KRUSHQIT NUK BËJNË PAQË…(Tregim nga: ALEKO LIKAJ)

ALEKO LIKAJ



            Lam Kukunja iku përsëri. Këtë herë i prishur në fytyrë, i vrarë dhe i heshtur. Dilo Jagodina, xhaxhai im, i vuri llozin derës së oborrit dhe u kthye midis nesh i pafjalë. Që prej më shumë se dy orësh ishim ulur në disa karrige në mes të korridorit të madh të shtëpisë së xhaxhait, ku dielli i mesditës nuk na ndriçonte më. Kishim qenë pjesë e një delegacioni, që ishte vënë përballë palës tjetër të ardhur nga kryeqyteti, në të vetmin hotel turizmi në qytetin tonë. Do të pritej fjala për një fejesë që dukej se nuk do të bëhej më. I kishte të pakta shpresat. Lami që në këtë rast bënte ndërmjetësin midis krushqish, një çast kishte sjellë më parë një gjysmë refuzimi që vinte nga pala e dhëndërrit. Këtë ne nuk e kishim kuptuar, as edhe kur u ndamë pas një takimi që zgjati dy orë në sallën e bufesë së lokalit. Ishte një mjedis shumë miqësor dhe gjasat tregonin se gjithçka ishte e vendosur se do të ishim vërtetë krushq pas kësaj miq si një shtëpi e vetme. Do të na lidhte çifti, Nora, kushërira ime dhe Shpati, djali i vetëm i shokut Nuri, që ishte njeri i fuqishëm në shtet e në parti atje, në Tiranë. Xhaxhanë  nuk e mbante vendi. Gëzohej si një fëmijë. “Po fluturoj, -i tha babait tim, që ka zënë  shtratin nga një herrie diskale. -Do të më japësh në këmbë tënde tët bir, Fredin, që do të vijë në atë parje.”
           E gjitha kjo histori kishte zënë fill këtu e dy javë më parë. Propozimin për ta lidhur këtë krushqi e solli Lami në familjen e xhaxhait tim. Punonte si shef furnizimi në ndërmarrjen ku drejtonte Dilo Jagodina dhe me nënën e Shpatit dhe gruan e shokut Nuri, kishin qenë fqinjë e shokë fëmijërie në një qytet të vogël,  pranë nesh. Fillimisht e kishte biseduar me xhaxhanë këtë punë, se Nora i pëlqente si vajzë Lam Kukunjës. E njihte qysh të vogël, sepse vinte shpesh në familjen Jagodina të xhaxhait. Pastaj ishte ngulur te familja e shokut Nuri,  tri a katër herë këto ditë, se puna e çonte shpesh në kryeqytet. Ishte si i shtëpisë atje. Ashtu si Norën tonë njihte edhe Shpatin, që pas universitetit po bënte një kurs diplomacie për jashtë shtetit. Ishte rast i mirë për të dy. Kushërira ime studionte në Tiranë për arkitekturë, por për këtë rast Shpatin as që e njihte dhe as që e kishte parë ndonjëherë. Më kishte thënë se nuk kishte ndonjë ide për të.
Parja ishte lënë për këtë të diel. Familja e Shpatit kishte mbërritur në qytetin tonë me autobusin e linjës. Kishin ngulur këmbë që në fillim se takimi mund të organizohej në turizmin e qytetit dhe se ardhja në shtëpi i jepte momentit një dimension krejt tjetër. Do të konsiderohej vetëm si një kafe mes miqsh, por që do të shërbente edhe si një parje për çiftin, edhe si njohje për ne që do të ishim krushq…
Te xhaxha Dilua kisha mbërritur në mëngjes. Dukej se më prisnin me ngut, pasi unë isha njeriu i fundit që e plotësoja dërgesën. Të tjerët ishin të veshur e prisnin që të gjithë në sallon. Bëheshim shtatë vetë. Përfaqësoja babanë. Xhaxhai kishte marrë edhe djalin e vogël, një gjimnazist në vitin e fundit, daja i kandidates për nuse, ndërsa Lam Kukunja, shkesi i kësaj ceremonie, do të na bashkëngjitej afër turizmit. Atje ishte lënë për t’u takuar, përpara se të futeshim në sallë.
