JETA IME. Poezi nga Dom Gjergj Simoni


DOSIER

Dom Gjergj Simoni, poeti disident i dënuar për poezi

Nata e errët e shqisave dhe shpirtit

(Mbi poezinë e Dom Gjergj Simonit në vëllimin “I burgosi vetëm koha”, At Gjergj Fishta, Shkodër 2011)

Nga Agron TUFA

Rëndom, sipas traditës (të lashtë a të re), në mbarim të çdo beteje, në interval ndërprerje, kur kampet ndërluftuese tërhiqen, e fundit marrëdhënie midis palëve, si për humbësit si për ngadhnjimtarët, mbetet prapë fusha e betejës. Palët kthejnë kësaj here për të bërë bilancin e të vrarëve dhe për t’i varrosur të rënët me nderimet që u takojnë.  Unë mendoj se një analogji paralele me betejën dhe fushën me të vrarë mund të hiqej me plot kuptim për përvojën tonë gjysëmshekullore nën diktaturën komuniste, me ndryshimin se ajo ishte përvoja e një beteje të gjatë, kalvar rraskapitës, që përfundoi me plojën e përgjithshme kombëtare. Në përfundim të saj, xhelatë e viktima qenë shfytyruar në atë mënyrë, sa nuk e rroknin më përmasën e tragjedisë dhe as “fushën me të vrarë”. Por, për fat të keq, ne nuk qemë në gjendje (e nuk jemi as sot), së paku të bëjmë bilancin e të vrarëve tanë dhe shartet e varrimit të tyre. Madje shpesh nuk po e dimë qartë se kush janë këto të vrarë… Sepse gjatë dy dekadash, zhurmnaja demokratike që prodhohet vazhdimisht ka krijuar një zallamahi e uturimë të përgjithshme të fjalës, sikur ndërmjet nesh të jetë instaluar një repart i përjetshëm sharrash; nën vizgën e cingrimën e saj nuk mund të përqendrohesh, nuk mund ta dëgjosh mirë kumtin e tjetrit, i cili shpesh vjen përmes rënkimeve. Pra, kemi përfunduar në një situatë ku as nuk numërojmë dot numrin e të vrarëve, as nuk i varrosim dot, por as nuk arrijmë që t’i njohim se kush qenë. E si mund ta përkapim e të identifikohemi në këto kushte me kumtin që sollën martirët tanë?

Megjithatë kjo alegori paralelizuese që ju parashtrova nuk është fillimi më i mirë kur flitet për një poet, që i mbijetoi plojës kombëtare dhe që ka mundur të mbijetojë thuajse i pacënuar, tok me dëshminë e tij të rezistencës shpirtërore, poetit Dom Gjergj Simoni. Duke lexuar sot poezitë e Dom Gjergjit kujtohesh se jo gjithçka nga shpirti i qëndresës njerëzore i është nënshtruar tjetërsimit, rrafshimit dhe depersonalilizimit të individit nga makina shtypëse e frikës dhe terrorit komunist. Në qindra poezitë e sekuestruara nga sigurimi i shtetit që janë bërë dokumente flagrante të “fajësisë” së Dom Gjergjit në hetuesi, të habit forca kolosale dhe energjia e pashtershme e kundërvënies së tij ndaj stihisë shkatërruese të së keqes kombetare e gjithënjerëzore, duke e ditur mirë nga përvojat konkrete se ku do ta çonte kjo sfidë e hapur e luftës parimore ndaj rregjimit. Sigurisht, në rastin e Dom Gjergjit nuk kemi të bëjme me produktin letrar instinktiv e të turbullt të kundërvënies, që e ndeshim në krijimtarinë e poetëve martirë të burgjeve komuniste. Që në krye të herës, qëndresa dhe sfida e tij është e vetëdijshme dhe kundërvënia si refuzim i gjithanshëm i rregjimit i ka rrënjët tepër të thella: ato shkojnë në vetë formimin dhe botëkuptimin personal të poetit, janë reflektim i vazhdueshëm e konseguent i edukimit të tij, jehonë e asaj traditë të shkëlqyer humaniste, atdhetare e religjioze të shkollës katolike françeskane, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën tonë të traditës me binomin e famshëm “për atme e fe”. Personaliteti i Dom Gjergj Simonit nuk është i rastësishëm, prandaj dhe forca e kundërvënies dhe refuzimit të sistemit vjen si ushqim organik i konstruktit shpirtëror individual, që e motivon herë me metafizikën religjioze universale të përballjes me të keqen, herë si reaksion i drejtëpërdrejtë i atdheut të skllavëruar e të tjetërsuar. Prandaj dhe shumë poezi të shkruara në vetminë e tij na bëjnë me dije për natyrën e asaj force që e shtyn të bëjë qëndresën e vet vetnitare, si plotësim i një detyre themelore në kushtet e një atdheu të shtypur e të përçudnuar, siç tingëllon në njërën nga poezitë “Unë dhe Drini”:

