Si u njoha me Bekim Fehmiun? (Pjesë nga libri në dorëshkrim i Agron Y. Gashit: Rrëfimet e Maestros- Dialog me avangardistin e viteve ’70- të Musa Ramadanin)




(Pjesë nga libri në dorëshkrim i Agron Y. Gashit: Rrëfimet e Maestros- Dialog me avangardistin e viteve ’70- të Musa Ramadanin)

A. Y. Gashi: Deshëm apo nuk deshëm, biseda po orientohet rreth aktorit të madh Bekim Fehmiu. Megjithatë, me sa e di unë, ai nuk ka luajtur në asnjë shfaqje shqiptare...

Musa Ramadani: Ka diçka që ka luajtur.

A. Y. Gashi: Cila është ajo?

Musa Ramadani: Kur e kanë përjashtuar prej gjimnazit të Prizrenit, pra në vitin e fundit, Bekimi ka ardhur këtu dhe e ka dhënë një provim. Abdurrahman Shala e ka pranuar në këtë teatër. Ndryshe atje ka qenë një Shemsedin Kirajtani, një burrë shumë i trashë dhe shumë i shkurtër, i cili bënte regji me amatorë. Bile ky tipi ka qenë edhe matës i metaleve të çmuara si:  ari, argjend etj. Pse po përmend këtë? Sepse është pikërisht ky Shemsedini, i cili i pari e ka zbuluar Bekim Fehmiun në teatrin amator. Ai, veç tjerash, i kishte thënë Bekimit: “Veç një gjë më pengon tek ti: i ke buzët shumë të  trasha!” Po, po kështu i ka thënë! Pasi erdhi dhe u pranua në teatër, Bekimi luajti në komedinë Kryet e hudrës të regjisorit Kristë Berisha. Pastaj ka luajtur edhe në dy shfaqje të tjera. Duhet të ketë qenë viti 1953-1954, mbase mund të ketë qenë edhe viti 1955.

A. Y. Gashi: E përmendet më herët se  Bekim Fehmiun, në Prizren, e kanë përjashtuar nga gjimnazi. Cila ishte arsyeja?

Musa Ramadani:  Ndoshta për shkak të babait të tij. Nuk e di a ta kam thënë ndonjë herë, babën e tij, Ibrahim Fehmiun, e kam pasur mësues në shkollë fillore. Motrën e Bekimit, më të voglën, Luljetën, e kam pasur në klasë. Bile me të kam qenë në një klasë në shkollën “Bajram Curri”. Kur vdiq Ibrahim Fehmiu... (më duket ta kam përmendur një ditë atë dramaturgun me violinë)....

A. Y. Gashi: Po, Xhemil Dodën...

Musa Ramadani: E di çfarë ka bërë Xhemil Doda, bre?! Ai ka qenë burrë i madh. Në varrimin e babës së Bekimit, Ibrahim Fehmiut, ai nxori flamurin shqiptar. Për këtë është dënuar me 15 vjet burg. Ai ishte Xhemil Doda! Bile si sot më kujtohet, kur Anton Pashku më ka dërguar në mënyrë speciale për ta bërë një intervistë me të. Fillimisht, me sugjerimin po të Antonit, shkova ia mora një shkrim etnologut Kadri Halimi. Edhe ky ish i burgosur politik të cilit ia botuam shkrimin vetëm me inicialet K.H, e që më vonë do të provonim t’ia publikonim emrin dhe mbiemrin. Po sipas këtij parimi i botuam edhe Shaqir Shaqirit edhe Muhamet Terrnavës. Ata sapo kishin dalë nga burgu.

A. Y. Gashi: Siç u pa, lidhja e juaj me Bekim Fehmiu paska qenë e trefishtë!

Musa Ramadani: Tridhjetë vjet jam shoqëruar me të. Madje disa miq po më thonë se pse nuk po shkruaj për të! Qysh me shkru për Bekimin, kur ende nuk e kam krijuar atë distancë fizike sa duhet. Ende po e shoh, ende po bëj dialog, madje po me bren ndërgjegjja se pikërisht këtu e kemi pasë një dialog shumë vehement, të vrullshëm, të rreptë. Këtu e dy vite më pare, para tavolinave të Teatrit Kombëtar i pata thënë: “A po don me luejtë diçka, apo po don me mbetë si Aleksandër Moisiu, pa lënë asnjë gjurmë?”. Ai m’u hidhërua shumë. Edhe unë u hidhërova, megjithatë i thashë: “Herën tjetër ose përgjigjen, ose  çohemi”.  U ndamë të heshtur me një ushtimë të madhe të gjeneratorëve, të cilët u ndezën sapo u ndal rryma.

