Dashuri pa censurë në lirikat e Koçi Petritit


ANTON PAPLEKA


ANTON PAPLEKA
Herë pas here kam dëgjuar ndonjërin të deklarojë se poezia shqipe paska arritur nivelet më të larta të poezisë evropiane dhe botërore. E keqja nuk qëndron te këto deklarata në vetvete, të cilat u ngjajnë kapsollave që shpërthejnë fëmijët në rrugë në prag të Vitit të Ri, por te fakti se autorët e tyre nuk marrin mundimin të bëjnë kurrfarë analize, të sjellin qoftë edhe një argument të vetëm për të mbështetur mëtimet e tyre. Ata pandehin se duhet t’i pranojmë në mënyrë të padiskutueshme deklaratat e tyre, sikur ato të qenë fjalë hyjnore, ose dekrete sulltanore… Për të mos u ngjarë këtyre individëve të papërgjegjshëm e vanitozë, unë do të përpiqem që përfundimet e mia t’i nxjerr nga analiza konkrete krahasimtare dhe t’i mbështes me argumente teorike të marra nga studiues të njohur të poezisë evropiane.
* * *
Në rrafshin substancial, lirika e Koçi Petritit ka ngjashmëri me lirikën e Artur Rembosë. Jean-Pierre Richard-i shkruan: “Atëhere metamorfoza përfundon në një përzierje të jetës e të materies; ajo merr trajtën e një ekstaze të përshkueshmërisë kozmike; vë në dukje përmbushjen e parë të asaj force që në virtualitetin e saj, në veprën e Rembosë quhet rini, kurse në veprimtarinë e saj quhet dashuri”. Duke përqasur lirikën e Rembosë dhe atë të Petritit, del se që në krijimet e tyre të hershme mbizotëron tema e dashurisë. Jo vetëm studiuesit, por edhe lexuesit të thjeshtë i bie në sy menjëherë numri i madh i poemave me motive erotike në përmbledhjen “Lirikat e majit”, botuar më 1962, apo në vëllimin e zgjedhur, titulluar “Lirika”, botuar më 2010. Në mënyrë të sintetizuar këtë e dëshmojnë këto vargje:
Si të të nxjerr prej vjershave të mia,/ ku ti hajdutërisht s’ke hyrë,
Si n’ atë shtrat, ku t’ iku çupëria,/ të dilje s’deshe e tjetra të pat shtyrë?
Si të të nxjerr, ti hyre gjer në çmendje,/ Pa ty më mbeten vjershat krejt gërmadha
E s’di se si je shndrruar në një dhembje,/ e drithmë e klithmë veshur me të bardha,
E veshur me të bardha e lule molle, nën lule molle lot një lojë zjarri,
Mes pemëve degëmbyllur si kasolle,/ sërish të shkoj mbi buzë një fill bari
E muzg i trëndafiltë e unë pa mendje,/ të zhvesh si degëz shelgu lakuriq
E ti, si për ta fshehur zhveshjen tënde,/ fshan: “ah, ju djemtë ç’ jeni kaq të liq!”
Duke e thelluar më tej analizën e tij J.- P. Richard-i shton: “Krijimet e para të Rembosë provojnë qenësisht se në rini ai është marrë vetëm me dashurinë, me kërkimin dhe shprehjen e një farë ekstaze trupore. Të mbushura me obsesionet e pubesencës, të fryrjes, të bymimit, apo të vërshimit, duket sheshit se poezitë përshkohen nga “kuqërrimet e hidhura të dashurisë”. Në radhë të parë ato na interesojnë sepse në këto krijime dashuria mbështillet me hidhërim, ngjyroset me qortim. Gjithçka ndodh sikur erotizmi të mos pranohej ende, sikur mbi ‘të të rëndonte një dënim…” Dukuritë e mësipërme që hasen si në lirikën e poetit francez, ashtu edhe në lirikën e poetit shqiptar, mund t’i ilustrojmë me shembuj të shumtë të marra nga krijimet e tyre. I tillë është ky pasazh nga poema “Motivet e qilimit” e Koçi Petritit::
“E shtrydh ti gruan shpesh mbi shtrat/ e shpesh me epsh e shfrim,/ si dem që zbret hyjnisht nga lart/ e ngjesh përmbi qilim./ E s’di: përmbys, a mbi kurriz,/ mbi shtrat, a mbi qilim,/ tërbimi, a ledhatimi u ngjiz/ n’atë akt hyjnor sublim…”
Adhurimi i trupit të femrës si burim i epshit dhe i kënaqësisë erotike
Në lirikën “Kushtuar muzikës” Artur Remboja shkruan:
“Nuk them asnjë fjalë: prore i vështroj aty/ Qafat e tyre të bardha, të qëndisura prej cullufeve,/ Nën korse dhe nën stolitë e holla ndjek me sy/ Kurrizin hyjnor që zë fill te lakorja e supeve./ Menjëherë ua heq botinën, pastaj ua heq çorapin…/
Ua marr me mend trupin që fërgëllon nga zjarrmia./ Unë u dukem i çuditshëm, me zë të ulët flasin…/  Te buzët e tyre mbërthehen fort dëshirat e mia.”
