Çfarë kërkonin shqiptarët edhe para 100 vjetësh

Prozë

Publicistikë/ Nevoja për të përhapur mjeshtërinë ndë Shqipëri; botuar te gazeta “Korça”, 18 shkurt 1909

Nga G. D. Qirias


Një nga më të vjetuarat çështje për Shqiptarët sot është kjo: si mundet më mirë e më shpejt të përhapen mjeshtëritë ndë Shqipëri. Kjo është një çështje së cilës gjer sot nuk i është dhënë ndonjë rëndësi sepse hallet nuk na kanë lënë të zgjatnim mendimet tona e të mentoneshim për mbrothësi, qytetari dhe mjeshtëri, të cilat e lartësojnë kombin edhe mëmëdhenë. Po sot, duke hedhur poshtë verigat e robërisë edhe duke ndjerë se edhe neve rrojmë e jemi të gjallë ndë këtë botë, lipset të vrasim mendjen edhe të përpiqemi të vemë ndë punë gjithë fuqitë tona, duke u dhënë fund të këtilla çështjeve që janë për fatbardhësi të mëmëdheut. Nuk është çudi, siç thashë më lart, që nuk kemi menduar gjer tashi për të këtillë gjë kaq të vlefshme, po sot që mundemi të mentojmë edhe të vemë ndë veprim mentimet tona, sot lipset t’i japim rëndësi të madhe kësaj çështjeje, sepse shpirti dhe jeta e një mbretërie edhe një kombi varet nga mjeshtëritë. Mjeshtëria begaton vendin, tëhollon mendjen e njeriut, sjell gjithë të mirat për brothësinë edhe lulëzimin e vendit edhe më në fund e forcon ushtarakisht dhe e bën të patundur.
Cila është ajo gjë që e ka lartësuar sot Amerikën gjer më këtë shkallë? Vallë ç’e ka bërë që ndë kohë të pastajme ka tundur botën dhe po sulen njerëzia si të verbërit ndë atë dhe (tokë) të largëm, ku zbarzin djersën e tyre për ca të holla! Mjeshtëria dhe vetëm mjeshtëria është shkaku që ka arrirë sot Amerika atë më të lartën shkollë nga ç’do tjetër mbretëri ndë faqe të dheut. Atje njerëzia punojnë dhe mbrothësojnë e nuk flenë si neve që kemi fjetur gjer më sot. Neve bëjmë theror fuqinë tonë, pasjen tonë, mëmëdhenë, shtëpi e fëmijë e shitemi për të fituar një kafshore bukë. Shumë nga gënjen mendja kur themi se do të vemi ndë dhe të huaj të fitojmë para që të begatojmë vendin tonë. Ky nuk është fitim i vërtetë – përkundrazi -, ky është dëm i madh për vendin e vet. Ay që ble kokën, mundimnë dhe djersët tënde për ca të holla, të cilat ti i quan fitim, afër menç, se gjersa mos ketë ay 10 herë fitim më të madh se tëndin, nuk bën kështu, prandaj, atë që quan ti fitim, është dëm i vërtetë për ty edhe për mëmëdhenë.
Të larguarit e njerëzisë nga vendi i vet është shenjë varfërie edhe fort e rrezikshme për atë vend. Ajo, domethënë se vendi nuk i ushqen – me të tjera fjalë – nuk ka punë, edhe përse nuk ka punë, sepse mjeshtëria është ndë gjumë të thellë S’ka vend të varfër ndë këtë botë, Zoti me të madht të Tij e ka mbushur këtë dhe me flori, me mademe edhe me shumë lloji pasje – edhe gjithë këto për lumturinë e njeriut – njeriu që ka ment edhe gjyq, është i gjithë këtyre pasjeve, vetëm që duhet të veprojë edhe të përndajë atë fuqi që i ka falur Zoti për të mirën e tij dhe të mëmëdheut.
Për të përparuar mjeshtëria ndë një mbretëri lipse pa fjalë dy gjëra: lëndë dhe mundim (punë). Këto dy gjëra lipset të jenë të pandara. Lipset të kenë lëndë për të mjeshëtruar gjeç, edhe lipset të përdorim mundin për të punuar këtë lëndë. Sa për të parën nuk do bërë as fjalë, sepse Shqipëria është një vend i pasur edhe i mbështjellë ndë flori anëmbanë, thëm është e mbështjellë ndë flori sepse ngado të kthenesh ka pasje të paçmuara, të cilat për fat të lik kanë qenë dhe janë të mbuluara ndën dhe, sepse s’ka pasur kush t’i zbulojë edhe ti punojë për mirësinë e vet edhe të vendit. Fushat që kanë mbetur të shkreta edhe të papunuara janë rrojtja edhe jeta e vendit. Ato të pakta të sjella që ka sot vendi ynë, edhe ato nuk na i lënë.
