevojë të shtiret dhe nuk shtiret.
Ka diçka që do ta tregojë menjëherë. Këmbëngul. "Shiko!". Është pjesa e poshtme e trupit të tij, nga mesi e poshtë, që e konsideron atrofike. Një skenë e llahtarshme. Ajo "Shiko!". Lutja përmban torturën e një jete. Një kompleks me emër qesharak, i ndodhur në mënyrë latente të përrallën e Poliçinit. Le të kthehemi prapa në kohë. Kur gjatë verës Bilancia kthehej tek prindërit në Jug, i ati i tregonte trupin e tij tri kushërirave ("Mumjet!" i quan autori) për t'u ekspozuar defektin e tij. Në librin e verdhë, në prizëm personal lexohet: "Do të doja të zhdukesha, përpëlitesha në vetvete, lutesha në gjunjë që ta linte, isha i vdekur nga turpi". E tallin edhe shokët. Në shtëpinë e korrektimit konfronton gjenitalet e tij me ato të bashkëkohësve.
Bilancia do të jetë gjithmonë i aftë për prova të ngjashme vetëlëndimi, të kushtëzuara nga dëshpërimi, të konsumuara me një arrogancë që është si një brisk i ngulur. Pastaj, në librin e verdhë të shkruar nëpërmjet vetvetes, autori nuk këmbëngul në mënyrë më dramatike lidhur me defektin e tij. Në raste të ndryshme, në dukje i nënshtruar, e kujton me një melankoli të thellë mishtore. Në fakt futet një kompleks tjetër me emër qesharak: "kompleksi i Siranos". Domethënë, qëllimi për t'i kënaqur me rrugë transversale dëshirat e veta. Me lojën e bixhozit: në mënyrë të veçantë me lojën e zarave, një sfidë me fat të pakëndshëm. Bilancia rrëfehet si lojtar: "Luaja, humbja, fitoja shuma të mëdha, edhe të bëheshe një hajdut ndërkombëtar ishte lojë. Kisha përreth gra për kopertinë, aventuriere". Por këto gra zhduken pas raportit të parë zhgënjyes dhe me llogari milionëshe të paguara. "Momentet e vetme në të cilat ndjehesha i gjallë, qenë në kazinò. Tavolinat e zarave ma hiqnin trurin, ishte mënyra e vetme për të shpëtuar nga bota. Më mirë loja sesa gratë". Edhe në raportet me policinë nënvizohet: "Kishte frikë se mos gratë e vinin në lojë për shkak të epshit të pakët". Por trajektorja torturuese e këtyre komplekseve, e këtyre transferimeve në dimensione të tjera të aventurës në të cilat shqisat viheshin në lojë, është me vend të thuhet, mjaftojnë për ta justifikuar lindjen e vrasësit të prostitutave, të vrasësit të grave nëpër trena.
Në librin e verdhë nëpërmjet vetvetes, autori lë shumë faqe të bardha. Deri në marsin e vitit 1998, kur fillon edhe pranvera e gjakut, kasaphana. Në muajt e mëparshëm sinjalizohen sjellje përbuzëse dhe përçmimi ndaj prostitutave. Bilancia i sjell në tavolinat e lojës për t'i fyer, keqtrajtuar, duke u justifikuar: "Tashmë për jetën nuk e çaj kokën aspak. Edhe për veten time nuk e çaj më kokën". Shton me hidhërim: "Gratë janë të gjitha putana". Natën e 9 marsit, në Cogoleto, pas një raporti me prostitutën shqiptare Stela Truja, Bilancia e vret ("I kam thënë që të zbriste nga makina e të shikonte detin. Kishte hënë, ia kam mbuluar kokën me çarçaf"). Është radha e ukrainases Ljudmila Zuskova, më 18 mars, në Pietra Ligure. Akoma një krim, gjithmonë në Cogoleto, më 29 mars i takon një vajze nigeriane: Tessy Adodo. Pastaj në Pietra Ligure një prostitute sllave, Kristina Walla. Masakra vazhdom. Dora-dorës, vrasësi serial zgjedh prostituta me shtetësi të ndryshme, pothuajse sikur donte të përgjakte të gjithë botën që vë në shitje trupat, duke degraduar dinjitetin femëror deri në shkallën më të fundit.
