Zyba Hysen Hysa: Që të fitojmë lirinë, duhet të fillojmë “luftën”, pasi të kanë pushuar krismat e armëve...


(Refleksione rreth librit ADEM DEMA “Shkrumbnajë e Dashuri”)

Zyba Hysen Hysa

Për herë të parë, takoj drejt për së drejti Qëndresën e Gjallë Kombëtare, Adem Demaçin, me 11 prill 2013 në Akademinë se Shkencave në Tiranë, ku përurohej vepra e tij “ADEMDEM” prej 10 librash; “Fërkime”, “Gjarpërinjtë e Gjakut”, Libër për Vet Mohimin”, “Helli dhe Mimoza”, “Nënë Shega e Pesë Gocat”, “Shkrumbnajë e Dashuri”, Dashuria Kuantike e Filanit”, “Alb Prometeu”, “Politika dhe Pushka” “Tung, Vargu Im”.
Unë kam veti natyrale të njoh njerëzit me aftësi të jashtëzakonshme, edhe kur i shikoj drejt për së drejti, edhe kur lexoj veprat e tyre, se vepra nuk është gjë tjetër veç shpirti i hedhur në letër. Dikur kam shkruar një poezi për krijuesit: “Nuk janë aktorë që luajnë,/ Rolin e një shpirti tjetër,/ Në krijimtarinë e secilit shquaj,/ Shpirtin e hedhur në letër…”, kështu duke e pasur përballë, në krah të mikes sime, Flora Brovina, edhe kjo simbol i qëndresës së gjallë të Kosovës martire, qëndroj gjatë e tërhequr nga një njeri i shndërruar në dritë: dritë flokët, dritë rrobat, zjarr sytë... ai ishte njeri dhe s’ishte njeri, ai ishte hyjni... ai ishte KOMEDA shqiptare.
Për fatin tim të keq, atë ditë nuk arrita të marr librat e tij dhe vërtet nuk u ndjeva mirë. Unë i dhurova librin tim të fundit “Sharrajt në Jetën e Kombit” dhe e pafata, doli me fat: pas disa ditësh, ai më shkruan se do vinte në Vlorë për të sjellë disa libra e kështu pata fatin të takohem përsëri dhe në shoqërinë e bijve të Sharrajve diskutuam bashkërisht më shumë se dy orë.  Tani jo vetëm unë, por edhe Universiteti “Ismail Qemali”, Universiteti “Pavarësia” dhe biblioteka e qytetit “Shefqet Musarai”, familja Sharrajt dhe familja Luzajt e Vlorës kanë veprën e tij.
Njeriu kurrë nuk i di aftësitë e tij, por gjatë jetës i shpalos këto aftësi dhe pa vetëdije ai përmes sakrificave të shumta për të realizuar qëllimet që i vë vetes, lë pas një vazhdë të ndritur, apo të përlyer, varet prej veprës që ai ka bërë në dobi, apo në dëm të Kombit të vet, në dobi, apo në dëm të njerëzve, në dobi, apo në  dëm të shoqërisë njerëzore,  e cila e ndjek pas deri sa është gjallë e pas vdekjes, imazhi i tij mbetet si një obelisk drite për të ndriçuar udhën e brezave që e kanë njohur, apo i ka udhëhequr e në rastin e kundërt ajo vazhdë mbetet si një libër që duhet studiuar me kujdes që në të ardhmen të mos lëmë më njerëz të tillë të na errësojnë udhën e përparimit dhe zhvillimit tonë shoqëror.
Kur mora kolonën e Adem Demacit prej 10 librash, mezi po prisja momentin për t’u futur në detin e leximit të tyre, ndaj në vend të marr librin e parë, dora më kapi librin “Shkrumbnajë e dashuri”,  të gjashtin...
