…çka burrat thonë, mos u frikëso, vashë, zbutu!



Poezi të shkëputura nga antologjia e poetëve të lashtë grekë, shqipëruar e përzgjedhur nga Ilia Ballauri; janë poezi liriko-erotike që përfshijnë harkun kohor të një mijë vjetëve

Karrem i ëmbël, fytyra jote joshëse
 Të vunë përpara vitet, të mbaruan

Arkiloku

Tashmë të shkoi gjithçka,
asgjë më nuk të mbet,
nga lulëzimi i butë,
i njomësisë së trupit tënd
… u tha…, u thave, vaj medet.
Tmerri i moshës,
po të merr për fund,
ai karrem i ëmbël,
(pra fytyra jote joshëse)
u shkri, prej kohës u mund.
Prej shumë furtunash,
që vitet mbi ty lëshuan,
jo, s’rezistove dot,
të vunë përpara, të mbaruan.


Megjithatë ti ki kujdes

Nga ato çka burrat thonë,
mos u frikëso, vashë, zbutu!
Unë do të dua për gjithmonë.

Ti mos kujto se unë të gënjej,
veten si të tjerët e përul,
Mjafton që ty të të pëlqej.

Nuk jam, s’jam burracak i ndyrë,
as njerëzit prej nga rrjedh,
S’e njihnin, dhe ata këtë mënyrë.

Të dashuroj, unë di fort mirë,
dhe të urrej, kë më urren,
Ta ndjek kudo, dhe pa mëshirë.

Megjithatë, ti bën mirë,
që arën e ruan, të paprekur,
Të palëruar, të palëvrirë.

*Arkiloku shkroi si për dashurinë ashtu dhe për luftën. Ai dashuroi një vajzë, Neobulën, që fillimisht i ati i saj, Likambes, i premtoi atij se do t’ia jepte atë për nuse, ndërsa më pas, nuk e donte poetin. Thuhet se ky pastaj e ironizoi aq shumë Likambesin në poezitë e tij, sa e bëri që të varte veten.


Ku isha lënduar, a isha dashuruar…
Safo

Ti hyjni e përjetshme, ti fronpurpurt, Afërditë,
Ti bija rrjetgrackë e Perëndisë, më çliro, më zgjidh,
Të lutem Zonjë, m’i largo hidhërimet, brengat, kllapitë,
Në gji të trishtimit, mos më ler, mos më hidh.

Eja pra, si dikur, më kujto nuk besoj të më kesh harruar,
Ti thirrjen time kur’ dëgjoje, ti m’vije në të zemrës fole,
Oh, më vije, më qëndronje, prej pallatit tënd duke fluturuar,
Me të artën karrocë, ti notoje nëpër re.

Mbrehur mjelmash pendbukura, karroca jote me shpejtësi,
Sulej bujshëm në eterin qiellor, fuqiplot’ të dashurisë,
Krahëpërplasur mjelmat, vinin, rreth dheut të errët, të zi
Mbërrinte karroc’e kënaqësisë, lajmëtar’ i dashurisë.

Kur vije rrufe, ti perëndeshë e bekuar,
Ti fytyrë hyjnore, ti dhimbjelehtësuar,
Më pyesje për plagët që prapë, kisha marrë,
Ku isha lënduar, a isha dashuruar.

*Safo jetoi në kapërcimin të shek. VII dhe VI para Krishtit. Lindi rreth viteve 600 në Lesbos prandaj quhej ndryshe Lesbia. Ishte e pajisur me një kulturë dhe një talent të rrallë poetik. Safoja ka mundësi të ketë qenë drejtuese e një shkolle femërore, ku vajzat mësonin dhe edukoheshin, veç të tjerash me muzikë dhe poezi. Nga gjithë krijimtaria e saj kanë mbërritur vetëm disa fragmente. Poezia erotike e saj vlerësohet për një finesë të pakrahasueshme.


Fragment nga vepra e Sofokliut, “Antigona”
as të mos vajtojë, as të mos qajë!

