Intervista/ Sulejman Mato: Ju rrëfej mëkatet e Lidhjes së Shkrimtarëve

Fatmira Nikolli


Për Sulejman Maton, redaktor i dikurshëm pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, më të rrezikshme sesa vetë Sigurimi i Shtetit kanë qenë organizatat e Partisë. Në një intervistë për "GSH" ai tregon se si funksiononte puna në Lidhje dhe se si e përjashtuan prej andej. Në një prej tri mbledhjeve që u bënë për të, ai u pushua nga puna. Në mbrojtje të tij doli vetëm Jakov Xoxa, ndërsa dakord për shkarkimin ishte Fatmir Gjata.


Si e mbani mend kohën në Lidhjen e Shkrimtarëve? 

Sigurimi i Shtetit ishte brenda një ministrie që merrej me persona të veçantë. Ata piketoheshin nga organizatat e Partisë e më tej i sugjeroheshin Sigurimit të Shtetit. Ne që nuk ishim në organizatë, mezi e mësonim se ç’ndodhte atje. Prej aty bëheshin emërimet e shkarkimet. Në Lidhje, kur shkova unë ishte Kol Jakova, Dhimitër Shuteriqi, Sterjo Spasse. Na morën se duhej gjak i ri. Partia vendoste, ajo të merrte e ajo të hidhte. Ne i njihnim kalecët e partisë që ishin në Lidhje. Pak a shumë e dinim se kush ishin. Ndonjëri hapej dhe thoshte “unë e futa filanin në burg”.

Sa ishin në Lidhje? 


Ishin dy. Ne i njihnim. Njëri shkonte gjithmonë t’i blinte cigare sekretarit të Partisë. Njëri quhej Fadil, një tjetri i thoshim Lamja. Kishte në Lidhje persona që punonin me dëshirë për Sigurimin, ishin njerëz të rëndomtë, por nuk i them emrat sepse janë gjallë. Nuk i ka futur Enver Hoxha njerëzit brenda, ata kanë futur njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, Lidhja e Shkrimtarëve kishte intelektualë brenda. Sterjo Spassen e kisha në zyrë, e ishte një shkrimtar me shumë dinjitet, shumë njerëzor, i kulturuar, i qetë, i heshtur. Por, ai nuk ishte anëtar partie, as Kol Jakova nuk ishte anëtar partie, as Adelina Mamaqi, as Faik Ballanca.

Cilët ishin disidentë?

Ka pasur vetëm disidencë estetike. Të thuash që dikush ka qenë disident, ai duhet të kishte dalë hapur kundër partisë. Disidencë estetike, me motive të reja, në stilistikë. Donin tema aktuale në poezi, donin aksionet… Lasgush Poradeci vinte në Lidhje me shkopin e tij, por e quanin të vjetruar se nuk shkruante për temat aktuale. Dritëroi e kapte temën aktuale, e po ashtu Kadareja. Me ne sillej mirë Dashnor Mamaqi, ishte sekretar i Partisë për Tiranën. I kishin dërguar librin tim të nënvizuar e plot me shënime mbi gabimet që kisha bërë. Më tha të kem kujdes se ishte kohë e stuhishme. “Në këto kohë ki kujdes nga çdo gjë, çfarë shkruan, çfarë thua, kë takon, me kë flet. Nuk i dihet se ç’ndodh e mund të digjet bari i njomë për të thatin”.


Si erdhi goditja në Lidhje? 

Nuk zgjati shumë. Xhevahir Spahiu botoi një vjershë: “Jam ai që s’kam qenë, do jem ai që s’jam”. Qe koha kur u godit Festivali i 11-të, Enveri goditi atë dhe iu kthye letërsisë. Problemi ishte të godisje pikat lart; Fadil Paçramin, që ishte sekretar i Partisë për kulturën, dhe Todi Lubonjën, që ishte drejtues i RTSH-së. Mirëpo, burokracia vendosi që duheshin hequr edhe ca të tjerë, kështu që radha më erdhi mua që punoja tek “Nëntori”.

Më kërkonin llogari pse ishin botuar poezi të Frederik Reshpjes, Xhevahir Spahiut. Më tej u pyet në sallë, pas dy a tri mbledhjesh, se kush ishte dakord të më hiqnin nga puna. Asnjë nuk e ngriti dorën përveç Fatmir Gjatës, që ishte kryeredaktor. Jakova Xoxa u skuq, u ngrit në këmbë dhe tha: “Si u bë kjo punë, i panë një fije bari lepurit në buzë dhe i thanë, aha ti e paske ngrënë gjithë barin”. Të të hiqnin nga puna në atë kohë, t’i hiqnin të gjitha risqet. Mezi i ktheva dokumentet nga Elbasani që të jepja mësim në një shkollë nate në Tiranë. Në Lidhje u bënë mbledhje të tjera, ku u goditën të tjerë. Në të tretën, u bënë goditje më të rënda, hoqën edhe Dhimitër Shuteriqin nga kryetar i saj. Ishte koha kur u godit edhe Paçrami e Lubonja, atje ra sëpatë e madhe. Fatmir Gjata më akuzoi se kisha shkruar edhe antiroman, meqë unë kisha shkruar një material me 150 faqe. E kishin nxirë atë shkrim. Unë u justifikova duke thënë se nuk dija të shkruaja roman, e jo antiroman.

Shkrimtarët nuk të mbronin, nuk kishte klimë të ngrohtë: “na iku ky”, thoshin. Thjesht kaq. Vetëm Jakov Xoxa më ka mbrojtur dhe deri diku edhe Faik Ballanca.


Kush i thurte sulmet? 

Merreshin vendimet lart, përpunoheshin në organizatën e Partisë dhe më tej realizoheshin. Organizatat e Partisë ishin më të rrezikshme se Sigurimi i Shtetit. Operativi i deklaruar i Sigurimit, Vladimir Meçe, më kërkoi që të bëja një deklaratë për mikun tim, Viktorin, që në fakt nuk ishte i mirë. Donin ta çonin në spitalin psikik të Elbasanit. Këmbëngula se ishte mirë dhe më tej i rrëfeva shokut tim ç’po ndodhte dhe i sugjerova të shkonte tek e ëma. Në karakteristikat që na dhanë në Lidhje, thuhej se ishim hequr për gabime ideologjike dhe kjo na prishte shumë punë.

E keni takuar më Fatmir Gjatën? 

Po, nuk i kam mbajtur mëri. Ai vinte të fliste vetë dhe të përqafonte. Ai në ato çaste ishte kundër meje, por mendoi se mund të zgjidhej shpejt. Së paku nuk m’u hoq e drejta e botimit, si Petro Markos për shembull. Unë e kam pasur mësues letërsie në gjimnaz atë dhe më dha dozën e parë për të shkruar. Në fakultet kisha në kurs Helena Kadarenë, Vath Koreshin, Ruzhdi Pulahën etj. Ishim kurs shumë i mirë dhe kam ruajtur marrëdhënie të mira me ta edhe tani.

Google+ Followers