Në rininë time, mund të them se isha me fat kur merrja në dorë një libër jo voluminoz, se në rast të kundërt, për mua nuk kishte ditë dhe natë, kishte vetëm lexim, derisa ta mbaroja, por më ndodhte që ndonjë libër e filloja dhe nuk mund të lexoja gjatë, se proza e shtjelluar në të ngecte, nuk shkiste, nuk të ndillte dhe ajo ditë kalonte pushim – leximi. Librin “Shkrumbnajë e dashuri” e fillova dhe e përfundova brenda ditës dhe në meditime vendosa të shkruaj diçka për këtë libër, si një vepër e kryeveprës së gjallë, Adem Demaçi.
Stili i shkrimtarit kushtëzohet nga kultura e tij e trashëguar dhe e fituar në jetë, nga aftësia e tij intelektuale për të shprehur mendimet dhe për t’i grimuar ato me anë të  mjeteve stilistike. Fat i patjetërsueshëm për Demaçin është dhe përjetimi i tij, si pjesëmarrës i luftës nga më tragjiket që kaloi Kosova si dhe torturat më çnjerëzore që provoi ai nëpër burgjet e Serbisë, për gati 27 vjet me radhë. Të gjitha këto përbëjnë aliazhin e mjaftueshëm që autori të ketë një prozë të veçantë në llojin e vet. Proza e Demaçit është e ëmbël e pse në prekjen e parë (pa e lexuar) mendon se do të lodhë, se dihet, autori në shkrimin e një vepre ndikohet nga rrethanat nëpër të cilat kalon vendi i tij dhe çfarë të kënaqshme do na shpaloste ai në një roman e aq më shumë me titull “Shrumbnajë e dashuri”, ku trajtohet po kjo temë, por ai ka ditur të kthejë shkrumbnajën në një vend që fillon të çelë shpresa përmes forcimit të familjeve kosovare mbi bazën e një dashurie të vonuar, të dhunuar, të plagosur, por të sinqertë, që për vetë aftësinë e saj, arrin dhe shtron shtratin e lumturisë edhe pse ngado “vjen era shkrumb”, ngado ndjehen klithmat e nënave, vajet e nuseve, të cilat shpesh herë u kthyen në kujdestare për bashkëshortët, duke i ushqyer me një dashuri sublime për t’u kthyer atyre dëshirën për të jetuar, forcën për të vazhduar...
Autori ka ditur që t’i veshë personazhet me “rrobën” e përshtatshme e kam fjalën këtu, që ka ditur të vendosë fjalën e duhur tek personazhi i duhur dhe përmes lëvrimit të dialogut, i cili është pothuaj dominant në libër, herë shkurt, duke përdorur fjalinë e thjeshtë, aty - këtu duke i mbyllur me trepikëshin (...), për t’i lënë hapësirë imagjinatës së lexuesit, herë më gjatë, duke përdorur fjalinë e përbërë me dy, apo shumë pjesë, ku mendimi shprehet i qartë, i plotë, i veshur bukur me mjete stilistike, shpesh herë duke dalë në përgjithësime filozofike.
Autori ka ditur ta ndërtoje librin duke u rrokur pas fjalëve të urta popullore dhe mbi disa fjalë kyçe si: myku - myknajë, kalbësirë, qelbësirë, shkrumbnajë, macallungë, tarllabuç, njëshat, popull vocërrak, shëmti, dashuri, shpresë...  fjalë që shprehin shumë dhe fjalë që lindin njëra – tjetrën dhe e bëjnë lexuesin të jetë në tension se si do shkojë më tej rrjedha e ngjarjeve të romanit si vazhdë e rrjedhës së vetë Kosovës.
Kështu, për të shprehur domosdoshmërinë e ndërhyrjes së NATO – s mbi Serbi, autori e nis me një fjalë të urtë “Gjarprit duhet t’i shtypësh kokën, jo bishtin”, kokë që vetë populli i Kosovës kurrë nuk do të kishte mundur, se duhej qëlluar në strofën e tij në Beograd. Kjo qe dhe goditja përfundimtare e pse e vonuar, se “macallunga” mbi ballin e Kosovës nuk do të ishte aq e madhe e aq e zezë. Përmes personazhit të Meleqes, autori rrëfen masakrat çnjerëzore që bëri serbi në popullsinë dhe pasurinë e kosovarëve, masakra që personazhin kryesor,  Azemin, e nënë të ndjente thikën t’i ngulej deri në palcë dhe ja si e shpreh ai gjendjen e këtij personazhi gjatë rrëfimit të Meleqes, personazh që ishte në rolin e informatorit së luftës: “Ajo nisi të lexonte...
