A shitblihet libri në Prishtinë?!


Por, a është panairi i librit në Prishtinë një panair i shitblerjes së librit apo promovimit të tij te lexuesit? Organizatorët dhe pjesëmarrësit vlerësojnë se ky panair përmban të dy këto karakteristika, ndonëse kanë mendime të ndryshme ose edhe hamendje se cila është më parësore në këtë rast, raportojnë mediat në Kosovë. Daut Demaku, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, vlerëson se panairi përmban të dyja karakteristikat, të balancuara dhe të cilat janë të arsyetueshme


Edicioni i 15 i panairit të librit, i cili është hapur të hënën në Prishtinë nën organizimin e Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka sjellë mbi 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora do të prezantojnë përveç botimeve të viteve më të hershme, edhe mbi 1300 tituj të rinj. Misioni i këtij panairit, sipas organizatorëve, është ofrimi i volumit dhe i kualitetit të librave për lexuesit, në mënyrë që këta të fundit ta kenë mundësinë që ta gjejnë një gamë të gjerë të literaturës që u intereson. Por, a është panairi i librit në Prishtinë një panair i shitblerjes së librit apo promovimit të tij te lexuesit?
Organizatorët dhe pjesëmarrësit vlerësojnë se ky panair përmban të dy këto karakteristika, ndonëse kanë mendime të ndryshme ose edhe hamendje se cila është më parësore në këtë rast, raportojnë mediat në Kosovë. Daut Demaku, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, vlerëson se panairi përmban të dy karakteristikat, të balancuara dhe të cilat janë të arsyetueshme.
“Panairi i librit është një ‘librari’ e madhe, komplete e të gjithë botuesve shqiptarë. Do me thënë, është shitje, por Panairi i librit, në të njëjtën kohë është edhe promovim. Deri më tash unë nuk kam parë elemente që e rëndojnë njëra tjetrën më shumë. Prandaj, panairi integron shumë vlera”.
“Shitjen po se po, për arsye se të gjithë pjesëmarrësit e paguajnë hapësirën dhe po të mos kenë shitje nuk kanë se si ta paguajnë, sepse edhe ashtu e kanë buxhetin e vogël. Është promovim, informim, komunikim mes njerëzve. Me fjalë të tjera, është mozaik i plotë i një feste kulturore të librit”, shprehet Demaku.
Por, çfarë thonë botuesit? Gentian Çela nga shtëpia botuese “Ideart” nga Tirana, vlerëson se panairi, më të rëndësishmen e ka karakteristikën e promovimit të librave se sa atë të shitjes.
“Më shumë është për të promovuar librin, për arsye që edhe lexuesit njihen me librin në mënyrë më të qartë, sepse në librari mbase librat janë më të kufizuara. Kurse, këtu në panair, librat janë të ekspozuar gjithandej dhe kanë mundësi më tepër që t’i shohin të gjitha”, thekson Çela.
Mendim të ngjashëm ka edhe Fevzi Tërrnava nga shtëpia botuese “Libri Shkollor” nga Prishtina. Sipas tij, pjesëmarrja në Panairin e librit nuk ka të bëjë shumë me leverdinë financiare.
“Më shumë është si promovim dhe ekspozim i librit. Ne duam ta mbajmë traditën shumëvjeçare. Kjo është arsyeja pse marrim pjesë. Nuk ka ndonjë leverdi të madhe”.
Por, Afet Bejadini, drejtor i shtëpisë botuese “Thesari” nga Gostivari, vlerëson se në Panairin i librit janë dy favore, e shitjes dhe e promovimit të librit, ndonëse sipas tij, kësaj të fundit i kushtohet më shumë rëndësi.
“Në këtë rast janë prezente që të dyja. Por ne si botues, më tepër në panair e vlerësojmë promovimin e librit. Sado që dikush mund ta quajë si treg të librit, përsëri, panairi zgjat vetëm disa dit. Ndërsa, libri vazhdon të jetë brenda vitit dhe ne si botues, kur marrim pjesë nëpër panaire, qëllimi kryesor i yni është që ta promovojmë librin, në mënyrë që brenda vitit ta kërkojnë lexuesit”, bën të ditur Bejadini.
Mirvijen Kokona, e cila prezanton shtëpinë botuese “Kokona” nga Tirana, vlerëson se edhe shitja por edhe promovimi i librave në këtë panair kanë rëndësinë e tyre dhe nuk e përjashtojnë njëra tjetrën. Por, sipas saj, më e rëndësishme është që libri të shkojë deri të lexuesi.
“Të gjitha (librat) janë në një vend. Fiton (lexuesi) një ide të përgjithshme edhe mbi botimet e reja dhe mbi ato që nuk i ka parë, kështu që nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi, është shumë mirë. Më lirë shiten (librat). Pothuajse 20 për qind janë më lirë”.
“Vijnë lexuesit dhe flasin me botuesin dhe kontakti direkt me botuesin është shumë i rëndësishëm, sepse botuesi i udhëzon ose u jep hollësi mbi botimet që ka dhe pak a shumë,për kategori të ndryshme, jep edhe ide se çfarë librash mund të lexojnë”, thotë Kokona.
Panairi i librit “Prishtina 2013” do të zgjasë deri më 9 qershor.
Përgatiti: Re. Ku.
Standard


Për herë të parë libri elektronik

Në këtë panair sivjet për herë të parë do të prezantohet edhe libri elektronik, një e arritur që edhe librin e fut në rrjedhat e epokës elektronike. Siç ka bërë të ditur Besian Zenelaj, nënkryetar i Shoqatës së Botuesve, që organizon këtë panair, ky manifestim për librin sivjet ka disa veçanti, sepse shënon 100-vjetorin e lindjes së Petro Markos, 100-vjetorin e lindjes së Vedat Kokonës, 100-vjetorin e lindjes së Isuf Luzajt, 90-vjetorin e lindjes së Jakov Xoxes, 90-vjetorin e lindjes së Vehap Shitës dhe 30-vjetorin e vdekjes së Musine Kokalarit. Panairin e vitit 2013, raportojnë mediat e Kosovës, pritet ta vizitojnë rreth 35.000 vizitorë, si studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

Google+ Followers