Doli në qarkullim libri “Shkenca e konstruksioneve përgjatë historisë së saj” i autorit Prof.dr. Niko Pojani






Mbi librin

I shkruar jo sipas impostacioneve tradicionale, libri në dy vëllime “Shkenca e konstruksioneve përgjatë historisë së saj” trajton çështje dhe aspekte të kësaj shkence bazë të ndërtimit dhe konstruksioneve në përgjithësi. Ato gërshetohen me rrugëtimin historik të disiplinave komponente të saj, si: Mekanika racionale, Rezistenca e materialeve, Teoria e elasticitetit dhe plasticitetit, Teoria e strukturave (Statika, Dinamika, Qëndrueshmëria). Trajtohen gjithashtu Inxhinieria dhe Arkitektura sizmike. Në libër pasqyrohen dhe disa raporte e analogji interesante të Inxhinierisë me Matematikën (numrat), të Inxhinierisë me Biologjinë (biostrukturat) dhe Teorisë së lëkundjeve elastike me Muzikën (tingujt). Vëmendje e veçantë i kushtohet lidhjes të ngushtë midis Inxhinierisë dhe Arkitekturës, raporteve mes estetikës, stilit e konfiguracionit të ndërtesave, nga njëra anë dhe aspektit mbajtës strukturor, nga ana tjetër. Temat e paraqitura shoqërohen me ilustrime e konkretizime të shumta.
Libri i ka synuar njëherësh të dy funksionet: formimin teorik në Shkencën e konstruksioneve dhe informimin mbi protagonistët dhe zhvillimet historike (herë-herë, befasuese e intriguese) që ka kaluar kjo shkencë, nga ligji i levës dhe Antikiteti e deri në Metodën e elementëve të fundëm (MEF) dhe kronikën shkencore të kohëve moderne. 
Ky libër u drejtohet lexuesve të interesuar për Shkencën e konstruksioneve, duke filluar nga studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit (ndërtimet civile, industriale, rrugë-ura-tunele, hidroteknike) dhe të Arkitekturës, inxhinierët e arkitektët e diplomuar e deri te specialistët dhe studentët e disa profileve të tjera teknike, si Inxhinieri mekanike, e minierave etj. Pjesë të veçanta të tij mund të jenë të dobishme edhe për studiuesit e Teorisë së muzikës, të Teorisë së numrave në matematikë dhe të Biologjisë.
Një formim i zakonshëm inxhinierik do të ishte i mjaftueshëm për leximin integral të librit. Por, lexuesa të prirë për t’u informuar a thelluar në tema të caktuara mund të gjejnë në libër një “rrugicë” të vetën, më tërheqëse për ‘ta, pa e pasur të nevojshme përgatitjen inxhinierike. Të tjerë, ndoshta, mund të zgjedhin pjesët më përshkruese, ku narracioni historik apo teknik prevalon mbi shpjegimet formale teorike.



Mbi autorin

Prof.dr. Niko Pojani është lektor i Statikës dhe i Dinamikës së strukturave, si dhe i Inxhinierisë sizmike në Fakultetin e Ndërtimit – UPT. Ka kryer disa specializime (Francë, Itali, Angli, SHBA, Gjermani, Greqi, Maqedoni etj). Pjesëmarrës aktiv në këshilla e forume inxhinierike, akademike e shkencore të vendit, ai ka kontribuar edhe në një sërë projektesh shkencore e inxhinierike, kombëtare e ndërkombëtare. Në fushat e mësipërme është autor ose bashkautor në shumë artikuj shkencor, brenda e jashtë vendit, si dhe i rreth 15 librave. Interes të gjerë ka patur veçanërisht libri i tij “Inxhinieria sizmike” (Toena, 2003).  

Google+ Followers