Në një moment të caktuar, autori fut një element të ri në librin e verdhë: një çelës universal, me profil katërkëndor, në gjendje të hapë banjot e trenave. Është një kthesë simbolike dhe do ta kuptojmë përse. Më 12 prill, Bilancia hipën në trenin e shpejtë për Venezia. Në klasin e parë ngjitet Elisabetta Zoppetti, infermiere, e vetme. Kur shkon në banjë, vrasësi serial e ndjek. Hap derën, ajo fillon të ulërijë, ai ia mbulon fytyrën me xhaketë, e qëllon. Gjashtë ditë më vonë, Bilancia merr trenin në Sanremo, vret me të njëjtin modalitet Maria Angela Rubino dhe zbret me tempizëm të shkëlqyer në Bordighera. Dy delite të vetme në vagonët hekurudhorë do të mjaftojnë për të ngjitur mbi Bilancia vulën e "vrasësit të trenave". Në Novi Ligure, nata do t'i jetë fatale. Vrasësi serial merr në makinë transeksualin venezuelian Julio Castro, 23-vjeçar, të quajtur Lorena. Midis të dyve shpërthen një grindje. Bilancia pretendon një raport pa prezervativ, por transeksuali e kundërshton, ai nxjerr nga xhepi pistoletën Smith Wesson, "vajza" reagon me të gjitha forcat e saj, ulëret, vrapojnë dy roje nate. Bilancia u qëllon të dyve, pasi ka goditur Lorena në bark. Preokupohet për t'u dhënë goditjen fatale rojeve të natës, të sigurohet për vdekjen e tyre. Kthehet nga trupi i "vajzës" për goditjen e fundit, por ka një klik në pistoletën bosh. Do të jetë Lorena ajo që e mbërthen Bilancian, i cili largohet prej saj me një ngritje shpatullash, duke e menduar kufomë. Më pas, për këtë episod vrasësi serial jep versione kontradiktore: "Një gabim? Një mendjelehtësi? Nëqoftëse do të kisha dashur, po të kisha qenë i vëmendshëm si gjithmonë, nuk do të më kishin kapur asnjëherë. Do të më kish mjaftuar mbulimi i fytyrës, gjë që nuk e kam bërë kurrë". Është pika ekstreme. Me kalimin e çdo limiti, protagonisti i romanit të verdhë që rrjedh gjak të tepruar në faqe, vrasësin e deformon në bishë. Imagjinoj "autorin" e librit të verdhë tek hedh stilografin pas tërbimit të hapave të shkruar me një pasion mizor, një shfryrje demoniake që i ka djegur trurin. E ndërpret për të rifituar një minimum qartësie, për t'iu larguar abstraksionit të çmendurisë, nonsensit të skemës. Kërkon kështu një lidhje, një ndjenjë që në mos t'ia justifikojë, t'ia bëjë më pak arbitrare hedhjen në faqe. Mendja e tij e trazuar nuk i ofron spunto. Por pastaj ja, si një erë e largët, pothuajse një muzikë torturuese bën rrugë tek ai. Në sytë e tij një plan i përmbajtur, për të cilin nuk do të konsiderohej më i aftë. Rishikon një mbrëmje të së kaluarës, e cila i bëhet e ardhshme. Mbrëmja e 18 marsit 1987. Bilancia është me vëllain Michele. Kalojnë kitarën, i bien. Një qetësi e thellë përfundon për t'i lidhur. Për të dëgjuar tingujt e kitarës, për t'i dhënë frymëmarrje qetësisë së dy burrave, nga njëra anë është një fëmijë 4vjeçar, djali i Michele, që në ato momente nuk mendon për asgjë të papëlqyeshme, për bashkëshorten që e ka lënë, ndoshta duke preferuar një tjetër, as për rrezikun që pas ndarjes gjykata mund t'ia besojë fëmijën të ëmës. Ja, Bilancia është i lumtur pikërisht pse shikon të vëllanë të qeshë e të gëzohet së bashku me djalin e vogël...
