Dy Buzë

Pas shumë vitesh qetësi, si mund të lexohet Migjeni përtej manipulimit ideologjik? Studiuesit e rinj kanë tentuar të çojnë në përgjigje disa enigma që shoqërojnë qoftë identitetin letrar, ashtu edhe identitetin në aspektin biografik të Migjenit. A ishte thjesht Migjeni, referuar teorisë kritike, që ndan veprën nga autori, apo kemi një zbulim referencial të një bote biblike, apo kulti individual, e më tej në debatin e hapur nëse është mbinjeriu niçean tek Migjeni apo momenti i komunistit?! Pranohet se Migjeni është lexuar gjithë kohën, se është një zë origjinal, me popullaritet të vazhdueshëm, pa veçuar ulje dhe ngritje. Ndërsa mbetet në dilemë leximi i tij; nëse ka ruajtur Migjeni në hierarki veprat, si lexohet ai sot? Në këtë kontekst rileximi, botojmë më poshtë disa poezi




 Migjeni

Lutje
Të lutem, o perëndi,
për një simfoni
me tinguj t’argjantë
e akorde t’artë.

Të lutem, o perëndi,
për një simfoni
plot dashuni
të nxehtë si te vasha gjitë
kur vlojnë ndijesitë.

Të lutem, o perëndi
për një simfoni
të dëfrej në lumni
t’u u përkundë n’ani
të bukur t’andrrimeve
të kaltër, ku të fantazmëve
buzët më tërheqin zjarrtë
e më digjen syt e flaktë.

Të lutem, o perëndi,
për një simfoni
e kurr, e kurr ma mos të zgjohemi.


Melodi e Këputun

Melodi e këputun
lot i kjartë nga syni
i një grues së dashun…
andje e përplasun,
xhevahir i tretun,
një andërr e shkelun,
buzë e paputhun
në melodin e këputun.
Nga vaji i heshtun
shkunden supat e zhveshun,
verbojnë nga zbardhimi…
e ther, ther hidhnimi
për çasteet e rrëshqitun,
për fatin e ikun,
për gëzimin e humbun
në melodin e këputun.
Brrylat ndër gjujë të mpshtetun,
ftyrë në shplakë e fundosun:
Qan grueja e pikllueme
me zemër të piskueme
(një kitarë e gjymtun,
za kange i mbytun
në buzë nga dhimb’ e puthun
në melodin e këputun).
Hesht njeriu pran grues
që qan e turpnueme…
syni i venitet
në të loti vërvitet,
diçka nxjerr nga xhepi
grues ia lë dhe së shpejti
e len gruen e humbun
në melodin e këputun.
Por kur vjen ndoj tjetër,
epshi kapërthehet,
gjaqet turbullohen,
përzihen, përvlohen,
çohen peshë, tërbohen
… e vetëm ndëgjohen
ahtët e molisun
në melodin e grisun.


Sonet Pranveruer

Me kangë në buzë e me hove të reja
u zgjue agimi pranveruer,
largësinat e hjedhta ka zatetë hareja,
n’argjent shkëlqejnë brigjet tërthuer.

Me kangë në buzë u zgjue agimi
dhe ia këndoi kangën diellit t’ art
rrezash purpure dhe jetëdhurimi
me kaltrinat e thellta në qiellë të kjartë.

Me manushaqe në buzë e me andje në zemra
vajzat si biluri ndër kopshtie të gjelbra
dihasin aromat, që lulzimi derdhi,

me gji të paprekun, ku dashnia sosë
me fletza trandafilesh që flladi sjelli
dhe adhrojnë pranverën me një apoteozë.


Dy Buzë

Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma ikën
ndër do bota të larta…
Dy buzë të përgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithen
në buzë kur m’u njitën
andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trunin ma helmuen
e në fund u mërguen…
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një grueje stërzane
një pranverë të tanë më mormë
një pjesë zemre më nxormë,
dhe gëzimin ma vodhnë…
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lotë të mia
qenë shenjat e dhimbjes
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.

Z.B.

Buzmramja u dridhte ndër afshet e mbramë
të diellit përndimuer
me kuqlim e tisa purpuer,
me kaltrina të kullueta në qiellë e në sy tand.
ku në fund u pasqyronte një dashni e lume
si vegimet e fatbardhsis në lima,
mbi të cilin tërthuer fluturon një pëllumb
dhe gëzime të pamatna gugon pa pra.
Zojushë, q’at buzmramje
unë andrroj me andje
dhe me një dashni të pastër
ata dy sy tuej të kaltër,
që m’u falnë letë
me një shikim diskret.


