RELIKTET E MBIJETESËS

 
Shkruan: Ahmet Selmani

Moikom Zeqo: Papagajtë e Nembrotit (tregime nga ex-Cyberia), botoi “Toena”, Tiranë 2012

a) Përsiatja e ekzistencës

Secilën herë kur janë bërë zbulime ose shpikje të mëdha për njerëzimin, gati në të njëjtën kohë është ringjallur edhe shqetësimi i njohur për ekzistencën e shumë gjërave që na rrethojnë, e në këtë rast, pa dyshim, edhe të letërsisë si formë shpirtërore, duke u shndërruar kështu në një temë debati në faqet e shtypit, si dhe në tribuna të ndryshme akademike. Kjo do të thotë se droja në fjalë është relativisht e vjetër, porse, sidomos në kohën tonë, rishtazi është ngritur deri në shkallën e një miti frikësues. Me sa duket, të gjitha çështjet e kësaj natyre kanë përfunduar shpejt dhe pa ndonjë pasojë esenciale, thjesht duke lënë në kujtesë vetëm një shije të hidhur lidhur me dilemën kaq të mistifikuar.
Mirëpo, e gjithë kjo shkundje e zhurmshme nganjëherë është bërë preokupim i veçantë tematik edhe për krijuesit e ndryshëm, kuptohet me një prirje të theksuar për t’i dhënë asaj një përgjigje më thelbësore dhe më të qëndrueshme, duke u përpjekur ta dëshmojnë pikërisht të kundërtën e asaj që ka ngjallur pasiguri. Kështu, edhe libri me titull “Papagajtë e Nembroitit” i autorit Moikom Zeqo shfaqet para nesh si një koncept sfidues ndaj frikës për ekzistencën e njerëzimit.
Duke e përshkuar të ashtuquajturën hapësirë kibernetike, të cilën e krijoi autori i shkencës fantastike Uilliam Gibson, kundruall së cilës ringjall metaforën mjaft interesante e cila ka të bëjë me papagajtë e kryembretit të Babilonisë, pra Nembrotit, sigurisht për të ndërtuar një domethënie filozofike dhe artistike shumë themelore, ku do ta orientojë gjithë vëmendjen dhe dhuntinë e tij krijuese. Me anë të kësaj synon ta përmbysë çdo kohë moderne sipas logjikës kalendarike, duke dalë nga lëvozhga e quajtur ex-Cyberia.
Megjithatë, duhet thënë se e tërë kjo sfidë letrare në pikëpamje esenciale është një formë e rindërtimit ose e rikrijimit, një rikompozim shumë i veçantë. Që do të thotë se në rastin konkret letërsia njëherësh është edhe objekt, edhe subjekt, edhe natyrë, edhe frymë, me çka vetvetiu arrin ta mposhtë luhatjen e saj, duke sinjalizuar qartë se kemi të bëjmë me një substancë të përjetshme e cila gjallon si grimcat atomike, për t’u sintetizuar në vazhdimësi si një lëndë e riformatuar në periudha të ndryshme. Në këtë mënyrë autori përsiat fenomenin e mistifikuar të ekzistencës pikërisht në rrafshin e gjerë të letërsisë e cila përherë arrin ta sublimojë me një logjikë estetike.

b) Konteksti i metaforës universale

Duke u mbështetur pikë së pari në kuptimin programatik të metaforës kyç, siç është ajo që lidhet me papagajtë nembrotik, duket se autori mëton të na fusë brenda një konteksti shumë universal, pra aty ku gërshetohet një tharm i pasur semantik në raport me kohën artistike.
Pra, sido që ta shohim shtrirjen e saj, përsëri do të arrijmë në një epiqendër të caktuar; fjala është për mbretin e mbretërve të Babilonisë i cili, megjithëse i urrente tej mase papagajtë, për shkak se parashikuesi i tij, Gurduku, nëpërmjet vështrimit të puplave të tyre, një ditë kishte profetizuar se atij do t’i ndodhte një katastrofë e madhe mu në kulmin e madhështisë, në fund detyrimisht u pajtua që mu këta shpendë t’i shpërndante në çdo shtëpi, me qëllim që t’i mbanin mend të gjitha fjalët që do të thuheshin nga njerëzit në gjuhën e tij, e cila njëditëzaj si e tillë ajo do të zhdukej, meqë rojave të tij ua kishte prerë gjuhën me qëllim që të mos e tregonin sekretin. Sigurisht kjo metaforë me përmasa kontekstuale e cila na vjen nga parahistoria dhe mitologjia, është një substancë letrare e ditëve tona, e cila na e përkujton mbijetesën e përgjithshme.
Në suaza të kësaj, autori përpiqet të na e tërheqë vëmendjen për faktin se bota e përsosur digjitale dhe kibernetike, në njëfarë mënyrë është mbijetesë ose relikt i këtyre papagajve. Metaforikisht këto janë substanca të vjetra, të harruara, të mistershme, që tani po na shfaqen me trajta të reja, të transformuara, të modifikuara, të përsosura. Kjo do të thotë se letërsia në mënyrë vetanake ia del ta tejkalojë mrekullisht atë që e quajmë mbretëri të kibernetikës, realisht duke mbetur si një formë sui generis që i tejkalon të gjitha kohët në kuptimin astronomik.

