Idetë e papërkryera

Lexime filozofike

At Gjon Shllaku


Asgjë nuk është më e rrezikshme dhe më pak diturore se të sundohesh në praktikë nga ide të papërkryera. Ashtu siç është se e shumta e njerëzve flet më tepër se di, ashtu është e vërtetë se pakica më e vogël di më tepër se flet. Duke lënë anash turmat e popullit të ulët po të marrim e të kundrojmë edhe çetat e atyre që e mbajnë veten të kallaisur me kulturë e qytetërim shpesh herë kemi për të mbetë të deziluzionuar për varfërimin e ideve fuqiprurëse të njëmendta të tyre e çka është më zi, për kuptimin e mkangët e jo fort rrallë edhe të dallueshëm të disave që mbahen për apostuj të përvëluar idesh kështu të quajtura tashma progresistë, ndriçuese e edhe nacionaliste.
Nuk është nevoja për një analizë të thellë për të parë se të shumtën e herës në një lëmsh të tillë thëniesh e arsyetimesh fshihet një sektarizëm i thartë me qëllim sulmues si dhe njëherësh një manovër e rafinuar oportunizmi për tu dalë në krye interesave vetjake apo edhe kolektive nën maskën e artë të respektuar e të mbajtur si të shenjtë prej ambientit. Një situatë e tillë është gjëja më e dëmshmja për një popull, sepse ky në këtë mënyrë fillon të humbe besimin në ato që ka më shumë për zemër; formohet një lloj apatie për gjithçka që është e lartë e, për më tepër zë fill një anarki idesh, prej së cilës herët a vonë mund të dalin katastrofa të mëdha për jetën dhe mirëvajtjen e kombit.
Ne e dimë dhe ndër këto kohët e fundit na ka rënë të dëgjojmë shpesh herë të përsëritur edhe prej shtypit tonë kombëtar, se me pushtimin e katërqind e pesëdhjetë vjetëve trashëgun një mentalitet skile levantinizmi, nëpër të cilin gjithçka, pothuaj, duhet marrë në kuptimin e kundërt kur flitet a shkruhet e se lipset të shikohet se ku do të dilet kur dikush gërthet fjalë të bukura e bën premtime lajthitëse e tingëlluese tepër ëmbël për veshët e tu. Një mentalitet i tillë nuk lejon të merret për të vërtetë asgjë e jo vetëm kaq, por edhe shuan tek njeriu deri çdo ndjesi shqetësimi për çrregullimin e ngjarjeve, për më tepër çrregullimi bëhet një nevojë jete e domosdoshme, në të cilën individi gjen plotësimin e gëzimit të vet. Gëzohet, kënaqet në çrregullim. I intoksikuar njeriu prej kësaj plogështie morbide të amalgamuar me një dinakëri e sherri satanike, çdo nxitim që mund t’i vijë prej tjetërkuj për tu ngritën prej kësaj gjendjeje e kundron si një sulmim kundër ekzistencës së vet e atëhere, duke u apeluar sentimenteve të lartë të së mirës së përbashkët, kërkon me forcë e me ide për ta shkemy atë rrymë reaksioni shelluese që kishte për të vlejtur për shërimin e shpirtit të lig të tij. Deri sa sulmi të bëhet me forcë njeriu është i kënaqur pasi ky është një shenjë i kjartë i pafuqisë së atakuesit, por kur forca të jetë e mveshur me leskrën e idesë, atëhere njeriu ka një përgjegjësi e është i detyruar të flijohet, te shkimet por me nderë, me armën e arsyes në dorë.