Forca që kam për mue asht barkë shpëtimi

Prandej ta mendojn’ mirë se jam si ma e forta digë

E mbi valët e tij do të di vargje të shkruej

Me fuqinë e ernave kur janë në stuhi,

Për shekujt që do të vijnë kjo tokë do t’i ruej

Pse e due e më don NANA SHQIPNI”

Poezitë e Dom Gjergjit rrahin si një lavjerrës i çmendur nga dëshpërimi për përmasat e tragjedisë kombëtare që zgjerohet, ku çdo gjë e dashur, intime, familjare po tjetërsohet me shpejtësi, aq sa e sheh veten në qendër të një bote të tëhuajësuar, pa koordinatat orientuese. Vendlindja e tij, “Shkodra e dashur”, është tashmë epiqendra e dhunës ku njerëzit çojnë një përditshmëri të përdhunshme, të zymtë e asfiksuese, pa ideale e pa asgjë të shenjtë. Kuadret e ashpra realiste që na vizaton me pak vargje poeti janë një dokument unikal i përjetimit shpirtëror, se si gjithçka është shformësuar dhimbshëm deri në mosnjohje. E tillë është poezia “Mëngjesi në Shkodër”, e lexuar gjatë seancës gjyqësore:
Mëngjesi në Shkodër i mvrenjtun

Si retë njerëzit shpërndahen në punë,

S’u qesh kurr’ buza e ashtu të mbetun

Punojnë të heshtun me dhunë.

Kumbonat që shpërndanin gëzimin

Lajmtare e një ditës së re,

Atyne i zu vendin çekiçi

E heshtën si i vdekuni nën dhe.

Psikologjikisht poeti dhe diktatura përbëjnë gjithmonë kundërvënien e dy poleve të përkundërta, që heret a vonë, do të çojnë në përplasjen e pashmanshme, ku njëri pol synon ta shkatërrojë dhe eleminojë plotësisht polin tjetër. Të mos harrojmë se jeta e një poeti është një, e pakthyeshme, nëse flasim për rrafshin njerëzor. Ndërsa jeta e diktaturave, ndonëse duket e plofuqishme dhe shtypëse është e relativizueshme në kohë dhe ka karakter nomad/ kalimtar. Diktaturat, siç ka qenë në formën më të egër staliniste diktatura komuniste në Shqipëri, nuk i ka bërë llogaritë me një jetë tjetër, të amshueshme të poetit. Në këtë ring të ndërsjelltë asgjësimi, së paku deri më tash, kemi parë se i fituar del poeti: janë poezitë e tij që shoqërojnë funeralin e çdo diktature dhe shënojnë njëkohësisht nivelin e përvojës së sprovuar të një modeli sa të hershëm, aq dhe aktual për çdo kohë, për sa të ekzistojë kjo dikotomi në shoqëritë njerëzore. Dom Gjergj Simoni, ndonëse një rast i pastër dhe shembull unikal i poetit të dënuar vetëm për poezitë, është përfaqësues i këtij soji, pavarësisht verbërisë sonë për t’ia njohur këtë meritë e shembull qëndrese.

