Londo: Rasti Stani- Lleshanaku, kur Lidhja edhe të martonte



  • Përveç dënimeve që jepnin gjyqet, kishte dhe një dënim tjetër, dënimi me vetmi, me harrim, me izolim 
  • Drejtuesit e censures nuk “orientonin” vetëm mendimet e shkrimtarit, por duhej të martoheshe me atë që donin ata. Shkrimtari Lazër Stani kishte filluar lidhjet me poeten Luljeta Lleshanaku

Bardhyl Londo

- “Jeta që na dhanë” i Bardhyl Londos është një libër me kujtime të brezit të tij. Në kapitullin e V të këtij libri gjenden kujtimet gjatë periudhës që Londo ka qenë pjesë e Lidhjes së Shkrimtarëve. Kanë qenë plotë 20 vite që ai i kaluar si gazetar, kryeredaktor dhe kryetar i Lidhjes, derisa më pas u kthye përsëri, në Ministrinë e Kulturës. Ndonëse nuk ka dal ende nuk ka përfunduar procesi i botimit nga “Toena”, por që në fillim ka ngjallur kureshtje dhe debat. “Nuk e di nëse Bardhyl Londo ka shumë për të thënë për Lidhjen, por mund të them se ai është një nga protagonistët, një nga shkaktarët kryesorë të rrënimit, shkatërrimit, e korrupsionit në Lidhjen e Shkrimtarëve" thotë Hysen Sinani kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për gazetën “Shqiptare”. Kjo është akuza e parë publike që i bëhet shkrimtarit Bardhyl Londo, në një kohë kur libri ende nuk ka dalë. …Rasti e solli që pas shumë vitesh që kur kisha ikur nga Lidhja ku kalova një periudhë njëzetvjeçare si gazetar, kryeredaktor dhe kryetar i Lidhjes, të kthehem përsëri, kësaj here në Ministrinë e Kulturës. Isha duke ndjekur ndeshjen Bullgari-Shqipëri që luhej në Sofje kur një gazetare e kulturës e gazetës Shekulli diçka më pyeti për një vendim qeverie i cili do ta kthente godinën e dikurshme të Lidhjes në Ministri Kulture. Po shikoj ndeshjen, i thashë, më merr më vonë. Kur mori përsëri i thashë të vërtetën se nuk dija gjë dhe se tani po e merrja vesh lajmin. Tetë vjet që isha kryetar në Lidhje dhe të tjerë që erdhën pas meje mundëm ta ruanim godinën e Lidhjes megjithëse tundimi për ta marrë në administrim ka qenë i përhershëm dhe i fortë. Por erdhi një ditë që kjo godinë po keqmenaxhohej deri në masakrim dhe ata që kishin përgjegjësinë e patolerueshme për këtë në vend të reflektonin dhe të dinin si të mbronin godinën, fajësonin paraardhësit e tyre, kërkonin të gjenin fajtorë pa faj. Ditën e përurimit të kësaj godine të rikonstruktuar dhe të përshtatur për ministri, me gjithë thirrjet telefonike të ministrit të atëhershëm Ylli Pango që donte një fotografi me gjithë stafin, nuk pranova të shkoj. Fotografia më dukej si një lloj tradhtie ndaj së kaluarës sime. Edhe të nesërmen kur më pyeti ministri se në cilën zyrë dëshiroja të punoja, me shaka i thashë se këtu, në këtë godinë, unë jam i vetmi pronar nga të gjithë ata që punojnë… E mendoja me më shumë emocion rikthimin tim në këtë godinë ku kam aq shumë kujtime të të gjitha ngjyrave dhe ngarkesave emocionale. Por nuk doli kështu. Për çudi që ditën e parë të rikthimit e deri sot, më duket se kam të bëj me një ambient që nuk më prek aspak, më duket sikur hyj e dal në një muze gati të vdekur ku nuk ndiej asnjë zë të ngrohtë, asnjë ngjyrë të më tërheqë. I vetmi tundim që ngre krye herë pas here brenda meje është tundimi për të dëshmuar përvojën time me ministrat e shumtë që ndërrova gjatë kohës që kam punuar në Ministri. Kjo, duke i shtuar vitet e përvojës sime politike, më pëshpëritin gjithmonë dhe herë pas here dëgjoj zërin e tyre të më thonë: jemi këtu…këtu… tu… Nuk është çudi t’u rikthehem këtyre kujtimeve. Tani për tani është vetëm një tundim. Por unë e di mirë se tundimi për të rrëfyer dhe për t’u rrëfyer shpeshherë është i parezistueshëm…  
Lazri dhe Luljeta po “shkatërronin rininë e pastër shqiptare”
Shkrimtari Lazër Stani, që atëherë kishte botuar disa tregime  shumë të bukura dhe i ishte imponuar realitetit letrar shqiptar  si një shkrimtar “ndryshe” jo si tipi i shkrimtarit me të cilin ishte  mësuar ky realitet që e kishte formuar dhe pranuar censura, në mënyrë  krejt të natyrshme kishte filluar lidhjet me poeten Luljeta Lleshanaku  me të cilën jeton edhe sot e kësaj dite. Por Lazri, që aso kohe punon te te gazeta “Zëri i rinisë” nuk duhej të fejohej me Luljetën, sepse ajo  ishte mbesë apo fis i Abaz Kupit. Problemi kishte shkuar deri në kupolën  e Komitetit Qendror të rinisë. Lazri dhe Luljeta po “ shkatërronin rin inë e pastër shqiptare”. Faruk Myrtaj vjen një ditë në një gjendje sa  të këpuste shpirtin. E more vesh, më tha. Lazër Stanin e kanë vrarë  duke kaluar kufirin... Për fat të mirë, lajmi nuk ishte i vërtetë. Lazri për  shkak të problemeve vërtetë absurde që i kishin hapur, ishte ngujuar  disa ditë në Pultin e tij, në Dukagjin.   