Nuk është një punë e lehtë të hedhësh ide ndër masa të popujve e nuk mjafton vetëm të bërtasim me të madhe para publikut për të qenë dëgjuar prej tij. Më fort se asgjë tjetër, ajo çka e sqaron suksesin e një ideje në opinionin publik është toni bindës me të cilin duhet jetësuar përpara e vërteta në personin e atij që merr përsipër të ndriçojë të tjerët. Ndryshe ideja ka për të mbetur shterpë në vetvete e më të shumtën ka për të shkaktuar një mëri kundra saj nga ana e publikut e kështu kishte për të dhënë efektin e kundërt të pritur prej saj. Sa më fort pastaj do të kishte përfituar një reaksion, po iu ra në erë punës se mjellësi i ideve të reja vepron sipas taktikës që përmenden më lart, duke profanuar në këtë mënyrë, për qëllime thjesht materiale, personale të plogështisë së kotulluar të saj ose çka është më zi, për qëllime lukrative të veta, idealet e kombit. Sa herë na ka rënë rasti të shohim shkrimtarë, detyra e të cilëve është të ndriçojnë popullin, të ndërrojnë ideologjinë sipas stinëve të krizave që ndjekin njëra tjetrën. Stili i fyre gjithnjë i enjtur, i ndezur, i mbuluar me plloçka të mëdha superlativash, mbjellur pa dhime anë e kënd ndër shkrime të tyre, është shenji më i qartë se ky lloj frymorësh përtypësa është i brerë nga merkantilizmi se në shpirtin e tyre të kalbur përveç interesit nuk mbretëron ideologji tjetër.
Është e pamundur të ushtrosh çdo virtyt e sigurisht edhe atë të nacionalizmit të vërtetë, kur ti mungojnë njeriut themelet kryesore të një jetëshikimi (Lebensanschaung) të pafundshëm. Si mundem ta dua unë Atdheun e shtetin tim, kur koncepti mbi vlerën e qëllimin e jetës sime është i bazuar mbi një egoizëm të mbrudhur ëndrrash, ose më mirë të themi qefesh, kur më mungon ndjesia e vështrimi i njëmendtë i familjes, kur vlerësimi i të drejtave të shokut tim nuk është i mbështetur në një dashuri e drejtësi universale e të patrandshme?
Në fjalimin e mbajtur me rastin e pranimit të tij në Akademinë franceze, Pastër la këto fjalë të pamortshme: “la grandeur des actions humanines se mesure al l’inspiration qui les fait naitre”, madhështia e veprave njerëzore matet nga inspiracioni që i lind ato. Lipset prandaj medoemos një bosht i fortë humbjesh e botëkuptimesh, të pavarura arsyetisht e historikisht si bamirëse për mirëvajtjen, që ti vihej në mbështetje kujdo që e ndjen veten të thirrur për ti folur publikut.
Lëvizjet dinamike për oksidentalizimin e plotë të Shqipërisë janë një shenjë e kjartë se ne nuk na mban më nderi të jetojmë në llomin moral e mendor, në të cilin na futën kohët e kaluara, jo gjirhaq për fajin tonë, ndoshta. Veç se ajo që është rreziku më i madh për ne, është nëse duam të marrim një lesker të hollë e jo tërësisht shpirtin e gjallë të oksidentit, ngaqë na tërheq gjithnjë zemra për të mos u shkëputë me të vërtetë prej atyre, për të cilat ne vetë jemi të bindur se nuk mund të kenë vlerë për përtëritjen e jetesës sonë shoqërore e kulturore. Shqiptarin do ta bëjmë që të arrijë nëse jo të ndjejë nevojën, të marrë vetëdije e t’ia paraqesë vetes problemin e plogështisë së vet. Nuk mjafton të sillemi periferisë e të rrahim çështje duke e përkundë gjithnjë në gjumë shpirtin e tij me një diletantizëm thënjesh, shprehjesh edhe artikujsh që gudulisin vetëm veshët; jo, detyra jonë është të rrënjosim në psikologjinë e popullit tonë normat gjallëruese, prej të cilave të mugullojnë ndjesia e një dashurie e drejtësie universale si bazë për të ndërtuar mbi të idenë e Shtetit e të Kombit, që do të fillojë ta ndjejë si të nevojshme e bamirëse për vetvete çdo zemër shqiptari.
