Sa i bukur, bukureshti (Shkëputje nga libri në përgatitje “shpen’ udhëtar”)



Bajram Sefaj

Mbresa udhëtimi


Nga të gjitha shtegtimet e mia të derisotmet, kujtimin më të përzishëm
(më të turbulluar) e ruaj nga vizita e parë Bukureshtit dhe Rumanisë, në
përgjithësi.
E kisha një (si) borxh, ta vizitoj këtë vend. Ndër të tjera, për dy arsye
madhore. E para: dihet mirëfilli së “historia” e Shqipërisë, (pra edhe e
Kosovës), është ngushtë e lidhur me “historinë” e këtij shteti. E dyta,
ndoshta edhe më e rëndësishmja, atje, në Bukureshtin e bukur e të
madh, tash e një kohë të gjatë, punon e krijon, dueti pogradecar Kyçyku,
Kopi dhe Ardiani, atë bir.
Që ta vizitoja këtë shtet thua se kisha edhe një pothuaj detyrim të
posaçëm. Është i vetmi vend lindor, i vetmi shtet ballkanik, aty, në
derë të shtëpisë, që me kishte ngelur, si oazë, pa m’u dhënë rasti, as
mundësia, ta vizitoja.
Dhe, ai çast i (shumë)pritur, më në fund, erdhi. Mund të them se erdhi
si s’ka më mirë e më hijshëm. Atje, saktësisht, në qytetin e vogël por të
bukur, me histori të pasur, sidomos religjioze, Alba Julia të Transilvanisë,
mbahej një tubim i madh (Kongres) disaditor, që i tubonte të gjithë
rumunët e diasporës, kudo që janë, në botën e paanë... (Congresul
Spiritulitàtii Românesti, kështu quhej ai Kongres në gjuhën rumune).
Me ndërmjetësimin e vëllamëve të mi Kyçyku (atë e bir), isha pjesë e
atij manifestimi gjigant gjithë rumun. Madje ishte paraparë që edhe
vogëlia ime të paraqitej me një kumtesë, në njërin nga shtigjet e këtij
manifestimi përmbajtjesor dhe të rëndësishëm politik e shoqëror
dhe kulturor, me dimensione të mëdha gjithëkombëtare. Paradhomë,
“qendër e grumbullit” të këtij tubimi madhështor në Alba Julia,
kuptohet, ishte Bukureshti.
E, kryeqyteti i Rumanisë, Bukureshti më pret si të isha mbret! Me pret
më mirë e më ngrohtë se që me ka pritur akëcili qytet tjetër që kam
vizituar deri me sot, qoftë edhe vetë Prishtina e vendlindjes.
Në Aeroportin Internacional “Henri Coanda” të Bukureshtit, dueti
Kyçyku, Kopi me Ardianin, atë-bir, me pret më romanin tim “Parisi kot “,
(“Parisul în zadar” që i përthyer nga Kopi dhe i redaktuar letrarisht nga
i biri i tij Ardian-Christian Kyçyku, po atë ditë, sapo kishte dalë (taze)
nga shtypi. Kjo ishte dhurata më e shtrenjtë, më e dashur dhe me e
çmuar që kisha marrë ndonjëherë në jetën time. Ishte shenj shumë më i
shtrenjtë se që do të ishte çfarëdo buçet lulesh, qoftë edhe mbretëror.
Ishte hera e parë, në jetën time të gjorë, që përjetoja një pritje të tillë.
Sa i ndërruan të zakonshmet fjalë të para të mirëseardhës, Ardiani,
ai djalosh i bukur që impononte me pamjen e tij serioze, ani pse ishte
lag të shkelte pragun e të dyzetave, nuk u durua pa theksuar (thua se
unë këtë “detaj” nuk e kisha parasysh) se janë raste të rralla dhe se nuk
ndodhin shpesh, që një shkrimtar, çfarëdo qoftë nami i tij, të pritet në
aeroportin e një shteti të huaj, me roman të përkthyer e të dalë nga
shtypi po atë ditë. Isha plotësisht dakord me djaloshin e pashëm që
e shihja për herë të parë në jetë e që, vetëm pak kohë që u njohëm.
Ndonëse se nuk ishim takuar asnjëherë në jetë, unë për të kisha krijuar
një opinion shumë solid, për personalitetin e tij. Ndërkohë, kisha lexuar,
me pasion e vëmendje të përqendruar, disa ka romanet e tij që me kishin
mrekulluar me rrëfimet, me stilin dhe me gjetjet origjinale, lirisht mund
të them gjeniale, që këta libra artistikë kapërthenin midis kopertinave
të tyre. Për disa nga ata libra edhe isha përpjekur që, në hallin tim të
brishtë, të qes në letër ndonjë shënim në formë mbrese, përherë veshur
me petk entuziazmi e përflakjeje djaloshare, si një lexues rinor,i të isha.
