Ndërthurja epike dhe lirike si dëshmi e mjeshtërisë letrare të Sadri Ahmetit



Hysni Ndreu





Nuk është më diçka e pazakontë që, në Shqipërinë paskomuniste, disa nga korifejtë e kulturës shqiptare vazhdojnë të mbeten thuajse të panjohur nga lexuesi i gjerë, shumë pak të trajtuar nga kritika dhe studimet letrare, qëllimisht të harruar nga institucionet kulturore. Deri më tash duket se jemi mjaftuar vetëm me nisma individësh të veçantë, dashamirës të autorëve të anatemuar, ndërkohë që institucionet përkatëse, të kulturës dhe shkencës, vazhdojnë të tjerrin harresë e mospërfillje ndaj një arti që klith i vetëm dhe në “pritje të dëshpëruar” për të fituar hapësirë gjeografike e shpirtërore, si dhe për të nxjerrë në pah atë vlerë që meriton. Ky short harrese u ka rënë në hise shumë prej autorëve e artistëve që nuk u pajtuan me totalitarizmin, ndër ta edhe Sadri Ahmeti, Martin Camaj, Frederik Rreshpja, Arshi Pipa e plot figura të tjera, për të cilat jo vetëm nuk është thënë sa duhet, por edhe ato pak që janë thënë, nuk e kanë sjellë të plotë përmasën dhe rolin e shkrimit letrar. 

Sadri Ahmeti, në marrëdhënie me artin dhe letërsinë, është më tepër një univers artistik që pret të zbulohet, një univers i artistit të ngjyrës dhe i mjeshtrit të fjalës, i cili magjinë e shkrimit letrar e ka skalitur veçanërisht në sendërtimin e poezisë së larmishme. Poezia e tij është atdheu i lirë, pa dhunime e burgime, pa mjerim dhe shkatërrim të qenies; në një farë mënyre, është atdheu i dëshiruar dhe i projektuar në morinë e librave poetikë, ku lëvrohen poemat dhe poezitë e laryshisë letrare. Befasia më e madhe e poezisë së Sadri Ahmetit, e kësaj dukurie të mëvetësishme, që pa humbur kohë, tashmë do të duhet hipotekuar në vlerat e mëdha shpirtërore, është fakti i vizatimit të atdheut, real dhe shpirtëror, në disa pamje. Midis këtyre pamjeve, teksa shtegtojmë në pyllnajën poetike të këtij autori, do të veçonim:

Së pari: Shenjat e një epizmi unik dhe specifik, i cili ka të bëjë me sjelljen përmes vargut, të llojeve të ndryshme të poezisë, të konceptimit dhe parashtrimit autorial të fatit të shqiptarëve në trojet etnike, ku veçohet tmerri i përjetuar në librin poetik Masakra e Tivarit; apo ditënetët e vrazhda në atdheun e komunizmit dhe të burgjeve të diktaturës, që na vijnë të gjalla në librat e tij, ku kemi të lëvruar gjerësisht poemën, numri i të cilave shkon në tetë dhe ku skicohet natyra epike e shkrimit poetik të autorit. Në këtë mënyrë, poezia e Sadri Ahmetit kthehet në një dëshmi shpirtërore të njëmendtë dhe të pakrahasueshme, ku paraqitet historia e poetit, e bashkëshkrirë në historinë e një populli që vuan tragjikisht, një populli ... Ku kallin krupë kumti krisma karikatorësh / kundruall kasolleve, konaqeve e kullave... 