 - Dëgjo këtu, ti, moj, – tha xhaxha Diloja dhe u kthye nga e shoqja që kontrollonte për të fundit herë këpucët me taka, përpara se të dilte nga shtëpia, - kujdes aty! Mos fol! Se kur fillon ti, nuk përmbahesh më. I lëshon me breshëri si fishekë kallashnikovi ato fjalë. Nuk ka nge njeri që të dëgjojë ty. Mos na prezanto keq me ata që do t’i bëjmë krushq dhe pjesë të shtëpisë sonë, se unë e kam një emër në këtë qytet dhe çoç më dinë. Dëgjove? Dëgjova thuaj!
  - Mirë, o Dilo. Kur ta shohësh që e kaloj masën, më shkel këmbën. E kuptoj vetë pastaj unë. Gjë që rregullohet kjo punë, – tha e shoqja me një ndjenjë pafajësie e sinqeriteti njëkohësisht, ashtu siç bëjnë fëmijët e vegjël kur i zë në gabim. Siç dukej ajo e vuante këtë huq. Ves i vjetër ky që nga vajzëria e largët. E dinte edhe lagjja këtë. Xhaxhai im nuk kishte mundur që t’i a hiqte asnjëherë për më shumë se dy dekada e gjysmë martese.
 - He, mër Lush. - Tha pastaj kryetari i dërgesës sonë kunatit të tij, si për t’i thënë, “e kam mirë apo jo?“
  Tjetri qeshi dhe tundi kokën në shenjë aprovimi të fjalëve të xhaxhait.
 - Nuk besoj se do të vejë puna deri aty, o kunat!
 - Hajt, pra, nisemi dhe me krahë të lehta. Na qoftë e hairit kjo punë dhe me trashëgime!
 Rrugës së oborrit për të dalë te porta e shtëpisë Meli, gruaja e xhaxhait, këputi një gjethe portokalli dhe e futi menjëherë në xhep.
 - Ta kemi për fat se ka edhe aromë, – tha ajo dhe nxitoi që të arrinte të shoqin, që me hapa të shpejta po i drejtohej portës.
 Vërtetë bahçja kundërmonte erë portokalli. Kishin çelur lulet dhe ndonjë syth që jeshilonte, sikur ta bënte me sy në degët e përkulura të rrugicës që të nxirrte nga shtëpia.
Nora, vajza kandidate për martesë, u vu në krahun tim të djathtë. E heshtur dhe e qetë dhe paksa e përhumbur, ajo hidhte hapat ngadalë, sikur të ishte në një tjetër botë.
Rrugën e bëmë në heshtje. Në krye të grupit  xhaxhai im, Dilo Jagodina, bisedonte me kunatin, që nuk e hiqte nga goja cigaren të futur midis dy gishtash të dorës së majtë. Ne të tjerët çapiteshim dy e nga dy. Femrat, nënë e bijë, i kishim vënë në mes dhe unë me tim kushëri, Tanin, herë pas here diskutonim për kohën që nuk po mbante, por edhe për sportin, ekipin e qytetit tonë që pretendonte të shpallej kampion.
Ishim të parët në “Hotel Turistik”. Këtë  na e tha Lam Kukunja, shkesi ynë. Pala tjetër do të mbërrinte nga kryeqyteti nga çasti në çast. Aty para nesh do të qëndronte edhe autobusi i linjës së mëngjesit. Xhaxha Dyli shkoi menjëherë brenda për të takuar drejtorin, që e kishte edhe një nga miqtë e tij më të mirë në qytet. Kishin punuar bashkë për shumë kohë që nga rinia e tyre. Atij i kishte ngarkuar edhe detyrën për rezervimin dhe shërbimin e asaj pritjeje. Me sa duket gjithçka ishte gati aty brenda, sepse xhaxhai doli shpejt e gjithë shend. Rregulloi edhe njëherë kollaren  dhe buzëqeshi menjëherë. Mbas nesh ishin shfaqur krushqit. Ngjitën shkallët si në një ceremoni solemne dhe shtrënguan duart me ne. Pastaj i ftuam brenda dhe zumë vend shpejt në tavolinat që ishin shtruar për ne në aneksin e veçantë të lokalit. Unë e dija se aty priteshin gjithmonë autoritetet që vizitonin shpesh qytetin tonë industrial, ndaj më dukej se ishim tejet të privilegjuar. Xhaxha Diloja i rregullonte mirë këto punë.