c) Dëshmitë substanciale

Nga vetë botëkuptimi filozofik se çdo gjë është substancë e pazhdukshme, vetvetiu ne mund të kuptojmë se edhe letërsia si art i fjalës është e tillë, e rikrijueshme, postume, metafizike. Për ta vërtetuar mbijetesën në suaza të kohës dhe hapësirës, autori na sjell një varg prozash të cilat bartin domethënien ekzistenciale të çështjes në fjalë. Me anë të dromcave tekstuale që i gjen nëpër libra e dokumente, ngjarjeve të çuditshme që i sheh ose i dëgjon, subjekteve të rralla që i vjel dhe i shpalos, shtjellimeve të lira që i bën me intuitë e imagjinatë, zhvendosjeve fizike në largësi të mëdha kohore, ripërmasimeve të habitshme të gjërave jetësore e historike, përmbysjeve objektive të pamëshirshme në situata të caktuara, shkundjeve marramendëse për të zbuluar esenca të nevojshme etj., ai vazhdimisht mëton ta sfidojë fuqinë dhe mitin modern të teknologjisë digjitale e kibernetike, duke krijuar gati një lloj qesëndie të stërholluar, një lloj katarsisi elegant brenda ndërgjegjes së trazuar.
Kështu na bën të kuptojmë se prozat e tij bartin në vete elemente të mjaftueshme teorike dhe praktike që i përkasin ekzistencës, për t’i ringjallur ato me një lehtësi të natyrshme pothuajse në secilën kohë reale, madje edhe në kulmin më spektakolar të epokës së tanishme kompjuterike. Bie fjala te “Qeni i polumbarit” mjafton lehja e qenit në kuvertën e anijes për të paralajmëruar rrezikun që i kanosej polumbarit të kredhur në det, duke e sfiduar me këtë çdo mundësi tjetër teknologjike dhe duke e spikatur me finesë mbijetesën ekzistenciale të njeriut; te “Koha e Kosgunit” e shohim teksa e trajton një takim me plakun Ukzar R. i cili rrëfen një varg gojëdhënash për kohën e Kosgunit, me çka logjikisht dhe intuitivisht shpalos arketipin pagan të njeriut si një dëshmi të mbijetesës në një mjedis shqiptar; në prozën “Bingfa e Sun Xusë” na e sjell një email halucinant lidhur me lajmin sipas të cilit gjenerali i antikitetit Sun Xu, që e shkroi traktatin “Arti i luftës”, është gjetur i gjallë në një shpellë në pjesën periferike të Shangait, me çka sërish ringjallja ndodh si një klishe në kohën tonë; në prozën “Qeni i Tobit” trajton një dëshmi lidhur me qenin që përmendet në Librin e Tobit, i cili lehtësisht identifikohet me qenin e njohur molos, përkatësisht me atë të Sharrit si një racë shumë e vjetër. Në këtë kontekst na e sjell një person që ka bërë një studim për këtë lloj lashtor të qenit, por që, si për ironi të fatit, e kafshon një qen bastard, i cili ka lindur nga kryqëzimet e sotme të sendërgjuara. Pra me anë të qenit të lashtë e sfidon qenin bastard, duke e nënkuptuar fenomenin e mbijetesës  etj.
Në këtë aspekt autori krijon një ndërlidhje të fortë imagjinative e reale, historike e fantazmagorike, shtegtuese dhe onirike, duke i tejkaluar të gjithë kufijtë e mundshëm të përfytyrimit, vetëm e vetëm që të ngjallë një pamje të veçantë lidhur me kuptimin e gjërave ekzistenciale. Në këtë rast nuk është me rëndësi as koha e as hapësira se ku ndodhen ato, por fytyrimi dhe ndjesia që na shpiejnë drejt esencave absolute. Kjo do të thotë se atij kryekëput i intereson vetëm substanca e cila është universale. Zbulimi i saj pastaj shtjellohet me mjete trilluese, duke krijuar plot variante dhe invariante, si një mundësi, vizion apo plotësim.
Bie fjala te “Vdekja e Homerit” merret me misterin që ka të bëjë me vdekjen e autorit në fjalë, duke na vënë para një shumësie lidhur me mundësitë e vdekjes së tij dhe duke krijuar një motërsim për të; po ashtu te proza “Zaratustra femër” në mënyrë plotësisht intuitive shtjellon një ide ndoshta të çuditshme dhe komike njëkohësisht, thjesht duke hedhur mendimin për ekzistencën e një Zaratustre të gjinisë femërore etj.
Në gjithë këtë rrafsh të gjerë ai merret vazhdimisht me praninë dhe mospraninë e gjërave që i përkasin ekzistencës, herë duke u nisur vetëm nga njëra, e herë vetëm nga tjetra, jo për ta sjellë substancën fizike të tyre, por kryesisht atë shpirtërore. Kështu në prozën “Statuja e kohës” duket se trajton idenë e një statuje që ndodhej në Olimp në shekullin IV para Krishtit, të cilën e kishte bërë skulptori Lisip, por që si e tillë kishte humbur. Autorit i mjaftojnë vetëm fjalët e poetit shumë pak të njohur, Posidipit, i cili kishte bërë një mbishkrim epigramatik për atë statujë, që ta ringjallë atë në kohën tonë pikërisht me anë të perceptimit ekzistencial që ka ajo në vizionin njerëzor. Pra mosprania e saj njëherësh është edhe prani e fuqishme. Të njëjtën gjë e bën edhe te proza “Mungesa” ku merret me zhdukjen e autorit Uoldon Kis, por që pikërisht kjo e shtoi aq më tepër praninë e tij, naturisht si një formë sui generis në pikëpamje të përjetimit. Nga ana tjetër, te “Grishja e biografisë që s’është” bën një shtjellim tjetër hipotetik, duke hedhur idenë se Gjon Buzuku nuk ka shkruar një libër, me çka krijon elementin e papranishëm si probabilitet filozofik dhe imagjinativ.

