Agron Tufa: Njeriu i atrofizuar nga frika dhe shantazhi është mjerim


Pyetësori i Prustit
Peng i përhershëm dhe më i madh i poetit dhe prozatorit Agron Tufa mbetet mosshfrytëzimi si duhet i kohës, koha e humbur…
Cila është ideja jote për lumturinë?
Të jetoj me ata që i dua, me familjen time, mundësisht jo në ambient urban, por as larg qytetit, në një shtëpi të bollshme në gjirin e natyrës, që ka detyrimisht një studio ku të mbyllem të shkruaj nga 6 orë në ditë, i rrethuar me libra, muzikë, albume, dhe në mbrëmje të shoh herë pas here ndeshjet e rëndësishme të futbollit, pothuaj të gjitha kur luan FC Barcelona.
Cila është frika më e madhe?
Të jem i ndarë nga familja ime, të mos jem i rrethuar nga prania e sime shoqeje dhe fëmijëve.
Kë person të gjallë admironi më shumë?
Tim atë. Përvojën e tij, ndershmërinë, ndjenjën e vetësakrificës së tij, burrërinë etj., me pak fjalë – karakterin e tij.
Cili është ai tipar i të tjerëve që të ngjall mëshirë?
Paragjykimi gratis për tjetrin, mungesa e dëshirës për të njohur të vërtetën, përtacia intelektuale, papërgjegjshmëria dhe mosdurimi.
Ekstravaganca jote më e madhe?
Kur në pikun e urgjencës dhe afatit që kërkohet, merrem me diçka krejt tjetër, p.sh., shkruaj apo lexoj, i rrethuar nga kambanat e alarmit.
Cili është udhëtimi yt i preferuar?
Gjithmonë kthimet: udhëtimi në vendlindje ku kam kaluar fëmijërinë.
Në ç’rast mund të gënjesh?
Vetëm kur e vërteta do të sillte turbullira dhe pasoja. Por mund të gënjej dhe thjesht, për qejf, nisur nga ndjenja e pamjaftueshmërisë së realitetit, duke dashur ta zbukuroj atë për vete e për të tjerë…
Personi që përçmon më shumë?
Gjithkënd që mundohet t’i imponojë dikujt bindjet e veta me mënyra të pandershme, bizare, shtrënguese e të dhunshme. Njerëzit që mendojnë vetëm për pushtet, dogmatikët si dhe të gjithë komunistët e vjetër e të rinj…
Cilat fjalë ose shprehje përdor më shpesh?
“Interesante… interesante…”, që do të thotë, si pikërisht atëherë nuk ka asgjë interesante.
Pengu yt më i madh?
Që nuk kam mundësinë të rikthehem në moshën 15-vjeçare, për të rinisur një formim/shkollim të kujdesshëm të vetvetes në ato shkenca që merren me moshën, p.sh., filozofia, gjuhët e huaja (sidomos gjuhët e vdekura). Peng i përhershëm e i madh mbetet mosshfrytëzimi si duhet i kohës, koha e humbur…
Kur dhe ku ke qenë i lumtur?
Këtu dhe tani! Unë jam një i lumtur. Por duhet një përkufizim se ç’është lumturia. Ajo është gjendje e herëpashershme, jo një përjetim i pandërprerë. Përndryshe nuk do të kishte as vlerë, as kuptim. Lumturia është të ndjerët e një harmonie universale brenda vetes, një mahni që preket, të pushton dhe kalon, për t’u përfshirë sërish në rrjedhën e trazuar të jetës. Kam dëgjuar një mikun tim (që, tekefundit, isha unë vetë) të formulojë një shprehje të tillë: “i lumtur si një idiot”. Por kur mendoj se kam një familje të mrekullueshme, kam punët që më pëlqen të punoj, kam pavarësinë time të shkruaj e të mendoj si të dua, që jetoj në vendin tim, që nuk jam e nuk do të jem asnjëherë i pasur dhe as më shqetëson kjo… të gjitha këto janë të mjaftueshme të jem i lumtur e të ndjehemi të tillë, përçka falenderoj heshturazi Zotin e Madh e të Plotfuqishëm.
Në ç’gjendje shpirtërore je tani?
Të një nxitimi për ta mbaruar këtë intervistë dhe me parashijen e një shëtitjeje familjare me bashkëshorten dhe fëmijët, të cilët po vishen për të dalë… është e diel…
Nëse do të mundeshe të ndryshoje diçka nga vetja, çfarë do të ishte?
