Të porsamartuarit


Nga Sulejman Mato

Dhoma jonë ishte pjesë e një apartamenti familjar të hotel turizmit. E ndarë me një derë druri nga pjesa tjetër e ambientit, e cila, përveç banjës, ishte e pajisur edhe me një kthinë ku ishte vendosur dushi. Ne e pranuam atë dhomë duke menduar që pamjen e kishte nga liqeni, por, kur u futëm brenda dhe pamë padrejtësinë që na ishte bërë, zbritëm përsëri në katin e parë dhe iu lutëm sportelistit të na kalonte në pjesën tjetër të apartamentit.
-Më vjen keq, -ngriti supet ai, - dhoma ngjitur me ju është prenotuar nga dy të rinj të porsamartuar të cilët i presim të vijnë nga çasti në çast.
Nuk e zgjatëm më. Në ditët që vinin do të njiheshim më mirë me punonjësit e hotelit dhe ndoshta do të na rregullonin në një dhomë më të mirë. Shfaqja "Pinoku" na ecte mirë. Salla e teatrit të kukullave të Pogradecit në dy netët e para u mbush plot e përplot.
Hapa derën e ballkonit me pamje nga liqeni, një fllad i lehtë filloi të luajë me perdet e najlonta të dhomës, ndërsa unë shihja me ëndje pasqyrimin e liqenit në xhama. Luspat e ndritshme xixëllonin mbi syprinën e liqenit sikur mbi liqen të binte një shi i artë. Kishte kaluar ora dhjetë e mbrëmjes. Ishte pikërisht çasti kur liqeni zhytej në dremitjen e tij dhe qyteti në errësirë. Dëgjohej vetëm pëshpërima e valëve…
Në korridor u ndien hapa, e pasuan ca të qeshura të hovshme. Ishin dy të rinj të pamësuar me rregullat e hoteleve. Hapat dhe të qeshurat u ndalën pikërisht para dhomës fqinje.
-Çelësin, -u dëgjua zëri i djalit, një zë i hollë me një theks korçar. - Ku e ke çelësin, mee… ?
Në vend të përgjigjes u dëgjuan të qeshura gudulisëse.
"Erdhi çifti që pritej", - mendova. Dera fqinje u hap me vrull sikur të porsamartuarit të hynin brenda të dy njëherësh. Përsëri e qeshura e saj e lartë dhe e shpenguar.
Pas pak dhoma fqinje u duk sikur ra në qetësi. Mirëpo, nuk vonoi dhe në dhomë u ndien përsëri fjalë, zhurma, kërcitje karrigesh si dhe kërkëllima e kanatit të ballkonit. Aq fort ndiheshin të gjitha këto, sa më dukej sikur ndodhnin në dhomën tonë.
"Duhet të kenë pirë pak,-mendova.-Gjë e natyrshme. Kjo duhej të jetë mbrëmja e parë që ata gjendeshin vetëm për vetëm, pas dasmës".
Nga dhoma fqinje u ndie përsëri e qeshura gudulisëse. E pasoi rënia përtokë e diçkaje të fortë.
"Do kenë rrëzuar kanën me ujë? Kjo do të ketë ndodhur,-mendova, meqë vajza po kërkonte gjithandej peshqirin. Për një çast dhoma fqinje u duk se ra në qetësi, por s' vonoi dhe vajza nisi të hargalisej përsëri duke u gajasur kot së koti.
-Ç'na gjeti, - tha shoqja ime e dhomës, e cila deri atëherë i kishte dëgjuar zhurmat pa u shqetësuar.- Sikur të vazhdojnë çdo natë kështu, duhet të kërkojmë një dhomë tjetër.
E porsamartuara duhej të ishte nga ato vajzat që e kanë të qeshurën në majë të buzës.
-Shëët, dëgjo, - gati sa s'thirri shoqja ime e dhomës: -Dëgjove gjë ?
-Jo. Pse? Çfarë ?
-Ata po zihen…
Një shpullë tjetër pasoi, kësaj here edhe më qartë.