Pas një bisede për kohën dhe prillin që sillte prej shumë vitesh shi u shkëmbyen edhe cigaret. Lushi, daja i Norës, e kishte merak këtë punë. Dhe u duk se çdo gjë shkoi mirë. Lam Kukunja hyri drejt e në temë. U fol për qëllimin dhe shkakun e asaj pritjeje. Pashë që të dy u skuqën. Mirë kjo e jona, Nora, por edhe Shpati m’u duk si një çupë e ndrojtur. Kishte mbaruar edhe diplomaci. Mbase ishte tip që nuk mund t’ua prishte prindërve, sepse, me sa po shihja, shoku Nuri, dukej krejtësisht i plotfuqishëm aty në kampin e krushqve të sapoardhur.
 - Kam një propozim, – tha Lushi, pasi biseda kishte prekur qëllimin e atij takimi. – në këtë mes Shpati dhe Nora janë sebeçinjtë këtu, prandaj atyre u takon që të vendosin për fatin e vet. Unë mendoj, për shkak se ata nuk janë njohur më parë me njëri - tjetrin,  le të dalin jashtë këtij mjedisi dhe të bëjnë një xhiro apo të shkojnë në një lokal tjetër dhe të bisedojnë. Kanë nevojë që të dinë dëshirat dhe opinionet për jetën në çift, por edhe problemet që do t’u takojnë atyre më vonë. Hë, si thoni?
Në fillim ra një heshtje, që Melihaja, gruaja e xhaxhait, tentoi ta prishë menjëherë. Pastaj u duk sikur ndërroi mendim dhe nuk tha asgjë. Unë e mora me mend që Dilo Jagodina i kishte shkelur këmbën poshtë tavolinës, sipas marrëveshjes që kishim bërë në shtëpi, përpara se të dilnim nga porta.
- Jo, nuk ka asgjë të keqe, - tha njeriu që do të bëhej krushk te ne jagodinët. - Kjo është normale, madje, edhe e domosdoshme për dy të rinj që duan të lidhin jetën në martesë. Këtë propozim mund që ta bënim edhe ne. Natyrisht që ndihem mirë, se jemi dy familje krejtësisht të emancipuara dhe me partishmëri.
Nuk e di nëse ky propozim ishte biseduar më përpara ndërmjet xha Dilos dhe kunatit të tij, por xhaxhai pas fjalës së Nuriut, u ngrit menjëherë në këmbë, e largoi karrigen sikur do ta merrte fjalën si drejtor ndërmarrjeje.
- Hë, ç’prisni, - u tha dy të rinjve, - mirë u tha këtu, jeni ju ata që do të vendosni për jetën tuaj. Ne, të gjithë presim veçse fjalën dhe do të respektojmë vendimin që do të merrni ju, apo jo? – u tha duke u drejtuar nga ne, sikur të kërkonte edhe aprovimin tonë.
Ishte i qeshur dhe i çlirët, ashtu siç e shihja sa herë kishte ndonjë gëzim të papërmbajtur përbrenda. Ai shpesh herë kalonte krejt papritur nga një gjendje e tillë gëzimi në të kundërt të saj. Im atë thoshte se i vëllai ishte një tip sanguin në karakter. E donte, por edhe e qortonte shumë, si vëllai më i madh. Dy ishin. Një motër e vogël u kishte vdekur shumë e re, pa mbushur të pesëmbëdhjetë pranverat.
