Si të ndërtojmë një univers që të mos shkërmoqet pas dy ditësh

Nga Philip K. Dick



Gjithnjë kam shpresuar se duke shkruar romane e tregime, të cilët e përmbajnë pyetjen "Ç'është realiteti", një ditë do e kisha një përgjigje. Dhe po kështu shpresonte shumica e lexuesve të mi. Kaluan vite. Shkrova mbi tridhjetë romane dhe njëqind tregime, dhe prapë nuk arrita të gjej se çfarë është realja. Një ditë një studente kolegji në Kanada më kërkoi t'i jepja një përkufizim të realitetit, pasi kjo i duhej për një temë që ajo po përgatiste në kursin e filozofisë në shkollë. Përkufizimin e desh me një fjali. U mendova dhe në fund i thashë se "Realiteti është çfarë nuk zhduket, edhe kur pushon së besuari në të". Kaq munda të sajoja. Dhe kjo qe në 1972-shin. Çprej atëhere, nuk kam mundur ta përkufizoj realitetin më qartë se kaq.
Por ky është vërtet një problem, nuk është thjesht një lojë intelektuale. Sepse ne sot jetojmë në një shoqëri në të cilën realitetet e rreme fabrikohen nga mediat, qeveritë, korporatat e mëdha, grupet fetare, grupimet politike - dhe ekzistojnë edhe mjetet që t'i shpien këto botë të rreme drejt e në kokat e lexuesve, shikuesve, dëgjuesve. Ndonjëherë, teksa kundroj time bijë 11 vjeçare që sheh TV, dua të di se çfarë po i mësojnë asaj. Mbase gjëra jo të përshtatshme për moshën, ta zemë. Një program për të rritur që ndiqet nga një fëmijë - gjysma e gjërave që thuhen dhe bëhen atje keqkuptohen nga fëmija. Ose mbase edhe të gjitha. Dhe ta marrësh hollë-hollë, edhe sikur fëmija ta kuptonte siç duhet programin, sa i vërtetë është informacioni që jepet? Cila është marrëdhënia mes një komedie të rëndomtë televizive dhe realitetit? Po për shoë-t me policë? Makinat atje në vazhdimësi dalin jashtë kontrollit, përplasen, digjen. Policët janë gjithnjë të mirët dhe gjithnjë fitojnë. Mos e shpërfillni këtë pikë: Policia fiton gjithnjë. Ç'mësim na jepet me këtë? Që s'duhet të luftoni kundër autoritetit, dhe edhe nëse e bëni, prapëseprapë do humbni. Kumti: mos vepro! Dhe: bashkëpuno! Nëqoftëse oficer Baretta të kërkon të dhëna, jepja, sepse oficer Baretta është një njeri i mirë dhe i besueshëm. Ai të don, dhe ti duhet ta duash.
Kështu pra, shkrimet e mia e shtrojnë pyetjen, "Ç'është realja"? Sepse ne bombardohemi parreshtur me pseudo-realitete, të fabrikuara nga njerëz shumë të sofistikuar që përdorin mekanizma shumë të sofistikuara elektronike. Dhe unë s'është se s'kam besim në shtysat e tyre; unë s'i kam besë fuqisë së tyre. Dhe ata janë shumë të fuqishëm. Fuqia e tyre është e mahnitshme: me të ata krijojnë universe të tëra, universet e mendjeve. Mua më duhet ta di se si e qysh funksionon kjo. Unë bëj të njëjtën gjë. Është puna ime të krijoj universe, si baza e njërit roman apo një tjetri. Dhe ato universe më duhet t'i ndërtoj në mënyrë të tillë që të mos më shkërmoqen pas dy ditësh. Ose të paktën që kështu të shpresojë botuesi im. Sidoqoftë, po ju zbuloj një të fshehtë: mua më pëlqen të ndërtoj universe që shkërmoqen. Më pëlqen t'i shikoj se si u thahet mastiçi që u ngjit pjesët, më pëlqen t'i shoh personazhet në romane të përballen me këtë problem.
Kam një dashuri të fshehtë për kaosin. Duhet të ketë edhe më shumë kaos. Mos besoni - dhe e kam shumë seriozisht këtë - mos hamendni që rregulli dhe qëndrushmëria janë gjithnjë të mira në një shoqëri ose në një univers. Gjërat e vjetra, të kalcifikuara, duhet t'i lëshojnë vendin jetës së re dhe lindjes së gjërave të reja. Përpara se gjërat e reja të mund të lindin, të vjetrat duhet të zhduken. Dhe ky është një realizim i vështirë, sepse na dëften që me gjasë do na duhet të ndahemi me ç'e kishim të njohur e të afërt. Por kjo është pjesë e skriptit të jetës. Po të mos e bëjmë tonin psikologjikisht ndryshimin, ne zemë e vdesim vetë së brendshmi. Pra po them që sendet, zakonet, huqet, dhe mënyrat e jetesës duhet të zhduken në mënyrë që qenia autentike njerëzore të mund të jetojë. Dhe është shi kjo qenie autentike njerëzore, ky organizëm elastik e i gjallë që mund të mos e pranojë të renë, apo mund ta përthithë atë, apo që mund të japë e marrë me të, ajo çka vlen më shumë se çdo gjë tjetër.