Vetmija

Më plak mërzitja
që vetmia më sjell;
përbuzja, urrejtja
të gjith sendet m’i mbështjell
që kam shumë anmiq
të liq
në këto sende pa shpirt,
Nuk flasin.
As sy s’kanë.
Po mue më bahet
se aty janë
vetëm që të më plasin
zemrën.
Së paku, të më shajnë:
I mallkuem!
Së paku, të anë tallin:
I uruem!
Së paku, të më këndojnë:
I yni zot!
Ose të më thonë:
Jeton kot!
Të flasin, të flasin se fjalë due
në kët vetmi me ndigjue.
Ose të më tregojnë historinë
e tyne, autobiografinë:
ndoshta ty do gjej gjasim
me jeten time pa tingllim
që në vetmi po e kaloj
dhe s’po dij a rroj e s’rroj.
Sendet heshtin. sa të pamëshirë!
Më bajnë dhe mue të hesht me pahirë,
pse gojë s’kanë
dhe nuk flasin,
aty janë
vetëm të më plasin
zemrën teme që po vuen
dhe në mërzi vetveten truen.

***

Gjergj Fishta

Gomari i Babatasit (metamorfoza)

Ju rrugaça sallahana
vagabonda shakllabana
rricna t’ndyet, mikrobe të kqi
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë npër ne,
do t’na qelbi fis e atdhè?
Ah! Bre ju..nuk dij shka u kjoftë,
se tash ma jemi tue u njoftë,
se kush jini e shka jini
se kah shkoni e se kah vini
plang e shpi se kah i kini
e sa pare u ban gjaku:
se për ju, po, duhet laku,
për me u vjerrë o kund m’do i shpat!
Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
me ‘i gjysmë setre t’pa astar,
lshuemum krahve kalavar
e me ‘i komçë t’njtitme nën grykë:
pantallonat me “gjyslykë”
kto edhe lidhun me nji spagë:
shtatit rreshke e ba saragë,
t’tanë gordec e berbalec
pa ndo ‘i msim, pa ndonji dije,
me ‘i fillore a nji iptadije,
erz e shpirt qitun nën themër:
turq a sllave a grek me zemër,
falun barkut veç Shqipnisë,
si ajo marrja e t’gjith njerzisë…
tuj u shite ju për gjithë treg,
sod na mbahi “Skandërbeg”,
e ngërdhucë, goditë, limue,
rrue, qethë, pipirique,
tash n’”smoking”, tash në “bon-jour”
ju, qi dje s’kishit as ushkuer
me lidhë brekët me nder me thanë
m’sahan t’huej gjithmonë me ngranë,
rrugën krejt na e keni zanë,
ke na shkoni pash e m’pash,
edhe besa me “gulash”
me “afishe” e me “sultjash”,
me “kjumshtuer” e me “ashurè”,
“kosha gjelash” si kubure,

“tarator”, “pilaf me kos”,
“mish me qepe” e “majdanos”
“shish qebap”, “brizholla viçi”,
“kunguj t’mbushum”, “kuzuici”,
“kabuni”- e “mualebi”.
Barku sod ju rri ju kodër,
kargatisë e bamun lodër:
der sa ata burrat e dheut,
qi për jetë e nderë t’Atdheut
kane ra n’luftë si shqipe t’leta,
kanë shkri gja e shpija t’veta,
kanë tuj dekë rrugave unit,
me iu dhimbë gurit e drunit.
Përse, po, kta matrahulla,
kta shqiptarë, shqiptarë kah ksula,
n’vend qi ju me u vu n’konop,
a se brinjt m’jau zbru me shkop,
a, mos tjetër, me u ngushtue
me xjerrë zhuri kund m’ndo ‘i prrue
për me shtrue ndo ‘i rrugë të shtetit
a me dlirë ndo ‘i skelë detit,
lavjerre buzësh, harru si viça
kqyrin m’ju si t’ishi ogiça,
për me u pri udhës s’qytetnisë
e me i sjellë t’marën Shqipnisë.
Ani kush, pra, me i pri kombit:
ju, do pyka bijtë prej llomit
qi “shqiptarë” vedit i thoni,
jo pse ju Shqipninë e doni,
jo pse ju ndo ‘i send kuptoni
shka asht Atdheu e shka asht Liria,
shka asht Vllaznija a Parasija,
Përparimi e Qytetnia,
por veç pse ende der më sot
nji tyran s’po e gjeni dot,
nën kambë t’cillit ju me u shtrue,
se un ma tash ma jam regjë me jue,
e jau njof shpirtin der m’palc,
pleh i ndytë me u bartun n’shalc
e me u qitë jashta Shqipnije.



Folklor
Këngë lirike

O Bilbil Sakat, Sakat

O bilbil sakat sakat,
O na ngrite një ode të lartë.
O bilbil sakat sakat.
Vijnë kto zonjat rreth përqark.
O bilbil sakat sakat.
U thotë zonjave: ‘ngituni lart’.
O bilbil sakat sakat.
‘Neve vijmë, po kemi vapë!’
O bilbil sakat sakat.


Standard 

Google+ Followers