-        Në Gjakovë u vranë e u masakruan më shumë se 250 veta. Në Prekaz, më 4,5 e gjashtë mars, u vranë rreth 50 – 60 veta. Ne...
Azemi, si fshehtas, por Meleqja me bisht të syrit e vërejti, nxori shaminë.
-        Prit, prit, mos u ligështo!... Në Krushë të Vogël... deri 300 veta...
Azemi i plasi vajit me dihamë, të cilin nuk e frenonte dot... Meleqja vazhdonte leximin... Azemi mbuloi fytyrën me duar e pastaj goditi kokën e vet me grushte...
-        Mblidhe veten dhe dëgjo, këto informata kanë me tu dashtë... Në Lybeniq, Pejë...
Azemi goditi ballin me pëllëmbë dhe hëngri buzën e vet me dhëmbë...
-        Prit, prit edhe pak se mezi po lexohen germat... Në Bërnicë të Epërm... veta Në Besjanë... Prapë, në Skënderaj...
-        Mjaft, se më çmende! – a je ti në vete a s’je?! ...
 – A u binde vëlla i motrës, se edhe motra jote është çmendë?!... A të thashë se ata po shkojnë, por po lënë shkrumbnajën pas vetes... Na çmendën me robëritë egër e të gjatë, me tortura e vrasje pafund... se cilët do të hynin burgjeve e tmerreve të pafund pa menduar për nënë e babë, për grua e për fëmijë? Vetëm të çmendurit! Të gjithë ne jemi, kush më shumë e kush më pak, jemi të çmendë... Paj, kush do shkonte në luftë për me vdekë si me shkue në dasmë?... Brenda këtyre shtatëdhjetë e sa ditëve ne na vranë më se njëzet mijë gra, fëmijë, pleq e djelmosha: na dhunuan po aq gra e vajza; na i rrënuan, na i dogjën e na i shkrumbuan më se njëqind e pesëdhjetë mijë shtëpi e banesa; na i përzunë me dhunë më të egër pothuaj një milion banorë e të mos përmendim dëme tjera në kafshë, ushqime e pasuri tjera...”
Që ta kemi të sigurt lirinë, duhet të fillojmë “luftën”, pasi të kenë pushuar krismat e armëve. Ne gabojmë, kur themi se me mbarimin e krismave, mbaroi lufta, se deri atëherë njerëzit nuk janë njerëz, ata veprojnë... vetëm veprojnë... luftojnë, por nuk mendojnë, se kur njeriu hyn në luftë, shkon si flutura drejt flakës së llambës, ngaqë shpirti i është shtypur nga padrejtësia, nga robëria dhe rrëmben armën dhe sulet pa menduar nëse do të vritet, ai rend për të shpëtuar nga pesha e padurueshme mbi shpirt, ajo peshë që e ka emrin robëri, ndaj kur krismat kanë pushuar, tymnaja e shkrumbnajës që lë pas lufta nuk ka mbaruar... Vendi gjendet si pas një stuhie e tani njerëzit kuptojnë se kanë mbetur gjallë dhe vetëm pasi reshtin krismat, ata fillojnë të mendojnë dhe kjo është më e vështira... Nuk është e lehtë të fitosh lirinë, por është edhe më e vështirë ta rrisësh atë, sepse mbarimi i luftës është mbjellja e lirisë, dhe dihet, shtrati është i papërgatitur, ndaj do kujdes, do përkushtim, do t’i rrish pranë e ta kesh ndër sy, se mos ta rrëmbejnë nga duart, atëherë kur ti e mendon se e ke fituar plotësisht. Liria është si dashuria, të dyja kërkojnë përkushtim, ndaj shqetësohet autori kur thotë: “Kam frikë se dalja jonë nga “frigoriferi” i akullt i robërisë dhe përfshirja jonë në një lojë të re që po na pret do të na gjejë fare të papërgatitur... Edhe po kam frikë se edhe kësaj here, meqë nuk patëm kapacitet që të lironim pa ndihmën e të tjerëve vetveten tonë, ndonëse këta nuk janë pushtues, megjithatë po kam drojë se edhe këta, ndonëse miq, do ta bëjnë Kosovën më shumë ashtu si duan këta, sesa si duam ne...”
