HEREZI (Në vend të demarshit për aktin vandal të 24 majit) - Agim Vinca

Agim Vinca

Sulmi në Shtëpinë e Alfabetit në Manastir ndodhi në Ditën e Shën Kirilit dhe Metodit, që
është festë zyrtare në shtetin fqinj me emrin FYROM.
Mesazhi i tij është i qartë: këtu s'ka vend për shkronjat shqipe!
Alfabeti cirilik s'i duruaka ato. Shkronjat shqipe! Mbase as latine.
Urrejtje, krim, barbari... Ç'është, vallë, kjo që ndodhi në Ditën e Shën Kirilit dhe Metodit në
Manastir?
Në "qytetin e konsujve", si e quajnë ata; seli e Vilajetit dhe e Kongresit, për ne. Aty ku burrat
nga të katër anët e Arbërisë morën vendimin historik të ABE-së.
Si mund të jenë të shenjtë ata që s'i durojnë dot të tjerët vetëm e vetëm pse janë
ndryshe?! Hiqjauni Kirilit dhe Metodit nofkën "Shën"! Hiqjauni aureolën pasardhësve të tyre
mesjetarë e modernë! Mos e mashtroni botën!
Ç'shenjtëri është kjo?
Sulmi vandal në Shtëpinë e Alfabetit në Manastir ndodhi në valën e fushatës zgjedhore
në Shqipëri. Në Shqipërinë shtetërore… Nuk pati reagime nga Tirana zyrtare. Atje bëhet garë
për vota; garë e ethshme. Në të vërtetë luftë për pushtet. Tash njëzet e tre vjet, e tash njëqind
vjet!
Lëngon alfabeti shqip. Alfabetin shqip s'ka kush e mbron! Shkronjat shqipe po përgjaken
edhe në shekullin e 21-të! Si në kohën e turkut; si në kohën e Kralit; si në kohën e
"Vozhdit"… Dhe të shkërbyesit të tij namqorr nga qyteti buzë Vardarit, mbushur dëng me
kuaj, luaj e luftëtarë legjendarë.
Sheshe, hotele e stadiume me emra të bujshëm: Leka i Madh, Filipi i Dytë, Buqefal… Hip
këtu e shih Stambollin!
Në shtetin me emrin FYROM çelin si akaciet iluzionet. Dhe paradokset mbijnë si kërpudhat
pas shiut!
Sondazhet thonë se shqiptarët janë populli më i urryer; Shqipëria shteti më armiqësor!
Sa të marrë që janë, o Zot! Ç'heretikë!
Herezi është me siguri dhe kjo që bëj unë!
Demarsh në vargje a p(r)oemë postmoderne?!


(Prishtinë, 29. 5. 2013)

Google+ Followers