A keni kohë pa blerë libër? Sot hapet Panairi i Librit ne Prishtinë


Panairi i 15-të do të mbahet nga 3-9 qershor 2013 në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.
Duke qenë panair jubilar, në një vit jubilar – 5-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës – risi shoqëruese do të jenë një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare:

- 100-vjetori i lindjes së Petro Markos,

- 100-vjetori i lindjes së Vedat Kokonës,

- 100-vjetori i lindjes së Isuf Luzajt,

- 90-vjetori i lindjes së Jakov Xoxes,

- 90-vjetori i lindjes së Vehap Shitës dhe

- 30-vjetori i vdekjes së Musine Kokalarit.


Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në kuadër të panairit.
SHBK-ja ka paraparë informimin e çdoditshëm të vizitorëve, mediave, botuesve me informatorin e shtypur dhe dixhital, në këtë faqe.
SHBK-ja po ashtu ka paraparë një darkë solemne në njërën nga ditët e panairit, ku do të nderohen me trofeun e Panairit, sipas vlerësimit të jurisë speciale, librat më të mirë në:

- Prozë,

- Poezi,

- Kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë,

- Përkthim letrar,

- Projektin kapital,

- Stendën më të vizituar.


Panairi do të ketë edhe mysafirët e nderit, 3 shkrimtarë të shquar.
Panairin e ndihmojnë tradicionalisht MKRS-ja dhe Komuna e Prishtinës.
Pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora.
Numri i titujve të rinj, rreth 1.300. Numri i titujve të viteve të fundit, rreth 5.000.
Panairin pritet ta vizitojnë rreth 35.000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës./reporteri

Google+ Followers