Kjo për fatin tonë të keq, është e vërtetë. Kosovarët rrokën armët për liri me flamurin kuq e zi, por nuk shkoi gjatë dhe e para gjë që i lëndoi shqiptarët e Kosovës, ishte flamuri. Unë nuk kam për t’i harruar lotët e një kosovari ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kur ne prisnim në hollin e “Grand Hotelit” momentin e shumëpritur. “Pse qan?”, - i thashë atij burri shtatlartë dhe intelektual që banonte emigrant prej vitesh në Gjermani. “Qaj flamurin, qaj se po na shkelin zemrën dhe shpirtin... po na lëndojnë. Ne e kemi flamurin tonë, kuq e zi...” “- Mos u shqetëso, - i thashë, - atë flamur edhe perëndia nuk mund të na e heqë, por duro vëlla... duro...  do vijë dita Bashkimit!”
“Nga zhdukja, mund të themi se shpëtuam, mirëpo në rrugën tonë drejt lirisë së plotë ne na presin edhe shumë furtuna. Prandaj duhet të jemi të përgatitur, nëse duam që të qëndrojmë, që të jemi fitimtarë...”, - thekson autori në libër, por vitet kanë rendur dhe liria jonë është plagosur, përderisa të jesh patriot e të flasësh dhe të punosh për Kombin, të kesh frikë nga qeveria jote, kjo është liri e pa lirë, kjo është një robëri e gjallë, por e pashpallur që zoti e di se si do i vejë halli, mbase do përsëritet edhe një herë, “myku” – “kalbësira” – “qelbësira, por pas këtyre përsëri do ketë “macallunga...” “shkrumbnajë...”, “tymnajë”... për të penguar përsëri shikimin drejt së ardhmes. “O shqiptar, zgjohu nga amullia,/ Kanë ardhur kohë të dhelprës plakë,/ Mos beso kurrë në mrekullia,/ Që thonë njerëzit nëpër fushatë.../ Shkoi... e vate burrëria,/ Tash me dhelprën bëjnë shkollë,/ O shqiptar... dhe perëndia,/ S’është më e zonja të gjykojë...! Zgjohu, zgjohu, jo për luftë,/ Përherë në luftëra ti ke shkurë,/ Futja këmbët në një këpucë,/ Atij që mban 100 flamurë.../ 100 flamurë... 100 ngjyra,/ 100 vepra... të pafytyra/ 100 herë të thotë, “Të dua”/ 100 herë, të hedh në përrua...”
“- Lufta për pushtet, Shegë, me çdo kusht dhe tjetra, çdokush për vete e të gjithë kundër të gjithëve...
-        E, çfarë ka qenë deri tash, zemër?
-        Deri tash, siç e di edhe vetë, ka qenë loja një për të gjithë dhe të gjithë për një dhe kundra pushtuesit...
-        E tash, çdokush për vete e kundër të gjithëve dhe të gjithë kundër të gjithëve, apo mos e përzjeva...
-        Mos ki merak se e tëra edhe është përzierje e pështjellim. Por le të themi edhe kështu: çdokush për vete e çdonjëri kundër çdonjërit dhe kështu dalim te loja të gjithë kundër të gjithëve...
-        Eu, se ç’ma bëre tarllabuç, more Azem!
-        Tarllabuç e shkuar tarllabuçit është, moj Shegë! – tha Azemi...”