Ndërsa Shpati dhe Nora dolën jashtë nga salla, te ne biseda  filloi të bëhej larg kornizave të një takimi krushqie të posanjohur. Për të gjitha u fol në atë tryezë miqsh deri te gatimet tradicionale ku Meli, gruaja e xhaxhait tim, shkëlqeu në disa receta ëmbëlsirash. Këtë herë foli gjatë pa e vrarë mendjen se si e kishte këshilluar i shoqi përpara se të niseshim për këtë krushqi. Por edhe mjedisi ishte bërë shumë miqësor dhe i dashur, aq sa shumëkush mund të mendonte se ne tashmë ishim një familje e vetme, madje edhe e gëzuar dhe e lumtur. Vetëm në një çast kuptova se diçka nuk shkonte te nëna e dhëndërrit tonë të ardhshëm. Ajo menjëherë u prish në fytyrë dhe u ndie e bezdisur. Tërhoqi pak nga pas karrigen dhe u mbështet pastaj tek ajo, duke qëndruar krejtësisht indiferente, sikur të mos ishte e pranishme në mes nesh. Kjo nuk u ra në sy të tjerëve që po ngrinin gotat të shkujdesur, sikur të ishin njohur prej vitesh.
              Kandidatët për martesë u kthyen pas një ore e ca. Dukeshin të qetë, edhe pse të heshtur. Zunë vendet ngadalë dhe, kur u duk se mbaruan edhe zhurmat e karrigeve që lëvizën në atë sallë të madhe dhe pa njeri, Nuriu, babai i Shpatit, kërkoi që të ngriheshim sepse “ora po kalonte“ dhe se duhej që të ktheheshin një orë e më parë në Tiranë me autobusin e pasdites. Xhaxhai i ftoi që të drekoheshin te ne me, “atë që do të na ndodhej në shtëpi, pavarësisht se si do të shkojë rrjedha e kësaj dhe fati i dy të rinjve nga vendimi që do të marrin ata pas këtij takimi.” Ndërkohë që burrat po jepnin deklarata për fundin e takimit, dy gratë kërkonin vështrimet e të rinjve, si për të zbuluar diçka nëse ishte paravendosur ndonjë hap drejt bashkimit. Nora hodhi një vështrim gati të përhumbur pa shprehur dot asgjë dhe pastaj uli kokën me një lloj ndrojtjeje,  ku ndihej më shumë emocion sesa kishte në fillim kur u nisëm nga shtëpia. Shpati ishte më i qeshur dhe më i shpenguar. Dukej se i kishte pëlqyer Nora jonë. Nuk e di pse m’u krijua përshtypja në atë çast se ai mezi priste që të ndahej me ne dhe të jepte kumtin e tij përpara prindërve. E ëma u prish në fytyrë. Mua m’u duk shenjë e keqe kjo. Nuriu që kishte kapur vështrimin e të birit u çel përsëri.
- Po do të kemi kohë përsëri, o Dilo Jagodina, të piqemi e të flasim, mbase si krushq të vërtetë. Mesa duket do të kemi lajme të mira nga dy të rinjtë. Unë flas gjithmonë për palën tonë, nga ana juaj nuk di se çfarë të them. Sidoqoftë brenda këtyre ditëve, një javë e shumta dy, ne do të nxjerrim fjalë. Gjithmonë me Lamin që në këtë rast ka edhe pozicionin e shkesit mes nesh. Dhe tani, o krushku Dilaver, na hap udhë se na duhet të shkojmë. Ti e di që unë mund të merrja edhe veturën time, por shteti dhe partia nuk ma kanë dhënë atë për punë personale e familjare…Po vjen ora e autobusit të linjës.
Kuptova se ai e kishte marrë mesazhin nga i biri i tij dhe ndihej i gëzuar. Shtrënguam duart jashtë poshtë shkallëve dhe u ndamë si krushq. Rrugën e kthimit për në shtëpi e bëmë si dasmorë. Unë me Lushin dhe Tanin u vumë në krye. Pas nesh vinin xhaxha Diloja dhe e shoqja me Norën në mes. Ajo po tregonte detaje nga takimi vetëm për vetëm me Shpatin. Që të gjitha gjasat ishin se kishin rënë të dy në një mendje.
Kishim pirë menjëherë rakinë sapo mbërritëm në shtëpi. Hëngrëm edhe nga një llokum. Na qerasi Meli, e cila ishte në qiellin e shtatë. Lushi, i vëllai, e uroi i pari:
- Hajde, të na trashëgohen, moj motër, edhe ti kunat! Shyqyr që ia arritët kësaj dite. Tani në kokë të Dritanit! Gëzime paçi përherë!
Pastaj kërkoi Norën që ishte  në dhomën e saj. E motra i tha se po zhvishej. Ishte e lodhur nga gjithë ai tension për këtë ngjarje. Xhaxhai menjëherë porositi që të na nxirrnin pak meze pastaj të shtrohej edhe buka.