Kam përshtypjen nga leximi i qindra poezive të tij, se ajo çka e ka shtypur më së shumti lëndimin e Dom Gjergjit si njeri-poet ka qenë frika e zhbërjes së njeriut shqiptar si konstrukt mendor, shpirtëror e religjioz. Poezitë e tij meditative e ngrenë vazhdimisht këtë shqetësim, në ngjashmëri më profetët e testamentit të vjetër, si për shembull, Mojzehu. Për profetin e vjetër rëndësi thelbësore ka pasë shplarja e vetëdijes prej skllavi të popullit të tij gjatë skllavërisë së kaluar tek faraoni i Egjyptit, që shoqërohet me 40 vjetët e endjes nëpër shkretëtirë. Pikërisht ekzorcizmi komunist i kujtesës së lirisë e kërcënte njeriun me zëvendësimin e modelit me projektin e tij djallëzor të “njeriut të ri”. Ankthi i përsiatjes në poezinë e Dom Gjergjit ka të bëjë me këtë frikë të madhe e të arsyeshme. Një ndër poezitë antologjike në këtë drejtim, që e prezanton këtë ankth është poezia “Hallka”.

Hallkat ose vargonjtë ideologjikë janë rreziku real që i kanoset vetëdijes së njeriut dhe shqetësimi i poetit është nëse këto hallka shumëfishohen, atëherë do të ndodhë tragjedia e vërtetë:

E kur njeriu e pa vedin sa gjallë

Thirri: nuk vdes pa mu shkoq zemra prej këtij krahnue

Ashtu vërtet i lidhun n’mes këtyne hallkave

Pa dëshirën e tij i komanduem me nji shkop

Kërcen halahup në mes këtyne hallkave

Ku mundohet me qindrue e mos me u ba rob.

……………………………………………………………..

Ishte hallkë e vogël ajo dhe ishte vetëm nji

Prej saj dhe mund mos e gjesh vdekjen,

Po kur ato u banë njimijë e nji

Njerëzit sado të ligshtuem, nuk ia falën vetveten.

Është e habitshme se si gjuha e poezisë së Dom Gjergjit, edhe kur e zgjeron lëmin tematik, i shmanget përshkrimit të qytetit, si diçkaje mekanike e të pashpirt, ku ka shtri sundimin e keqja. Duke qenë banor qytetës i Shkodrës, përjetimi i tij fluturon gjithmonë jashtë qytetit, si një vektor që priret ta çlirojë në mjediset dhe pesisazhet ende të padhuna të natyrës së shenjtë me aftësi ripërtritëse. Duket sikur ajrin e lirë të poezisë apo të një kujtimi si jehonë e përlargët e kohërave të padhuna, poeti e ndesh vetëm ndër malësitë dhe bjeshkët e atdheut, aty ku ende struktura e frymorëve është idilike, e pandotur, njëlloj si në bukolikat e Virgjilit. Me që ra fjala ka një sasi shumë të madhe poezish, lirika të peisazhit ku mund të ndjesh thurimën delikate e piktorekske të elementëve të natyrës, frymimin e tokës, stinëve dhe bulimin e gjethit – një hapësirë sakrale, larg urbanitetit profan. Por edhe në këto poezi ndjehet simbolizmi i brengosur i poetit, si një hero lirik i plagosur, që më shumë se dialogun lirik, duket se parapëlqen një monolog ankestar në gjirin bujar të natyrës. Është një nevojë e brendshme për të lypë shërim në natyrën e veshur me atributet hyjnore. Poti vjen në mbretërinë e lulnimit me projeksionin e brengës që bart së thelli, për harmoninë e prishur, si për shembull, në poezinë “Unë nuk di si asht pranvera”:
Nëpër fusha ku t’ketë lule

Zogj ndër pemë tuj cicrrue,

Ku t’ketë foshnje n’djep t’gëzuem

Aty ka pranverë që due.