Ne ndalëm frymën për të kapur me imagjinatë ç'ndodhte në dhomën tjetër.
-E qëlloi!
-E qëlloi dhe ajo…, -iu përgjigja unë .
Ndërkaq diçka e rëndë u përplas me vrull në murin ndarës, ngjitur me krevatin tim.
Në qetësinë e natës dëgjoheshin mjaft mirë ngulçet eksituese të mashkullit, të pasuara me thirrma kënaqësie. Ofshamat e ndërprera të vajzës sa vinin dhe rriteshin. "Seks fshatarçe, -mendova,- i egër dhe i zhurmshëm".
Nga të dyja palët nisi të bëhej një demonstrim aftësish seksuale, duke lëshuar ngulçe të njëtrajtshme, secili për qejf të vetë, pa u shkuar mendja se në dhomën ngjitur me ta kishte njerëz që dëgjonin gjithçka. Lëshonin të dy dihatje ritmike. Ajo përjetonte kënaqësinë e dhunës, ai zhytej në ekstazën e kënaqësisë së dhunimit.
"Sa pak e njohim botën e seksit…",- mendova, ndërsa dëgjoja si shpeshtoheshin gjithnjë e më tepër klithmat e dy kafshëve të plagosura.
M'u kujtua nata ime e parë,…vite më parë , në plazhin e Vlorës, në një kabinë të vogël dhe të errët. Im shoq atë natë u shkreh më herët se ç'duhej. Pastaj hapëm magnetofonin dhe dëgjuam muzikë. Deti llokoçiste sikur të kishte një brengë të madhe. M'i hoqi mendimet qetësia e shurdhët dhe memece.
"Tani edhe ne mund të flemë të qeta më në fund'', - tha e çliruar shoqja ime e dhomës. Unë kisha lënë kanatat të hapura për të dëgjuar shushurimën enigmatike të liqenit. Përgjumshëm ndieja dremitjen e yjeve.
Nuk e di kur më kishte zënë gjumi dhe sa mund të ishte ora? Sigurisht do të kishte kaluar mesi i natës. Një zhurmë e pazakontë na bëri të zgjoheshim të trembura. Prej vrimës së çelësit së derës së drurit, që ndante dy dhomat tona, depërtonte një rreze e hollë drite.
"E qeshura gudulisëse" qante. Edhe të qarën e kishte të shpenguar dhe të fortë .
-Ku e ke virgjërinë mee…? Hë mee… Fol! Kush ishte ai, mee…? -djali i kërkonte llogari me një zë të hollë dhe të dridhur.
- Me kë ke shkuar, mee? Do flaç, apo jo ?!...
- Me asnjeri, për kokë të…, - i thoshte ajo duke iu lutur ta ulte zërin, të qetësohej dhe të kuptonte se nuk kishte ndodhur absolutisht asgjë… Dhe se ajo për të cilin ai dyshonte…
(ishte e tmerrshme dhe me pasoja të rrezikshme). Dhe ai duhej të mendohej mirë para se ta prishte këtë krushqi.
-Po në drekë mee, … kur unë të lutesha, pse nuk ma hapje derën ?
-Më dhembte koka…, - thoshte ajo.
-Të dhembte koka? Hë?! Apo kishe jaranin brenda, mee ? Të shkoi mendja se mund të ma hidhje! Po çfarë t'i themi tani sat ëme, me..?
Në vend të përgjigjes u dëgjua përsëri dënesa e saj e mbytur.
-Bëhet fjalë për tradhti, -pëshpëriti me frikë shoqja e dhomës.
-Sigurisht, - i thashë unë, duke mbajtur veshët pipëz për të mësuar diçka më shumë.
Të nesërmen, kur zbritëm për të paguar, na thirri sportelisti plak:-Ej, ju artistet ! Ju të dhomës 19. Sot do t'ju vendos në dhomën 20. Çifti i ri u largua dhe nuk do të kthehet më. Hodhi një shikim kureshtar nga ne, se mos dinim diçka më shumë rreth asaj ikjeje të çuditshme, pastaj shtoi: Rini hesapi.

Google+ Followers