A. Y. Gashi: Kur jeni takuar për herë të parë me Bekim Fehmiun?

Musa Ramadani: Pas serialit të Franco Rossit Odisea, ai erdhi në Rilindje. Atëherë ia pata kushtuar bile një vjershë pa e njohur ende, por desha diçka tjetër të them. Kishte tridhjetë vjet e ma tepër që njiheshim me Bekim Fehmiun. Ishte e pamundshme që të botoja diçka pa m’i lexuar Bekimi dorëshkrimet. Përveç dorëshkrimeve, ai i lexonte veprat e mia edhe pasi botoheshin.
Ka qenë shumë i pasionuar pas leximit. Te kthehemi tash te takimi i parë: më duket Abdurrahman Shala  i madh e solli në Rilindje. Ne që ishim në rubrikën e kulturës na ftuan për t’u njohur me të. Aty iu shtruan disa pyetje dhe u diskutua në përgjithësi për aktivitetin e tij artistik në botë. Unë përfitova nga ato pyetje dhe përgjigje herë më të shkurta e herë më të gjata dhe e bëra një intervistë, të cilën  e botova te Flaka e vëllazërimit në Shkup.

A. Y. Gashi: Pse jo në Rilindje ?

Musa Ramadani: Për shkak se në Rilindje ishin caktuar dy- tre vetë të tjerë për të shkruar për të. Duhet të ketë qenë viti 1969-1970, kur unë veç sa pata kaluar në rubrikë të kulturës nga reporteri i lirë në teatër.

A. Y. Gashi: U botua ajo intervistë?

Musa Ramadani: Po u botua dhe doli interesante. E kam ruajtur atë diku. Atëherë Flaka e vëllazërimit vinte në Kosovë.

A. Y. Gashi: E kam një ‘dilemë’ për të cilën dua të diskutoj me ju. Përderisa më flisnit për Bekim Fehmiun edhe në cilësinë e mikut, edhe në cilësinë e kritikut të teatrit,  më thatë se ai ka qenë lexues i pasionuar. Pastaj që ai ka lexuar edhe dorëshkrimet tuaja. Më thatë se ai...

Musa Ramadani: Jo veç të miat, por ai ka lexuar edhe literaturë politike e historike, jo veç drama dhe skenarë, që i kanë hy në punë. Çdo gjë që i ka rënë në dorë dhe, natyrisht, që ka pasur vlerë, ai e ka lexuar. Literatura dokumentare ishte ‘specialiteti’ i tij.

A. Y. Gashi: E kam fjalën diku tjetër; ai ishte bir i një atdhetari të madh, siç ishte Ibrahim Fehmiu. Pastaj, si pasojë e kësaj, Bekimi ishte përjashtuar nga shkolla e mesme. Në anën tjetër, vjen në Prishtinë, pranohet në Teatrin Popullor Krahinor dhe vazhdon karrierën në Beograd! Kjo e fundit po na hedh në dy skaje të ‘litarit’. Pra, me të gjitha këto probleme të cilat i ka pasur, megjithatë ai është integruar dhe, në një farë mënyre, është ‘privilegjuar’! Kjo më krijon një mëdyshje të madhe, gjë që në raste të tjera, në një sistem të tillë nuk kishte pasur mundësi të ndodhë. Pastaj, tërë jetën në Beograd dhe asnjë projekt dhe për kinematografinë shqiptare!!

Musa Ramadani: Ndal! Ka pasur projekte, por që i kanë dështuar. Dështimi i tij kryesor ka qenë te filmi Kur pranvera vonohet i përgatitur sipas ditarit të Fadil Hoxhës. Bekimi aty ka punuar, ka bërë skenar, ka bërë libër xhirimi, por se çfarë ka ndodhur, çfarë kanë bërë, kurrë nuk mund ta kuptoj. Nuk e di, nuk e di! Vetëm e di që e ka marrë dikush tjetër. Madje e di që Bekimi i ka zgjedhur aktorët, e ka gjetur terrenin, çdo gjë e ka vendosur në vendin e duhur. Ndërsa, në aspektin politik, nuk kisha pasur dëshirë të flas, sepse ata kanë qenë krejt familjarisht të orientuar kah e majta, madje u bënë shumë të majtë.