Njëri nga ato shkrime, i botuar në gazetën “Bota Sot” të Prishtinës,
Ardianit i kishte renë në dorë dhe i kishte bërë përtypje. Ashtu nën
presionin e çastit, ishte ulur dhe, si do të shihni edhe vetë, me kishte
thurur një kurorë margaritarësh me fjalë të bukura, që për jetë të
jetëve do ti ruaj në kutinë e gjërave më të shtrenjta. Letrën, në të cilën
kishte mbështjellë ato xhevahire, m’i kishte nisur përmes babës se tij, z,
Kopi Kyçykut, që, si ftuar nderi, merrte pjesë në Seminarin e radhës, të
Gjuhës dhe të Kulturës Shqiptare për të Huaj, në Prishtinë. Në atë letër,
(me fal Ardian që tash, pas shumë vjetësh, po ia gris rrobën e misterit
anonim, (e shpalos dhe e bëj publike përmbajtjen e saj), ndër të tjera,
thuhej: “I dashuri zoti B. Sefaj, njëherësh me urimet më të përzemërta
për shumë shëndet e krijimtari të pasur, po ju dërgoj edhe mirënjohjen
time të thellë për artikullin e “Bota Sot”. Zoti ju bekoftë për guximin e
pazakontë, çiltërsinë dhe përkushtimin ndaj letrave shqipe dhe ndaj
punës sime në veçanti! (... ). Ju dërgoj romanin “Engjëjt janë të tepërt”
si dhe një ese kushtuar romanit tuaj “Parisi kot” të cilin e lexova me
kënaqësi të veçantë (...) Po e mbyll me urimet për vëllimin “Sa është
ora”... Motoja e vëllimit është një libërth më vete, që lartohet përmes
novelës “Thes”, e cila më pëlqeu në mënyrë të veçantë (...). Gjithë të
mirat e mbarësi. Nihil Sine Deo. (Asgjë pa ndihmën e Zotit!).
Tash, më në fund, isha në Bukuresht. Lirisht mund të them se Bukureshti
ishte në mua. Ishte hera e parë, përfundimisht ishte hera parë, që nuk
përjetoja atë frikën, aq shumë herë të përsëritur, kur gjendesha në një
qytet të madh e të huajin. Tash isha i “rrethuar” nga nikoqirët e mi të
nderuar që, si roje trupi të ishin, rrinin për bri krahëve të mi. Për herë të
parë, isha plotësisht i lirë. Nuk me pikaste, nuk me nxiste, nuk bezdiste
as një lloj frike. As mosnjohja e gjuhës. As mosnjohja e monedhës
rumune dhe e vlerës saj konvertibile, as mosnjohja e qytetit, rrugëve
dhe shesheve të tij, asgjë, ama asgjë, nuk me shqetësonte e nuk ma
prishte humorin e disponimin e mirë. Bukureshti i tëri, me rrugë, me
sheshe, me aveny, me monumente të kulturës dhe të historisë, të
lashtë dhe të re, ishte imi. Nuk e kisha merakun, e përsëritur aq herë, në
jetën time si endacak i pasionuar, të katarriçëm nëpër kioska e shitore
gazetash e suveniresh, të blej hartë orientuese, të blej “libër” sa më
të trashë dhe ilustrime shumë, që flet për Bukureshtin dhe Rumaninë
përgjigjeshit. Jo, për asgjë, f’tyrë toke, nuk kisha kërkesë. Zotni Kopi,
në një anë, në krahun tjetër Ardiani, ishin ata që i kompensonin të gjitha
dhe, e dija që më parë, pa përtesë, do t’i përmbushin të gjithë kërkesat
e mia. Me vete kisha guidat më të mirë. Ata do të me shpjegonin dhe
informonin për çdo gjë që me interesonte për Bukureshtin e më gjerë..
E dija se në këta dy mikpritës i kam të gjitha. Kur janë të vyer e më të
përpiktë e besnikë së një bibliotekë e tërë. Ata ishin udhërrëfyesit të
mi më të dashur, ishin “çelësa” të artë e njëherazi magjikë, të dyerve të
teatrore, të muzeve, të institucioneve të larta, të mesme e fillestare,
kulturore e shkencore, çelësa të dyerve të Lidhjes se shkrimtarëve të
Rumanisë, të dyerve redaksive të gazetave, të përditshme dhe të atyre
javore e të tjera, kur ia dinin “historinë” e çdo guri e çdo druri, jo vetëm
në truallin e Bukureshtit e të Konstancës, por edhe të gjithë Rumanisë.