Klaviatura tematike e Dom Gjergjit përthyhet në disa prej temave më të parapëlqyera, siç janë poezitë meditave mbi kategoritë metafizike, jeta, vdekja, shpresa, dashunija; sociale ku mbizotëron metafora e jetimësisë dhe realiutetit të vrashtë e të dhunshëm; konfrontimi ideologjik e teologjik, siç është poema “Letra Luciferrit drejtue besnikëve të vet Shqiptarë”  dhe poezitë zbavitëse e didaktike për fëmijë. Por dominante e përgjithshme në poezitë e tij, mbeten mbetet ajo lloj lirike stigmatizuese e demaskuese që niset nga realiteti i dhunës dhe tjetërsimit dhe mbaron me lirikën religjioze. Kam përshtypjen se kjo gjini e vjetër në origjinën e poezisë shqipe, por jo sa duhet e lëvrueme në traditën tonë, ka zënë vend të natyrshëm në krijimtarinë poetike të Dom Gjergjit, falë edhe fatit të kalvarit të tij, të cilën ai e përjeton jo aq në planin pesonal, se sa në një plan më të gjerë e përgjithësues kolektiv, ose më saktë: nëpërmjet përjetimit të dramës së vet individuale, poeti hapet në botë për tek subjekti lirik i lexuesit. Në botën tonë pas përvojës komuniste, të ngopur me dyshim, matërializëm e ateizëm, vlera e këtyre poezive të përmbledhura në librin “Kamzhik. Kunorë ferrash. Kryq”, është thellësisht emancipuese dhe mund të zgjojë interes për një përvojë lirike të shqisave të tendosura nga përvoja, si tek poezia “Duhet forcë”:
Duhet forcë që unë t’a njof vetvedin

Dhe gjendjen që sa herë ndodhem,

Asgja me syt’ e trupit nuk shof

Për këtë kot mundohem, kot lodhem.

Larg due të rri, dëshirave të ulta që më joshin

Nuk janë ato që mue më bajnë në shend,

Due vetëm një gëzim që sa herë shpirtit i thamë:

Në krahë të Jezusit të jem, e s’due ma fort askënd.

Kur kemi njohë mirë me lirikën e Dom Gjergj Simonit, me konfrontimin e tij me padrejtësinë, dhunën dhe shtypjen niveluese të të gjitha vlerave njerëzore; kur jemi njohur me botën që ai e sheh si zbrazet, si shkretohet dhe të cilës ai kushton elegji të pikëlluara dhe ndjenjat e një jetimësie kolektive, po aq sa këngë rebele dhe kurajoze për qëndresë, e kuptojmë më mirë shpërnguljen e tij kah transhendenca që hap poezia religjioze, në të cilën nuk heronj të relativizueshëm e të përkohshëm. Ajo është një botë homogjene që dikton modelin e saj të përkryerjes që nuk e braktis njeriun besimtar as në “natën e shqisës”. Këtë heronj janë trinia e shenjtë, Jezu Krishti, Shën Mëria dhe ngjejt, si modulim i koncepteve morale dhe i forcës shpirtërore për mbijetesë në shkretëtirën e zbrazët të komunizmit.

Dom Gjergji poet si shumë sivëllezër të tij e përjetoi deri në fund kupën e helmit, përgjatë gjithë diktaturës, i kredhur i gjithi në “natën e shqisave”. Ai u bë një shpirt që rri në bef, sikurse thotë profeti David “Do të rri në këmbë mbi këtë kullë të vrojtimit dhe do ta ndali hapin për të kuptuar atë që do të më thuhet prej Zotit.

Në poezinë e sapocituar më sipër dom Gjergji prek një të vërtetë, për të cilën Shën Agustini i drejtohet Zotit: “Bëj o Zot, që unë ta njoh veten e do të të njoh edhe ty”. Në të vërtetë, siç pohojnë filozofët, një e kundërt mund të njihet mirë nga e kundërta e saj. Dhe pikërisht kjo “natë e shqisës”, që e huazojmë si nocion metaforik nga Shën Gjoni i Kryqit, ashtusiç ka qenë nata komuniste, na e sjell ndërmend sërish një thënie të Davidit, e cila, siç më duket mua, i korrespondon përputhtazi mëtimeve e shestimeve shpirtërtrore në poezinë religjioze të Dom Gjergj Simonit: “Nga toka e shkretë, e pa ujë dhe e pa shteg unë dola para Teje për të njohur fuqinë tënde dhe lavdinë Tënde” (Psal” 62, 3). Është një mrekulli që kjo përvojë personale e poetit ka kaluar nga bindjet e tij, në poezinë predikuese, duke përbashkur në një të vetme predikimin si poet e si meshtar së toku. Një gjë të cilën e kemi parë në trajtat të ndryshme në poezinë shqipe, nga Budi, Bogdani e Variboba, deri tek Fishta – këto paraardhës të mëdhenj të Dom Gjergj Simonit.

