Ç’ është poezia?



Poezia lind nga dashuria për të rijetuar jetën në vargje.
                                                         Octavio Paz

Fjala poezi vjen nga geqishtja e vjetër "poesis" që do të thotë "bëj", "krijoj", "thur". Ajo ndryshon prej prozës prej organizimit ritmik të lëndës gjuhësorë. Gjuhëtari A.Xhuvani poezinë e krahason me muzikën:Poezia,- thoshte ai,- është një harmoni poetike që tregon një ngritje, një naltësim të veçantë të shpirtit, sikurse muzika." "Poezia është e dashuruar me çastin dhe kërkon ta rijetojë atë në vargjet e saja duke e ndarë kësisoj nga koha në vazhdim  e duke e kthyer në një të tashme të fiksuar. Poezia lind nga dashuria për të rijetuar jetën në vargje",-thotë O. Paz ,- por edhe për ta konsidëruar atë moment, si "e tashme e fiksuar. Në kohën që shkruaja, - vijon ai,- nuk e vrisja mendjen se po bëj gjë.. Unë kërkoja hyrjen për në të tashmen: doja t'i përkisja kohës sime dhe shekullit tim. Pak më vonë, ky obsesion u bë një ide ngulmuese: Unë doja të isha poet modern, kërkimi im për modernen kishte filluar."
Poeti grek, T.Patrikios thotë: "Poezia është një kombinim i zemrës me mendjen.”  Shekspiri ka  një thënie tjetër, për të gjithë ne që shkruajmë: “Ne jemi materiale me të cilat ndërtohen ëndrrat."
Poezia krijon temporitme të veçanta si dhe intonacione të caktuara.Në dallim me prozën, ku ligjërimi është i lirë për të shpjeguar gjithçka, gjer në imtësitë më të thella, intonacioni i një poezie ndjek rregulla të caktuara, duke e periodizuar sintaksën poetike.
Në një studim shkencor në fushën e mjekësisë ku trajtohet ndarja e proceseve të punës në koren e trurit, autori i këtij studimi e konsidëron poezinë si një instinkt dhe e vendos atë krahas instinkteve të tjera, në një kënd të kores së trurit.
Ja çfarë quan ai instinkte dhe çfarë vendi zënë ato në koren e trurit:
-Instinkti gjenetik,-Filogjenitura,
-Nostalgjia -Instinkti i vetëmbrojtjes
-I violencës, barbarisë dhe shkatërrimit
-Instinkti i pronës -Instinkti i kohës
-Instinkti i ambicies, i  boshllëkut dhe xhelozisë
-Instinkti i reflektimit dhe i dyshimit
-Instinkti i kujtesës, i fakteve, i kureshtjes dhe afeksionit
-Instinkti i dashurisë për të largëtën (kozmopoliten)
-Instinkti i kujtesës dhe i fjalëve
-Sensi i gjuhës-Talenti në pikturë dhe në muzikë
-Talenti në matematikë dhe talenti i gjithanshëm
-Alegoria-Ideologjia-Keqdashja-Vëzhgimi.                                                            
-Organi i poezisë -Sensi i moralit
-Organi i imitimit -Organi i imagjinatës
-Ndjenja fetare-Karakteri, -Perversitetet, -Indipendenca.
Në këtë ndarje, poezia konsiderohet "organ"  ndërsa, talenteve e tjera,  i muzikës dhe i pikturës,  quhen "talente".
Më këtë duam të themi se poezia  është diçka më e qenësishme dhe instiktive. Ajo ekziston te çdo njeri, si minerali në brendësi të tokës. Mjafton një emocion, një mbresë, një gëzim ose hidhërim i veçantë dhe tek ne lind dëshira të shprehemi me një koncentrat fjalësh të zgjedhura. Ndoshta kjo është ajo që quhet poezi në kuptimin  e përgjithshëm të saj.
Shpesh reklamohet me të madhe: “poezisë i ka ardhur fundi”, se poezia është diçka  anakronike, se të rinjtë që shkruajnë poezi janë demode, sentimentalë dhe romantikë, jashtëkohorë...Madje ka rrethe shoqërore të cilët i qesëndisin poetët. Kjo ndodh pasi shumica syresh nuk kanë idenë  çdo të thotë  poezi. Ata poezinë e barazojnë me bejtet e rëndomta popullore apo me shkaravinat sentimentaliste të disa individevë të patalentuar. Kjo ka bërë që ata të mos dinë të vërtetën rreth thelbit të asaj që quhet "poezi". Poezia, siç thamë më lart, është organ i ndijimit.Ajo ka lindur së bashku më njeriun dhe do të vdesë së bashku me njeriun. Borges, thoshte: "Një revistë lexohet për t'u harruar, gjithashtu edhe një disk dëgjohet për t'u harruar, është diçka mekanike, jetëshkurtër. Ndërsa një libër lexohet për t'u kujtuar" (kupto këtu edhe një libër me poezi S.M.)
Koncepti "poezi" është shumë i gjerë. Poezia, me një* vështrim, rrok pafundësinë e oqeaneve, kozmosin, ndjesitë e panjohura që ndodhin në thellësitë e shpirtit njerëzor.
Në ndryshim nga proza, poezia është një ligjërim emocional. Ajo bazohet mbi disa rregulla fikse, të cilat modifikohën dhe përshtaten kohë pas kohe.Poezia tradicionale u përshtatet rimave dhë ritmeve të brendshmë rreth një linje. Ndërsa poezia e lirë është një meditim i lirë, që i përshtatet vetëm ritmit të saj të brendshëm. Poezia klasike i jeptë një rëndësi të veçantë rimimit , rimës, aksentit, pauzës... Kjo lloj poezie ka për bazë melodikën e veçantë, një melodi me metër të caktuar, masa e së cilës jepet qysh në vargun e parë. Në fund të këtyre vjershave tradicionale ka asonanca ose rima, të cilat ngjajnë me një jehonë ritmike.
Ritmi kthehet në kohë në intervale të rregullta dhe me akcentë të rregullta. Në poezi ka dy akcente, tonike dhe ritmike.
Poezia klasike ka forma të caktuara vargjesh. Poezia me dy vargje quhet "distik", trevargëshi është quajtur "tercinë". Edhe trevargëshi është përdorur në poezi, qoftë në formën e marrë nga populli, qoftë në formën e tercinës danteske, qoftë në formën e "hajkut "tradicional japonez.
Në formën popullore e gjejmë tek L.Poradeci e ndonjë tjëtër.
Ja një shembull nga Poradeci:
£ mora shoqezën përkrah ,
e matmë rrugën ca nga ca,
sikur na ndillte larg diçka.
(E mora shoqezën përkrah) Ky lloj vargu kohët e fundit ka mundur të gjejë përdorim përsëri tek disa poetë, si influencë e hajkut tradicional japonez. Më i apasionuari në lëvrimin e këtij vargu është poeti Milanov Kallupi.
Përdorim të gjerë në poezi ka pasur dhe ka poezia strofike (me katër, pesë, shtatë dhe tetë vargje) me rimë të altërnuar (të kryqëzuar) apo të puthur, pranë e pranë.
Strofa është një bashkim vargjesh me rimime të alternuara (ABBA, ABAB, dhe shumë rrallë sipas rimës  së puthur (AA BB).Në këto poezi gjatësia e vargut nis nga katër rrokje gjer në gjashtëmbëdhjetë, por vargjet më të përdorshme janë pesërrokëshi, tetërrokëshi dhe dhjetërrokëshi.




Google+ Followers