Ata e dinin historinë e këtij shteti të madh ish komunist, e dinin të
kaluarën dhe të sotmen e këtij shteti, e njihnin (në gishtërinj) letërsinë e
vjetër e të re, pjesë përbërëse, e kësaj të fundit, detyrimisht ishte bërë,
sidomos Kyçyku i riu, që ndërkohë kishte botuar në rumanisht, një serë
veprash të shquara letrare, Viti kur u shpik mjellma, E fshehta e ëmbël
e marrëzisë, Një fis i lavdishëm e që jep shpirt, Hyu Epigon, Dashuri
në shikim të fundit..., vëmë në spikamë vetëm disa syresh, që këtij
autori të ri e të frytshëm me origjinë shqiptare, i siguruan një vend të
lavdishëm në letërsisë e këtij vendi. Madje ai, Ardiani, i dha një shtysë
e hov shtesë, ngjitjes përpjetë letërsisë bashkëkohore rumune, sikur,
kujtoj, në interpretim të lirë, të jetë thënë diku.
Duke e pasur ngatë vetës atë duet, njohës të shkëlqyer, të Bukureshtit
dhe të tërë botës frymore, shpirtërore, historike, religjioze, sociale,
politike, letrare, krijimtarie në përgjithësisht, jo vetëm të Bukureshtit,
por të Rumanisë në përgjithësi, po them, tërë “bota” ishte e imja.
Aty, pranë vetës, si një bibliotekën më të mirë, si në të gjitha muzetë,
të mëdha e të vogla, si në faqet e librave më të mirë historikë, i
kisha të gjitha të dhënat që do të me hynin në punë në sajimin e një
udhëpërshkrimi shumë më të gjatë e, më të dhëna çfarë të duash.
Pikërisht, pse ishte kështu, kur mjaftonte vetëm të ngritja dorën në
ajër a atje të zeja zogun e bardhë, me tëra informatat që e interesojnë,
një udhëshkrues modest, sikurse jam unë, e tëra kjo u kthye në një
bumerang. Me vrau zoti. Mu thanë duart. Krejt në stilin, hajt tash, hajt
më vonë, jo sot, jo nesër..., notesi me ngeli i paprekur dhe faqet e tij të
virgjëra. Pa asnjë shënim mbi sfondin e tyre të bardhë.
Kështu, ndodhi më e papritura që mund të ndodhte: unë këtë shkrim po
e qes në letër pas pesë vjetësh! Kjo nuk me ka ndodhur kurrë. Asnjëherë.
Ç’prej se vetës i them
udhërshkrues. Ose, në çaste të rralla hareje, Evlia Çelebija shqiptar,
vetveten pagëzoj!
Duke hedhur në letër këta rreshta të vonuar, trazova kujtimet
deri në detajet më të imëta nga vizita ime e parë (dhe më gjasë) e
fundit Rumanisë, pa mekje dhe mykje mbresash, kur është meritë
e nikoqirëve të mi të çmuar, at e bir, Kyçyku, që jetojnë, tani e kohë
shumë të gjatë në Bukuresht, kur pothuaj se tërësisht janë integruar,
por, jo edhe asimiluar, kurrë pa i shkëputur rrënjët dhe Pogradeci i tyre
dhe Lagushit, që aq bukur i këndoi dallgët e tij. Po sikurse Lasgush
Poradeci, kur është fis i tyre, edhe Kyçykët, sidomos i riu, subjektet e
temave të një serë veprash të tij letrare, të romaneve, të dramave e të
tjera, i ka të lidhura me ujin e kulluar (që nuk ishte gjithmonë i kulluar!) të
Liqenit tonë, të Ohrit tonë. Kujtomë romanin me titull “Sy”, në veçanti,
e të tjera e të tjera. (Për këtë roman të Nipçes (lexo: të Ardianit, pos
që kam shkruar dhe botuar mbresë të ngjeshur përjetimi të thellë, ka
ngritur zërin deri ë palën e shtatë të qiellit të shtatë: anëtarë të jurisë
të çmimit Nobel, ku jeni, ku i keni sytë e të (mos)shihni romanin “Sy”
të autorit Ardian Kyçyku?. Këtë roman madhor që unë personalisht
e konsideroj kryevepër të tij, gjithnjë duke i pasur parasysh edhe
romanët të tij të tjerë, po ashtu, të mëdhenj, sikurse janë: Mortët,
Nata pas vitit zero, Lumjenjtë e Saharasë, Oreksi për bukën e diellit,
Egjejtë e tepërt, Kristali dhe hienat, Puthmë skelet, zv.Libri, Home,
Gjaku asnjanës, Perla (prozë e zgjedhur) e të tjera (i radhita disa nga
ato vepra që, ndërkohë, me admirim më të madh dhe përjetim të thellë,
i kam lexuar!).
Në alba julia
Pas rrugës ajrore, nëpër një qiell të përshkëllirë, sipër mjegullash të
trasha e mes përmes turbulencave dhe luhatjeve të aty-këtushme,
relacionin Romë-Bukuresht, e kalohet filhall. Ajo copë distancë
kapërcehet pa ndie shumë lodhje, as bezdisje, aq më parë kur Rumania,
më sa me kujtohet, ishe një orë mbrapa nesh, kështu që i binte që në
Bukuresht mbërrimë në orën (përafërsisht) e njëjtë me atë që jemi
nisur nga Roma.
