Arbëreshi Elio Miraço, një letër intime për Amik Kasoruhon Ti, banori i urtë i Monopolit…



“Pa mëri” është botimi publicistik i përkthyesit e shkrimtarit Amik Kasoruho, mbështetur nga Qendra Kombëtare e Artit dhe Kulturës, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Pegi”.
Libri përfshin shkrime dhe intervista, si dhe artikuj të Kasoruhos mbi fenomene letrare, autorë, personalitete që kanë interferuar në jetën si shkrimtar, e përkthyes. Në mbylle të librit, si epilog është një letër e shkurtër e studiuesit të letërsisë shqipe në Universitetin “La Sapienza” të Romës, e arbëreshit, prof. Elio Miraço, ish-nxënësit dhe më vonë bashkëpunëtor i Ernest Koliqit, i cili ia dërgoi autorit ditën kur mbushi 80 vjeç. Gjithë jeta dhe peripecitë e Kasoruhos lexohen tashmë si një libër i hapur si një nga personalitetet më të angazhuar dhe aktiv në media.
Është ende pak e njohur një fushë tjetër e autorit, publicistika, sidomos ajo pjesë e botuar në mediat italiane e që nuk është përfshirë në këtë vëllim, për shkak se janë të gjitha botime në gjuhën italiane e që kërkojnë një impenjim më të madh nga ana e autorit për t’i renditur e botuar. Janë të rëndësishme për shkak të vlerës dokumentare, por edhe për të njohur atë pjesë migrimi të autorit, kur kontributi i tij për Shqipërinë ishte po aq i madh sa ka qenë i njohur këtu, këto tre katër
vitet e fundit. Letrën e botojmë të plotë më poshtë:

***

Epilog
Tetëdhjetë vjet…

I dashur Amik, e di që nesër është ditëlindja jote dhe pret telefonatën time. Gjynah që ke lindur tetë ditë para Shpalljes së Pavarësisë, po të kishin qenë vetëm tri ditë, do të isha pranë teje, sepse vij në Tiranë në datën 25 të muajit. Kushedi, meqë për këtë njëqindvjetor do të mungoj, në të ardhmen, uroj ta festoj me ty.
Sidoqoftë, lajmi i një vlerësimi të ri nga Presidenti është një tjetër pohim i kësaj rruge të gjatë të nisur bashkë me demokracinë, që gjithsesi me vonesë, t’i ka njohur meritat. Midis të tjerash, për
ty është një shkas krenarie dhe do të ishte krenari për çdo bir që babai rivlerësohet dhe që emri i tij do të mbetet i përjetësuar në pllakën e shkruar tek ish-Ambasada Ruse.
I dashur Amik, ndershmërinë intelektuale dhe prestigjin kulturor i ke fituar me veprën tënde për të mirën e kombit shqiptar dhe kjo do të të bëjë të pavdekshëm. Ti, banori i urtë i Monopolit në bregun përkundrejt, zemrën e kishe kthyer ndaj tokës mëmë që s’e kishe harruar kurrë.
Vetëm librat e mirë kanë forcën e madhe për t’i bërë të përjetshëm njerëzit.
Nesër në orën katër, dije që do të jem duke gëzuar pranë teje dhe nëse do ta derdh ndonjë lot, do të jetë lot gëzimi. Gjithsesi, jam i bindur se shumë nga miqtë do të jenë pranë teje, por unë do të bëj çmos që të jem në rresht të parë, pranë bijve të tu.
Urime dhe të përqafoj fort
Elio Miraço
Profesor në Universitetin “La Sapienza”, Romë
Studiues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe
*Është fjala për ceremoninë e dekorimit nga Presidenti i Republikës së
Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” të A. K.

Standard

Google+ Followers