Filozofi para-Sokratik grek Parmenidi na mëson se të vetmet gjëra të vërteta janë ato që nuk ndryshojnë… dhe filozofi para-Sokratik grek Herakliti na mëson se çdo gjë ndryshon. Po t'i mbivemë dy pikëpamjet e tyre, na del që: Asgjë nuk është e vërtetë. Kjo linjë mendimi pasohet nga një tjetër hap marramendës: Parmenidi nuk ka ekzistuar kurrë, sepse ai u plak, vdiq e u zhduk, pra sipas vetë filozofisë së tij, ai nuk ka ekzistuar. Por edhe Herakliti mund të ketë të drejtë - të mos harrojmë; kështu, nëqoftëse Herakliti kish të drejtë, atëhere Parmenidi ka ekzistuar, dhe ndaj, sipas Heraklitit, ndoshta Parmenidi ka të drejtë, përderisa Parmenidi përmbush kushtet e kriteret pas të cilave Harakliti i gjykonte gjërat si të vërteta.
Ua thashë këtë për të treguar se sapo fillojmë të shtrojmë pyetjen se ç'është në fund të fundit e vërteta, fillojmë sakaq të flasim gjepura. Zeno provoi se lëvizja është e pamundur (në të vërtetë ai vetëm e përfytyroi vërtetimin; atij i mungonte ajo që quhet "teoria e kufijve"). David Hume, më i madhi skeptik, një herë vërejti se pas një tubimi të skeptikëve, të mbledhur për të shpallur vërtetësinë e skepticizmit si filozofi, të gjithë pjesëmarrësit sidoqoftë dolën nga dera e jo nga dritarja. Unë e kuptoj Hume-n. Ishin të gjitha llafe. Filozofët e rëndë nuk po i merrnin seriozisht ato ç'ka po thoshin.
Po, unë e quaj çështjen e përkufizimit se ç'është e vërtetë, një çështje serioze, madje jetësore. Dhe brenda në të, diku, është edhe çështja tjetër, përkufizimi i njeriut autentik. Sepse bombardimi i pseudorealiteteve fillon të prodhojë shumë shpejt njerëz jo autentikë, njerëz të rremë - po aq të rremë, sa dhe të dhënat që u ushtrojnë trysni nga të gjitha anët… realitetet kallpe prodhojnë njerëz kallpë. Ose, njerëz kallpë prodhojnë realitete kallpe dhe pastaj ua shesin njerëzve të tjerë, duke i kthyer ata vetë, me gjasë, në njerëz fallso. Pra, ne përfundojmë njerëz të rremë që shpikin realitete të rreme, të cilat ua shesin njerëzve të tjerë të rremë. Është thjesht një version i stërmadh i Disneyland-it.
Gjatë shkrimtarisë u përfshiva kaq shumë nga ideja e të rremes, saqë arrita tek koncepti i të rremave të rreme. Për shembull, në Disneyland ka zogj të rremë që punojnë me motor elektrik, të cilët lëshojnë zhurma e klithma kur u kalon pranë. Imagjinoni, një natë ne futemi fshehuraz në park dhe vemë zogj të vërtetë në vend të fallsove. Merrni me mend tmerrin e nëpunësve të Disneyt kur të zbulojnë mashtrimin e pamëshirshëm. Zogj të vërtetë! E më pas kushedi, edhe luanë apo hipopotamë të vërtetë. Ngrirje tmerri. Parku duke u shndërruar djallëzisht nga i pavërtetë në të vërtetë, nga forca të errëta. Për shembull, imagjinoni Matterhomi i kthyer në një mal të vërtetë mbuluar nga bora! Po sikur i gjithë parku, nga ndonjë mrekulli e fuqisë së Zotit, të kthehej në çast, sa hap e mbyll sytë, në diçka të pakorruptueshme? Atyre do t'u duhej ta mbyllnin parkun.
Në Timaeus-in e Platonit, Zoti nuk e krijon universin, siç bën Zoti kristian. Ai thjesht e gjen atë një ditë. Në një gjendje kaosi të përgjithshëm. Zoti i vihet punës për ta kthyer kaosin në rregull. Kjo ide më ngacmon, dhe e kam përshtatur për nevojat e mia intelektuale. Po sikur universi ynë të ketë filluar si jo krejt i vërtetë, një farë iluzioni, siç na mëson feja Hindu, dhe Zoti, nga dashuria dhe mirësia ndaj nesh, po e shndërron ngadalë dhe fshehtësisht në diçka të vërtetë? 


*Përktheu Shkëlqim Çela. Pjesa është marrë nga "How to build a universe that doesn't fall apart two days later, 1978"


Milosao

Google+ Followers