Turbulenca (etyd)*
“Sa herë fluturohet me avion, në çfarëdo relacioni qoftë, po aq herë,
mund të ndeshesh me termin turbulencë, e kurrgjë e kurrkujt. Një
turbulencë (turbullim) më shumë a më pak, e hajt rrugës qiellore.
Fluturo andej nga je nisur! Me frikën nga turbulenca apo nga ndonjë
tjetër tutë, kur shtigje kanë shumë, atje lartë qiellit të pakufishëm!
Por, kur fjalën turbulencë e dëgjon në shqiptim nga goja e kapitenit të
“anijes kozmike” të kompanisë “Alitalia”, Xhigji Anxhelos, në fluturimin
qiellit të zymtë, të zhytur e të përshkëllirë, si të mbarsura të ishin, në
relacionin Romë – Bukuresht, ajo fjalë disi del disi ndryshe. Sado që në
“pemën” e saj, ajo fjalë, ka degë (shumë) paralajmëruese turbullimesh,
dridhjesh, pehatjesh e pedatjesh, që mund të përfundojnë dhe në
katastrofë ajrore, megjithatë, gëlltitet më kollaj, më lehtë përpihet
dhe përjetohet ndryshe. Sikur nuk i hapë grykën thesit të pafund të
përfundimit kobzi. Ajo fjalë e shqiptuar nga ai pilot, i asaj kompanie të
flotës ajrore italiane, në palcë nuk të futë (kockë) nuk të fut tmerrin e
kobit fatkeq.
Atë ditë, sado e ngarkuar që ishte, me ré, me vetëtima e bubullima...,
nuk do të ngjanë asgjë e keqe.
Kapiteni italian, Xhigji, Bukureshtit ia çonte një grusht dasmorësh të
hareshëm!
Udhëtime të këndshme e pa asnjë turbulencë, as të vogël, as të madhe,
ju dëshiron agjencia udhëtimeve të havasë “Shpen’ udhëtar”, e Ilirisë!
(Shih faqen 25 të suplementit letrar Milosao, të Gazetës shqiptare, e
diel, 14 prill 2013)
***
Mezi pitja takimin me Bukureshtin. Aq më parë kur e vizitoja për herë
të parë. Aq më parë, që do të takoja Ardianin, që, po ashtu, do e shihja
për herë të parë, edhe atë. Fitorja ishte në anën e Ardianit. Shumë më
shumë, më dendur e me emocione më të ndezura pritja takimin e parë
atë çun që, ndërkohë, kishte bërë çudira në fushën shkencore e letrare
të Rumanisë, kur me veprat e tij kishte lëkundur rrënjët e këtij vendi,
jo vetëm të Bukureshtit, por edhe krejt trojet e tokës së këtij shteti të
lashtë e më traditë.
Gjithnjë me romanin “Parisi kot” (Parisul în zadar) të dalë nga shtypi
atë ditë, në gjuhën rumune, e kjo ishte paraqitja ime e pare letrare në
një gjuhë të huaj, paraqitja ime e parë ndërkombëtare, pra, mezi pritja
çastin të zë vend në dhomën e prenotuar qysh me kohë në hotelin
“Triumph”, (krejt afër “portës triumfale” alla rumunçe në Bukuresht), jo
se isha gjithaq i dërmuar nga rruga, sa nga padurimi të shfletoj dhe të
“lexojë” krejt (faqe për faqe), romanin tim të ripranveruar, si të rilindur
në këtë gjuhë.
Pas dy netësh të kaluara në këtë hotel, dikur me nam, të Bukureshtit,
avitet koha të marrim rrugë për në Alba Julia, atje ku zhvillohej
manifestimi kryesor, Kongresi i diasporës gjithërumune.
Rruga, afro katërqind kilometra, nga Bukureshti gjer në Alba Julia, nuk
ishte udhëtimi i zakonshëm. Më parë i ngjante një ëndrre me sy hapur.
Kamionçina e pastër kokërr, vetëm dhjetë-dymbëdhjetë seli, në bordin
e së cilës, ishim madje katër shqiptarë (“Plotë Shqipëri”, titulli i një libri
tim), çante përpara. Afër e kisha Kyçykun, t’atin, që, si një libër i hapur,
si një enciklopedi e një akademie të njohur, si e sajuar nga Akademia e
Artëve dhe të Shkencave të Rumanisë, ishte i gatshëm, në çdo rast e
në çdo vakt, të me furnizonte me turli informatash, qoftë edhe për gur
e druaj që na dilnin në rrugë, e lerë më për gjëra më të trasha e më të
rëndësishme, megjithatë, isha me zemër të thyer pse me ne nuk ishte,
Kyçyku, i riu, që tashmë e kisha Nipçe të dashur.