Nëse njerëzit që dalin mbi masën “njëshat”, pra që janë shquar për vepra të mira, që kanë qenë, apo janë edhe krijues, pra që kanë lënë vepra të shkruara, them se ky është fati më i madh për brezat, sepse ai nuk u lë pas vetëm udhën nga duhet të ecin, por i udhëzon gjatë kësaj udhe përmes dritës së diturisë. Ai që shkruan vepra për t’u lënë brezave amanet udhën e nisur prej tij në dobi të çështjes kombëtare, ai është më shumë se patriot, ai është profet i popullit të vet. Profetë të mëdhenj ka pasur dhe ka populli ynë i nëpërkëmbur (Ismail Qemali, Fan Noli, Gjergj Fishta, Frashëllinjtë, Isuf Luzaj...) por për fat të keq, profetët, thuhet në “Dhiatën e Re” “... nuk përbuzen kurrkund më shumë, veçse në vendlindjen e vet” e kjo vjen se njerëzit dashakeqë që dalin mbi turmën, veprën e tyre antinjerëzore e veshin me “vellon e bardhë të mirësisë” dhe patriotëve – profetë u veshin “belladonin e zi”. Kjo ka bërë që Kombi ynë të mos ngrejë kokën, se na kanë drejtuar në luftë për një çështje të madhe e pas lufte na kanë futur thikën për të rehatuar kolltukun e tyre e kur, e shikonin që lëkundej ky kolltuk, shesin edhe interesat kombëtare duke falur truallin e larë me gjak nga brezat.
Po do mendojmë se edhe ata që ne themi me plot gojën që kanë tradhëtuar interesat e kombit, ku i kanë veprat që i kanë lënë brezit të ri, që edhe ne të gjykojmë më me dashuri për ta? Çfarë vepre të shkruar ka lënë Esat Toptani, Ahmet Zogu, Sali Berisha, Fatos Nano, apo do të krenohemi me “Kurbanin” e Edi Ramës, apo me veprat e Enver Hoxhës, ku ishin angazhuar gjithë “intelektualët” shqiptarë në rolin e rrobaqepësit për ta prerë historinë sipas trupit të Enver Hoxhës, ku i kanë veprat e shkruara që ne të shohim dritë për të hedhur hapa drejt zhvillimit tonë Kombëtar?
Kjo ka bërë që Kombi ynë të mos ngrejë kokën, se na kanë drejtuar në luftë për një çështje të madhe e pas lufte na kanë futur thikën për të rehatuar kolltukun e tyre e kur e shikonin që lëkundej ky kolltuk, shisnin edhe interesat kombëtare duke falur truallin e larë me gjak nga brezat. “O shqiptar, zgjohu nga amullia,/ Kanë ardhur kohë të dhelprës plakë,/ Mos beso kurrë në mrekullia,/ Që thonë njerëzit në fushatë.../ Shkoi e vate burrëria,/ Tash me dhelprën bëjnë shkollë,/ O shqiptar... dhe perëndia,/ S’është e zonja të gjykojë...! Zgjohu, zgjohu, jo për luftë,/ Përherë në luftëra ti ke shkurë,/ Futi këmbët në një këpucë,/ Atij që mban 100 flamurë.../ 100 flamurë... 100 ngjyra,/ 100 vepra... të pafytyra/ 100 herë të thotë, “Të dua”/ 100 herë, të hedh në përrua...”