Kur ishin vendosur pjata e mezeve përpara nesh, trokiti porta e oborrit. Xhaxha Diloja u ngrit i pari dhe bëri me shenjë se do ta hapte ai. Ne të tjerët vumë gotat në buzë.
- Pi, - më tha Lushi, – mos bëj naze, se tani e ke radhën edhe ti. Pse kështu do t’u lemë ne, që të bridhni si sarhoshët? Ka lezet kur ke një shok apo shoqe jete në krah. Jeta ka më shumë kuptim. Dëgjo mua ti!…
Ishte bërë menjëherë fjalaman i madh ky kunati i xhaxhait tim. Ndoshta nga gëzimi për të mbesën. I kishte të vegjël fëmijët e tij. Dritani vetëm një hap larg meje, i mbështetur në karrige, qeshte si fëmijë. Nora, që kishte dalë nga dhoma e saj, dukej e vrarë në fytyrë. Na tha një “u bëftë mirë!“ dhe iku menjëherë. Lushi pyeti me sy të motrën.
        - Lëre, se ka qarë! E ka nga gëzimi. Vajzë e re është, mooo. Mezi e nxora nga dhoma. Thuaj, shyqyr që vendosën të dy! I kishte thënë ai: unë nga ana ime jam dakord. Do t’u them edhe atyre të shtëpisë. Kishin folur gjatë, mooo. Çfarë kishin e nuk kishin për t'i thënë njëri – tjetrit, ia thanë. I dhanë karar kësaj pune. Tani të shikojë mësimet se ai i ka mbaruar dhe pastaj të fillojnë jetën si dy pëllumba në kuvli.
Xhaxha Diloja u vonua. Këtë e ndiem të gjithë. Kur u duk se na u sos durimi, ai hyri në dhomë i pafjalë. Ishte i tjetërsuar në fytyrë, ku dallohej një lodhje e tension i brendshëm. Nuk na tha gjë. Zuri vend ngadalë në karrige dhe fërkoi me dorën  e majtë ballin e djersur në heshtje.
- Kush ishte! – pyeti Melihaja.
Ne të tjerët nuk folëm. U duk se aty nuk merrte frymë njeri. Ajo kishte qëndruar pezull midis nesh. Gruaja e xhaxhait m’u shfaq si një pikëpyetje. Lushi fshinte buzët me një pecetë të sapovënë në tavolinën tonë. Dritani kishte ulur vështrimin në sipërfaqen e tavolinës. Nora ishte shfaqur te dera e dhomës së saj si një statujë e ngrirë, e veshur me një palë bizhama gri e me lule. Vështrimi i saj nuk shprehte asgjë. Dilo Jagodina kërkoi një gotë ujë. Unë dallova buzët e tij të thara që lëvizën përsëri për të thënë diçka tjetër, por që nuk u tha. Ujin e piu me një frymë.
- Diçka nuk ka shkuar mirë pas kthimit tonë në shtëpi, –tha xhaxhai me një zë gati të shuar e të ngjyrosur. - Kanë tjetër mendim, por që do ta thonë pas ca ditësh, si e qysh. Pra, gjërat kanë marrë një kthesë të çuditshme. Këto m’i tha Lami. E nisa përsëri dhe e pres.
- Po ku janë ata tani? – pyeti Lushi që u rehatua duke vënë këmbë mbi këmbë.
- E ç’rëndësi ka kjo? – tha xhaxhai.
- Nuk është aspak serioze!? – foli Lushi dhe kroi zërin sikur do të deklamonte ndonjë gjë.
- S’kanë asgjë për vajzën. Kështu i kishin thënë Lamit.
Xhaxhai kërkoi të ngrihej nga karrigia. Fryu bulçitë dhe tundi kokën mosbesues. U gjet menjëherë në këmbë, duke iu larguar tryezës sonë, pijeve e mezeve, sikur donte të tregonte se nuk kishte të bënte më me ata. Lëvizi pastaj gishtat për t’i thënë së shoqes që t’i hiqte nga tavolina.
- Tu shtroj bukën, Dilo? – pyeti Meli, që nuk dinte se çfarë të bënte në ato çaste.