A. Y. Gashi: Megjithatë, nuk është realizuar asnjë projekt në shqip.

Musa Ramadani: Ka qenë i angazhuar edhe në tragjedinë Hamleti të Shekspirit, por sa ka filluar së lexuari teksti nga aktorët, prapë ka dështuar. Ka pasur edhe disa projekte të tjera...


  1. A.   Y. Gashi: Prapa këtyre projekteve kush ka qëndruar?

Musa Ramadani: Teatri ynë, mbase edhe njerëz nga jashtë teatrit!

A. Y. Gashi: Kush e drejtonte teatrin në atë kohë?

Musa Ramadani: Hazir Myftari, ndërsa Azem Shkreli e drejtonte Kosova-filmin.

A. Y. Gashi: Sipas jush, cili ishte shkaku i dështimit?

Musa Ramadani: Ka shkaqe të ndryshme. Por dihet që pastaj e kanë angazhuar një regjisor  nga Londra jo fort të njohur, një regjisor ndoshta i nivelit mesatar. Edhe ai ishte i rekomanduar, si i thonë,  me të njofshëm, prandaj ka dështuar.

A. Y. Gashi: Pas këtyre projekteve, a u angazhua më Bekim Fehmiu?

Musa Ramadani: Pas këtyre rasteve, Bekimit ia kanë ofruar edhe projektin-drmatizimin Dervishi dhe vdekja të Mesha Selimoviqit. Aty kam qenë i kyçur edhe unë me disa njerëz të tjerë të kulturës. Prej Bekimit u kërkua që ta luante rolin kryesor (Ahmet Nuredinin) ose ta bënte regjinë. Bekimi u interesua për rol, ndërsa vetë sugjeroi që dikush tjetër ta bënte regjinë. Konkretisht, u propozua regjisori maqedonas Vladimir Milçin. Çuditërisht edhe ky projekt dështoi që në nismë. Duket, fati ishte kundër Bekimit!

A. Y. Gashi: Tash për fajin e kujt?

Musa Ramadani: Dikush nga brenda teatrit ka ndërhyrë… Por, të kthehemi sërish te projekti i Hamletit. Pasi Bekimi i dëshpëruar hoqi dorë, ky rol iu besua Dibran Tahirit.

A. Y. Gashi: Pse hoqi dorë?

Musa Ramadani: Sipas fjalëve të tij, (janë edhe disa aktorë të tjerë gjallë), në fillim të provave të leximit Bekimi iu paska thënë disa aktorëve të ansamblit përafërsisht kështu: “Ne po i mbajmë provat paradite në teatër, por më tregoni nëse keni dëshirë ta marrim një dhomë në Hotelin Grand, apo të shkojmë në shtëpinë time të mbajmë prova leximi, sepse e kemi regjisorin e huaj dhe, natyrisht, që ai ka problem me gjuhën shqipe”. Dije, Bekimi i ka kushtuar rëndësi çështjes së gjuhës, madje edhe detajeve më të vogla. Ai bile, kur i ka recituar në Sarajevë në të dy gjuhë poezitë e disa poetëve shqiptarë, shqip edhe serbisht, të gjithë njerëzit janë ngritur në këmbë duke i duartrokitur. Në fakt, problemi i gjuhës është një përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe pikërisht për këtë, Bekimi gjithmonë ka kërkuar njerëz superprofesionistë, të cilët kurrë nuk ia kanë mundësuar as regjisorin e huaj, as kostumografin, as skenografin, as grimerin. Madje shpesh  e kanë shpotitur duke i thënë: “Aii Bekim, ti a prej Hollyëood-it po mendon me i pru k’tu a!?” Me një fjalë, Bekimi u ka kërkuar aktorëve që  të ushtrojnë edhe pasdite, për çfarë një pjesë e ansamblit ka reaguar. Ky vetëm i ka falënderuar dhe është larguar, bile me arsyetimin se ai nuk e ka për vete, po për vetë aktorët. Fundja, regjisorit anglez i ka interesuar vetëm shfaqja dhe për gjuhë, a e flasim shqipen mirë apo jo, atij nuk i ka “hangër palla” bash hiç. Ndoshta nuk kishte faj, sepse ai ishte regjisor i huaj dhe nuk e dinte natyrën e gjuhës shqipe.