Në atë relacion udhëtimi të gjatë me dilnin përpara visare të
mrekullueshme, emra qytetesh të njohur, më pak të njohur e fare të
panjohur, lokalitetesh e qytetesh të botës rumune. Në rrugë e sipër, aty
diku në afërsi (periferi) të qytetit të njohur Sibiu, ishte krejt i papritur
dhe befasues takimi dhe vizita e rastit atelierit të tij, piktorit të njohur
rumun, z. Vasile Rotaru, që ndërkohë, përveç që kishte pasur një serë
ekspozitash, vetëm dhe në grup, brenda dhe jashtë vendit të vet, ishte
rrëmbyes i një varg shpërblimesh të rëndësishme të të gjitha niveleve
kombëtare. Ai me miqësi dhe gjentilencë na ftoi në atelierin e ti, dhe
gjersa na gostiti me pije, kafe dhe ëmbëlsira, u kënaqen duke i shikuar
disa nga punimet e shumta të tij, duke llogaritur edhe ato në krijim e
sipër. Për atë copë herë të pushimit dhe këndelljes nga rrugëtimi i
gjatë, u informuam se maestro Rotaru, ndërkohë, kishte kryer punë
dhe funksione të larta e më rëndësi politike e shoqërore në Rumani.
Ndër të tjera, kishte qenë edhe drejtor i Televiziune din România e tjera.
Në udhëtim e sipër për në Alba Julia, lexoja emra qytetesh e
vendbanimesh që, çuditërisht i ndieja si të njohura, për të mos thënë,
të dashura. Doja të shtoja pyetjen kush nuk di për qytetin Trgovishte
(një emër të tillë vendbanimi e mbaja mend nga Jeni Pazari ynë!), Brailë,
Brashov, Sibiu... por, gjithnjë duke pasur për cak qytetin e lashtë e të
bukur, Alba Julia, në zemër të Transilvanisë. Sa herë e kisha shqiptuar
këtë emër solemn e të hareshëm në të njëjtën kohë, po aq herë isha
impresionuar.
Tashti, veç jam në Transilvaninë e ëndrrave. Jam në kryeqendrën e
kësaj krahine me emër si të qëndisur me lule, jemi, pra, përfundimisht,
në Alba Julia të manifestimit.
Para se të them se qyteti i tëri kishte veshur rrobën e bardhë të
manifestimit. Alba Julia, ishte krejt afër, ose kështu me dukej mua,
qytetit me emrin e madh, Temishuar, ku është i koncentruar komuniteti
më i madh serb (prej njëzet e dymijë e pesëqind e tetëmbëdhjetë mijë
frymësh, sa ka gjithsejtë serbë në Rumani !). Aty, në Temishuar, thuhej
se mori fitilin, plasaritjet e para, rrënimi i kështjellës diktatoriale
çausheskiane. Dhe, pikërisht një grup rebelësh serbë, ishin ata
që i dhanë flakën këtij fitili! Pasi veç jemi të popullsia, struktura
përmbajtjesore e saj, kam rastin të qes në letër një pasqyre etnolinguistike
të Rumanisë. Sipas një nga regjistrimet më të reja, në
Rumani jetojnë shtatëmbëdhjetë milion e treqind e dyzet e pesëmijë,
ose tetëdhjetë e tetë presje pesë për qind rumunë, afro një milion
e gjysme janë hungarezë, përmbi gjysmë milioni romë, pastaj vijnë
ukrainasit, gjermanët, rusët, turqit, tartarët, serbët, sllovakët,
bullgarët, kroatët, grekët, hebraikët e tjerë. (Shqiptarë, as të ri as të
vjetër, nuk figurojnë në këtë pasqyrë!).
Për manifestimin s’ka ç’të thuhet më shumë. Ishte manifestim gjigant
kulturor. I organizuar mirë. Punimet i zhvillonte në shumë sektorë dhe
funksiononte si sahat.
Pas tri-katër ditësh të kaluara në Alba Julia, përsëri jam në Bukuresht.
Përsëri në të njëjtin hotel, në të njëjtën dhomë e, në njëjtin shtrat, nëse
doni...
Tashti Bukureshti është i imi, i gjithi. Mund t’i qasëm e ta “pushtoj” nga
të gjitha anët. Nga Jugu në Veri, nga Perëndimi në Lindje. Dy “engjëjt
mbrojtës” të mi, i kam në dispozicion e të disponuar. Ata, thash, do
të me plotësojnë çdo dëshirë, do të “mbulojnë” çfarëdo kureshtje që
shfaq. Pasi është kështu, e kështu është, ndjek udhën e instinktit dhe të
spontanitetit. Me Nipçen tim, kur kohën e ka të pjesëtuar në sekonda,
pas aq shumë angazhimesh që ka, për moshën e tij, pas aq shumë
shtigje të krijimtarisë, kur është në kulmet e saj, do të mbërrijmë deri
në oborrin e godinës ku ka banuar Victor Efetimiu, që për nder të
krijimtarisë se tij të pasur, si poet, dramaturg, estet, kritik dhe filozof
që ishte, pothuaj se para ditarësh se apartamentit të ti bukureshtar, i
është ngritur një bust, prej se largua, me gisht Nipçe me tregon teatrin
ku ka punuar ky njeri i madh i letrave. Dhe, “historiografia” e këtij
intelektuali, me origjinë shqiptare, që për fat, përpara se ta vizitoja
bustin e tij Bukuresht, kisha pasur rastin fatlum, të shoh Boboshticën
e tij, fshat afër Korçës, ku u lind. më 24 Janar 1889, për të arritur, si
detyrimisht, te rrëfimi për dy vizitat, njërën pas tjetrës, që ai i bëri
Shqipërisë, shtetit të vendlindjes.