Në fund mund të themi, se trashëgimia e mbijetuar poetike e Dom Gjergj Simonit (deri tani, i vetmi prej poetëve që është dënuar për poezinë, sipas formulimit të aktakuzës), e përmbledhur prej katër librash në këtë vëllim që promovojmë sot – “I burgosi vetëm koha”, është një krijimtari që u shkrua pa llogaritur komunikimin e lexuesit të kohës, pa llogaritur rrethin e ngushtë të autorit në dorëshkrime. Këto poezi të mbijetuara në arkivat e dosjeve hetimore të Sigurimit të Shtetit, janë shkruar si sfidë e dyfishtë – ndaj rregjimit dhe ndaj memecërisë kolektive. Nëpërmjet tyrë poeti ka përcaktuar higjenën e tij mendore e shpirtërore. Poezia dhe autori i tyre kanë përsosur njeri tjetrin në këtë rrugëtim nëpër ferr, edhe duke e ditur mirë, se vtë shkrimi i tyre ka për të qenë akt vetëdënimi, për çka nuk vonoi të vërtetohet. Ne duhet t’ia dimë për nder sot Dom Gjergj Simonit, që nëpërmjet guximit të tij, ndjehemi të shpëtuar në dinjitetin tonë njerëzor e kombëtar. Dhe siç është në natyrën e përjetshme të poezisë, ne shohim sot, se poezia mbijetoi, diktatura jo. E për më tepër, ka ndodhur dhe mrekullia hyjnore: përveç poezisë së tij, ka mbijetuar dhe vetë poeti!





Nga Dom Gjergj SIMONI

1. Lirika politike



    LIBRI I JETËS

I
Libri i jetës mu hap
Si kërthi kur linda, 2 fëmij i vogël
Mbi të bana çdo çap
Kur u rrita për të u binda.

II

Vaji qe i pari
Lajmtari në ket botë,
Jeta më qeshi më talli
E m’vueni mu nen rrotë.

III

Po enden e ç’endem
Si gjethi kur pemët rrxohen,
Nuk m’thrret ma kush me emen
E pranë mejet s’afrohet.

IV

Vall ç’ti tham kësaj bote
Kainash lye me gjak,
Lani fajet vllazen
E kurr mos merrni hak.
Shkoder, me 20/05/161



I DREJTI

Ku errsina t’kaptojnë qiellin
Rreze dielli t’mos ndrijnë ma,
O, njeri mos e humbë fillin
Por ti ec, pa zhurmë, pa za.

N’at errsinë ti ke me ndeshë
Shpella, hane plot trishtim,
Zemrën ndoshta kan’me veshë
Me ma t’madhin ty mjerim.

Por ti ec, hapin mos e ndal
N’shpirt të drejtë po asht guximi,
Dhe pse hija sa nji mal
T’del para, mos t’mbulojë dëshprimi.

Ji I fortë e forcen tande
Ti kësaj nate po tregoje,
Çdo anmik porsi nji krande
Para vetit ti thermoje.

Përherë po asht qendresa
Në njeri kur asht I drejtë,
Pa ra ti nuk humb kurr shpresa
Ai nuk din a ka kund dekë.



KUSH JEMI NA?

Kush jemi na që heshtim
Kur shofim vllanë tonë të gjakosun,
Dhe heshtja e jonë i ban të qeshin
Ata, që shpirt e jetë na kanë t’helmuem.

Mos vallë nuk e njofin drejtësinë
Që rrijmë kështu në pritje e mbi ne
Të tjerët të qëndrojnë e të kenë “Lumturinë”
Që nuk dihet që ku e ke.

A por tuj heshtë kem gjetë atë shteg
Kur na mundemi me kalue pa u ndi,
N’atë rrugë e askush s’na prekë
E që anmiqt na e quejnë “Liri”.