Kohët ndryshojnë, por mendësitë e armiqve tanë vishen me vello demokracie për të fshehur dhëmbët vampirë që për fatin tonë të keq, mbulohen edhe nga politika jonë miope. Ne nuk kemi shtete të mirëfillta shqiptare, se pushtetarët tanë, për të mbrojtur karrierën e tyre, shesin interesat tona kombëtare e kjo për fatin tonë të keq na ka shoqëruar që në të ashtuquajturën e “Qeverisë shqiptare” të Esat Toptanit, ku për të mbrojtur veten, ai caktoi Pogradecin Serbisë dhe Korça t’i aneksohej Greqisë e jo vetëm kaq, por ai pronësoi tri anijet amerikane që kishin ardhur me ushqime për popullin dhe në atë kohë shpërtheu zia në Shqipëri, ku vdiqën mbi 100 000 njerëz... Vëmë re se qeveritë tona që kanë pasur më shumë jetëgjatësi kanë qenë ato të Ahmet Zogut, Enver Hoxhës dhe për fatin tonë të keq ato kanë pasur jetëgjatësi duke shitur interesat tona Kombëtare, Zogu i dha Shën Naumin Serbisë dhe Enver Hoxha sakrifikoi Kosovën, ndërsa për kushtet në të cilën jemi tani, nuk ka nevojë për koment, por një gjë dihet: qëndrimi dhe mos qëndrimi i gjatë i qeverive kushtëzohet se sa janë në gjendje drejtuesit e këtyre qeverie të sakrifikojnë interesat e kombit në dobi të karrierës së tyre. Përderisa shtetarët tanë nuk mbrojnë interesat tona kombëtare, përderisa kurrë nuk kanë bërë as dhe një kërkesë nëpër instancat ndërkombëtare për t’u rishikuar dhe zgjidhur çështja shqiptare, por vetëm firmosin marrëveshje, shkojnë në bisedime, pa bërë biseda, kështu, çdo gjë bije në kundërshtim me pavarësinë e plotë të shqiptarëve, ndaj autori e zhvendos shpresën drejt Amerikës, një shtet që edhe në ditë zije na ka ndihmuar, por edhe kjo është një shpresë në horizont. “... po të pyeteshin amerikanët, - thekson autori, - ato do të ishin për pavarësinë e plotë të Kosovës e, ndoshta edhe për bashkimin e shqiptarëve, mirëpo amerikanët interesat më të mëdha i kanë me shtetet evropiane... interesat e tyre gjeostrategjike janë që Serbinë ta kenë në NATO dhe në Bashkimin Evropian... Interesat nuk flasin, por ama kanë fuqi fort të madhe...”
Kështu hapat e mëtejshme të ndërkombëtarëve nuk e favorizojnë të rritet liria, por ajo ka mbetur si një bimë e mbjellë në kubik, por që nuk po e shikon dritën e diellit për ta nxjerrë në fushë e për t’u rritur... Rambujeja na ka marrë frymën, na ka prerë rrugën e pavarësisë së plotë, Marrëveshja Kosovë – Serbi, së fundmi, na e zuri këtë rrugë lehtë fare, me masa dheu...
Në gjithë këtë amulli, autori kapet pas shpresës e për t’u kapur pas saj ai heq dorë nga qëndresa me armë, si të pashpresë këtë lloj qëndrese, për kushtet në të cilat jemi tani se, se përmes saj fituam duke humbur shumë, por ai e thotë në mënyrë filozofike se: “Nganjëherë shahistët e mëdhenj, flijojnë alamet figurash të mëdha për të fituar lojën, sepse qëllimi i tyre është që të fitohet loja, jo të fitohet, ose të mbrohet atje një figurë, apo ndonjë pozicion pa lidhje...” Kështu detyrë parësore mbetet ripërtëritja e çka fituam, rimarrja dhe fitimi gradual i atyre që humbëm e mbi të gjitha të ndërtojmë e të bashkojmë familjet shqiptare, si elementi bazë i shoqërisë e më pas me zgjuarsi e me diplomaci (Të futemi edhe ne në shkollën e dhelprës, të asaj shkolle, që sot i thonë diplomaci), të ndihmuar edhe nga koha e cila punon për demokratizimin e shteteve në lejimin e një tregtie të lirë mes tyre, derisa të arrihet bashkimi territorial, por duhet të ruajmë vlerat tona kombëtare, të cilat kanë pësuar