Stilistika vs. Retorika

Nëse gjuha në poezi mund të përfytyrohet jo si veshje e mendimit, por edhe si trup i kuptimit, atëherë analiza e ka pranuar poezinë si fakt dhe jo thjesht si disa incidente të saj
ARS POETICA

(Një vështrim tjetër i poezisë shqipe)

GAZMEND KRASNIQI






Në gjykimin e sotëm ajo që i dha vend qendror analizës letrare është bindja se format dhe kuptimet e letërsisë janë gjuhësore. Nga dija klasike për gjuhën si veshje e mendimit, e cila e kufizonte analizën letrare, u kalua te kategorizimi i tipareve stilistike dhe përshkrimi i dekoracioneve të jashtme. Për sa kohë realiteti i veprës qëndron “përtej” gjuhës, vepra nuk ka ekzistencë objektive, prandaj nuk mund të analizohet. Stilistët tradicionalë e bindnin veten me klasifikimin dhe krahasimin e tipave të prozodisë, diksionit, figurave letrare, pa u përpjekur të tregojnë mënyrën se si bashkëpunojnë në krijimin e kuptimit të veprës këto tipare. Nëse gjuha në poezi mund të përfytyrohet jo si veshje e mendimit, por edhe si trup i kuptimit, atëherë analiza e ka pranuar poezinë si fakt dhe jo thjesht si disa incidente të saj.
Po si kuptohet sot stilistika, pas daljes si disiplinë më vete, në fillim të shekullit XX, nga retorika antike? Qëllimi i studimeve stilistike nuk është përshkrimi i veçorive formale të teksteve për interesin tonë, por për të renditur domethëniet funksionale për interpretimin e tekstit. Në kohën tonë kuptohet se zakonisht ajo që quhet vepër letrare në kuptimin e ngushtë të fjalës përbëhet nga një bashkësi mikrostrukturash semantike, semiologjike, fonologjike etj., që do të jenë në një lidhje funksionale, pak a shumë komplekse, por gjithmonë të bigëzueshme me strukturën globale të botës së veprës. Stilistika bashkëkohore njeh dy ndarje të mëdha, stilistika gjuhësore dhe letrare, por pranohet se të dyja kanë diçka për të thënë për marrëdhëniet e gjuhës me letërsinë. Nga kjo pikëpamje, ku stilistika shihet si vazhduese e Elocutio-s së retorikës, pohohet se formalistët dhe Kritika e Re janë trashëgimtarët më të spikatur të kësaj të fundit, në kuptimin që kanë ruajtur besimin në dallimet empirike midis letërsisë dhe tipave të tjerë të gjuhës dhe janë përpjekur ta bëjnë këtë dallim me termat e stilit dhe efektit.
Një nga dallimet e mëdha midis stilistikës së kritikës moderne dhe retorikës tradicionale është që kritikët modernë janë të interesuar se si këto elemente të ndryshme kombinohen për të prodhuar efekte që janë unike për poezinë. Për shembull, mënyrat se si shpërndarjet tingullore të poezisë krijojnë teksturën e kuptimit në të cilën vijnë shtesat dhe shmangiet nga strukturat konvencionale të gramatikës, sintaksës dhe semantikës, i shohim te shembulli i mëposhtëm:
Kështu rrjedh duke kënduar
Endrr’ e zemërës së shkretë.
Rrjedh si varg i pambaruar,
Varg i thurur vdekje – e – jetë,
Jetë – e – vdekje – përqafuar…
Strofa është ambigua në atë që konoton në disa nivele të kuptimit: Ëndrra e jetës ikën duke kënduar vargun e pambaruar – ikën me jetën e vdekjen të lidhura bashkë – ikën me jetë e vdekje të përqafuara. Kërkesa e vargut e lejon poetit të shprehë diçka e cila nuk është shqipja normale bisedore, por atij i jepet mundësia të mendojë për formën bisedore që i përputhet dhe i vendos së bashku – duke vlerësuar mundësitë e tyre në proporcion me afërsinë. Kjo gjë tregon se poezia mund të jetë më kompakte, megjithëse duket më pak e saktë se proza. Ky argument ngrihet mbi dy parime:
  1. Metri dhe rima japin një sistem organizimi që përqendron atë që në prozë do të ishte e pafokusuar;
  2. Ndryshe nga proza, ku përpiqemi ta zgjidhim ambiguitetin në një kuptim të veçantë referencial, ambiguitetin poetik duhet ta shohim si një element të kuptimit dinamik.