Oh, jo nuk jemi na që heshtim
Por janë ato që s’na lanë m’u ndi,
Por le t’a dijnë se kur të ndeshim
Kan m’u dridhë se kem të madhen Drejtësi.

At’herë po tesh e mësojnë mirë
Ato se kush jemi na,
Se për me kërkue lirinë
Nuk kemi heshtë pa pra.

                         Shkodër, më 20/10/1974


HALLKA

Ishte hallkë e vogël ajo ishte vetëm nji
Prej sajë dhe mund mos e gjeshë vdekjen,
Të riut e ma plakut kur të lodhun u thojshin: rri1
E ata si ma të fortë luftojshiun me jetën.
Kur së vetmes hallkë ju vue nji tjetër përbri
Prap njerzit qëndruen në kamb e nuk u rrzuen,
Gjithsecili I tha vetes: unë jam NJERI!
Pra vdekjen pranë vetes nuk u ftuene.
Kur së dytës hallkë ju shtuene me rradhë
E treta e e e katërta, aq sa mjaftuene m’u lidhë kambë e
Duer.

E kur njeriu e pa vedin sa gjallë
Thirri: nuk vdes pa mu shkoq zemra prej këti’
Krahnue
Ashtu vërtetë i lidhun n.mes hallkave
Pa deshirën e tij i komanduem me një shkop
Kërcen hulahup në mes këtyne hallkave
Ku mundohet me qindrue e mos mu ba rob.
Me kenë rob i vetvetit asht ma i madhi poshtrim
Prandaj njeriu, kur ka guxim, mundohet
Që hallkat t’i flakun tej,
Ai nuk njef pengesë sado e fortë të jetë dhe e re.
Ishte hallkëë  e vogël ajo ishte vetëm nji
Prej sajë dhe mund mos e gjeshë vdekjen,
Por kur aro u banë njimij e nji
Atyne NJERZIT, sado të ligshtuem, lehtë nuk ia falen
Vetveten.

Shkodër, më 20/11/1974

MËNGJESI NË SHKODËR

Mëngjesi në Shkodër i mvrejtur
Si retë njerzit shpërndahen në punë,
S’u qeshë kurr’ buza e ashtu të mbetun
Punojnë të heshtun më dhunë.

Kumbonet që shpërndanin gëzimin
Lajmtare e  një ditës së re,
Atyne i zu vendin çekiçi
E heshten si i vdekuni në dhe.

Por tempujt n’heshti s’do t’mbesin.

V.O. Kjo poezi asht lexue gjatë seancës gjyqësore bashkë
Me pesë të tjera ndër të cilat ka qenë dhe ajo me titull:
“Bariu i mirë” kushtue të ndjerit Emzot Ernest Çoba IP.
Me rastin e pesë vjetorit të Shugurimit Ipeshkëv.









2. POEZI LIRIKE


PRANË LIQENIT

I

Vala valën ç’po shtyn
Barka lehtas po lundron,
Oh, nji mall zemrën m’a ndryn
E ma lëndon!

II

Të përshndes o, i bukuri liqe 30 Liqeni i Shkodrës
Bregut tand sa herë që rri,
E valët e tueja, tuj e ndie
Plot ambëlsi.

III

Jetë e gaz më jep ti përhera
Gëzimi i jem nuk ka kufi,
Sidomos kur del pranvera
Oh, sa lumni!

IV

Çka a ma i bukur se ai breg
Valët e tueja kur në të ndeshen,
Oh për mue asht po nji shteg
Që të buzqeshem!

V

Jo nuk ka ma bukur vend
Ku Rozafa ty të shikjon,
Të dy bashk’ të mbushin n’gazmend
Që si harron!

VI

Të përshndes liqe i Shkodrës!
Valët tueja më japin jetë, ëëë
Për mbi ty kundruell njaj kodres
Lumni kam gjet.

                                    Shirokë, me 31/05/1975


UNË

Unë tashti jam poet
Por n’mbarim të ketyrne rreshtave
Nuk di se çka duhet të jem
Ndoshta orao n’andrrimin e ndonji vargu
Tuj u lodhun deri vonë,
Ndoshta, ndoshta dhe kufomë
Por sido që të jetë vendosun
Kur mendoj se s’shkrova kot,
Pres atë ditë që s’do t’ketë të sosun
Ku due unë e I MADHI ZOT.

