EDHE KJO NATË PA TY


Luljeta Lleshanaku

Edhe kjo natë pa ty
edhe kjo natë
Shtrirë pranë meje gërhet errësira
si një plak i majmë.

Varet trishtueshëm drita e abazhurit
si mënga e një krahu të prerë cung
sytë urithë të squllur
në kujtesën e ftohtë bëjnë udhë.

Ëndërroj si më parë të mbështillem rreth gjunjëve të
tu të fortë
gishtërinjtë e tu të gjatë në flokë ëndërroj
… ndërkohë nata mbush barkun e saj me terr
si orët e lashta me rërë.

E pafundme kjo natë pa ty
edhe paskam shumë mall
një drithmë e ajrit dhe zëri yt që vjen nga larg
zëri yt që më thërret;
Oh, jo
është era që luan me vetminë time
si me një derë të vjetër.

Google+ Followers