Krejt kjo që pason është një interpretim i lirë: njëra, nga ato vizita,
po dihet, e dyta, do të jetë tragjike dhe vizitë e tij e fundit që i bënte
Shqipërisë se Enverit. Flitet se ky i fundit, si gjakpirës se shfarues i
planetit intelektual shqiptar, siç kishte qëlluar, i shkurtoi jetën këtij
poeti të madh, si edhe shumë e shumë njerëzve të tjerë, të shkencës
she të artit në Shqipërinë tij. Flitet se Eftimiu ndërroi jetë, diku në hava,
mbi krahët e një helikopteri ushtarak, në kthim e sipër nga Tirana.
Ndodhi kjo më 27 Nëntor të vitit 1972.
Dy faje (mëkate) siç mësoj jo zyrtarisht, i kishte bërë Victor zeza, gjatë
qëndrimit në Shqipëri. I pari ishte ai mbrëmjes të pritjes solemne në
Pogradec, ku (kur) kishte ardhur, pas aq shumë vjetësh. Çdo folës, e
ishin shumë të tillë, që folën atë ditë të kobshme për Victorin, thanë se
është nder për Pogradecin, Korçën e lindjes dhe për terë Shqipërinë, që
ai është në mesin e tyre, një ndër poetët më të mëdhenj shqiptarë. Kur
kjo u përsëritë një herë, dy herë, shumë herë dhe nga shumë shkrimtarë
mikpritës, për befasinë e të gjithëve, poeti legjendar Victor Eftimiu, pa
harruar të përshëndes të gjithë të pranishmit dhe të gjithë shqiptarët
kudo që janë, shkurt e shqip, (në interpretimin tim të lirë), deklaroi: Unë
nuk jam poet as shkrimtar shqiptar nuk jam, unë jam poet e shkrimtar
rumun, me origjinë shqiptare!!!
Nga heshtja e vdekjeje që “polli” nga kjo deklaratë, vizita e Eftimiut në
Shqipëri, sikur mori tatëpjetën. Vizita, do të “vizatohet”, në kontura të
qarta e të kobshme, pas vizitës që ai i bëri satrapit Enver, në Tiranë. Në
atë takim, dinaku E. Hoxha, e priti mirë e me salltanete shkrimtarin e
madh, (Enveri deklarata e Victorit në Pogradec, i kishte ardhur në vesh
më shpejtë së vetëtima), ndër të tjera, mysafirin e pyeti (përafërsisht)
se çfarë ishin përshtypjet tij për Shqipërinë, pasi atë e kishte parë gati
të tërën, (nga Korça, Pogradeci, Elbasani... e deri në Tiranë). Plaku i urtë
i ishte përgjigjur me kujdes të madh, por jo edhe me syçelëti të duhur.
Mirë e pashë Shqipërinë, mirë e pash. Ishin bërë ndryshime të mëdha.
Ishin shënuar të arritura të konsideruara, por sikur të bëhej edhe kjo e
kjo..., do të ishte shumë më mirë! Ani mirë, ia kishte kthyer Enveri, kur do
të vish prapë në Shqipëri, tash si mysafir imi personal, do të përpiqemi
t’i eliminojmë të gjitha ato që të kanë varë syrin! Ashtu edhe ndodhi.
Pas një viti Victor Eftimiu, përsëri ishte në Shqipëri. Tashti i bëhej pritje
edhe më e mirë se herën e parë. E kuptueshme: ishte i ftuar ekskluziv i
xhelatit vetë!
Derisa për pritjen dihet edhe ndonjë detaj, se çfarë ishte përcjellja e
mysafirit të lartë, çfarë kishte ndodhur me fatin e tij ndërkohë, sikur
nuk e, as që do ta di askush. Ai “fragment” është i mbështjellë me shtatë
palët e vello së zezë të misterit, ashtu siç kishte ndodhur, ndoshta edhe
më qindra herë përpara kësaj. Zotni Eftimu, kishte ndërruar jetë diku në
hava, duke ia “falur” shpirtin qiejve të gjithësisë. Kishe ndërruar jetë në
qiell, tamam ashtu, siç u ka hije poetëve të mëdhenj e të përmotshëm!
