Luljeta Lleshanaku Shqipëria, vendi ku nuk gjen kurrë paqe

Pyetësori i Prustit


Luljeta Lleshanaku

Poetja Luljeta Lleshanaku e ka një arsye që zhvendoset herë pas here në Nju Jork. Është qyteti ku do t’i pëlqente të jetonte për gjithçka që ai ofron. Zbulimi i asaj çfarë nuk shihet në çmendurinë dhe ritmin e këtij…

Cila është ideja jote për lumturinë?

Momente të cilat na bëjnë të ndjehemi mirë, në kohë të vështira. Një llogari kursimi, do ta quaja. Ne kurrë nuk ia japim çmimin që meriton në kohën që ndodh, por vetëm pasi ajo ka marrë fund.

Cila është frika më e madhe?

Errësira dhe ambientet e mbyllura. Shpesh më zë paniku në dhoma pa dritare, madje edhe në avion, kur kujtohem se nuk ka dalje.

Kë person të gjallë admironi më shumë?

Njëri prej tyre është regjisori Stiven Spilberg, me mënyrën se si ai i jep kuptim ekzistencës humane; se si nxjerr më të mirën tonë dhe e ngre në art përmes filmave të tij.

Cili është ai tipar i të tjerëve që të ngjall mëshirë?

Të kënaqurit me pak.

Ekstravaganca jote më e madhe?

Kam marrë pjesë nja dy-tri herë gjithsej në mbledhjen e prindërve në shkollë.

Cili është udhëtimi yt i preferuar?

Australia. Shkretëtira më tërheq shumë. Është e pastër, siç e quan Lorenci i Arabisë.

Në ç’rast mund të gënjesh?

Sa herë që e shoh se e vërteta nuk lehtëson asnjërën palë.

Personi që përçmon më shumë?

Ata që nuk besojnë në asgjë. Ky është edhe burimi i gjithë deformimeve të tjera, besoj.

Cilat fjalë ose shprehje përdor më shpesh?

“Pa, hë njëherë…” (me qesëndi) dhe “Larg qoftë!”. Të dyja i përdor me humor, sepse tonet serioze më lodhin. Pak e nga pak, futjen e shakave vend e pa vend, e kemi kthyer në stil jetese edhe në familje, ku askush nuk flet seriozisht për asgjë. Thjesht jeta bëhet disi më e përballueshme, kështu.

Pengu yt më i madh?

Shpeshherë ndjehem e penduar që nuk u largova nga Shqipëria që kur u hapën ambasadat apo në ’91-shin. Por nga ana tjetër, ndoshta Shqipëria është vendi më i përshtatshëm për të shkruar letërsi, sepse për fat, nuk gjen kurrë paqe. Në Shqipëri çdo ditë ndodh diçka, e cila harrohet ditën tjetër, sepse e nesërmja sjell të tjera risi. Ka vend për irritim, ankth, luftë, por kurrë mërzi. Duhet të jetë e mërzitshme të jetosh në një vend kur jeta është deri diku e parashikueshme.

Kur dhe ku ke qenë e lumtur?

Besoj se e di se ç’do të thotë të jesh i lumtur, por po kujtoj njërin prej tyre, që është më pak personal: 20 shkurtin 1991, kur u rrëzua busti i Enver Hoxhës. Kam qenë shtatzënë me vajzën e madhe, dhe po e ndiqja performancën përmes radios dhe më rridhnin lot gëzimi. Ka qenë një emocion i jashtëzakonshëm historik.

Në ç’gjendje shpirtërore je tani?

Pa ulje-ngritje të mëdha emocionale. Para pak ditësh takova këtu, në SHBA, një mikun tim, të cilin kisha nëntë vjet pa e parë. Ai më tha: “Më dukesh shumë më ndryshe këtë herë.“ “Pse, si të dukem?” – e pyeta e habitur. “Dukesh e përmbushur dhe e sigurt tek vetja…”. Qesha, dhe i thashë: “Asgjë nuk ka ndryshuar Bleik; këto janë shenja të moshës”.

Nëse do të mundeshe të ndryshoje diçka nga vetja, çfarë do të ishte?

Të mos vija intuitën në vend të parë. Jam tepër intuitive, gjë që më ka ndihmuar, aq sa edhe më ka prishur punë.

Ç’gjë e konsideron arritjen tënde më të madhe?

Të gjithë ata njerëz të veçantë, unikë, të jashtëzakonshëm, që kam pasur fatin t’i takoj.

Po të vdisje dhe të mund të mishëroheshe në një tjetër njeri apo diçka
tjetër, çfarë do të dojë të ishe?

Meqenëse kam deficite gjumi në këtë jetë (vuaj nga pagjumësia), do të preferoja që në atë tjetrën, të isha ndonjë ari polar që të mund të flija gjashtë muaj rresht pa ndërprerje.

Cili është sendi më i çmuar që zotëron?

Karfica; nuk rri dot pa të. Nuk i duroj flokët të më zënë shikimin.

Kë quan pikën më të thellë të mjerimit?

Humbjen e njerëzve të afërm.

Ku do të pëlqente të jetoje?

Në New York. Dhe jo për atë që shihet, por për atë që nuk shihet. Për çmendurinë, për ekstravagancën, për neurozën, për ritmin, për të mundurën dhe të pamundurën që paraqet për gjithkënd ai qytet. Madje kjo më kujton një këngë të viteve ’60, “I guess the Lord must be in New York City.”

Ndër veprimtaritë që merresh, cila është e preferuara juaj?

Filmi. Por si spektatore.

Cila është karakteristika juaj më e spikatur?

Më pëlqejnë sfidat. Nganjëherë marr përsipër gjëra, të cilat as që do të më kishin shkuar ndërmend. Mendoj se kjo është edhe bukuria e jetës: të provuarit.

Veçoria që pëlqen më shumë te një mashkull?

Urtësia, e cila shoqërohet me një lloj melankolie.

Veçoria që pëlqen më shumë te një femër?

Inteligjenca e përzier me humor.

Cilët janë shkrimtarët e preferuar?

William Shekspir, Yehuda Amichai, Isak Basshevic Singer, Ernest Heminguei, Charles Dickens, Cesare Pavese, Tomas Man, Wislawa Szimborska, Josif Brodski, Yannis Ritsos, etj. Ose përmend Shekspirin, dhe nënkupton të gjithë të tjerët.

Cili është heroi yt në art dhe kulturë?

Van Gogh-u, i cili krijoi gjithë ato kryevepra, pa pritur për aprovim. Të vetmen punë që arriti të shiste sa qe gjallë, ishte një vepër, të cilën ia bleu i vëllai për ta inkurajuar. Ai, po, ai kishte integritet.

Kë ke heronj në jetën reale?

Rrethi familjar ku jam rritur, nga nëna edhe nga baba. Të dyja palët kishin figura të njohura politike. Do të doja të kisha vetëm një për qind të idealizmit dhe guximit të tyre…

Cilat gjërat nuk të pëlqejnë fare?

Gjërat e vogla. Më shpërfytyrohen njerëzit që merren me vogëlsi dhe bëhen peng i tyre.

Si do të të pëlqente të vdisje?

Pa e ditur që po afrohet. Sido që të vijë, por thjesht të vijë papritur.

Cila është motoja juaj?

Motoja ime është : “Shih vetëm përpara! Mos ngec kurrë në asnjë vend dhe asnjë çast!”

Mapo

Google+ Followers