Antigona
(pjesa e parë)

Tragjedia fillon me një bashkëbisedim midis Ismenës dhe Antigonës, e cila i tregon së motrës për vendimin që ka marrë Kreonti.

Antigona

Nga të dy vëllezërit, njërin e nderoi
me varrim Kreonti, kurse tjetrin jo!
Për Eteoklin thonë se dha urdhër,
që në dhè të kallet si e do e drejta,
ligjet e zakonet e qytetit tonë,
me qëllim q’ay të jet’ nderuar,
ndër ata që vdiqnë dhe ndodhen te Hadi(3).
kurse për të shkretin Polinik q’i ra
mortja e shkretuar, shpalli në qytet
që asnjë qytetas të mos e varrosë
as të mos vajtojë, as të mos qajë,
po mbi dhè ta lenë, si ushqim të ëmbël!
Për zogjtë që gjuajnë të gjejnë ushqim.
ja këto, si thonë, shpall Kreon’i mirë
për ty e për mua- dëgjon? – dhe për mua;
vjen këtu dhe vetë, që ta thotë qartë
për gjithë ata që s’kanë dëgjuar.
Dhe s’ka fjalë vetë; po kush do të bëjë
ndonjë nga këto do vritet me gurë
brenda në qytet. Ja kështu ësht’ puna.
tani do tregosh, nëse je fisnike,
apo frikacake, ndonëse prej prindësh
të dëgjuar që rrjedh.

Antigona i kërkon Ismenës ta ndihmojë për të varrosur Polinikun, por kjo frikësohet. Antigona e varros vetë të vëllanë, Polinikun…



Një nga poezitë më të famshme të At Vinçens Prenushit, “Grueja shqyptare”, konsideruar si një nga kryeveprat e poezisë shqipe
 Grueja shqyptare
(Amë e bi)


At Vinçens Prennushi

Ka ra rrezja nder bajama!
T’ bin e vet kshtu e pvetë e ama:
- C’ke, moj bi, qi kjan e fshan?
Kjan e fshan, e vetllat vran? -

- Kjava shum, mori lum nana,
Tuj qindisë e m’ ra gjylpana;
M’ ra gjylpana nen balkue,
E jam ulë tash me e kerkue. -

- Po cka kje qi lodt t’ i xori?
Ku kje dhima, a ku kje zori?
A por, drue, mos m’je harlisë,
Qysh se kjan – o tuj qindisë.
Pasha nanen nuk mund t’ bari,
Qi të me ndezet bija zhari!
Do t’ a dije e zeza nanë,
Pse ti vetllat shpesh m’ i vranë;
Pse c’ kah mot, moj, buza s’ t’ qeshet
E n’ argtime zemra s’ t’ ndeshet. -

- Nuk a’ gja, moj nanë s’ a’ gja;
Por po t’ tham, se as kot s’ jam vra:
Dicka vlon n’ ket cerdhe zanash;
Vlon dashtni, si n’bija nanash!
Nane, dashtnija m’ ka molisë,
Prandej kjaj – o tuj qindisë! -

- T’u thafët goja, bi, c’ po thue?
A kaq shpejt ti m’ je terbue?
Po shikjo, moj bi kercuna,
Se, po bana ‘i herë e t’ xuna,
Bana e t’ pava tuj m’ dalë n’ derë,
Nuk m’ ke pshtim, jo metsha e mjerë! -

- Jam shqyptare e bi shqyptari,
E ato fjalë, nanë, s’ mund i bari:
S’ ke me m’ pa, jo, tuj dalë n’ derë,
Si kujton, pse m’ ke per nderë;
As, moj nanë, nuk jam harlisë
Vec pse kjaj – o tuj qindisë,
E shka n’ zemer m’ ka pengue,
Asht gja e dejë, o nanë, per mue. -

Fillon nana tash me u vra:
Dicka nakel së mjerës i asht ba;
Don me cilë të ngriten gojë;
Por dro e mjera mos t’ gabojë:

- Fol, moj bi, mos m’ len nder grepa,
Mos më mshef gja, moj, se do djepa
I kam luejtë der tash e m’ ke
Dhelpen t’ vjeter: Ty sot be
T’ paca lshue, tash me m’ diftue,
Se pse zemra peshë t’asht cue. -

- Nanë, dashtnija m’ ka molisë,
Prandej kjaj – o tuj qindisë. -

Bindej nana, gja s’kuptote,
Por, te miren kah i a dote
Muer me t’ amel e i tha e mjera:

- Mori bi, moj si prendvera,
Pash njat diell e pash njat hanë,
Pash njat Zot, qi kthiell e vranë,
M’ difto sot, c’ sokol ke xanë? -

- C’ farë sokolit thue, moj nanë?
T’ thacë, moj, t’ thacë se s’ m’ a ban ndera,
S’ m’ a ban shpija, as s’ m’ a ban dera
Me luejtë mendsh, moj nanë, mas kuej:
S’ i kam dhanë, jo, fjalë kurrkuej.
E po t’ tham: Se n’ t’ endun t’ motit,
Po t’ tham, po, me besë të Zotit,
Ty due fjalët me t’ i ndigiue,
As s’ kam mend me t’ u largue.
Zemren dysh un s’ mund e daj:
M’ len t’ qindisi, m’ len të kjaj! -

U ngri nana, lodt i pshtuen;
Para s’ bis fort syt i u xuen.

Kaluen dit e kaluen net,
Vajza ma me gojë s’ po flet:
Me gojë s’ flet edhe na a’ smue,
Rat e mjera a’ tuj lingue:
Lingon keq n’ at shtroje deket
E shpesh paket edhe meket.
Ftyra e sajë porsi flok bore;
Mndash, gjylpanë s’ i hjekë prej dore;
Por punon e tuj punue,
Shef pelhuren se a’ marue:
I lshon syt mi te me mall
Edhe e puthë e e ven në ball.

Nana vajzen tuj dihatë
Shpesh e ndien e: – Mori e ngratë,
A njimend s’don me m’ diftue,
Se pse zemra peshë t’ asht cue? -

- Nanë, dashtnija m’ ka molisë;
Kjava mjaft-o tuj qindisë!
Kjava mjaft… – Ma desht t’ligjrojë,
Por i u kput ksajë fjala n’ gojë.
Si fjalë tjera nuk mund të xori,
Mndash, gjylpanë prap n’ dorë i mori;
Por dy duerët, porsi florini,
Mi pelhurë deka i a ngrini.

- Kuku nana kjan me lot,
Se c’ me gjet mue t’meren sot!
Se c’ e gjet të zezen nanë
Nen ket diell e nen ket hanë! -

Merr pelhuren, qi pat enë
Bija e sajë; kishte pasë kenë
Kuq e zi e m’ te qindisë
Gjet dashtnin qi e kisht’ molisë.
N’ krye t’ flamurit kisht’ punue,
Per rreth shqypje, m’ dorë prarue,
Fjalët e hershme, fjalët e të Parve:
Se Shqypnia asht e Shqyptarve;
E nder skaje fjalët “liri”.
Merr nanë-shkreta e pshtiell at bi,
Qi, pa njofët tjeter dashtni,
Ishte shkri vec per Shqypni.

Eni bija, zana malit,
Ju qi kjani n’ dekë t’ njij djalit,
E, permysë mi ket bujare,
N’ te nderoni bin shqyptare;
E tuj puthë e mall e vajë
Njat flamur, qi dora e sajë
Diejti aq bukur me qindisë,
Pse dashtnija e kisht’ molisë;
Lidhniu tok: Per herë dashtnija
Per vend t’ uej t’ u jet stolija;
Pe, po kje qi, si kjo bi,
Rriten vashat në Shqypni,
N’ vend do të shkojë-o fjala e t’ Parve,
Se Shqypnia asht e Shqyptarve.
Lidhniu tok, si bajshin motit
Ato bijat e Kastriotit,
E broh’ritni n’ gzim e n’ vajë:
Rrnofte Shqypnija e flam’ri i sajë



Google+ Followers