Nipçe im i dashur, bashkë me të cilin, kemi në dispozicion tërë ditën
e lume, do të shpie në selinë e Lidhjes se Shkrimtarëve të Rumanisë,
që kishte një godinë e ndërtuar në një stili të moçëm, por, që ishte
shumë të lezetshëm e të bukur, stilistikisht atraktiv. Pastaj do të
vizitojmë ndonjë redaksi gazete të përditshme, të ndonjë reviste.
Nipçe do t’i “shfletojë” një nga një, të gjitha muzetë, të njohur e më
pak të njohur, bibliotekat, shumë biblioteka. Do të kthejmë edhe në
ndonjë librari. Në raftet e paskajshme të të cilave do të gjejmë edhe
shumë titujt të librave dhe të romaneve të tij, të botuar ndërkohë,
në rumanisht.
Nipçe sot ka dalë të takohemi bashkë me gocën e tij Julia, që
asokohe, sa i kishte mbushë, shtatë-tetë vjeç. Një gocë si drita e
diellit pranveror, ishte ajo, syri i keq mos e paftë. Syshkruara kishte
shikim të mprehtë e kureshtar. Sa iu bë qejfi kur Mixha i babait të
saj, (do të thotë, Unë) i dhurova romanin “Le petit prince”, në gjuhën
rumune, kuptohet, në një botim fort luksoz, të autorit francez,
botërisht të njohur, Antoine de Saint-Exupéry. Çupëlina me emër
shumë të bukur e poetik, Julia, më shumë gëzohet për këtë dhuratë
modeste e të rastit, se që do të gëzohej për një thes të pafund (të
Babës Dimër), me çokollata, bonbone, karamele e ëmbëlsira të
tjera.
Edhe gjatë shëtisë nëpër rrugët dhe avenytë e pambarim të
Bukureshtit, edhe atëherë kur shembnin ndonjë sandviç të shijshëm
edhe atëherë, kur gjerbnim ndonjë kafe në ndonjë bistro, si sot, përball
Teatrit Comedy, drejtor i të cilit kishte qenë poeti rumun me origjinë
shqiptare, Victor Eftimiu, bisedat për letërsinë shqiptare (rumune e
botërore) ishin të pa fund. Pranë dallgëve të oqeanit të gjerë dhe të
thellë, dijesh e njohurish të dekanit të ri, shkrimtarit të frytshëm e më
perspektivë, të Ardianit, tashti lirisht mund të thuhet, rumun-shqiptar,
njohuritë e mia, ishin më së modeste, ashtu si mund të jenë të një juristi
të konvertuar në shkrimtar, siç është rasti im. Ngado që ecim, kudo
ndalemi, aparati fotografik në duart e arta të Nipçes, kurrë nuk pushon
së shkrepuri.
Pasi pajtohemi me Nipçen që, brenga një kohe të shkurtër, përsëri të vi
në Bukuresht, për të realizuar një dokumentar bashkë me të, pothuaj
se aktiviteti dhe fuqia e reagimit, të marrjes se shënimeve për ndonjë
udhëshkrim të mëvonshëm eventual, me braktisi krejt, notesi im i
shënimeve ngeli bosh, gjithnjë duke e ngushëlluar vetën, hajt se kur të
vi herën tjetër...
Pas kësaj marrëveshjeje (dypalëshe), u meka krejt, as pesë aspra (lek)
nuk i jepja për shënime e furnizim me njohuri. Plotësisht iu dorëzova
gëzimit të njohur kur njeriu viziton një qytet të madh e të panjohur.
Kështu ishte edhe atë ditë kur i bëmë në vizitë ambasadorit tonë të
radhës në Bukuresht, kështu ishte edhe atëherë..., gjithherë!
Realizimi i atij projekti filmik, sot e kësaj dite, nuk ndodhi, edhe më
keq, ky reportazh që duhej të ishte më i realizuari se të gjithë të
tjerët, që do të duhej të ishte shembull për të gjithë reportazhet dhe
shënimet e përmbledhë në këtë libër, doli kështu si doli. E natyrshme,
ky “reportazh” u shkrua, mbi përshtypjet tash të ndryshuara, e plotë
mugëtirë mbi to, të para sa vjetësh!
Malli...
Me ka marrë malli, (po sikurse I. Kadarenë, kur e rrokë “Malli i
Shqipërisë”), fort malli me ka marrë që, përsëri të vizitoj Bukureshtin
me krejt Rumaninë. Jo, nuk me djeg malli aq shumë as për Bukureshtin
as për Rumaninë, sa do e madhe që të jetë, aq sa me djeg malli për të
takuar serish Nipçen tim, Ardianin cili ndërkohë, ka bërë hapa kolosalë
në karrierë, ndërkohë bën punën e Rektorit të Universitetit Rumun
të Shkencave dhe të Arteve “Gheorghe Cristea” të Bukureshtit, që
është një nder i madh e, më sa dihet, është rasti i parë që një shqiptar,
pogradecar i ri, që mezi i ka kaluar të dyzetat, të zë një post aq të lartë e
me përgjegjësi aq të madhe, aq më parë në një shtet të huaj, me histori
e gjuhë tjetër.