rrjedhje, por kurrsesi zhdukje. Kështu përmes personazheve të Helit, Mimozës, Shegës, Azemit... ai prej tri familjeve të cunguara nga lufta, ndërton dy familje të reja të lidhura mes tyre me dashuri të sinqertë (pra ishin tri, mbetën dy), të rrëfyera nga autori shumë thjeshtë e me shumë vërtetësi dhe besueshmëri, nga ndonjëherë duke prishur edhe traditën për hir të kushteve të reja të krijuara pas luftës, vetëm e vetëm për të bashkuar e për të filluar ripërtëritja psikologjike, morale, shpirtërore dhe ekonomike e kosovarëve. Dhe ia ka arritur kësaj, duke sfiduar masakrat e serbëve, burgosjet, vrasjet, dhunimet, përdhunimet, shkatërrimet e pafundme, që siç rrëfen personazhi i tij: “- O, Zot, - foli Shega, - prej nga kjo erë shkrumbi?! Gjithkah vjen era shkrumb!...”, por era shkrumb është më ndryshe se era myk, kalbësirë, qelbësirë, se shkrumbnaja solli djegien e “mykut”, “kalbësirës”, “qelbësirës”... që kishte pllakosur në Kosovë prej një robërie të tej zgjatur e dilte për detyrë shqiptarëve të Kosovës të përballonim erën e kësaj tymnaje, e cila e pse ishte më ndryshe se era myk, kalbësirë, qelbësirë, të asfiksonte se të sillte dhembje në fyt, në mushkëri, në zemër, në shpirt... dhembje që ta shkakton humbja e bijve, sakatimi, zhdukja pa nam e nishan e  tyre, dhuna, dhunimi, përdhunimi shpirtëror e fizik i nënave, grave, motrave, bijave nga përbindëshi serb, dhembje që të sjell shkatërrimi i pasurisë së nënë me sakrificë të madhe...  “Habitem, sa shpejt e sa lehtë harrojmë ne, shqiptarët! Jo, kalamaj, si na quan shpesh zotëri Azemi, por ne jemi popull vocërrakësh! Harrojmë shpejt!... Myku... Myknaja... Qelbësira... - O zot, mos na provo! – thirri Shega dhe preku macallungën majë ballit”., fjalë që autori jo vetëm tregon drejtpërsëdrejti shenjë që i lë serbi në ballë Shegës duke e goditur me kokën e tij, por ajo simbolizon shenjët e humbjeve të Kosovës në luftë, ku balli i saj mban e do të mbajë për shumë kohë “macallungën” mbi ballin e saj të bukur, që përpos shëmtisë, ajo mban një dhembje të madhe, por që ne, si një popull që kemi përballuar tmerre, sot e pse “macallunga” nuk është ulur dhe dhembjet ndjehen, populli nuk kërkon ato për të cilat derdhi gjak. “- Azem, sa herë të kam pyetur dhe po pyes dhe tash: o burrë, a jemi në ëndërr, apo në zhgjëndërr?...
-        Po, zemër, ne jemi si gjithherë, edhe në ëndërr, edhe në zhgjëndërr, por a po bindesh edhe vetë, se sa pak u duhen shqiptarëve që të jenë të lumtur?...
-        Ashtu është, shpirt, ne jemi shumë të uritur e të etur për gjithçka, por në rend të parë për pak liri e për pak dashuri të vërtetë...
Azemi foli me zë fare të ulët:
-        Sa mirë që shumica e njerëzve nuk e dinë se çfarë ka për të ndodhë, por e dinë vetëm një pjesë të asaj që po ndodh...
-        Nuk jam i bindur se është mirë, por sigurisht është shumë më lehtë nëse nuk e dinë se çfarë të këqijash kanë për të ndodhë...
-        Po, më fal, babi... a ka shpresa për këtë popull tonin?
-        Po, biri im, shpresa ka më shumë se kurrë... Nëse këto fjalë të duken të pabesueshme, ki parasysh shembullin e izraelitëve, të cilët kaluan nëpër trajtime e përjetime njëqind herë më të hidhura e më të vështira se këto tonat...
Pas kësaj, në oborrin e Hel Besnik Krasniqit, heshtjen e përcolli një frushullimë e fortë e gjetheve, e cila paralajmëronte një verë me një erë të vrullshme e me plot të pritura e të papritura...”

Google+ Followers