Lumină din lumină



Vëllimi “Ditë nga drita” u promovua në festivalin “Lucian Blaga” në Sebesh (Rumani). Filozofi rumun Lucian Blaga në gjuhën shqipe

Marius Dobresku

Në datat 9-11 maj 2013, në Sebesh dhe Lancrëm në Rumani, u zhvillua një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore kushtuar shkrimtarit dhe filozofit rumun të shekullit të njëzetë, Lucian Blaga. Festivali Ndërkombëtar “Lucian Blaga”, tani në edicionin e tij të 33-të, mblodhi rreth veprës së mendimtarit dhe poetit të madh rumun studiues dhe krijues të huaj, artistë dhe interpretues nga e gjithë Europa.
Promovime librash, kumtesa, recitale muzikore, një film dokumentar, një ekspozitë pikture, janë vetëm disa nga momentet që u zhvilluan në Shtëpinë përkujtimore në Lancrëm dhe në Sebesh, në kuadrin e festivalit ndërkombëtar “Lucian Blaga”. Festivali gjithashtu përfshiu edhe një seksion të konkursit letrar dhe të artit, me 114 pjesëmarrës.
Morën pjesë rreth 30 personalitete nga Kluzhi, Sibiu, Brashov, Iashi, Targu Mureshi, Bukureshti si dhe vende të tjera, Gjermania, Bullgaria, Jordania, Moldavia, Spanja, Shqipëria, Serbia, Ukraina etj.
Festivali u kurorëzua me dhënien e disa çmimeve. Çmimi për përkthimin e veprës së Lucian Blagës iu dha studiuesit dhe përkthyesit shqiptar Luan Topçiu për përkthimin dhe parathënien e vëllimit “Lumină din lumină/Dritë nga drita”, edicion dygjuhësh rumanisht-shqip, Shtëpia Botuese Altip, Alba Iulia 2013, i pari botim në shqip i veprës poetike të Blagës. Përkthyesi do të fitonte dhe një çmim special të akorduar nga Fondacioni “Lucian Blaga”.
Për këtë vëllim, realizuar në kushte speciale botimi nga qendra kulturore “Lucian Blaga” e qytetit Sebesh, z. Constantin Salapi, drejtor i këtij institucioni si dhe organizator i evenimentit në fjalë, na tha se do të mbështeste ribotimin dhe promovimin në Shqipëri të këtij edicioni. Ai u shpreh se “është një arritje e veçantë që meriton gjithë nderimin tonë. Ky vëllim kompleton “familjen” e gjuhëve në të cilat është përkthyer Luacin Blaga. Në kuadër të këtij festivali u promovuan botime në gjermanisht, bullgarisht, shqip, serbisht, spanjisht, arabisht etj, kurse cilësia e përkthimit në gjuhën shqipe na bën të vlerësojmë përkthyesin”.
Për fat të mirë, letërsia rumune përfaqësohet në mënyrë dinjitoze në Tiranë. Janë botuar, ndër vite, pjesa më e madhe e klasikëve: Caragiale, Eminescu, Creanga, Sadoveanu dhe Eftimiu, dhe shumë nga shkrimtarët bashkëkohorë, si Marin Sorescu, Nichita Stanescu, Ana Blandiana dhe Cezar Ivanescu. Ja përse dalja në gjuhën shqipe e Luçian Blagës, poet i thellësisë filozofike, idhulli i një gjenerate të tërë në mesin e shekullit të kaluar, plotëson këtë tablo “familjeje”. Edicioni “Blaga” në shqip pati fatin të përkthehet nga një përkthyes i shkëlqyer, Luan Topçiu, doktor i shkencave filologjike, një njohës i letërsisë rumune si dhe njohës i mirë i dy gjuhëve, shqipes dhe rumanishtes.
Në fjalën hyrëse që paraprin 92 poezitë e Blagës, Topçiu bën një krahasim midis Blagës dhe postromantikut të poezisë shqipe, Lasgush Poradecit. I formuar intelektualisht në Rumani dhe me doktoraturë në Grac të Austrisë, duke pasur si temë poezinë e Eminesc-ut, Poradeci solli në poezinë shqipe një romantizëm të një rafinamenti të rrallë. Paralelizmi është perfekt: “Të dy do të shkolloheshin në Austri, njëri në Vjenë tjetri në Graz në një periudhë historike të afërt, për të dy do të luante një rol përcaktues kultura gjermane dhe gjuha gjermane. Por është tashmë një fakt i mirënjohur dhe ndikimi që do të luante poezia rumune në formimin e Lasgush Poradecit. Si element lidhës në rastin e dy poetëve është dhe lidhja me filozofinë indiane, prej saj do të merren terma, motive, ide: tema e kohës së pafund, përjetësisë, gjumi dhe heshtja, fshehtësia, si mënyra për të prekur absoluten”, – shkruan Topçiu në parathënien e tij.
Nëse do të ndaleshim një moment në përkthimin shqip të Blagës, duhet nënvizuar përpjekja e përkthyesit për të transferuar të gjitha valencat poetiko-filozofike të poezisë blagiane, tipare këto unike edhe në vetë poezinë rumune, tipare që është tepër vështirë t’i sjellësh në një gjuhë të huaj. Dhe besoj se ia ka dalë mbanë plotësisht, sepse version shqip i poezisë së Blagës krijon një emocion të veçantë, një ndjeshmëri të lartë, një kadence të ngjashme me variantin origjinal. Kjo ndodh sepse Luan Topçiu është i lidhur me gjuhën rumune, e shkruan, e flet dhe e ndjen me lehtësinë e një njeriu që e ka gjuhë amtare. Përveç kësaj, ajo që dëshmon si një interpretues i mire i të dyja letërsive, rumune dhe shqipe, janë studimet e tij në fushën e letërsisë së krahasuar. Tema e punimit të tij të doktoraturës “Ndjenja e mallit në letërsinë popullore dhe të lëvruar shqipe e rumune” të cilin e mbrojti në Universitetin e Bukureshtit më 2001, flet më shumë për këtë.
Vëllimi në gjuhën shqipe u promovua në qytetin Sebesh gjatë ditëve të festivalit “Lucian Blaga”, ku u promovua i gjithë “inventari” Blaga në gjuhë të huaja. Për më tepër, sipas përkthyesit, ky edicion në shqip, do të publikohet gjatë këtij viti edhe në Shqipëri, nën përkujdesjen e njeriut të shquar të kulturës dhe shkrimtarit të njohur shqiptar, Visar Zhiti.

Google+ Followers