Me Nipçen do të bisedojmë gjerë e gjatë për krijimtarinë tij shkencore,
për krijimtarinë letrare të tij në tërë spektrin e gjerë që ajo shtrihet,
roman, dramë, tregim, ese, pra, do të bisedojmë shtruar mbi atë
se, ndërkohë, me çfarë të mirash ka pasuruar kopshtin e vet dhe të
letërsisë shqiptare e rumune, i ka shtuar edhe ndonjë lule ngjyre të
fortë e më aromë të këndshme. Me Nipçen do të flasim më shumë, pra,
mbi punën e tij dhe të atit, që kurrë, në asnjë çast, nuk zë gjumi dhe nuk
rri rehat, edhe ai! Edhe ai gjithnjë shkruan, krijon,
përkthen...
Me Nipçen mbi gjithçka do të flasim më parë se për politikë, ani pse
edhe në këtë “pikë” ai është i fortë dhe fort mirë i informuam!
Megjithatë, biseda jonë do të dominohet me krijimtarinë e tij gjigante
letrare, por, edhe për artin përgjithësisht.
I dashuri Nipçe, m’i zgjedh disa vargje (një strofë) të V.. Eftimiut
kushtuar Bukureshtit, e sa i takon korrigjimit, duart (e arta) të Nipçes,
janë të lira...
Në romanin tim “Parisi kot”, gjatë fluturimit nga aeroporti i Sofjes, që ato
ditë (1992), ishte porti më i madh i zbrazjes, i braktisjes se shqiptareve
të Kosovës nga trojet e veta, sipëri hapësirës qiellore të Rumanisë,
kisha provuar, aq sa m’i zinte mendja në atë çast shkapërderdhje e vaji,
ti qes në letër disa nga ata penj që lidhin dy popujt tanë dhe, sidomos
kulturën dhe, kryesisht letërsinë. Nuk kisha pas (nuk kam as sot!) nga të
shkoja e të lëroja aq thellë, në të kaluarën nga se njohurit e mia, ajme,
ishin (janë) për të mos thënë të cekëta, janë tejet modeste në fushën e
historisë së letërsisë dhe të historisë së përgjithshme, përgjithësisht.
Me gjithë, hapësirën e ngushtuar (bri dhie!), të njohurive, me mendjen
gjok, me lehtësi e, ndoshta, pa minimum përgjegjësie e me naivitet,
kinse se bëja letërsi, ja se çka qita në letër atje. E riprodhoj pa asnjë
ndërhyrje, edhe më të voglën.
“... Kur avioni kishte zënë lartësinë e duhur, kur shpejt e
ngutas kishte kapërcyer atë cep të ngushtë të territorit bullgar, doli i
shtrirë dhe i qartë fluturimi mbi Rumaninë. Dëshmi miqësie të mëdha
me këtë shtet të madh ballkanik nuk ka aq shumë. Megjithatë, bashkë
me fluturimin mbi fushat e gjera e të pakufishme të saj, apo edhe mbi
vetë Karpatet, vijnë në kujtesë figura të shquara të artit, sidomos të
letërsisë shqiptare. E dashur shfaqet fytyra e bëshme dhe bujare
e Asdrenit, e poetit të qiellit Lasgush, e vetë Victor Eftimiut dhe e
shumë e shumë të tjerëve, që kanë jetuar dhe krijuar, gjithandej, nga
Bukureshti e në Konstancë, duke nxjerrë në dritë gazeta e revista
letrare, duke botuar libra letrarë e abetare, duke zhvilluar aktivitet të
spikatur e të rëndësishëm kombëtar, në këtë hapësirë të diasporës se
moçme shqiptare. Vargjet e poetit tonë të njohur Aleks Stavre Drenova
– Asdreni, të vijnë vetvetiu në vesh e të ngulitën për zemër dhe nuk
mund të shmangesh nga ato pa i “kënduar” deri në fund, përpos nëse
aeroplani aty për aty nis rrugën e katastrofës. Ja, ato vargje: /Rreth
flamurit të përbashkuar/ me një dëshirë me një qëllim/ të gjithë atje
duke u betuar/ të lidhim besën për shpëtim/ prej lufte veç ai largohet/
që është lindur tradhëtor/ kush është burrë e nuk frikësohet/ por vdes
si një dëshmor/ në dorë armët do t’i mbajmë/ të mbrojmë atdheun/ në
çdo kënd/ të drejtat tona ne s’i ndajmë/ këtu armiqtë s’kanë vend/.
“Kënga e Flamurit” përfundon këtu e mallëngjimi për
atdhenë s’përfundon, nuk soset kurrë, e askund.

Google+ Followers