A. Y. Gashi: Si e kishte emrin regjisori?

Musa Ramadani: Jeremy, Jeremy Jang. Meqë jemi këtu, duhet thënë se, pavarësisht interesimit të Bekimit, Fakulteti i Arteve në Kosovë në asnjë moment dhe asnjëherë nuk është kujtuar që ta ftojë seriozisht atë për ta marrë një klasë aktorësh. Madje, ai ishte angazhuar për të bërë një herë seleksionimin e studentëve, dhe për këtë qe shpallë një konkurs përmes gazete. Pasi është bërë seleksionimi, ia kanë pështjellë serish, a nga teatri, a nga fakulteti, a nga kryetari i Lidhjes së Rinisë... Dikush po! Prandaj, Bekim Fehmiu është dëshpëruar totalisht. Këtu Bekim Fehmiu ka të drejtë. Prandaj, kur unë ia thashë atë që mendoja për të, ai u mllefos shumë. Megjithëse është një e vërtetë e madhe: dikush përherë ka qenë i interesuar t’ia ndërpresë punën këtij aktori të madh. Pavarësisht nga kjo, në bisedë e sipër, i pata thënë një herë, pavarësisht çfarë pengesash të kanë dalë, unë me pasë qenë në vend tëndin, një herë të vetëm nuk e kisha lënë pa kaluar nëpër ata rrathë të ferrit dhe patjetër që e kisha realizuar një shfaqje në shqip, pastaj e kisha shikuar punën time.

A. Y. Gashi: Ju kujt ia hidhni fajin për këtë?

Musa Ramadani: Të gjithë jemi fajtorë. Sidomos, ata që e udhëhiqnin kulturën.

A. Y. Gashi: Të kthehemi edhe një herë në fillim. Si e shpjegoni integrimin e tij në Beograd, meqë ishte bir i një nacionalisti të madh?

Musa Ramadani: Si duket, unë po supozoj dhe nuk po kam qejf të jetë kjo e vërtetë, gruaja e tij, Branka, ka qenë prej një familjeje me ndikim të madh atje. Bile një vëlla i saj duket të ketë qenë funksionar në një shërbim diplomatik në ish-Jugosllavi. Kështu që, sipas të gjithave gjasave, Branka ka pasur një rol të madh te Bekimi. Ajo ka qenë tepër e dashuruar në të. Absolutisht edhe si studente, edhe si aktore e njohur. Ajo gjithmonë e ka ndjekur prapa. Bekimi ka lëvizë shumë, nuk ka ndjekur ligjërata, vetëm herë pas here. Ka qenë tip i gjallë. Më kujtohet në një rast për një film, brenda katër javësh e ka mësuar gjuhën angleze për të folur si aktor. Shkurt, Bekim Fehmiu ka qenë tip hazarder-i.

A. Y. Gashi: Dihet që Bekim Fehmiu e ka shkruar autobiografinë e tij dhe një pjesë të saj e ka botuar. Ju ka folur gjë për të, për njerëzit që e kanë penguar?

Musa Ramadani: Më ka folur shumë dhe, për ato të cilat më ka folur, nuk kisha pasur dëshirë që ai t’i botojë. Por, unë e kam nxitur që ta shkruante pjesën e parë të autobiografisë, që nga fëmijëria e deri te hyrja në Akademi.

A. Y. Gashi: Pse?

Musa Ramadani: Sepse aty përmenden shumë emra. Mbase nuk ka gjithmonë të drejtë. Ka të drejtë nga aspekti i vet, subjektiv, po aq sa jemi secili nga ne subjektiv. Ai më ka folur rreth analizës së filmave, mosrealizimit, rreth konkurseve, për pengesa të ndryshme. Autobiografia e tij duhet të jetë në dy-tri vëllime, të cilat unë i kam thënë që s’dua t’i shoh, as si dorëshkrim. Veç vëllimin e parë të autobiografisë, i cili është botuar serbisht, e për të cilin i kam thënë: botoje edhe në gjuhën shqipe ose botoje së pari në gjuhën shqipe, që të mbetej në histori se është përkthyer nga gjuha shqipe në gjuhë të tjera.

A. Y. Gashi: Dhe?

Musa Ramadani: Nuk më dëgjoi. Ndonëse dorëshkrimin në gjuhën shqipe e ka dorëzuar te botuesi Abdullah Zeneli. Pyete Abdullahun se çfarë i kam thënë, sepse dorëshkrimin ai e ka! Nuk e di nëse ia ka dhënë lejen e botimit. Më duket se Bekim Fehmiu kishte kërkesa të mëdha rreth botimit të autobiografisë së tij.