Në lirikën “Ti hyre e rrije në mëdyshje” Koçi Petriti shkruan:
Ti hyre e rrije në mëdyshje/ Aty në prag të derës,/ Siç hyn një çast një dallëndyshe/ Mes dimrit dhe pranverës./ E ndërsa heshtnim sy ndër sy,/ As ngeshëm e as ngutur,
Të qe shkopsitur kopsa ty,/ Apo të ish këputur?/ Se kur vështroja përmbi gjinj,/
Herë shtrembër e herë drejt,/ S’di ç’nomatisa me gishtrinj/ E të shkopsita krejt.
Kur paraqesin trupin e femrës, poetët veçojnë misët e tij të rrumbullt e të kolmë, ata misë që quhen edhe organe erogjene. Artur Rembo, “Në kabarenë e gjelbër”:
“I lumtur i shtriva këmbët nën tryezën e blertë,/ Në tapiceri sodita, pa u bërë ngërdhuza,/ Subjekte naive. Dhe qe kënaqësi e vërtetë,/ Kur një vajzë sisëfryrë, me sy si shpuza,/ Vajzë e tillë, që një puthje s’mund ta zmprapë,/ E hareshme ajo më solli feta buke me gjalpë.”
Koçi Petriti, “Bredh brenga e mbrëmjes”:
“Bredh brenga e mbrëmjes, bryma brigjet zbardh,/ Ty të buis mbi dy bumbeska i bryllët gjiri/ e unë ndjej sikur nga gjithë ky mall i madh,/ Përbrenda më vjen rreth një gur mulliri./ Mbi ç’buzë bumbeskat-zogj ti po i çuket,/ Kur mijëra zilka gjethesh troket plepi/ E natyra nxjerr nga xhepi i vet/ Hënën si pasqyrëz tualeti?”
Femra është një qenie plot trille dhe naze, bota e saj shpirtërore nuk mund të jetë gjithnjë në unison me mashkullin. Artur Rembo, “Mbrëmja e parë”:
“Shputat e vogla nën këmishë/ u tërhoqën: “Jepi fund sa më parë!”/ Guximin e parë që lejuar më ish,/ gjasme e ndëshkonte qeshja e marrë.”
Koçi Petriti, “Ti më thërret “:
Ti më thërret e unë pas të vij,/ si kureshtar pas një ariu të butë,/ po mos mendo ta quash dobësi,/ që qenkam kaq i bindur dhe i urtë./ E mos kujto që kthehem lehtë i thyer,/ nga që më mund me naze, nur e trill./ Unë di dhe të kafshoj si kalë i fyer,/ atje ku gjinjtë e bardhë zënë fill.”
Në një shoqëri të mbushur me paragjykime, me ngjarje dramatike që i tronditin fatet dhe shpirtrat e të dashuruarve, shpeshherë dashuria është e kërcënuar, e dënuar të ketë një fund tragjik. Artur Rembo, “Ofelia”:
“Qiell, Dashuri, Liri! O Marroke e gjorë, ç’ ëndërr mizore!/ Ti u trete në të si bora te zjarri në vatër;/ Ligjërimin ta këndirrën vizionet e tyre madhështore,/ Pafundësia e tmerrshme ta llahtarisi syrin e kaltër.”
Koçi Petriti, “Mali i Vashës”:
“Ç’ vajzë mban mbi supe djali,/ ç’ plumb i ndoqi, ç’ gojë u shpifi,/  gjer e ngjiti majë mali,/ Hip e zbrit si gur Sizifi?/ Dhe e ngjiti dhe gajasi,/ Dhe gajasi e “oh!’ nuk nxori,/ Edhe zemra e vajzës plasi,/ mali në një varr i mori.”
Atmosfera keqdashëse, apo e kobshme që e rrethon dashurinë zë vend në shumë krijime të poetëve të përqasur. Artur Rembo: “Ylli qau me lot të trëndafiltë në veshët e tu si petale,/ nga zverku te balli pafundësia rrodhi bardhësi,/ deti sajoi perla të kuqe në sisët e tua ngjyralle/ dhe tek ija jote sovrane burri pikoi gjak të zi.”
Koçi Petriti, “Gërmadha”:
Nga gjithçka që thamë e bëmë njëherë,/ mbeti diçka që as ti dot s’e urreve,/ Si trungu i djegur mbetur mbi humnerë,/ pas gjithë vetëtimave dhe rrufeve./
E kjo diçka papritur qenka zgjuar,/ si bisk buisur sipër shkrumbërie./ O, s’paska asgjë më të trishtuar,/ se të ringresh gërmadha dashurie!”