“Kur isha kryeredaktor i “Dritës” e kuptova sulmin e “Zërit të popullit” 

Në vitin 1986 kur u ndodha për një vit kryeredaktor i komanduar i “Dritës” e kuptova mirë se çfarë kuptimi kishte të të sulmonte “Zëri i popullit”. Kjo gazetë që kishte të drejtën të bënte gjithçka dhe askush nuk mund t’i përgjigjej qoftë dhe për t’u mbrojtur, çdo ditë të diele faqen e tretë filloi t’ia kushtojë problemeve të letërsisë dhe arteve. Por në vend që të merrej me këto probleme, sulmonte vetëm gazetën “Drita”, e gjykonte dhe etiketonte atë sipas dëshirës së redaktorit të saj mendjeshkurtër. Ishte një situatë shumë e tensionuar dhe fyese: çdo të diel prisnim ditën e gjyqit. Kur qëllonte që për arsye të ndryshme nuk përmendeshim në faqen e tretë “të gazetës mëmë” fillonim të bënim humor të hidhur me veten: çfarë kemi bërë që na paska harruar “gazeta mëmë”? Në fillim të atij viti hapëm një diskutim për gjendjen e përkthimeve në Shqipëri. Pa dyshim që ishte një diskutim shumë i mirë për atë kohë. Mundëm të tërheqim në diskutim edhe figura të tilla të përkthimit si Lasgush Poradeci (e ringjallëm, pra) apo Robert Shvarci. Gazeta filloi të kërkohej shumë më tepër se më parë, madje të diskutoheshin gjerësisht në qarqet letrare ato që shtroheshin në faqet e saj për përkthimet. Siç duket i kishim nxjerr këmbët jashtë madhësisë së jorganit që na kishin caktuar. Atëhere nuk vonoi kundërpërgjigja e së dielës. Ishte një shkrim i stërgjatë që, ndryshe nga herët e tjera, shtrihej në dy apo tre faqe të “gazetës mëmë”. Edhe autori ishte krejtësisht special. Ishte përdorur Hamit Beqja, i njohur për autoritetin e tij në Komitetin Qendror dhe për lidhjet e tij të ngushta me Ramiz Alinë. Shkrimi ishte shumë fyes dhe irritues. Donin të na mbyllnin gojën duke na sulmuar atje ku ishim më të fortë. Sulmonin pikërisht diskutimin e hapur për përkthimet dhe na akuzonin se hidheshim degë më degë. Nënteksti, apo më mirë urdhri, ishte i qartë: mbylleni gojën dhe duhet të merreni me ato diskutime që i përcaktojmë ne. 