Bashkëshkrirja e unit poetik me kombin/bashkëkombasit, në të gjitha hapësirat ku ato jetojnë, u jep një tjetër përmasë poezive të këtij autori, duke i bërë më të përbotshme ato, sepse mesazhi nuk transmetohet prej vetëm një individi, por nga një ndërgjegje e tërë kolektive. Frymëzim kryesor i Sadri Ahmetit duket se është bota shqiptare, mbi të gjitha, njeriu shqiptar, shpirti dhe fati i tij. Pra, e gjithë tematika e poezive të tij ndërtohet mbi ndërthurjen realitet konkret/realitet historik, por që të shkrira së bashku krijojnë një tjetër realitet, i cili jetësohet, para së gjithash, nëpërmjet strukturës gjuhësore dhe mesazhit poetik që përcjell, një mesazh unik dhe i ngjeshur me figurshmëri metaforike. Më konkretisht, le të shohim nga afër disa prej vargjeve të poemës Masakra e Tivarit: ... Unë përpëlitem, luftash i rrënuar / me kanosje për dështim / nëmos, shfarosje. / Ndër nofullat sllave dhe protezave të vllamëve / të infektuar nga kutërbimi / i kolerës së tufëzimit, / pa asnjë rrugëdalje / dhe pa shpresë shpëtimi. / Dardania antike e përflakur / përjeton Trojën e lashtë / që në thëngjij shkrin. / Tashmë jo vetëm nga jugu / nga të katër kahjet: / lindja, perëndimi, jugu dhe tani  veriu.

Nëpërmjet këtyre vargjeve, të befta dhe që anojnë nga rrëfimi i asaj ndodhie tmerri, autori ka krijuar një imazh të pazakonshëm poetik, që çdo receptues e ndien sipas mënyrës së vet, i jep përmasën e qenësisë përbërëse, të veçantisë, të komunikimit, si dhe shpalon universin poetik të poemës më të realizuar në krijimtarinë e Sadri Ahmetit. Vargjet e kësaj poezie dhe kuptimësitë që dalin prej tyre të përfshijnë menjëherë në dramën e tragjiken që i ka ndodhur një kombi të tërë. Përjetimi i kësaj tragjikeje bëhet  më i prekshëm për shkak të ndërlidhjes që poeti ka bërë qoftë me të shkuarën historike, qoftë me të tashmen, duke derdhur e shkrirë të gjithë unin e tij poetik, duke aktivizuar të gjitha energjitë dhe emocionet që nevojiten për ta çuar poezinë në skajet e një tendosjeje të pazakontë psikologjike. Kjo ka bërë që, sidomos te poema Masakra e Tivarit, të krijohen tablo sa rrëqethëse, aq edhe tronditëse, po kaq edhe artistikisht të papërsëritshme.

Së dyti: Në poezinë e Sadri Ahmetit, përveç pranisë së epizmit, vlerë e njëmendtë shpirtërore dhe estetike është edhe mënyra e rrokshme e një lirizmi të mëvetësishëm, që pranëvihet me humorin brilant; pra, kemi të bëjmë me një lirizëm shumëngjyror, human dhe mençurak, grotesk dhe shpotitës, i zi dhe i bardhë, që na sjell pranë një un poetik, domethënë, poetin e mirëfilltë, tepër të shqetësuar për fatin e qenies njerëzore, për fatin e kombit shqiptar, për fatin e lirisë. Bota e brendshme e poetit, përgjithësisht frymon në marrëdhënie të ngushtë me botën e njerëzve të tij, të gjinisë dhe gjakut, të fatit të jetës dhe mbijetesës së tyre në këto hapësira.  Përmes krijesës poetike, më së shumti imagjinare, madje edhe në rastet kur shtjellon konkreten të mbështjellë me një vello imagjinative, ai gjakon pasurimin dhe rindërtimin e vet shpirtëror dhe të njerëzve që e rrethojnë, gjë që na vjen edhe më e besueshme kur vetë autori, në një intervistë të hershme, shprehet: Përjetësisht i dashuruar për njeriun, jam tretur, jam t’holluar në fushën e poezisë dhe akuarelit, duke i quajtur të dyja anë të një medaljeje artistike dhe jam përpjekur të konsumoj mesazhe të fuqishme ndaj dashurisë që kam për njeriun nëpërmes këtij arti. Në këtë konglomerat artistik kam derdh krejt shpirtin në favor të rritjes së emancipimit shpirtëror të bashkëqytetarëve. (Artit tim) i kam dhënë frymën e dritës së Shqipërisë, që është një nga vendet më të bukura të Ballkanit, të mbushura me dritë dielli, me barishtet më erëmuese dhe me njeriun më të krisur edhe më të dashur. Për të bukurën jam konsumuar edhe fizikisht, edhe shpirtërisht për të komunikuar me njeriun. Në të vërtetë, këtu kemi edhe një vetëshpjegim dhe një autoportret të natyrës krijuese të Ahmetit, mjeshtrit të artit të fjalës, por edhe të akurelit.