Duke vënë në dukje ngjashmëritë midis poetit francez dhe poetit shqiptar nuk dua të arrij në përfundimin se Koçi Petriti është Artur Remboja, sepse çdo poet i vërtetë është vetvetja. Veç kësaj nuk dua t’u ngjaj atyre kuazistudiuesve që kanë zbuluar në Shqipëri me dhjetëra Artur Rembo, kur e gjora Francë ka vetëm një!
* * *
Një veçori e poezisë së Koçi Petritit është karakteri i saj konkret. Kjo dukuri të sjell ndër mend poezinë e poetit belg Norzh (1898-1990), për të cilin Jean Breton-i shkruan: “Tek ai çdo fjalë është realitet, nuditet, fshat, shujtë, lodrim, ngjyrë. Ai nuk e njeh abstrakten.”. Për të ilustruar veçorinë e lartpërmendur, mund të citoja disa lirika të Koçi Petritit, por mjaftojnë këto vargje nga poema “Një tufëz bar”:
Një tufëz bar me brishtësinë e barit,/ një tufëz bar i butë si gëzof,/
Ka mbirë ku shkel këmba e kalimtarit/ dhe unë rri mendoj si filozof:
Pa shih, kjo brishtësi e butë/ asfaltin çau dhe e shkelur përsëri,/
Me ç’ primitivitet bën luftë,/ apo për ç’ qytetërim po bëhet fli?
Dhe “Shkel shtërgu”:
Në jonxhën plot pleh kuajsh e kakërdhish/ ka rënë përsëdyti kosa,/
Shkel shtërgu bisht zhapinjsh e shtrat shtërpinjsh/ e bën të heshtë pellgjeve bretkosa…
* * *
Shumë e dukshme është analogjia e lirikës së Koçi Petritit me lirikën e poetit danez Jens August Schade (1903), që poeti dhe kritiku Jorgen Gustava  Brandt e ka përcaktuar kështu: “Poezia e viteve ’20 e ’30 nuk mori pjesë në analizën shoqërore të mirëfilltë, të cilën e bëri një numër i madh veprash kritike në prozën e viteve ’30. Për shëmbëll, Jens  August Schade e ilustron mirë këtë rrymë. Gjatë gjithë kësaj periudhe deri sot, poemat e tij janë një suitë e gjatë imazhesh të habitshme, që flasin për takimin e shpirtrave në kozmosin e përshkruar nga erotizmi, që e ka shpikur, një kozmos i përbërë nga pjesë të barabarta trupash qiellorë e trupash njerëzorë, me peizazhe të fshatit danez dhe me peizazhe urbane.”
Nga shembujt e shumtë që mund të sillja për të vërtetuar, se lirika e Koçi Petritit ka ecur në drejtim të kundërt me poezinë shqiptare të angazhuar të viteve gjashtëdhjetë, po zgjedh këtë strofë domethënëse nga vjersha “Dëshirë”, që datohet 19 tetor1963:
…A bën dhe ta mbushim çdo varg britmë e hekur,/ Pa thënë asgjë që të ngroh?
O, zgjomuni tinguj, që bardi s’u preku,/ Ta shkrij shpirtin tim nëpër ‘to!
Siç ndodh në poezinë e poetit danez Schade, epiqendra e krijimtarisë së poetit shqiptar është erotizmi. Këtë e kam parashtruar në studimin tim të mëparshëm “Erotizmi në lirikën e Koçi Petritit”:
“Rashë më gjunjë veç nën virgjëresha,/ Shpirtin nuk e shita me rrospi
Dhe as hasmit tim nuk do t’ia desha,/ Të mos binte dot në dashuri.”
“Unë kështu dimëroj gjer në flirtet e vona,/ herë i rishuar, herë i rindezur sa mund./ Jam gati çdonjë ta ridua, sikur të ish vërtet Dezdemona,/ pastaj ta harroj si një libër që s’mund ta lexosh gjer në fund…”
Jorgen Gustava Brandt vazhdon më tej: “Në veprën e Schades  mund të dallojmë analogji me ekspresionizmin dhe syrealizmin, por “shadizmi” me pikëpamjet e tij të pazakonshme dhe me qëndrimin e tij naivist që është  edhe njëfarë panerotizmi, është zhvilluar gjatë disa dhjetëvjeçarëve sipas ligjësive të veta.”