Gjithë ekzistenca e godinës shtetërore është e bazuar mbi atë grumbull të drejtash e ligjesh, të cilat vlejnë për sigurimin, zhvillimin e lehtësimin e arritjes së qëllimit, për të mirën më të madhe të individit. Shteti s’ka kuptim tjetër veç ndër njerëz, për njerëz e për të mirën e përbashkët të tyre”.
Një ndër ligjet e gjithëmbarshëm të rrënjosur thellë në natyrën e njeriut është se ky kërkon perfeksionimin e vet mbi botë. Sido që ta marrë këtë, në daç në pikpamje hendoniste në daç në pikpamje morale, duke nënkuptuar në mes këtyre ekstremeve “gamën e fazat e ndërmjetme të aspiracioneve njerëzore të gjitha, jeta e këtij frymori që i thonë njëri nuk është tjetër veç një shprehje e gjallë e asaj prirjeje për t’u shtrirë përherë e më tepër në qënje, për tu realizuar përherë e më fort. Zgjerimi në qenje është për njerinë lumturia, ngushëllimi më i madh, e kaq e fortë është kjo prirje, sa pengimet që mund të vijnë prej rrethanave të ndryshme e shtyjnë nga një herë edhe ti jap fund jetës e të kërkojë ngushëllim, nëpër një akt aq të kobshëm sa edhe irracional në vetvete, edhe në hapësirat e zbrazura të asgjësë më parë se të gërryhet përbrënda prej kësaj “dua e nuk mundem” tragjike. Kërkon të shfryjë, të zbërthejë në asgjë. Por edhe ky shauret i ëmbël i asgjësë, përfitim i ngutshëm i miopisë mendore të një të dëshpëruari nuk është gjë tjetër veç theksimi e shfaqja e asaj prirjeje të pashkëmbyeshme për t’u kapë për diçka që të jetë më e mirë, më e pëlqyeshme, më e kënaqshme për të. Është vigma më e forta, ulrima më e rreptë për jetë.
Denn, der ich bin, gibt trauernd die Hand dem, der ich konnte sein (F. Hebbel)
Jeta prandaj imponohet. E kapërthyer dhe e ndërlikuar ashtu siç është ajo imponohet. Njeriu kërkon të shtrihet të bëjë për vete, po të ishte e mundur të gjithë botën.
Nëpër ide ai kërkon ti depërtojë, ti unifikojë e asimilojë me të veten edhe mëndjet e të tjerëve; priret të përhapë To ego mendues te vetin ndër të ngjashmit e vet. Do të donte që të gjithë të mendonin si ai. Nuk është nevoja që të marrim shembullin e shkencëtarëve e mendimtarëve të mëdhenj; mjafton të vërejmë çdo diskutim të përditshëm mes anëtarëve edhe jo të shkolluar për të konstatuar në raste të tilla se e gjithë puna sillet të triumfojë seicili mendimin e vet mbi të tjerët, për këtë njeriu përdor gjithfare mjetesh të ndryshme, më të shumtën instinktivisht për t’u dukë, për të tërhequr vërejtjen e për të zënë vend mundësisht sa më të madh në kureshtjen e të tjerëve. Por njeriu nuk kënaqet vetëm me dominimin e vet në kohën e tashme: ai do të zbërthejë verigat e kohës dhe bën çmos që të kaptivojë edhe të tjerët ndër kohë të ardhëshme, do të tiranizojë edhe breznitë që do të vijnë. Don mos të harrohet, kërkon të amshohet në kujtimin e të tjerëve.
Përveç kësaj njeriu kërkon të shtrihet njëmendësisht me anën e seksit, lyp të shtohet, të formojë un-a edhe në hapësirë. Natyra e ka galvanizuar e zbukuruar këtë prirje edhe me anën e dashurisë në mënyrë që, spontanisht, si prej vetes, ngrohtësia e këtij zjarri të kallur në ndjesitë e njeriut të realizojë qëllimin kryesor, shtimin e tij mbi botë.

*Fragment nga publicistika “A po kuptohemi”
Standard

Google+ Followers