                                    Shkodër, 08/04/1972








NATA

Asht mbushë kjopshti me blerime
Gjethi gjethit po i ban za,
Ka dalë hana me shkëlqime
T’knaqet shpirti tue e pa.

Përbri kumbulla që n’vizime
Prej hanës n’tokë shikon,
Të qëndisun me shkëlqime
Nuk ka vashë që e punon.

Oh, sa bukur qesh natyra
Dhe bylbyli nisi e këndoi,
N’ato netë me plot andrrime
N’vetmi hanën rri kundroj

            Shkodër, me 10/05/1959




DIELLI NDRITË

Dielli ndritë
Në  kaltërsinë  e qiellit
E, si ylbera brezat
Duken balonat
Që  fëmijt me gëzim penin ia lëshojnë
Atje në për fushore
Ku lulet galdojnë
E kangët e zogjve
Bashk’ me harenë e fëmijëve
Ndihen si hymne që drejt qiellit shkojnë .

                                             07/04/1986








SA AMBEL

I

Sa ambël prej gojës ketë fjalë e foli
Kur syt’ i hapa e gjumi më doli,
Ai mirmëngjes që më dha më solli lumtuni
Nga buzët e saja kur unë e kam ndi.

II

Sa ambël prej gojës këtë fjalë e foli
Kur n’krahët e sajë krahnorin ma mështolli,
E më bani që në zemër të kem lumtuni
Prej veprave të saj, prej asajë dashtuni.

III

Sa ambël prej gojës kët’ fjalë e foli
Kur fëtyrën kah unë ajo e solli,
E një buzëqeshje të ambël plot hire
Më bani që t’jem përherë dhe ma I mirë.

IV

O dorë e fuqishme që të prekë aq lehtë
Te ti gjanë ma të shtrejtë uinë e kam gjetë,
Ti je që deri të vdes unë kam me thanë:
Emnin ma të dashtunin, emnin NANË.

                                    Shkodër, 16/08/1964




3. KAMXHIK, KURORË FERRASH, KRYQ

(lirika religjioze)


MARI TË THRRASIN BIJT E TU

Mari të thrrasin bijt’ tu n’ket tokë mjerimi
Atherë kur syt’ me lot na mbushen me trishtim,
Jetima jem pa Ty, ku shtegun e ka gëzimi
Idhnimi kur zbret mbi shpirt e s’gjejm’ lumnim.
Idhshëm nuk kem pse rrijm o Nanë përpara Teje,
Zojë mbi çdo kreaturë përherë Ti je,
Ofshamet tona tand Bir gjithmon’ po ja rrfeve
E kuerr n’idhnim tue na lanë Ti ne.
E disjm’ se t’kem harrue, mjerimet na kanë mbulue
S’kem ku t’gjejm ngushllim që varrët me na i lehtësue,
E ltert T’i kanë zhgatrrue, t’zezat na kan’ rrethue
E tesh ku të shkojmë  o Nanë na thue?
Im madh asht sot idhnimi që zemrat na I ka veshë,
Lumni përmbrenda shpirtit askund s’jem tuj u ndeshë,
Lute pra tand Bir se mbarueme krejtë.
E bukur je Mari, Krijuesi për Nanë të vet t’ka
Zgjedhë.
Virgjin mbi të gjitha kryatyrët lumnon,
E tash Ti ne do të na harrosh? Thue fëtyren mbi ne
S’e sjellë tanë ambëlsi?
Jo, nuk e besoj! Je Nanë e nuk na lëshon.