* * *
Mënyra se si është konceptuar dashuria në lirikën e Koçi Petritit, ka një paralele të qartë te poezia e poetit francez Jean Malrieu (1915-1976), ku dashuria lidhet me vazhdimësinë e jetës njerëzore. Jean Breton-i saktëson: “Si te trubadurët, marrëdhëniet e tij me të dashurën mbështeten te respekti dhe te besnikëria; femra e dëshiruar simbolizon tokën që na ushqen, ndërsa nga çifti i ri do të lindë një qenie e re.” Përafërsisht të njëjtën ide shpreh edhe Koçi Petriti në lirikën “Me më të bukurat”:
Me më të bukurat kam bërë dashuri,/ me më Të Bukurën kam bërë fëmijë./
Shijova luleshtrydhje e kulumbri/ e vdekja kur të dojë le të vijë!”
* * *
Përsa i përket peizazhit dhe funksionit të tij, lirika e Koçi Petritit ka analogji me lirikën e poetit francez Yves Bonnefoy (1923), të cilin kritiku Georges Poulet e analizon kështu: “Mund të thuash se pak a shumë sipas mënyrës së Novalisit dhe të romantikëve gjermanë, viset nuk paraqiten më nga poeti si entitete të vendosura në jashtësi, por, pasi kanë reshtur së qeni të lokalizuara jashtë mendimit, kanë fituar brenda këtij të fundit një ekzistencë, që është bërë pothuaj tërësisht subjektive. Prapatoka bëhet njësh me atë që mund ta emërtonim, duke i hequr çdo kuptim pejorativ, prapa-mendim, sfond i mendimit. Gjatë zhvendosjeve të tij, pa u lodhur, poeti i kërkon këto vise që hapen para subjektivitetit dhe para imagjinares. Nëse ai udhëton e udhëton vazhdimisht, këtë e bën gjithnjë duke kërkuar atë vend, që do ta ndihmonte të mbërrinte te hapësira e brendshme.”
Prapatoka, sfondi i mendimit të Koçi Petritit dhe në përgjithësi i poezisë së tij mbeten peizazhet e Korçës, peizazhe të fshatit dhe të qytetit:
1.
Udhëve të Korçës veç dëborë bie,/ jo s’qenka dëbora, po mall fëminie,/
Sikur të mos ishte kjo dëborë malli,/ Do të isha i vdekur ndofta që së gjalli.
2
Ta ngrys nën ledh nën ethe e të jem djali,/ Që pret të plasë nga pjekja i pari pjepër,/
Që zë rosakë e gërguj me kom kali/  E fllosh u lidh zhuzhakëve të gjelbër./
I shtrirë përmbys lëndinën duke ndukur,/ Me pjergull e prush pjeshkash mbi kurriz,/
Kur të kalojë këtej kurbatka e bukur,/ T’u shtije kot laraskave me plis…
3
Braktis korije e vresht, që im Atë i humbi,/ Drozela e ngjala e kopshtin e qershive,
Nën një varg patash ardhur nga Danubi,/ Në Korçë hyj si princ i poezive.
* * *
Nuk ka dyshim se analogjitë midis lirikës së Koçi Petritit dhe lirikës së disa poetëve evropianë që m’u dha rasti t’i lexoja, nuk janë analogji gjenetike, domethënë nuk janë rezultat i ndërveprimit letrar, i ndikimeve të drejtpërdrejta, por ato janë analogji tipologjike. Në përmbledhjen e tij me ese “Lulja saksifrazh”, poeti nobelist Octavio Paz thekson se ekzistojnë familje shkrimtarësh, të cilët nuk i bashkojnë as gjaku, as gjeografia, por i bashkojnë shijet, parapëlqimet, obsesionet. Duke e shtjelluar më tej këtë shpjegim, ai shkruan: “Shijet, manierat, tendencat letrare asnjëherë nuk janë kombëtare. Stilet janë udhëtarë të mëdhenj që kalojnë nëpër vende dhe imagjinata krijuese, ato e ndryshojnë gjeografinë letrare, si dhe ndjeshmërinë e autorëve dhe të lexuesve.”
* * *
Në fund të këtij shqyrtimi të shkurtër, dua të denoncoj mekanizmat shtetërorë, të cilët e kanë për detyrë të vlerësojnë kontributet e shquara dhe krijuesit e tyre. Të frymëzuara nga praktika të politizuara, duke bërë vlerësime selektive, që janë vetëm në natyrën e një shteti totalitar, mekanizmat e një shteti që e quan veten demokratik, nuk e morën mundimin ta vlerësonin kontributin e rëndësishëm të pedagogut, të studiuesit, të historianit të letërsisë, të kritikut dhe të poetit të mirënjohur Koçi Petriti, me rastin e 70-vjetorit të lindjes. Koha na ka mësuar se asnjë periudhë qeverisjeje nuk i ka shpëtuar dot gjykimit të historisë, e cila nuk do t’ia dijë fare për deklaratat e pushtetarëve, që periudhën e sundimit të tyre e quajnë “të lavdishme, madhështore, të shkëlqyer!”

Google+ Followers