Vetëvrasja
E rishikon të gjithë këtë shkrimtari i librit të verdhë, por, menjëherë, një darë në fyt. Rishikon edhe skenën e disa ditëve më pas. Një tren i ndaluar, udhëtarët e shtangur që fiksojnë një pikë nën tren, midis rrotave të ndotura nga gjaku, ku ka një fagot të përbërë nga dy trupa të pajetë, të përqafuar me të gjithë forcën e një shpirti të përbashkët, të një gjaku të përbashkët që i kish bërë të gjallë... është ai, Michele, që është hedhur në rrotat e trenit pasi ka mësuar se gjykata ka vendosur t'i besojë djalin të ëmës. Michele është hedhur në rrotat e trenit duke shtrënguar midis krahëve djalin e vogël. Do t'i takojë Bilancia të njohë trupat e shqyer... "Autori" zë kokën me duar, pyet nëse ajo skenë që i ka hyrë në çdo fibër, që e ka shtyrë të esklamojë mbi masën e përgjakur njerëzore "për faj të një putane", mund të shërbejë si detonator për faqet kriminale të shkruara me bojën e djallit, për melankolinë e zjarrtë që për shkak të një keqformimi fizik, ka provuar gjithmonë ndaj seksit femëror. Një vetmi kaq e pashërueshme që pengon gëzimet e dashurisë deri më mundësinë për të qenë i tallur, është pothuajse një delikt dhe e ka kryer natyra... Bilancia mendon për të atin, për të ëmën, e kupton sesa dënim i padrejtë ka peshuar në gjakun e tyre dhe në gjakun e fëmijëve, gjak, gjak... Ka një lutje dashurie për babain e për nënën dhe do ta përsërisë në momentin e arrestimit. Bëhet fjalë tani për të vënë titullin, emrin e autorit, e protagonistit në kapak.
Bilancia deklaron: "Brenda meje ndodhen dy personazhe: Bilancia 1 dhe Bilancia 2. Edhe pse vetëm pjesërisht, B1 ka arritur ta kontrollojë B2 deri ditën e delitit tim të parë. Pastaj nuk ka qenë më e mundur. Kur B2 kryente një vrasje, B1 asistonte në mënyrë pasive dhe, kur më kanë arrestuar, B1 ka zbritur nga retë". Kush e dëgjon mendon se vrasësi seria kërkon pretekste me dinakërinë e zakonshme. Duhet kthyer sërish prapa në kohë për të gjetur ndonjë bazë për këtë deklaratë. Në moshën 15-vjeçare, për të ndaluar shokët e klasës që të vazhdojnë ta përqeshin për emrin e tij, Bilancia vendos që ta ndryshojë atë: jo më Donato, por Walter (ndjehet i nderuar edhe kur në burg, në Marassi, që e thirrnin Gaber, për shkak të hundës së madhe dhe të flokëve të gjata si këngëtari i famshëm). Donato jo, i padurueshëm, i asgjësuar. Por kush është B1 dhe kush B2? B1 është Walter, B2 është Donato. Walter është i poshtëruari që ndërtohet nëpërmjet dorëzimit të tij, është njeriu i pajtimit të shtrënguar me botën, që luan rolin e të ndrojturit, e simpatikut, të mikut edhe të lezetshëm. Donato është rrënja e sëmurë, hajduti, vjedhësi i shtëpive, hakmarrësi me pistoletë, për gabime të pësuara nga kush i hiqej si mik, lojtari midis çmendurisë dhe bixhozit në sallat gjenoveze të kumarit, vrasësi i çartur. Walter është ai që pranon dhe merr në burg një ndihmë prej 528 eurosh në muaj nga Instituti për Sigurimin e Dëmtimeve në Punë (e fut në xhep nga viti 1973, për shkak të një incidenti të shëmtuar me makinë). Ndërsa është Donato ai që në gushtin e vitit 1998 vendos t'i shkruajë Atit të Shenjtë, Papës Gjon Pali i II-të, duke komentuar: "Edhe sikur të mos më përgjigjeshit, vetëm ideja që ju kam shkruar më jep paqe".

Alberto Bevilacqua është një prej shkrimtarëve më të njohur italianë.


Përgatiti:ARMIN TIRANA

Google+ Followers