Ndjesinë që shkaktonin korridoret nuk i prishte as bilbili i Teodor Kekos

Korridoret e Lidhjes, sidomos kati i tretë, ishin shumë hijerëndë. Për atë që vinte nga jashtë dhe sidomos nga provinca ata impononin një lloj respekti që mund të arrinte deri në misticizëm. Për ata që punonin atje nuk ekzistonte fare kjo ndjesi. Ndjesinë që u shkaktonin të jashtëmve këto korridore nuk mund ta prishte as bilbili i Teodor Kekos. Nuk e di ku e kishte gjetur Dori një ditë një bilbili polici apo arbitri dhe i frynte në krye të korridorit si një polic trafiku. Ata nëpunës që ishin lart zgjatnin kokën nga zyrat e tyre për të parë ngjarjen e jashtëzakonshme. I pari e nxori kokën Kujtim Buza, pas tij Fehim Ibrahimi, të dy sekretarë të Lidhjes. Buzëqeshën dhe u futën prapë në zyrat e tyre. Dori i fryu edhe nja dy herë bilbilit dhe pastaj e futi në xhep. Çfarë bën, e pyeta. Kot, tha, se si më duket kjo qetësi...  

Gabimet në gazetën Drita

 “Dritën” e shikonin me lente zmadhuese dhe kur nuk gjenin gabime ndodhte të dëshpëroheshin shumë. Nuk kaloi shumë dhe na ndodhi “bëma” tjetër. Në një tregim të Jakov Xoxës botuar në përvjetorin e tij, ishte fjala bythë ose më saktë b... që ai e kishte përdorur vetë. Meqë sapo na kishte ndodhur rasti me tregtarin partizan, dikush shfaqi dyzimin si do pritej kjo fjalë që kishte përdorur Jakov Xoxa. Mirë ai që e ka përdorur, po ju ku i kini sytë që e botoni, përse iu kemi venë aty? Atëherë u detyruam të lajmërojmë shefin e drejtorisë së shtypit sepse gazeta ishte shtypur tashmë. Por, tha ai, tashmë ka përfunduar, gazeta nuk mund të anulohet, çfarë propozoni të bëni? E vetmja mundësi ishte ta kruanim faqe për faqe në të gjitha gazetat germën b..., gjë që ishte e pamundur. Mirë, tha shefi i shtypit, kruani atëherë vetëm ato kopje që vijnë në Bllok dhe nëpër zyra. U thërrit gjithë redaksia, morëm nga një copë qelqi dhe vazhduam të kruajmë deri sa erdhi makina që do të merrte gazetën ta shpërndante. Xani, përgjegjësi i turnit të shtypshkronjës, vinte dhe na thoshte: ju jeni të marrë, askush nuk ka për ta kapur këtë. Kur mbaruam, veçuam rreth dy mijë kopje që kishim arritur t’i kruanim dhe iu lutëm Xanit që këto kopje t’i çonte patjetër në Bllok dhe nëpër zyra. Mos u bëni merak, tha Xani dhe nënqeshte nën buzë. Të hënën, në mbledhjen e redaksisë, ra telefoni. Ju, tha zëri nga ana tjetër e telit, nuk jini fare seriozë. Edhe më thatë vetë që do ta kruanit gazetën dhe mua më ka ardhur gazeta me bythë. Të paktën mos më kishit thënë. Ishte shefi i shtypit. E kuptuam që kjo ishte shakaja ose hakmarrja e Xanit të cilin bashkë me veten e kishim mbajtur në shtypshkronjë deri në mëngjes: kopjet që kishim kruar gjithë natën ai i kishte nisur në Pukë dhe Tropojë.

Google+ Followers