                                                17.05.1971


JETA IME

Me mure të naltë rrethue asht shtëpija eme
Si sot e dyqind vjetë ma par ajo ishte,
Aty kam qa, aty kam qeshë dhe kam pasë gëzime
N’atë shtëpi përreth mbushë me barë, lule e
pemishte.
Dikur kur unë ishe fëmi lojshe me shokë moshatar,
Qeshëshe me ta, por jo si çdo fëmi tjetër
E pra s’jam kenë fëmi princash rritë me oborrtar
Por i vorfen fort si një leckë e vjetër.
Nuk më vjen keq për vitet që kaluen
Malli për ato aspak mue nuk më merr.
Jam andrrimtar, pra pres një ditë të lume
Tuj lanë mbrapa ato që kaluene në terr.
Sot jam mbi tridhjet vjeç moshë e pjekunisë
Zemra nuk më dridhet shpirtin e kam të dlirë,
Eci me hapa të parë në shtigjet e lumnisë
Pse pa da Ati më dikoj mue hirë.
Mbret se kam pasë tim atë nanën jo mbretneshë
E pra gjak mbreti në dej mue më qarkullon,
Nana eme asht po Virgjineshë
E me Birin e Sajë shpirtin unë ushqej.
Do të çuditet bota e veshtir’ e kane me më kuprue
Si me gjak tim vlla shpirtin unë ushqej.
Vall’ jam si Kaini që shpirt e trup rrënoj
E mallkimin e Zotit botës ia rrëfej
Për çka thashë ma sipër s’don çudi aspak
Na si Kaini bajmë në jetë pa pra,
Me thika theret Nana nën çdo kulm e prak
E mbysim Atë që Nanë e mue ka ba.
A mundet të ket’ paqë n’mes vllazenve shoq me shoq
Kur nanë e babë ata nbuk njofin?
Si mundet m’u thanë se dashunija prej zemre s’mu
shkoq
Kur biri s’don Nanën e babën s’ka si m’e dasht?
A nuk e dinë se prej duarve të Saja shpërndahet hiri
E se dashunija e Birit ndaj Babës lind tuj e drasht
Rreptësija e të Cilit asht dashunimi?
Kështu kam ecë deri sa u bana burrë
E n’vazhdim t’kësaj rruge deri të vdes dua të kaloj,
Me shpresë në Zotin kurr s’kam për me ngecë
Deri të mbërrij te ai cak ku Ai mue më caktoj.

                                                            Shkodër, me 13.06.1966

PO E KUPTOVE MIRË TI…

Ngado që të endem do të mundohem me gjetë
Atë gëzim që shpirti neve na kërkon,
E n’kjoft se jo, do të rrijm tue pvetë,
Ai ku qëndron.

Dikur do të kemi nji përgjegje
Ndoshta edhe të mektë në të thellin shpirt,
Por që të na i flasin kësaj ndërgjegje
Me zemër të dlirtë.

E kjo, po, neve do të na baj’ t’ecim
Ndër shtigje të pa shkeluna asnjiherë,
Këtu nuk do të dijm, kurr të ngecim
Pa lavd e nderë.

Ç’gëzim mund të kemi mbrenda kësaj bote
Përveç deshirave që na rëndojnë,
Ato i përgjigjen gjanave kote
Dhe na mundojnë.

I kot je njeri, i kot dhe i yti gëzim
N’kjoft se mendon kështu ti përhera:
Se ti s’ke lindun këtu për defrim
Që bjen pranvera.

Lumnit e tokës se knaqin shpirtin
Sa do të mdhaja duken se janë,
Me të përcjell dita muejin e mueji vitin
Veç se me gjamë.
Nji paqë mund të ndijsh në shpirtin tand
Po e kptove mirë ti dashuninë,
Veç Zotit kahdo që të silleh njeri anë e kand,
Se gjenë lumninë.

Ajo asht zemra që pret çdo mzemër
Me u bashkue përherë me Të,
Po, për çdo njeri i vetmi Emër
Thoni: “Për amshim kje”.

                        Shkodër (Zadejë), me 01.10.1970

UDHTOJMË…,…,

Udhëtojmë, qeshim, gëzohena
E n’mbramje na zen e vona,
Por na s’rrijm me mendue
Se deka i korr njerëzit
Si barin kosa.

Udhtojmë në jetë kambë e kaluer
E vargu i saj thue  s’ka mbarim,
Vapa e të ftohtit na zen në tërthuer
E t’mjer rrijmë na në dëshprim.

Google+ Followers