Thjesht do doja ta përdor kohën e kaluar me më shumë nikoqirllëk në funksion të pasionit tim kryesor: krijimtarisë letrare.
Ç’gjë e konsideron arritjen tënde më të madhe?
Së pari, formimin tim akademik e intelektual, që është kërcënuar vazhdimisht nga komunizmi deri në moshën 23-vjeçare, deri në momentin kur ai, së paku formalisht, ngordhi; së dyti, veprën dhe reputacionin tim letrar me librat e botuar (poezi, prozë, ese, studime, përkthime); dhe së treti (që duhet të ishte e para), krijimin e një familjeje të madhe me 4 fëmijë.
Po të vdisje dhe të mund të mishëroheshe në një tjetër njeri apo diçka tjetër, çfarë do të doje të ishe?
Do të doja të isha ky që jam, kështu që më mirë mund të kalohej kjo hipotezë pa rimishërime e pa rilindje, duke më lënë kështu siç jam.
Cili është sendi më i çmuar që zotëron?
Mahnitem me fjalën zëlartë të Sokratit në Pazarin e Athinës: “O sa gjëra të mrekullueshme po shoh!”, dhe nga ana tjetër me pëshpëritjen e tij: “Dhe sa të panevojshme për mua”. Nuk kam pasë asnjëherë lidhje përjetuese me botën e sendeve.
Kë quan pikën më të thellë të mjerimit?
Njeriun e atrofizuar nga frika dhe shantazhi.
Ku do të pëlqente të jetoje?
Në vendet ku bun shpesh imagjinata ime, apo në vendet që i shpik dhe zbukuron imagjinata ime. Pikërisht atje ku ëndrrat të realizohen në mënyrën më të gjallë, më reale e më të përsosur.
Ndër veprimtaritë që merresh, cila është e preferuara juaj?
Më e preferuara, ndonëse më pak e mundura për shkak të kohës gjithnjë e më të pakët, është zeja e të shkruarit, leximi dhe përkthimi artistik/letrar.
Cila është karakteristika juaj më e spikatur?
Ëndërrimi, shpesh me sy hapur (Bota e “sikureve”) dhe të qenët “esëll”, me këmbë në tokë.
Veçoria që pëlqen më shumë te një mashkull?
Ndjeshmëria morale, mendja e kthjellët dhe zemra e dhembshur.
Veçoria që pëlqen më shumë te një femër?
Natyrshmëria, brishtësia dhe mendja e bukur.
Cilët janë shkrimtarët e preferuar?
Shumë: Homeri dhe tragjikët grekë, Dante, Servantesi, Gogoli, Dostojevski, Çehovi, Floberi, Rilke, Kafka, Mandelshtami, Folkneri, Nabokovi, Koliqi, Kuteli, Sabato, Paul Celani, Bruno Shulc, Brodskij, Zbingnjev Herberti, Imre Kertes etj., etj.
Cili është heroi yt në art dhe kulturë?
Poet e eseist i jashtëzakonshëm, antikomunist i pakompromis, i burgosur e i përndjekur, disident i përzënë nga atdheu i vet, e megjithatë triumfues mbi diktaturën dhe fitues i çmimit “Nobel” (1987) – Josif Brodskij.
Kë ke heronj në jetën reale?
Ka plot. Të gjithë ata miq e të njohur që përballojnë vështirësitë e fatkeqësitë, duke ruajtur të pacenuar dinjitetin njerëzor dhe fisnikërinë e shpirtit.
Cilat gjërat nuk të pëlqejnë fare?
Thashethemet, paragjykimet, intrigat, servilizmi, mercenarizmi, mungesa e përgjegjësisë dhe dinjitetit, demagogjia, shantazhi – të gjitha këto fryte të përçudshme që ka prodhuar me bollëk qytetërimi ynë.
Si do të të pëlqente të vdisje?
Duke qenë i rrethuar nga dashuria e mirënjohja, me mendje ende të esëllt.
Cila është motoja juaj?
Nuk kam menduar se duhet të kem një moto që ta them çdo mëngjes, si përbetim, por do të më pëlqente që motoja ime (përderisa nuk abstragoj dot nga të qenët shkrimtar)  t’i ngjante një strofe e J. W. Gëtes:
Gjersa gjë tjetër nuk të mbetet,
Vepro kështu: vdis e ngrihu! –
Ti s’je veç një vizitor i trishtuar
Në këtë tokë të marrtë.

Këtu gjendet një mësim moral që përmendëm: “vdis dhe ngrihu!”. Është pikërisht ajo që nuk e duron mediokritetin; ku fjala është Lazari, por që në përditshmërinë tonë mediokre ajo është deformuar, as nuk ngjall e as nuk vdes frymorë a sende.

Google+ Followers