ç) Post scriptum ose porta e hapur

Në bazë të këtyre vëzhgimeve konceptuale ndërlidhen dhe funksionojnë mendimet apo esencat, dhe jo dëshmitë fizike apo konkrete. Me këtë tendencë ezoterike dhe epistemologjike depërton gjithandej universit tematik për ta kapur atë që është e përgjithshme brenda njeriut si qenie shpirtërore, për ta ngritur në një metaforë të pavdekshme dhe për ta relativizuar skajshmërisht ekzistencën në kontekstin e përcaktimit kohor dhe hapësinor.
Përballë gjithë kësaj del se letërsia është gjithmonë zanafillë, ngjizje,  lindje, fillim, tharm, grimcë etj. Duke u shfaqur vazhdimisht si një formë e vjetër dhe e re njëkohësisht, ajo s’bën asgjë tjetër në rrugën e saj jetësore, përveçse e ripohon ekzistencën e përjetshme. Megjithatë, kjo na bën të kuptojmë thellësisht se ajo ka nevojë të riformatohet në rrafshin konceptual dhe krijues. S’ka asnjë dyshim se substanca e saj mbetet e njëjtë; ajo lidhet me ekzistencën e përgjithshme. Prandaj,  ne edhe kur e pandehim atë si të mbyllur, pra si një post scriptum, në të vërtetë ajo mbetet një portë e hapur, siç pohon vetë autori. Në këtë mënyrë arrin ta zgjasë praninë e saj në mesin e njerëzimit, ta sfidojë edhe epokën moderne të teknologjisë së çuditshme digjitale dhe kibernetike. Pikërisht duke qenë e tillë, ajo hyn dhe del prej këtyre mekanizmave me një lehtësi të paimagjinueshme, duke dëshmuar se është shumë e shkathët dhe ndikuese.
Pra letërsia është edhe kibernetike, por edhe antikibernetike. Mbi të gjitha, ajo është sui generis, e papërsëritshme, universale, e gjithëkohshme, klasike, moderne etj. Duke u nisur nga kjo, libri “Papagajtë e Nembrotit” i M. Zeqos mbetet një sprovë konceptuale e fuqishme në këtë aspekt, një libër që të nxit të mendosh dhe të gjykosh për esencën e gjërave ekzistenciale, të flakësh sakaq frikën e vjetër për zhdukjen ose apokalipsin e ekzistencës në përgjithësi. Me një fjalë, është një libër i ideve të thella, i përsiatjeve të mprehta. Dhe si i këtillë, patjetër mbetet një libër ngushëllues, trimërues përballë jetës moderne që prodhon frikë dhe pasiguri.

Google+ Followers