Poezitë lirike, ku gjallon një shpirt i madh dhe i lirë, një natyrë e brishtë dhe qëndrestare, zënë një vend të konsiderueshëm në krijimtarinë e tij, por që shpalohen të plota në dy libra, posaçërisht te vëllimi poetik Një e qeshur harbon nëpër errësirë dhe te vëllimiVallja e katrahurave. Dashuria shihet më tepër si përmasë thelbësore njerëzore sesa si ndjenjë intime, shihet si diçka konceptuale, si një gjakim drejt lirisë, si një përmasë universale, që s’i përket vetëm një uni, që nuk është e hipotekuar tek askush. Edhe në rastet kur trajtohet si ndjenjë intime, ajo i kalon caqet e një dashurie të zakontë, del përtej kufijve të unit, shndërrohet në “çmenduri të pashërueshme”, “të trashëguar”, që gëlltit dëshpërimin, përtyp trishtimin dhe “...ngado, kurdo, mbjell gëzim”. Në disa vargje të shkëputura nga vëllimi poetik A do mund të takohemi nesër, poeti shprehet: E trallisur, / më përfshive në tërsëllimë! / Të përgjërohem: / mos më përpi pjesë-pjesë / më gëlltit njëherësh! / Ose bëhu e paqenë, / së toku me mua, / rrokopujë. / Ti dashuri e imja për tjetrin! / çmenduri e pashërueshme / e trashëguar... / gëlltite vargun e dëshpëruar! / përtyp trishtim! / dhe ngado, kurdo, mbill gëzim!

Së treti: Bashkëshkrirja, në shumicën e teksteve poetike, e të dyja këtyre gjendjeve të veçanta, pra e ngjyrave epike, ku ndjejmë shumë afër kohën e burgimeve dhe dëbimeve të pamerituara, po kaq edhe shpirtin rebel dhe krejt të lirë, të poetit që i këndon dashurisë, bukurisë femërore, si pak të tjerë të brezit të vet. Rrethana e shkrimit poetik, të ndërthurjes dhe e shkrirjes së përmasave epike e lirke, në fakt është gjurmë qe mbetet nga magjia e poezisë, po kaq është edhe treguesi më i mirë artit të tij, stilit të veçantë, pra, i mjeshtrit të shkrimit të poezisë, në një shteg jo shumë të ligjëruar në poezinë shqipe të përiudhës bashkëkohore. 

Siç shihet, uni poetik i Sadri Ahmetit, derdhur në morinë e librave me poezi, edhe dëshmon faktiken epike, të ngjarjeve tronditëse, edhe shpalos ndjesitë më të holla, më të brishta, që përshkojnë poezinë shqipe të shekullit XX. Në këtë mënyrë, ai kthehet në një shkollë unike të shkrimit poezisë jashtë shërbesës së kohës. Gjendur kështu në një befasi të pazakontë, në një atdhe poetik që kumton e komunikon në tri pamje njëherësh, vështirësia për të depërtuar në këtë univers është shumë e madhe. Poezisë së gjerë, e sidomos poetikës së pazakontë të Sadri Ahemtit, do t’i rrinte për shtat pohimi i bërë nga Luis Borgesi, sipas të cilit: ... gjëja më e rëndësishme e një shkrimtari është toni i tij, ndërsa gjëja më e rëndësishme e një libri është zëri i shkrimtarit, ky zë që mbërrin deri te ne, e poetika e Sadri Ahemtit i përmbush dhe shpalon të dyja cilësitë që sugjeron Borgesi.

Google+ Followers