  1. A.   Y. Gashi: Cilat ishin disa nga kërkesat e tij?

 Musa Ramadani:  P.sh. kërkonte që t’i botoheshin 30.000 kopje, gjithashtu kërkonte një pagesë irracionale për kushtet tona. Pastaj kemi pasur një dilemë rreth titullit. Unë i propozova që për titull ta ketë Farfurimë. Ai ia futi një titull tjetër, Trishtim apo diçka të tillë. Nejse, s’është me rëndësi. Edhe  në Tiranë, siç duket dikush i ka ofruar diçka, po nuk e pranoi. Sidoqoftë,  ndaj shtëpisë botuese Buzuku ka pasur obligim moral, se Abdullahu natë e ditë i ka ndenjtë afër, prej mëngjesit e deri në mbrëmje.

A. Y. Gashi: E keni lexuar atë dorëshkrim?

Musa Ramadani: Ia kam dhënë njëfarë “vize”... Ai ka qenë shumë i sinqertë në dorëshkrim, shumë kritik dhe shumë vetëkritik, jo vetëm ndaj vetes, por ndonjëherë edhe ndaj familjes së vet […]

A. Y. Gashi: Çfarë ju ka penguar te Bekimi?

Musa Ramadani: Po, në disa raste diçka më pengonte shumë. Bekim Fehmiu ishte së tepërmi i politizuar. Kjo më ka penguar dhe më pengon edhe sot. Ndërsa, për futjen dhe integrimin e tij, ka qenë (ndoshta) rezultat i Brankës. Për këtë jam i bindur, edhe pse nuk kam qejf të jetë ashtu. Megjithatë, Bekimi ka qenë talent. Nëse ka hyrë në teatër të madh dhe në repertorin e teatrit ka pasur rreth pesë ose  gjashtë shfaqje, Bekimi komplet rolet kryesore i ka mësuar. Bile edhe rolet e dyta, që shpesh regjisorët i quajnë edhe role të mesme. Kjo për faktin se po ndodhi që një aktor të sëmuret, ose t’i ndodhë diçka tjetër, Bekimi ka qenë alternativa e parë për t’u futur menjëherë në skenë. Pra, kujtoj kjo ka qenë, nëse mund të them, forma e vetme e Bekim Fehmiut për çfarë iu ka ‘imponuar’ teatrove jugosllave, për dallim prej Istref Begollit, i cili në Beograd ka ndenjur për dy-tri vjet radhazi, pastaj është bindur se nuk mund ta përballoi...(...). Prandaj, Istrefi vullnetarisht është kthyer në Prishtinë. Më kujtohet si sot, e  kam pyetur Istrefin për këtë çështje dhe ai po të njëjtën gjë ma pohoi. E tash, te Bekimi, më duket e gruaja ndikoi, jo për të hyrë në teatër, por për të marrë rolin e rëndësishëm te Mbledhësit e puplave. Ai që e ka bërë regjinë e këtij filmi, pra Mbledhësit të puplave (e që Beqir Musliu këtë titull e mori si analogji e Mbledhësit të Purpurit), ishte jevg, i lindur në Paris. Përndryshe, ky i fundit rrënjët i ka prej Vojvodine, atje ku edhe është xhiruar filmi me ato patat dhe gjëra të tjera. Fjala është për Aleksandar Sasha Petroviq. Regjisori në fjalë e ka bërë edhe një film shumë të mirë nga një pjesë e librit Maestro dhe Margarita të Bullgakovit. […]

A. Y. Gashi: Çfarë do të veçonit diçka nga Bekim Fehmiu e që nuk do ta harronit kurrë?

Musa Ramadani: Ai ka pasur një memorie fenomenale. Ai ka ditë me qenë edhe fëmijë në sjellje. Sidomos kur ishin momentet e sinqeritetit të madh, por ka ditë me qenë edhe i rreptë. Bile, në fushën profesionale ai fare nuk të falte. Ka qenë tepër këmbëngulës në mendimin dhe në vlerësimin e tij profesional. Ndoshta kjo ka ndikuar që, përmes tij, dialogu me të gjithnjë ka qenë i pashkëputshëm, jo veç për film. Atij i kanë interesuar edhe çështjet politike, ka qenë kureshtar për të ditur për çdo gjë. Bekim Fehmiu, për sa e kam njohur, është njëri prej aktorëve që ka lexuar më së shumti, jo vetëm beletristikë, por edhe libra dokumentarë, biografi të udhëheqësve  të ndryshëm ushtarakë, libra për personalitete politike dhe historike, enciklopedi të ndryshme. Vërtet, ai ka qenë një artist erudit, një artist i pashembullt në botën shqiptare.

(Publikuar  te Revista “Loja” dhe gazeta “Koha ditore”)

Google+ Followers