Lasgush Poradeci: Miqësia me gazetaren ruse

Petraq Kolevica sjell në një libër detaje nga miqësia e gjatë me Lasgush Poradecin

Poeti (Lasgush Poradeci) pikturë nga Stefan Taçi

Ata do të takoheshin për herë të parë në shtator të vitit 1957. Atëherë një djalosh që sapo kishte mbaruar Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe kishte nisur punën që gjithnjë kishte ëndërruar si arkitekt projektues, takimi me poetin do t’i zgjonte një ëndërr tjetër të vjetër që flinte brenda tij, poezinë. “Njohja s’ishte gjë tjetër veçse nja dy takime te veranda e shtëpisë së tij në Tiranë”, kujton përkthyesi dhe arkitekti Petraq Kolevica. Shtëpitë e tyre ndodhen vetëm pesë minuta larg njëri-tjetrit, dhe ndoshta kjo ishte një arsye që miqësia të bëhej më e fortë. Por teksa rikthehet në vite, gati gjysmë shekulli më parë, Kolevica kujton se menjëherë pas njohjes, Lasgushi u shtrua në spitalin Extrapolmonar të Vlorës. “Fati e solli që edhe unë të punoja në Vlorë për ndërtimin e një vile që nga fillimi i verës të vitit 1958 deri në maj 1959. Kur u njoha me Lasgushin nuk u paraqita si një poet i ri, se nuk isha i tillë, por si një inxhinjer që i pëlqente poezia. Dhe letrat që m’i dërgonte Lasgushi nga Vlora për disa probleme të tijat shëndetësore m’i adresonte si inxhinjer në Ministrinë e Ndërtimit ku punoja”, kujton Kolevica. Por pavarësisht profesionit të tij, bisedat në takimet e tyre ishin vetëm për artin dhe poezinë. Në atë kohë atij i pëlqente të lexonte Leopardin dhe poetë të tjerë rusë që kishte nisur t’i përkthente që në gjimnaz. Dhe në ecejaket në oborrin e spitalit në Vlorë, ata zhyteshin në magjinë e vargjeve që kishin lexuar… Miqësia mes Petraq Kolevicës dhe Lasgush Poradecit vijoi për vite të tëra deri sa poeti ndërroi jetë. Sot, teksa po i afrohet të 80-ave dhe problemet me shikimin ia kanë bërë më të vështira ditët, Kolevica ka më shumë kohë të mendojë e të rikthehet pas në kohë, për të kujtuar të shkuarën dhe njerëz që kanë ndryshuar diçka në jetën e tij. I tillë është dhe Lasgush Poradeci, i cili nuk ishte vetëm miku i tij, por dhe poeti i tij i preferuar. Të gjitha kohët e miqësisë së tyre, ai i ka hedhur në një libër të quajtur “Miqësia ime me Lasgushin”, si një kontribut për të zbuluar diçka më tepër mbi dimensionin e një prej personazheve më interesante të letërsisë shqipe. Kujtimet e Kolevicës, ashtu si kujtime të tjera që janë botuar këto vite për Lasgushin, e bëjnë më tërheqëse figurën e tij në dimensionin njerëzor. Në to, gjejmë letra të shkruara me dorë, nga poeti, ku i kërkon mikut të tij, “ndere” të vogla miqsh. “Pas dhjetë ditësh që isha kthyer nga Vlora në Tiranë më erdhi një letër nga Lasgushi, pastaj vijuan të tjera dhe një telegram që më habitën. Në ato letra Lasgushi më shkruante të shkoja dhe të banoja në shtëpinë e tij bashkë me nënën time. U habita se sa isha në Vlorë mua s’më pati thënë asgjë nga këto, e mua as më shkonte në mëndje t’i kërkoja diçka të tillë. S’kisha ndonjë nevojë urgjente të flija në shtëpinë e Lasgushit sepse në atë kohë qëndroja tek motra ime, e cila në shtëpinë e saj kishte një dhomë të vogël me hyrje më vete ku flija unë. Në atë kohë, mëndjen e kisha tek puna. Haja në gjelltoret e pazarit të vjetër, lahesha në banjot publike… Mesa gjykova atëherë, kërkesën e Lasgushit që të banoja në shtëpinë e tij, e gjeta të arsyeshme të shkoja dhe të banoja atje. Ajo shtëpi kish ngelur e pa banuar, pra pa përkujdesje prej afro dy vjetësh dhe Lasgushi i druhej dëmtimit të saj”, kujton Kolevica. Por ç’kujton ai nga ditët e para në shtëpinë e poetit? “Në shtëpinë e Lasgushit, dhomën në të djathtë të hyrjes e gjeta të mbyllur me dryn me kod sekret. Kur Lasgushi më tregoi kodin e hapa derën dhe hyra tek ajo që ai e quante ‘dhoma e bibliotekës’. Ç’pashë atje? Ja:

Në anën e djathtë të hyrjes pranë me murin ishte një shtrat bashkëshortor si dhe disa shtresa e mbulesa. Shtrati prej druri të llustruar, dukej se nuk ishte prodhim vendi. Në anën tjetër të dhomës përballë shtratit bashkëshortor ishin vendosur dosido njëri mbi tjetrin disa kolltuqe që edhe ato dukeshin që nuk ishin punuar nga artizanë vendas. Në të majtë të hyrjes ishte ajo që mund ta quajmë ‘Biblioteka e Lasgushit’. Aty nuk ishin dollapë të lartë me libra të vendosur bukur dhe të mbyllura me kanata me xhama. Gjatë faqes së atij muri ishin mbështetur nja katër sergjena dërrasash. Tek këta sergjena ishin renditur njëra pas tjetrës librat gjermanisht, nja dy fjalorë të mëdhenj, enciklopedikë frëngjisht si dhe libra shqip, botime të viteve ‘30, por edhe më të vjetra si dhe disa të botuara nga fundi i viteve ‘50 të shekullit të kaluar. Poshtë sergjenave, përtokë ishin një koleksion i gazetës “Revista letrare”, botuar gjatë viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore nga katërshja, Mitrush Kuteli, Sterjo Spase, Vedat Kokona, Nexhat Hakiu, si dhe një koleksion i gazetës “Përpjekja shqiptare”. Në vazhdim të tyre në një kuti kartoni ishin nja dhjetë disqe me këngë popullore të incizuara ndoshta nga firma amerikane “Columbia”, kujton Kolevica. Ditët në atë shtëpi do ta bënin të njihte me detaje çdo kënd të saj, aq sa dhe Lagushi kur ishte larg në Vlorë i shkruante “t’i gjente një libër me poezi të Robert Bërnsit që duhej të përkthente”…Interesante në këto kujtime janë dhe kujtimet për Nina Makaroçkina, gazetaren ruse me të cilën Lasgushi kishte korrespodencë. Poeti i kërkonte Kolevicës t’i përkthente në rusisht disa letra që ia shkruante Ninës. “Ato letra s’janë veçse një histori apo më mirë një kuriozitet që i përkasin kohës kur ishim të lidhur me miqësi të ‘pavdekshme’ me Bashkimin Sovjetik. Jemi në fund të viteve ‘50-të dhe fillim të viteve ‘60-të. Në atë kohë kish ardhur në Shqipëri një “shoqe” sovjetike me sa duket gazetarja e lart përmendur kishte botuar një korrespondencë në gazetën “Priziv” natyrisht sipas propagandës së kohës. Për fat të keq në titull ishte bërë një gabim. Vetëm një germë e vënë gabim ndryshonte krejt kuptimin e titullit. Titulli duhet të ishte “Dritare mbi Shqipërinë”, ndërkohë që në shkrim ishte “Zjarre mbi Shqipërinë”. Te artikulli korrespondentja përshkruante dhe një deklaratë diplomatike të Lasgushit: “Kurse poeti Lasgush Poradeci ‘lirik i hollë’ siç i thonë këtu, me hov rinor tha: Ju rusët, keni shpirtin e gjerë si stepat tuaja, kurse në shqiptarët kemi zemër krenare si malet tona por, përmbi ne është i njëjti qiell dhe ndriçojnë po ato yje”. Gazetarja në fjalë kishte shkruar disa poezi rusisht dhe dëshironte t’i përktheheshin në shqip. Me që kishte dëgjuar se Lasgushi ishte poet i shquar në Shqipëri dhe përkthyes i mirë i poezive, dëshironte që edhe poezitë e saj t’i përkthente ai. Më sa më kujtohet, ajo kishte rënë dakort që poezinë e saj do ti përkthente fjalë për fjalë Xhevat Lloshi, njohës i mirë i rusishtes në atë kohë, pastaj ato përkthime do ti bënte Lasgushi në poezi. Për fatin e keq të gazetares, kohët ndryshuan dhe nuk e di çfarë u bë me kërkesën e saj”, kujton Kolevica. E teksa endet në momentet pafund të miqësisë së rrallë me poetin, ai nuk ndihet i qetë në disa rreshta në libër kur kujton një dëshirë të paplotësuar për të. Në fund të nëntorit 1959, Lasgushi erdhi nga Vlora në Tiranë dhe i kërkoi mikut të tij inxhinier të shkonte në Pogradec, kur ai të ishte atje sepse donte të bënte disa rregullime ndërtimore te shtëpia e tij. Kolevica do të shkonte në qytetin e poetit në verën e vitit 1960. “Atëherë pashë së pari atë karakatinë të ashtuquajtur shtëpia e Lasgushit”, thotë ai. Ja si e kam përshkruar këtë moment: “Ishim në Pogradec në shtëpinë e tij, atje në odiçkën e katit të tretë, ku i pëlqente të rrinte. Se si mbahej në këmbë ajo shtëpi, me ato mure gjysëm çatma e gjysëm tulla këllëç, unë si inxhinier si kam dhënë dot shpjegim dhe gjithnjë kam shkelur me frikë mbi dërrasat e dyshemesë së arnuar duke parë muret e plasaritura. Pastaj zbritëm, dolëm jashtë dhe nga një portë që ishte në murin rrethues hymë në një si oborr apo bahçe ku ishin dy pemë dhe shenjat e themeleve rrafsh me tokën. Lagushi më shpjegoi se në këtë anë donte të bënte një dy dhoma shtesë. I bëra dhe disa skica me dorë për ato shtesa sipas kërkesave të tij, për të kuptuar se çfarë dëshironte. Me argumentat e mia inxhinjerike dhe ekonomike u mundova t’i shpjegoja e ta bindja për kotësinë e atij ndërtimi të ri. U ndamë secili në bindjet e veta por Lasgushi nuk harronte të ma kërkonte sërish atë gjë. Në vitin 1962 ai më dërgoi një kartolinë ku më kërkoi të shkoja në Pogradec për të bërë atë projekt. Edhe pas kësaj kartoline nuk shkova në Pogradec për këtë çështje”, kujton Kolevica. Në kujtime nuk mungon as mbrëmja e trishtuar e vitit 1982 kur u nis drejt Pogradecit, pasi mësoi që miku i tij kishte pësuar një goditje në tru… Këto kujtime janë një rrugëtim në çastet e një miqësie të bukur, mes dy njerëzve që e gjetën njëri-tjetrin përmes një pasioni të përbashkët, dashurinë për letrat…
 a.b

Google+ Followers