Nga ana tjetër, mund ta shohim poezinë të mbështjellë prej një vendosjeje themelore paradoksesh (Varg i thurur vdekje – e – jetë,/ Jetë – e – vdekje – përqafuar.) Në ligjërimin e zakonshëm përpiqemi të bëjmë ndarjen, por në poezi ato rrinë të futura brenda njëra-tjetrës në disa nuanca delikate kundërshtish dhe kombinimesh. Kritika stilistike na thotë se poeti nuk mund të përmbledhë një metaforë, një mjet metrik etj., në mënyrë arbitrare, sepse do të kenë marrëdhënie me njëra-tjetrën: me sensin e së plotës, poeti modifikon procesin ku përzgjedh dhe fut në varësi pjesët, fjalët, imazhet, ritmet dhe ngjarjet – një proces plotësisht i ndërlikuar.
Ky model i strukturës poetike e vendos poetin si një ndërmjetës midis veçorive stilistike që përcaktojnë poezinë dhe rrjetit më të gjerë të marrëdhënies midis gjuhës dhe kuptimit. Poeti do ta rregullojë gjuhën për të ndërtuar një njësi formale brenda tekstit dhe të krijojë raporte midis qenies strukturale dhe botës reale. Sipas esesë Gabimi i qëllimshëm, Kritikët e Rinj do të thoshin se me topikët dhe sendet e gjetura në tekstin letrar, të tilla si zemër, varg, jetë a vdekje, janë subjekte të disiplinave akademike si anatomia, poetika, filozofia apo religjioni. Kritika letrare është ndryshe prej atyre disiplinave, sepse ajo përfshihet në proceset e përthyerjes stilistike. Sipas Kritikëve të Rinj amerikanë koncepti joletrar i qëllimit nuk shërben për kritikën letrare.
Parimisht, ngaqë ligjësitë themelore të saj janë të përgjithshme dhe vlejnë për të gjitha gjuhët, stilistika shqiptare ka mbështetjen e stilistikës së gjuhës shqipe dhe shfrytëzon rezultatet e arritjeve ndërkombëtare. Edhe për poetikën shqiptare, ku mbetet roli i rëndësishëm që luajnë ritmi dhe njësia organizuese e vargut,
a)  figura përdor zhvendosjet e fjalëve nga kuptimet e tyre të zakonshme, duke i kaluar në kuptime të dyta me anë të lidhjeve të tjera kuptimore.
b)  klasifikimi i tyre mbetet i hapur, për shkak se natyra e tyre polisemike nuk e pranon vendosjen në grup.
Ngaqë mbizotërimi i kriterit gjuhësor është me rëndësi për stadin e sotëm të disiplinës së stilistikës, klasifikimi do t‘i bindet natyrës së tij. Pra:
  1. retorika e vjetër jep mjetet e detyrueshme të qasjes, funksioni i të cilave do të sillte domosdo vepra letrare të vlefshme;
  2. stilistika bashkëkohore përpiqet të përshkruajë mjetet dhe qasjet e të shprehurit gjuhësor që janë karakteristike për vepra të caktuara.
E para i konsideron figurat si mjete të shprehjes letrare, që janë të mira në vetvete dhe, kur përdoren, sjellin vlera artistike – pra, si mjete absolute të shprehjes letrare. E dyta e vlerëson funksionin e figurave të caktuara brenda secilës vepër letrare – pra, si mjete relative me të cilat realizohet shprehja letrare.
Studiuesi shqiptar që kontribuoi për futjen e kësaj mënyre analize (në Kosovë) nga shkolla franceze, Rexhep Ismajli, shkruan: “Teksti letrar është strukturë relativisht e mbyllur, e ngritur mbi një strukturë tjetër të mbyllur, e cila i jep mundësinë të tejkalojë vetveten. Pra, për të njohur strukturën e tekstit letrar, e cila është edhe vetë kuptimi i tij, duhet para së gjithash ta njohim strukturën gjuhësore”.
Cilësia e informacionit nuk varet nga gjuha, por nga mënyra se si është shfrytëzuar ajo: çdo tekst mund të jetë letrar, por nuk është apriori letrar: këtu lind çështja e stilit, më saktë e njeriut, pasi themi se stili është vetë njeriu. Kemi të bëjmë me zgjedhje, me mjeshtërinë gjuhësore të çdo poeti. Përvoja njerëzore ka thënë se poezia është një prirje mes të pashprehshmes dhe asaj që komunikohet.