Vjen i huaji na e mbledh leshtë për 7-8 grosh oknë edhe na sjell cohë e na shet 100-200 oknë; vjen i huaji edhe na mbledh leckat e sokakut, i shpije ndë Evropë, i zbukuron duke u dhënë fytyra të ndryshme, edhe na i sjell këtu turlish cipëra e na mbledh pasjen e bukur edhe na merr kafshoren e gojës.
Pa shtini një sy rrotull juve edhe shikoni sa gjëra kemi të vendit që i punojmë vetë? Që nga koka deri te këmbët jemi të veshur me sende që janë mjeshtëruar ndë Evropë – anë e mbanë – për ditë na zhvesh Evropa edhe neve nuk zgjohemi që të mos na rrjepë e të na varfërojë tërë jetën.
Të gjitha këto sende që na sjell i huaji së jashtmi, a s’jemi të zotët t’i bëjmë vetë? A janë ata më të zgjuar, më të mençëm a më trima se neve? Kur qenkan gjëra që i bën mendja e njeriut, a nuk jemi edhe neve njerëz që mund të mentojmë edhe të bëjmë ato sende që na duhen për rrojtjen tonë? Pa mentoni një grimë here, sikur ti bënim për vetën tonë çdo gjë që e marrim sot së jashtmi – sikur të përdorej tërë lënda edhe të ardhurat e Shqipërisë për Shqipërinë, çfarë mbrothësie do të kishim ndë mjeshtëritë?
Neve lipset të dimë se ato fabrika të dëgjuara ndë Evropë, ato shtëpi të çudtishme që u shohim fyturat ndë vila, ndë të cilat punojnë me mijëra punëtorë janë bërë me djersët edhe pasjet tona. Le të mbledhim mendjen pra, edhe të përdorim fuqitë tona për të bërë çdo gjë vetë. Kur kemi lëndën, kur jemi trima për punë, kur kemi pasje të mjaftë, përse fitimi mos jetë i yni edhe i mëmëdheut tonë, por i të huajve. Përse të lemë shtëpitë tona zbuluar dhe fëmijët tanë zbathur e të ndërtojmë pallate te të huajt, të prehet e të gëzojë e ne ndë varfëri të dergjemi gjithë jetën si të mjerë. Le të zgjohemi pra sot, dhe le të përdorim këtë kohë të pëlqyer për të mirën e vetëvetes sonë dhe të mëmëdheut se vetëm kështu mund të kemi epërsira të mëdha për të mbrothësuar ndë mjeshtëritë që është më të vërtetë shpirti dhe jeta e mbretërisë sonë.
Me të vërtetë se kur shohim mbrothësinë të mjeshtërive të Evropës na çudit mendjen e neve kurrë nuk mundim të arrijmë atë shkallë edhe të ndërtojmë ato sende që po bën ajo sot. Por ky mendim është i lajthitur dhe aspak nuk lipset të na dëshpërojë. Mos harrojmë se dhe ata janë njerëz si neve, asnjë njeri ndë këtë botë s’ka lindur i ditur. Le të mbajmë mendt se ka me mijëra punëtorë që mund ta nisin e ta bëjën menjëherë. Mjaft është të bëhet një nisje edhe të zgjonet ajo dëshirë për mjeshëtri ndë mes nesh, pastaj prej vetiu njeriu shtyhet që të mbrothësojë dita me ditën më tepër. A nuk mund të bëjmë shajak për të veshur ushtrinë tonë edhe vetën; po marrim atë abenë të Evropës që është si çedile e bëra nga plehrat të mbledhura të fabrikave që punojnë lesh. A nuk mund ta bëjmë ne 10 herë më të shëndoshë që të ngrohë koskat e ushtarve të luftës. A nuk mundemi të punojmë këtu lëkurët për të bërë këpucë, po ua japin të huajve, na i ndritin pak që të na i mbyllin më mirë sytë edhe në vend 5 grosh një lëkurë, na e shesin për 100 dhe më tepër. A nuk kemi ne pambuk që të bëjmë çdo pëlhurë vetë, më tepër për rroba të bardha, po vemi dhe i hedhim të hollat për kalbësirat e Evropës e t’i paguajmë të huajtë 500 grosh. A nuk kemi ne…

Përgatiti: Vepror Hasani
(Marrë me shkurtime)
Standard

Google+ Followers