KURDISJE E HUQUR (Mirko Gashit) - Uran Krasniqi



Më vjen keq Maestro
Ty gati të ishte mërzitur të shkruarit
A unë tek atëherë e kisha hapur Abetaren
Vdiqe herët
U linda vonë
Huqje në kurdisje
Nga një truk i tillë humba unë
Doja që të takoja
Shishen me gota në tavolinë
Bisedat për Lumin
Ujin
Gjarpërin
Varkën e Noas
Mjellmën
Feniksin
Penelopën
E të tjera
Tash mund t’i ndjej   
Po aq sa i dallonte ngjyrat Borgesi që e kishe në qejf

Një ditë Maestro
Mbase edhe do të shihemi
Reinkarnimit nuk i dihet
Por aty mund të ndodhë të mos e di që je ti

P.S. Mirko Gashi (1939-1995), ishte poet shqiptar nga Kosova i cilësuar si bohemi i fundit në Prishtinë. (Bohema- situatë/frymë specifike shpirtërore, të konceptimit të veçantë të gjërave e të rendit në jetë e në shoqëri nga ana e poetëve, letrarëve, piktorëve, skulptorëve, filozofëve). Këto që i nxora ne letër janë përzierje e mendimeve dhe ndjesive që më erdhën në një çast pasi lexova krijimtarinë e tij. Kushdo që e ka lexuar krijimtarinë e Mirko Gashit, do ta vërejë që shumicën e shprehjeve me të cilat unë e kam ndërtuar peozinë timë do t’i gjejë aty. 



Malishevë, 21 maj, 2013.






Google+ Followers