Në punimet e tij në nisje të viteve ’70, Rexhep Ismajli ngre disa probleme me interes, ndonjëherë edhe në formë të debatit. Njëri nga këto diskutime është ai i autorit që përdor shumë fjalë apo pak fjalë. Ai mbështet mendimin se vlera e një poeti nuk qëndron te numri i fjalëve, por te mënyra se si ai i funksionalizon ato në tekst. Gjithashtu, ai nuk pajtohet me mendimin se gjuha e Nolit nuk është e pastër dhe e pasur, arsyetuar me faktin se jetoi shumë gjatë larg Shqipërisë. Sipas Ismajlit, në oratoritë e tij mund të shihet e kundërta. Shqipja e kulluar duket te Lasgushi, Naimi dhe Konica, që kishte ndikuar aq shumë në formimin e tij. Funksionalizimi i këtij leksiku prej barbarizmash në ligjërimin letrar i nënshtrohet individualizimit dhe tipizimit, ironisë dhe talljes.
Veçantitë e shprehjes stilistike të Nolit ai i kërkon në tri rrafshe: leksikor, morfosintaksor dhe fonetik, duke veçuar interesimin për këtë të fundit, të cilin e shikon në diakroni dhe sintoni. “Dihet, thotë ai, që nga antika se vlera natyrore e tingujve (jogjuhësore) përdoret shpesh në poezi për të simbolizuar diçka, për të dhënë një informatë më tepër në tekstin letrar. Mirëpo dihet se këto vlera  përdoren në njëfarë sistemi, dhe vetëm nëse përdoren kështu do të mund të simbolizojnë diçka, ta afektojnë fjalën, ta risemantizojnë”. Sipas tij, ajo që duhet kërkuar te Noli është se tiparet e ndryshme karakteristike të fonemave, që janë njësia në ndryshueshmëri midis tingujve të ndryshëm, arrijnë të mbajnë tërësinë e atmosferës, paralelisht, edhe në rrafshin tingullor edhe në rrafshin sintaksosemantik. Karakteristikën te Noli ai e sheh: përmes tingujve mbylltorë-pëlcitës, përmes tingujve shumë të tendosur, përmes tingujve dridhës dhe në përgjithësi përmes të zëshmëve, shpesh madje duke i vënë mu përbri zanoreve më të hapura.
Paraqet interes edhe ky paralelizëm që u bën Lasgushit dhe Nolit: “ …janë dy nga poetët tanë tingullisht më ekspresivë, porse në dy skaje të kundërta: njëri i revoltuar, i ashpër, i fortë, tjetri i mallëngjyer, i butë, i ndjeshëm, suptil. Ndërsa te njëri, për shembull, tingujt okluzivë janë me shumicë eksplozivë  (distribucionalisht), te tjetri janë kryesisht implozivë; ndërsa te njëri distribucioni zanore-bashkëtingëllore është i tillë që e rrudh kohën e perceptimit, te tjetri ai kryesisht e zgjat këtë kohë. Ritmi i njërit është më i shpejtuar, më nervoz, i tjetrit më i ngadalësuar, më i qetë: dy natyra, dy disponime të ndryshme”. Më tej, Ismajli pohon se edhe metri nolian është në funksion të mesazhit, pasi të gjitha vjershat që quhen Marshi… janë të shkruara në anapest, i cili edhe në kohët antike përdorej ekskluzivisht për marshe. Në këto vjersha, edhe tingullisht, krijohet atmosfera e marshit.
Për të treguar seriozitetin dhe skrupolozitetin e disiplinës që përdor për analizë, Ismajli nuk ngurron të debatojë për pasaktësi që vëren te ndonjë studiues. Kështu ai kritikon idenë e Rexhep Qoses se Çajupi i përjashton, duke i konsideruar të mallkuar, disa tinguj të alfabetit të shqipes. Fillimisht, nga pikëpamja e alfabetit, Ismajli kërkon të flitet për germa, shkronja apo fonema dhe jo për tinguj. Më pas, ai merr nën mbrojtje poetin Çajupi, duke sqaruar se shmangiet e tij qenë thjesht dialektore – pra, respektim i sistemit të poetikës së ngritur mbi baza dialektore, gjë që ka ndodhur edhe me poetë të tjerë shqiptarë si Mjeda, Asdreni, Noli apo Ali Asllani. Gjuha e tyre letrare nuk mund të ishte ajo gjuhë që kemi sot.
Vërejtje tjetër është ajo që merret me rimat foljore noliane, të cilat tregojnë veprim, me të cilën kërkohet të mos ngatërrohen rima me asonancën. Ismajli citon Qosen: “Në poezinë e Nolit rimat nuk bëhen vetëm në fund të vargjeve, po shpesh edhe në mes tyre:

Bëj gajret, mor Kirenar
Drejt përpjetë në Kalvar!

Ose edhe më bukur:

Kryqet ngulen, stisen,
Tallen, qesëndisen;
Sipër kryqe tre
Tri Mari për-dhe.
Dhe komenton: “Shihet qartë se as gajret as përpjetë, e as tallen e ngulen nuk rimojnë, madje as asonanca të afërta nuk janë. Meqenëse ngatërrimi bëhet, po theksojmë se është fjala për dy njësi të ndryshme fonematike si te r/rr ashtu dhe te l/ll, mu ashtu siç është fjala për dy njësi fonematike te p/b etj., prandaj nuk guxojmë t’i ngatërrojmë, aq më tepër kur poeti i dallon mirë”.
Ismajli e analizon gjuhën gjithnjë në shërbim të idesë së nxjerrjes në pah të koncepteve mbi gjuhën letrare (poetike), nivelet e shqyrtimit të së cilës duhen dalluar në kuptime të ndryshme stilistike e gjuhësore, sepse në të gjithë analiza shkon gjithnjë nga rrafshi i nyjëtimit të dytë – rrafshi fonologjik, elementet e të cilit janë joshënuese, por të rëndësishme për ndërtimin e veprës. Sipas tij, “nga një përimtim i tillë duhet të dalë në shesh funksioni i tingujve në një tekst të caktuar, jo më si elemente të nyjëtimit të dytë, por si elemente shënjuese me vetë praninë e tyre si të tillë. Po e rikujtojmë për këtë praninë e tiparit dallues të mbyllësisë, statistikisht dominant, te Noli, edhe atë kryesisht në vjershat e rrëmbyeshme, ku ky tipar kombinohet me tiparin e dridhjes. Në vjershën e L. Poradecit “Vdekja e nositit” gjithë tmerri sugjerohet me praninë e fonemës dridhës (rr) pikërisht në fjalët-çelësa të vjershës: zjarr, varr, marr të cilat edhe rimojnë mes tyre”.
Si përfundime do të thoshim:
  1. Në saje të zhvillimit të stilistikës së re u bë e domosdoshme që teoricieni i letërsisë të mos e nisë analizën e veprës letrare apo studimin e llojeve letrare pa e njohur gjuhën si mjet realizues i letërsisë. Struktura e veprës letrare ndërtohet në strukturën gjuhës, prandaj struktura e tekstit nuk mund të ndahet nga struktura letrare. Pa njohjen elementare të stilistikës bashkëkohore nuk mund të mendohet analiza e letërsisë.
  2. Stilistika e re zbuloi ngatërresën që sillte praktika mijëravjeçare e retorikës dhe iu kundërvu asaj. Përplasja ndodhi në përcaktimin e vjetër të stileve, që përfshinte përdorimin e llojit të fjalëve në to. Pikërisht aktivizimi i fjalëve që duhet të largoheshin nga stili i mirë (arkaizma, provincializma, neologjizma dhe barbarizma) do të bëhej objekti i analizës së stilistikës së re, pasi stili letraro-artistik ka të bëjë me cilësi që shfaqen në tekst në një masë më të madhe sesa në mënyrat e tjera të të shprehurit (gjuhës standarde, të shkencës apo asaj bisedore), duke vënë kështu në pah funksionet e veçanta në raport me to.
  3. Meqë stili është vetë njeriu dhe çdo tekst shpreh stilin e vet, analiza kërkon shprehjen e këtij individualiteti të shprehur në:
-                           karakterin figurativ, duke kërkuar emocionalen nëpërmjet mjeteve të shprehjes që i drejtohen jo vetëm mendjes, por edhe ndjenjave
-                           karakterin ritmik, me mjetet që e lejojnë të prekë normat e gjuhës letrare (liritë poetike apo agramatikalitetet e ndryshme)
  1. Analiza stilistike çon drejt harmonisë së veçantë, brenda së cilës realizohet bota poetike e veprës.


Një nga dallimet e mëdha midis stilistikës së kritikës moderne dhe retorikës tradicionale është që kritikët modernë janë të interesuar se si këto elemente të ndryshme kombinohen për të prodhuar efekte që janë unike për poezinë

Google+ Followers