- Farmak a ke?! Atë gjej dhe na e vër  përpara! – tha xhaxhai me një zë që tregonte përbrenda inatin e tij në rritje.
 Nga dhoma pranë erdhi dënesa e Norës. Meli shkoi menjëherë atje. Mua më erdhi keq për të, por edhe inat. Një vajzë kaq e mirë sa ajo, e zgjuar dhe e pashme, të mos ishte e zonja që ta gjente dhe ta zgjidhte vetë shokun e jetës së saj? E kishte lënë fatin në duart e të tjerëve. Në kryeqytet ishte, në universitet mes dhjetëra e qindra të rinjve, por kishte shkuar dhe kishte ulur kokën pa guxuar që t’i shikonte të tjerët në sy. Për të ekzistonin veçse mësimet.
Alushi ndezi cigaren. E thithi fort, pastaj lëshoi tymin pjesë-pjesë, sikur të kërkonte që të luante me atë. Në fakt nuk ishte aq indiferent sa dukej, sepse i thirri së motrës, që nuk lëvizte në gjysmerrësirën e dhomës së Norës pranë shtratit të saj. Ajo nuk iu përgjigj. Mbase gjykoi e mendoi se nuk kishte hallin e tij tani.
- Fole si shumë sot! Nuk të rrihet ty! Të njoh mirë unë, të njoh. Ndryshe biseduam këtu dhe ndryshe bëre atje. Sikur kishim shkuar që të tregoje se na qenke amvisë e mirë.
 - Pse flet kështu, ti, Lushi?! – tha Meli që doli me nxitim nga mezi i dhomës ku ishte. -Unë për vete qeshë në rregull. Diloja nuk më bëri shenjë. Aaa, në fillim po, pastaj hiç. Ndaj vazhdova që të llafosesha.
Xhaxhai e pa drejt e në sy. U nxi në fytyrë. Mblodhi buzët, që këtë herë m’u duk se i kishte më të thata dhe tha:
 - Po pse moj, kujt ia paskam shkelur këmbën, duke ia bërë copë, krushkës? Unë plasa, shkel e ti hiç, unë shkel e ti llap. Ndaj nuk na paske pushuar, por ke ligjëruar si të ka dashur kokrra e qejfit? Oh, oh, oh, ç’na ke bërë! Pse s’thua ti, moj, që na ke nxjerrë bojën. Qenkam prezantuar si vagabond, horr, e ku ta di unë. E ku se përpara krushqisë. Kësaj i thonë, ç’i thonë..
Lushi u ngrit dhe iku pa filluar stuhia. E dinte mirë se çdo të vinte pas. I njihte që të dy.
 Ishte inatçi i madh xhaxhai im. Nuk kishte shok të dytë te ne jagodinët, një fis që i kalojmë  dyzet e ca shtëpi. E pashë ashtu në këmbë dhe sytë m’u dukën se i nxorën xixa. U nxi. U bë sterrë. Mblodhi përsëri buzët dhe rrotulloi sytë për të gjetur gruan e tij, që ishte rikthyer tashmë në dhomën ku vazhdonte të qante Nora me dënesë.
 - Po pse, moj, pse? Oh! – bëri pastaj si një njeri që do të ikte nga të gjallët e kësaj bote.
 Xhaxha Diloja dukej se po mbushej në kraharor.
Tani i doli menjëherë të atit përpara dhe ngriti dy shuplakat përpjetë.
 - Mos baba, për hatrin tim! – tha e ngashëreu në çast.
 Pashë që i shkëlqeu një vijë loti që kishte rrëshqitur në faqen e majtë.
 - Meliha, - thirri Dilo Jagodina me një zë si një buçimë deti, - Meliha! E shoh që po të ha.
U ndjeva keq në ato momente. Nuk dija se ç’të bëja. Kisha mbetur në mes, aty para tavolinës së zbrazur dhe pa njerëz.
 Jashtë binte porta. E dëgjuam dhe gjithçka ndali në vend si sekuencat e një filmi të mbetur në ingranazhet e aparatit, pa mundur që reflektonte në perden e bardhë të kinemasë.
Vrapoi Dritani për atje.
Trak, trak, trak…

Google+ Followers