Libra në trotuare

EDMOND TUPJA


Libra në trotuare. Shtruar. Shtrirë. Hedhur. Memecë. Në acar. Në djegagur. Nganjëherë në shi. Mushama përsipër. Futje e nxituar në kuti. Libra në trotuare. Të përdorur. Të rinj. Dukuri e re kjo në Shqipëri, karakteristike e tranzicionit pasdiktatorial. Zhvleftësim. Përtokë “Komedia Hyjnore” e Dantes. Përtokë dramat e Shekspirit. Përtokë “Don Kishoti” i Servantesit. Përtokë komeditë e Molierit, tragjeditë e Rasinit. Përtokë Dostojevski, Pushkini, Pasternaku. Përtokë Niçja. Përtokë Frojdi. Përtokë Hemingueji. Përtokë Markezi. Përtokë Kadareja, Agolli e shumë të tjerë shkrimtarë shqiptarë. Asnjë fjalë në mediat e shkruara apo elektronike për këtë dukuri mjerane me të cilën jemi mësuar kaq shumë, saqë nuk na bën më përshtypje. Ndërkohë ato vlojnë për politikën, thashethemet VIP, krimet më të përbindshme, kotësitë më të sipërfaqshme, me kile, me tonelata, të njoma e të thata. Kureshtarë, të etur, të uritur, të babëzitur, sidomos tani, në periudhë zgjedhjesh, u turremi vetëm gazetave, ngulemi vetëm para televizorëve. Nëpër kafene kanë nisur takimet e tubimet e kandidatëve për deputetë me zgjedhësit. Nëpër bare e kafene ku nuk ka libra: Danteja, Shekspiri, Servantesi, Molieri, Rasini, Pushkini, Dostojevski, Pasternaku, Niçja, Frojdi, Hemingueji, Markezi, Kadareja e Agolli, ndër shumë e shumë të tjerë, nuk janë klientë të tyre. Sa më shumë flitet, aq më pak lexohet, aq më pak mendohet. E para ishte fjala. Fjala e thënë, sigurisht, se fjala e shkruar është më e vonë, se fjala e lexuar është edhe më e vonë, se fjala e menduar ende nuk ka hedhur rrënjë si duhet te njeriu, veçanërisht tek i quajturi homo albanicus. Me shumë gjasë, edhe ndonjë libër i imi bën pjesë në ushtrinë e madhe të librave që dergjen trotuareve. Që dergjen pa gjetur prehje. Se prehje librat gjejnë vetëm në biblioteka e në librari. Do të ishte shumë interesante, për shembull, sikur të shikonim cilët nga librat e trotuareve gjenden edhe në bibliotekat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit, sikur t’i pyesnim cilët janë 23 autorët e tyre më të dashur, 23 librat që kanë lexuar prej tyre, 23 librat që, të paktën, i kanë rilexuar një herë, sikur t’i pyesnim gjithashtu nëse dhurojnë apo u dhurojnë ndonjëherë libra. Meqenëse, prej disa vitesh edhe politikanët tanë, sidomos nga krahu i majtë, po rreken të shkruajnë libra, pra, të hyjnë në historinë dhe në tregun e letërsisë shqipe, vërej që librat e tyre nuk i gjen nëpër trotuare. Sa çudi! Sa çudi e madhe! Sa çudi ndërkombëtare, madje edhe ndërplanetare! Librat e tyre u lexuakan te ne më shumë se kryeveprat e letërsisë botërore! A nuk do të lëndoheshin nga ky fakt shqiptaro-shqiptar Danteja, Shekspiri, Servantesi, Molieri, Volteri, Hygoi, Pushkini, Dostojevski, Pasternaku, Hemingueji, Markezi e plot të tjerë, që i kanë dhënë njerëzimit kryevepra të paharrueshme? Ndoshta ka sot mendje që këtë lëndim apo, më saktë, ndjenjën virtuale të të lartpërmendurve se në Shqipëri po u bëhet një padrejtësi, e konsiderojnë si të pathemeltë, meqë kryeveprat letrare botërore janë medoemos “fiction”, pra, trillim, d.m.th. gënjeshtër në fund të fundit, sado e madhërishme qoftë ajo, veçanërisht kur në Festivalin e Fjalës të zhvilluar tani vonë, më se 75 000 veta, në 84 vende, e cilësuan, pas një votimi serioz, emrin “gënjeshtër” si Fjalën e Vitit dhe, automatikisht, romancierët rezultuan se janë gënjeshtarët më të mëdhenj! Për rrjedhojë, gënjeshtrat e gënjeshtarëve që sapo përmenda e kanë vendin në trotuare, kurse politikanët shqiptarë, sidomos ata që duan të bëjnë letërsi, bëkan përjashtim dhe “kryeveprat” e tyre e paskan vendin kudo, vetëm në trotuare jo! Sidoqoftë, i premtoj lexuesit tim të vëmendshëm e të paanshëm se, mëngjesin e 23 qershorit do të dal herët nga shtëpia e do të bredh gjatë trotuareve për t’u hedhur një sy të përmallur kryeveprave që dergjen trotuareve para se të shkoj të votoj pesë minuta para mbylljes së qendrave të votimit. Do të votoj duke shpresuar, ndër të tjera, se politikanët shqiptarë me tundime letrare do t’i thërrasin mendjes dhe do të heqin dorë prej tyre, të paktën për aq kohë sa të jenë deputetë – nëse zgjidhen, sigurisht –, sepse nuk mund të jenë njëkohësisht edhe baballarë të kombit, edhe njerka të letërsisë shqiptare, e cila, duam apo nuk duam, bën modestisht pjesë në atë botërore.

Google+ Followers